Iluzioni i rritjes ekonomike

Editorial i Monitor, 17 tetor 2016
saca_medium_690x380_31223

Ekonomia duket se ka rimarrë ritmet e rritjes në tremujorin e dytë të këtij viti. INSTAT raportoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto u përshpejtua në 3.21% për periudhën prill-qershor, ndërsa dhe konsumi zyrtarisht ishte në nivelet më të larta që nga fundi i 2015-s. Për gjashtëmujorin e parë, rritja është 3.13%, nga 2.67% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën linjë, besimi i bizneseve vijoi të rritej për të dytin tremujor radhazi, sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Por, përtej këtyre shifrave optimiste, treguesit e tjerë mbështetës dëshmojnë se kjo rritje ka të ngjarë të mos jetë shumë e qëndrueshme. Brenda vetë strukturës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndikimin kryesor në rritje e kanë dhënë dy elemente, “tregtia, akomodimi, shërbimi ushqimor”, që ka ndikuar në 0.7% të rritjes dhe “taksat neto”. Elementi i gjallërimit të tregtisë, më shumë sesa një rritje të konsumit, reflekton efektin e formalizimit, që u shoqërua nga deklarime më të larta të xhiros kryesisht nga njësitë tregtare të paspecializuara. Realisht ky sektor është në krizë për shkak të riformatimit të ekonomisë drejt njësive të specializuara (rrjetit të supermarketeve që sa po vjen e zgjerohet). Një sondazh i ‘Monitor’ i pak javëve më parë me subjektet që kishin bërë kërkesë për çregjistrim gjeti se pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura vinin pikërisht nga sektori i tregtisë me pakicë, – dyqanet e vogla, – që nuk po arrinin të përballonin konkurrencën dhe frenimin e konsumit. Do të jetë tremujori i tretë dhe i katërt, ata që do të japin një tregues më të saktë të performancës së këtij sektori, teksa do të fillojë të shuhet efekti që jep në rritje formalizimi i tregtuesve të vegjël (kujtojmë se aksioni antiinformalitet nisi në gusht-shtator të vitit të kaluar).
Ndërsa rritja e taksave neto lidhet me nivelin e ulët të mbledhjes së tyre në 6 muajt e parë të vitit, por edhe me një administrim më pozitiv fiskal gjatë këtij viti.
Edhe të dhënat pozitive të rritjes së konsumit sërish nuk shkojnë në linjë me indikatorë të tjerë. Një tjetër tregues, ai i rritjes së ofertës së parasë në ekonomi po shënon ngadalësim të ndjeshëm, duke pasur një lidhje të zhdrejtë me konsumin, kur praktikisht duhet të ishte e kundërta (kur njerëzit konsumojnë më shumë duhet të shtohet dhe paraja që qarkullon në ekonomi). Në korrik, paraja që qarkullon në ekonomi (oferta e parasë) ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas teorive makroekonomike standarde, një rritje në ofertën e parasë duhet të ulë normat e interesit në ekonomi, duke çuar në më shumë konsum dhe huadhënie, ndërsa është e vërtetë dhe e anasjella (një ngadalësim i ofertës së parasë ndikon negativisht në konsum dhe huadhënie).
E dhëna më kokëfortë, se rritja e PBB-së nuk po shoqërohet me një përmirësim real të aktivitetit ekonomik është përkeqësimi i treguesit të kredisë me probleme, që arriti në fund të gushtit në 21.4%, pas rënies së fortë në rreth 18% në fund të vitit të kaluar. Rezulton se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huat nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë. Teksa ulja në fund të vitit të kaluar reflektonte më së shumti fshirjen nga bilanci të huave të humbura, pa shpresë arkëtimi (rreth 32 miliardë lekë, sipas Bankës së Shqipërisë), treguesi i NPL-ve do të kishte arritur në rreth 25%, më i larti në gjithë rajonin.
Të tjerë tregues mbështesin ekonominë e ndrydhur si rënia e eksporteve me gati 7% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2016; performanca e dobët e depozitave (rritja e tyre në gusht erdhi kryesisht nga faktorë sezonalë, që lidhet me remitancat, ndërsa kursimet në lekë po vijojnë rënien e ndjeshme); ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat, nga rritje dyshifrore në muajt e parë në më pak se 10% për 7-mujorin, teksa në korrik të hyrat nga TVSH (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), ranë me 0.5%.
Ndaj, përtej vetëkënaqësisë që japin shifrat makro, nevojitet një analizë më e thellë se ku po çalon ekonomia dhe si mund të orientohet ajo drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm, një debat ky që po zhvillohet prej kohësh, por që politikëbërësit, mes morisë së punëve që kanë, nuk po gjejnë kohën e duhur për ta marrë seriozisht.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi