Sovraniteti kombëtar në marrëdhëniet e sotme të Shqipërisë

Nga Kristaq Xharo, botuar në Mapo, 19 tetor 2016

2728399

Kristaq Xharo, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare shkruan mbi “Cenimin e sovranitetit” në kontekstin e Reformës në Drejtësi. Ai thotë se sovraniteti nuk ruhet as me “heronj e as me rapsodë”. Në ditët e sotme sovraniteti është një koncept që lidhet me kontekstet apo me realitetet në diskutim.

“Në mungesë të drejtësisë, sovraniteti nuk është asgjë tjetër veç robëri e organizuar.”– St. Augustine

7pa5-samiti-i-nato-s-ne-varshave-kristaq-xharo-pedagog-640x340Para pak ditësh u kthye zbatica e artikulimit të termit “sovranitet”. Që të mos kalonte krejt tangjent, artikuluesit e lidhën termin edhe me kërcënime imagjinare. Batica u shfaq në periudhën maj-qershor të këtij viti, zbatica vetëm pak ditë më parë. Si batica dhe zbatica nuk lidheshin me kalendarin hënor, por me amplitudën e miratimit të Reformës në Drejtësi. U duk se batica kapi në “befasi” si opinionin publik, por edhe aktorët, veçanërisht të huaj që po angazhoheshin me procesin e reformës. Zbatica duket se nuk do ta ketë këtë efekt, e për më tepër shfaqet si një bumerang, që me shumë të ngjarë mund të marrë në rrugën e zmbrapsjes vetë artikuluesit e “cenimit të sovranitetit”. Nën paradoksin se “presioni” për Reformën në Drejtësi po cenon sovranitetin kombëtar, thirrja ndihej se bëhej nga ata që e kishin humbur apo nuk dëshironin të dallonin kontekstin e termit sovranitet. Nuk përjashtohet edhe mundësia për të turbulluar vetë kontekstin e për të shfaqur edhe dilema individuale. Nuk duket se do të kenë ndonjë efekt ndikues edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, që janë dhe mbeten pjesa motorike e procesit të reformës. Ashtu si në kohën e baticës, nuk besoj që aktorët ndërkombëtarë, tashmë në zbaticë do të bien në “grackën” për “sovranitetin vestfalian” dhe fuqishëm do mbeten të orientuar drejt misionit kryesor. Kjo ndjeshmëri paraqitet edhe për opinionin publik. Dhe kjo është më e thjeshtë se sa mund të mendohet. Një Reformë në Drejtësi e bën vendin më të mirë ose më të vështirë, por jo më sovran apo më të cenuar. Nuk ka ndonjë dilemë në raportet midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet”, realitetit dhe qëllimit të reformës.

Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët po e shkëputin termin nga konteksti i përgjithshëm. Ka paradokse në artikulim ashtu siç mund të mendohet se ka qëllime të tjera, por larg shqetësimit të vërtetë për sovranitetin. Se ç‘është sovraniteti, si sigurohet ai në arenën ndërkombëtare dhe botën bashkëkohore, nuk lidhet aspak me atë që dëshirojnë të lidhin të merakosurit e sovranitetit. Nëse do të mendohej për “cenim” të sovranitetit, mendimi do të lidhet me cenuesit. Cenimi i sovranitetit vjen nga jashtë. Nëse ka forca të brendshme ato kanë rolin e bashkëpunimit me të huajit dhe cilësohen me termin kolaboracionistë. Por përsëri rreziku i sovranitetit është i jashtëm. Po cilët janë cenuesit e sovranitetit. Mos ndoshta ata që morën pjesë në krijimin dhe rritjen e shtetit sovran shqiptar. Edhe vetëm kaq, në çdo rast do të ishte gabim përafrimi i artikulimit të termit sovranitet me Reformën në Drejtësi. Përse ata që janë në union për realizimin e Reformës në Drejtësi, për të bërë një shtet modern e të sigurt përballen me elitat politike që ju vendosnin përballë flamujt e rreckosur të drejtësisë nën emrin e sovranitetit?

Nëse do të dëshironin të debatonin vërtet për sovranitetin mund të afrohen çështje edhe më kritike që lidhen me fuqinë e termit. Për cilin “cenim” sovraniteti e kanë fjalën? Në cilën aspekt të sovranitetit: territorial, politik, ekonomik, ushtarak? E më tej, nga kush po cenohet ky sovranitet? Përse gjithë aleatët strategjikë, ata që historikisht kanë qenë në ngritjen dhe ruajtjen e këtij shteti sovran po vihen në anën e cenuesve? Vendi ynë, tashmë dihet që nuk ka kapacitete dhe aftësi për ta ruajtur i vetëm sovranitetin territorial. Ne nuk kemi kapacitete për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe atë detare. Ne kemi kapacitete shumë të kufizuara për kufijtë tokësorë. Ne, por edhe vende të tjera më të mëdha e të fuqishme, në epokën e globalizmit nuk mund të jenë tërësisht sovran për zhvillimet ekonomike, por as edhe ato politike. Ne bëjmë pjesë ose dëshirojmë të integrohemi në organizata ndërkombëtare të cilat afrojnë dhe kërkojnë përgjegjësi, kufizime dhe benefice. Më mirë këtë e shpreh diplomati dhe politologu i shquar Havier Solana kur shprehej se “…t’i brendashkruhesh një koncepti të ngushtë të sovranitetit vestfalian në këtë botë, është një anakronizëm i pamenduar, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin”.

Sot, debati për kontekstin e sovranitetit është mjaft dinamik. Pothuaj të gjithë studiuesit janë të mendimit se koha e sovranitetit vestfalian përfundoi formalisht që në vitin 1920, kohë e krijimit të Lidhjes së Kombeve. Pas kësaj periudhe, vendet i brendashkruhen konceptit bashkëkohor të sovranitetit kooperimit dhe integrimit për të përballuar sfidat që i kapërcejnë kufijtë lokalë. Sovraniteti vestfalian dhe bashkëkohor janë modele që dallohen nga periudhat kohore, nga elementët që mbartin, të elementëve që lëshojnë apo fitojnë, nga mënyrat se si integrohen në zhvillimet dhe sfidat e kohës dhe forma se si vendet afrohen apo kufizohen nga këto modele. Të përdorësh koncepte dhe doktrina të një epoke të kaluar në një periudhë tjetër vështirë se do të ishte e frytshme.

Një numër i kufizuar alternativash për ruajtjen e sovranitetit (vetëm tre)

Është brenda kontekstit unik të rrethanave të veçanta, që secili komb harton ose jo strategjinë e vet madhore për ekzistencën e tij. Në një inkursion të shpejtë në histori, për vendet e vogla, dallohet mënyra se si ato i përafrohen objektivit përmes vetëm tri alternativave, të ndryshme në rekurs, për të siguruar interesat strategjikë kombëtarë. Numri i vogël i alternativave, vetëm tre, nga njëra anë duket se kufizon hapësirat e zgjedhjeve dhe në anën tjetër nuk jep mundimin për dilema. Të kesh vetëm tri alternativa, nuk është një pozicion shumë komod, pasi të jep mundësi të kufizuara të peshosh, të vlerësosh dhe të vendosësh. Vendet me histori të hershme dhe bashkëkohore lehtësohen në modelin e përzgjedhjes së alternativave. Është, gjeografia, historia dhe gjeopolitika që i ndihmojnë të orientohen. Alternativat e përzgjedhjes sipas rrethanave evoluojnë te njëra-tjetra, por nuk e ndryshojnë rezultatin e zgjedhjes. David Mitran i paraqet këto alternativa në: alternativa e neutralitetit; e bashkimit në aleanca të fuqishme dhe e partnershipit me një vend të fuqishëm rajonal apo global.

Strategjia e neutralitetit: Për shekuj me radhë, neutraliteti është parë si një alternativë ndaj aleancave ushtarake, një fashë sigurimi, nëse siguria kolektive sfidohet apo edhe dështon. Në një vlerësim realist, neutraliteti paravendoset nga forcat ekzogjene dhe burimet materiale – e imponuar nga fuqitë e mëdha, ose e diktuar nga gjeografia ose dhe vetë kapacitetet e nivelit të një shteti/fuqie të vogël. Nga ana tjetër, kritika të ashpra mbi strategjinë e neutralitetit vijnë nga teoricienë realistë të cilët kanë dominuar rrjedhën e të kuptuarit të asnjanësisë për vendet e vogla, të konsideruara si pamundësi, si dobësi dhe pasivitet në sistemin ndërkombëtar. Strategjia e neutralitetit nuk funksionon si dëshirë apo vullnet edhe sepse një vend mund ta deklarojë si zgjedhjen e vet.

Neutraliteti ka domosdoshmëri njohjen e saj prej aktorëve kryesorë në skenën globale, fuqive të mëdha, të cilat më dendur konkurrojnë ashpër njëra-tjetrën. Në sloganin e “domosdoshmërisë së teatrit të luftës”, palët ndërluftuese nuk u kufizuan as në Luftën e Parë Botërore dhe ca më pak në Luftën e Dytë të përfillnin statusin e neutralitetit, shprehet Rugenberg në “Mbrojtja e një paqe të paqëndrueshme”. Në Luftën e Parë Botërore vendet neutrale ishin Argjentina, Kili, Venezuela, Danimarka, Spanja, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra. Këto ishin vetëm 10 vendet që ishin në gjendje të mbeteshin neutrale përgjatë gjithë Luftës së Parë, ndërkohë që numri i të vetëdeklaruarve neutral ishte disa herë më i madh . Lufta e Dytë Botërore pothuajse e shkallmoi tërësisht statusin neutral që përzgjodhën mjaft vende. Mjaft vende patën të njëjtin fat me vendet e deklaruara, pjesë e aleancave gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu përfshihet invazioni gjerman në Danimarkë dhe Norvegji në prill 1940, pastaj i Belgjikës dhe Holandës në maj 1940. Në të njëjtën datë Britania invadoi Islandën. Në vendet e Baltikut, Bashkimi Sovjetik pushtoi Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë në prill 1941. Në tetor 1940 filloi lufta italo-greke dhe në tetor 1940 Jugosllavia ishte gjithashtu e pushtuar. Të gjitha vendet e përmendura kishin deklaruar “neutralitetin” si strategji për ruajtjen e sovranitetit. Këto dhe mjaft të tjera janë fakte që tregojnë se strategjia madhore e neutralitetit nuk mund të funksionojë në mënyrë të njëanshme, apo vetëm se ai vend dëshiron. Statusi varet tërësisht nga konteksti gjeopolitik dhe interesat operacionalë dhe strategjikë të të mëdhenjve. Në ngjarje madhore si luftërat e përbotshme, por edhe ato rajonale, diplomacia, ligjet dhe konventat kanë pak hapësirë që të respektohen nga palët ndërluftuese. Strategjia e neutralitetit mund të realizohej në vende që ndodheshin jashtë ose të anashkaluar nga akset kryesore të përplasjes së fuqive të mëdha.

Strategjia për statusin e “një vendi neutral” nuk funksionoi as për vendin tonë gjatë Luftës së Parë Botërore. Të gjitha palët ndërluftuese, me rreth 250 mijë trupa, shkelën në territorin shqiptar, pa u merakosur për statusin e deklaruar “neutral”, por të angazhuar në aspekte operacionale që lidheshin me interesat e tyre gjeostrategjike. E veçanta qëndronte në këtë rast, pasi në një farë mënyrë, statusin neutral, apo protektorat e patën orientuar vetë këto fuqi, që me afrimin e Princ Vidit në drejtimin e shtetit të vogël shqiptar. Periudha 1914-1918 e gjeti vendin tonë të paaftë që të mbronte sovranitetin e vet nën strategjinë e neutralitetit dhe e ktheu atë në teatër luftimesh edhe pa qenë ndonjëherë fuqi luftarake. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, deri në prag të pushtimit nga Italia (1939), vendi ynë nuk kish shprehur zyrtarisht bashkimin me ndonjë aleancë kundër ndonjë aleance tjetër. Por, kjo nuk përbënte asnjë pengesë për t’u kthyer në shesh lufte duke humbur tërësisht sovranitetin.

Sovraniteti nuk ruhet as me “heronj e as me rapsodë”. Alternativa e bashkimit me aleanca të fuqishme. Sistemi i Luftës së Ftohtë ishte bazuar në konceptin e “balancës së fuqisë”. Për Hans Morgenthaun aleancat janë “manifestimi më i rëndësishëm i balancës së fuqisë”. Në këtë konstatim vendet anëtare kanë interesa të përbashkët, të bazuar në perceptimin e rrezikut nga vende të tjera më të fuqishme. Stephen Walt e modifikon konceptin duke u shprehur se aleancat janë rezultat i një “balance të kërcënimit”. Përgjatë Luftës së Ftohtë, shtetet e gjetën strehën në dy aleanca të fuqishme: NATO dhe Traktati i Varshavës. Aleancat nuk u ballafaquan direkt në konflikte të përbotshme për më shumë se 40 vjet. Në vitet e para të pas Luftës së Ftohtë, për shumë studiues u supozua se me shuarjen e një aleance do të përfundonte edhe aleanca tjetër. U mendua se kërcënimi kryesor për të cilin balanca e fuqisë e Luftës së Ftohtë referohej “ishte venitur”. Si pasojë, ata arritën në përfundimin: “ditët e NATO-s nuk janë të numëruara, por vitet e saj janë”. Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, megjithatë, NATO nuk tregon shenja të venitjes. NATO tregoi vitalitetin duke qenë një përjashtim ndaj këtyre parimeve dhe siguria e përbashkët u shndërrua në bazat e teorisë së aleancës.

Tashmë NATO ka njëzet e tetë anëtarë, ku shumica janë vende të vogla, të paktën 20 prej tyre klasifikohen në vende të vogla dhe relativisht fuqi të vogla. Ato e shohin bashkimin me këtë aleancë si një strategji për të ruajtur dhe promovuar sovranitetin dhe interesat e tyre kombëtarë. Në këtë aleancë marrin pjesë vende që më parë kanë pasur histori neutraliteti. Ndërsa mjaft të tjerë me po këtë status (neutraliteti) kanë ndërtuar marrëdhënie partnershipi. Përmendja e këtyre fakteve shkon për ata që ende kanë mbetur “skllavë” të konceptit vestfalian të sovranitetit, që në terma shqiptarë është njohur edhe me konceptin e vetizolimit. Në të njëjtën logjikë debatohet sot edhe për Bashkimin Evropian. Vendet nordike, të njohura më parë për statusin e tyre neutral tashmë janë pjesë e njërës apo tjetrës aleancë e në disa raste edhe në të dyja, ndërkohë që vendet baltike, gjithashtu të konsideruara vende të vogla e dikur neutrale kanë gjetur mburojën për ruajtjen e sovranitetit në të dyja aleancat. Të gjitha këto vende besojnë se bashkimi në aleanca mund t’i ndihmojë ato për të ruajtur sovranitetin dhe interesat e tyre strategjikë kombëtarë.

Përfitimet e lidhjes janë edhe më të mëdha për vende të reja të vogla me më pak përvojë në vetëqeverisje. Por, aleancat kanë edhe kufizime kohore si dhe limite të angazhimit. Historia ka treguar se çdo aleancë ka kohën dhe kontekstin e krijimit, zhvillimit dhe rënies së saj. Aleancat jetojnë më pak se kombet, bile shumë më pak. Le të mendojmë se në një kontekst të ri, mjaft zhvillime nuk do të jenë si më parë. Në një shkrim të mëparshëm, për të ardhmen e aleancës, kemi cituar figura të rëndësishme perëndimore që nga gjeostrategu Fridman, ish-sekretarin e mbrojtjes Geit, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jap de Hop Shefer, zëvendës/komandantin suprem të NATO-s, gjeneral Sir Richard Shirreff, apo ish-ministrin italian të mbrojtjes Admiral Giampaolo di Paola. Aleancat kanë treguar kapacitete mjaft të fuqishme për kërcënimet e jashtme. Debate zhvillohen për rreziqet që i vijnë nga brenda. Në rast se aleancat nuk do të jenë dhe më tej garant të sovranitetit, atëherë vendet e vogla thotë Milan Kundera, luajnë me ‘asin nën mëngë” mbështetjen në një aleat të fuqishëm.

Duke kërkuar mbrojtje apo partnership me një fuqi të madhe. Milan Kundera, shkrimtari çek, vëren se një dallim i rëndësishëm në mes të vendeve të mëdha dhe të vogla është se këta të fundit nuk mund të imagjinojnë mbijetesën e tyre të dhënë njëherë e përgjithmonë. “Kombi i vogël, -shkruan Kundera në ‘Tragjedia e vendeve të Evropës Qendrore’ – është ai komb ekzistenca e të cilit mund të vihet në pikëpyetje në çdo moment; një komb i vogël mund të zhduket dhe ai është i ndërgjegjshëm për këtë”. Në mënyrë të ngjashme, Lee Kuan Yew, babai (themelues) i shtetit të vogël të Singaporit, në një simpozium të përbashkët me Zvicrën në Hong Kong (2014), shprehet se për të kuptuar konceptin e një vendi sovran … ju duhet të niseni nga e kundërta. Një vend i vogël mund të mos ekzistojë. Megjithëse jo të gjitha kombet e vogla shfaqin pamje ekstreme të ekzistencës, shumica e tyre kanë pasur përvoja historike, që justifikojnë frikën e mbijetesës.

Shqipërisë i është dashur një histori relativisht e gjatë për të gjetur partnerët e vet strategjikë natyral. Që nga krijimi e deri në vitet ’90 shteti shqiptar provoi të tria alternativat e ruajtjes së sovranitetit. Perimetri i gjetjes së partnerëve niset që nga ai me vendet fqinje, shkon në stepa e në Lindjen e Largme dhe në çdo rast për fat të keq u shpërblye me zhgënjim dhe me rrezikun e humbjes së sovranitetit pikërisht për shkak të zgjedhjeve të gabuara. Gabimet vinin kryesisht se më tepër se interesat vitalë të kombit, elitat drejtuese përdorën si referencë interesat e tyre të ruajtjes së pushtetit. Të orientohesh dhe të ruash partnerë të fuqishëm strategjikë është kërkesë themelore për ruajtjen e sovranitetit për vendet e vogla. Në vështrim principal në mjaft vende këtë objektiv e realizon “Grand strategy”, e cila shkon përtej strategjisë së sigurisë dhe asaj të mbrojtjes. Koha i ka dhënë vendit tonë partnerë strategjik vitalë: SHBA dhe vende të fuqishme të Evropës Perëndimore. Është vitale që ndjesia kombëtare harmonizohet me afrimin e këtyre partnerëve. Nuk mund të jetë kompetencë e asnjë elite drejtuese të vështirësojë apo ndryshojë këtë ekuacion.

Një model sjelljeje për vendet e vogla- dhe Shqipëria.

Për sa vijon refleksione të ideve që japin Mitran, Krasner e Tojle. E vendosur në zemër të Evropës, Shqipërisë tradicionalisht për ruajtjen e sovranitetit, i kërkohet të ndjekë një politikë sigurie bazuar në idenë se vendi është i sigurt kur arrin të parashikojë dhe shmangë kërcënimet për mbijetesën e vet. Në zgjedhjet e mësipërme, të tria alternativave ky objektiv duket se mund të arrihet duke ndjekur alternativën e aleancave dhe të partnershipit. Neutraliteti devijon nga prirja për të zgjedhur megjithëse duket edhe më joshës. Vlerësohet, se pas shumë kohësh vendi ynë ndodhet në pozicionin e tij natyral në aleanca dhe me partner strategjik që historikisht i motivojnë sovranitetin. Është detyrë e elitave politike që në lidershipin e vet të mbajnë përherë në konsideratë, që interesat strategjikë ekzistencialë janë të lidhura me këto dy lloj alternativash. Shmangia nga ky drejtim rrezikon ekzistencën e vendit. Luksi për të limituar aleatët është i rrezikshëm. Përdorimi i termit sovranitet është i besueshëm dhe i sigurt kur artikulohet vetëm brenda këtij konteksti. ‘Ato (elitat) nuk mund të kenë monopolin për të sikletosur e vënë në dilemë aleancat dhe partnerët strategjikë (Mitran). Elitave, nëpërmjet diplomacisë dhe formave të ndryshme të kooperimit iu kërkohet të inkurajojnë zvogëlimin e distancave me Uashingtonin, Berlinin, Londrën, Parisin, Romen e Brukselin (NATO-n & BE), pa përjashtuar edhe ata më pranë.

Të artikulosh konceptin e “cenimit të sovranitetit” duhet kujdes dhe përgjegjësi. Në radhë të parë terma madhorë lidhen me çështje madhore. Çështjet madhore lidhen me aktorë, faktorë dhe procese. Partnerët dhe aleancat japin shansin për vendet e vogla të ndodhen në tavolinën e të fuqishmëve, direkt apo indirekt (Krasner). Aleancat nuk kanë vetëm benefice, por edhe detyrime. Aleancat janë zinxhir ku vendet janë hallkat e tij. Ndryshe nga aleatët, aleancat nuk kanë kapacitete të përhershme, por afrohen në rast rreziku si shumorja e çdo vendi anëtar. Zinxhiri do të jetë aq i dobët sa hallka e tij më delikate dhe jo në standardin minimal të kërkuar. Zinxhiri i aleancës homogjenizohet nëpërmjet arritjes së standardeve të çdo hallke të tij. Nuk flitet vetëm për kapacitete mbrojtëse por edhe ato ekonomike, politike, të drejtësisë e mjaft të tjera. Aleanca është proces dhe fillimi e zhvillimi i procesit zgjat zakonisht më tepër se vendet anëtare përgatiten për të fituar beneficet prej tij.

Për t’u kthyer atje ku nisëm: sovraniteti dhe Reforma në Drejtësi. Reforma në drejtësi -shprehet një studiues i njohur shqiptar – i kalon caqet e demokracisë së vetizolimit. Ajo është përmbyllja e një tranzicioni pa shtet ligjor, pa barazi përpara ligjit, pa institucione drejtësie te pavarura, pa respekt për të drejtat e njeriut, pa ekonomi të lirë e të ndershme, pa besueshmëri dhe respekt ndërkombëtar. Pra, reforma në drejtësi është fillimi i munguar i demokracisë shqiptare… Në këtë kontekst Reforma në Drejtësi kapërcen kufizimet e konceptit të sovranitetit tradicional vestfalian. Ajo i qaset vizionit të sovranitetit bashkëkohor, ku shumë angazhime transferohen në qendra rajonale e globale nëpërmjet proceseve integruese dhe globalizuese. Pra, si në dimensionin e demokracisë ashtu edhe në atë të sovranitetit, Reforma ne Drejtësi e tejkalon gardhin që përpiqen ta rrethojnë trumbetuesit e “sovranitetit vestfalian”, nëse vërtet kanë për referencë këtë koncept të së drejtës ndërkombëtare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi