E majta ka nevojë për ide dhe një gjuhë të re komunikimi nëse dëshiron të fitoj përsëri

Rutger Bergman, 14 tetor 2016

gf_vote_a4

Nuk mjafton të kesh zemrën në vendin e duhur. Argumentet do të mund të fitohen vetëm me energji dhe ide pozitive.

Kjo është një pyetje konfuze: përse gjërat kanë ndryshuar kaq pak që prej 2008? Në qoftë se kujtimi juaj është disi i turbullt, 2008 ishte viti kur bota u zgjua nën krizën bankare të një dimensioni epik, një krizë që lindi nga besimi i verbër në menҫurinë e tregut dhe nga mungesa absolute e vëmendjes publike. Por gjatë një kthesë të ҫuditshme, ato që përfituan nga kjo situatë ishin partitë konservatore (njerëzit që i thoshin votuesve se ishte faji i qeverisë) dhe ksenofobe (fajësonin terroristët dhe emigrantët se kishin vjedhur vendet tona të punës, megjithatë këta të fundit prapësëprapë cilësohen si shumë përtacë për të punuar).

Atëherë përse e majta nuk ka ofruar alternativa reale? Mund të shkruhen vëllime në lidhje me këtë mister, por unë do të preferoja të shpalosja një shpjegim të thjeshtë: rikthimi i përhershëm i socializmit humbës.
Ky është një fenomen ndërkombëtar, i ravijëzuar midis legjioneve të mendimtarëve dhe lëvizjeve majtiste, që nga sindikatat deri tek partitë politike, që nga gazetarët deri tek profesorët. Përshtypja botërore për socialistin humbës është përmbledhur në nocionin ku sistemi ka kontrolluar lojën e arsyes, gjykimit dhe statistikat, duke lënë të majtën pa emocione. Zemra ndodhet në vendin e duhur, por socialisti humbës gjithmonë gjendet me shpinën pas murit. Me shumë kujdes ata shikojnë neoliberalët, ndëkombëtarët dhe përparimin e eurokratëve (nëpunës i administratës së BE-së), por nuk mund ta bindin veten, përveҫse të qarraviten: «Seriozisht na duhet ky lloj përparimi »?
Një anëtare e parlamentit nga Partia e Gjelbër Flamande më pyeti së fundi: « “ Po, por a nuk është deficiti i qeverisë shumë i lartë?” Ajo më pa me mosbesim kur unë u përgjigja se deficiti është aktualisht shumë i ulët. Jeremy Corbyn akoma nuk ka ofruar ndonjë vizion bindës që të jehojë përtej fansave të tij të devotshëm.
Ndërkohë, Partia Socialiste në Francë dhe Partia Social-Demokrate në Gjermani po lëvizin përtej gjysmës së rrugës. Në vendin tim, në Hollandë, qeverisja e vakët e Partisë Social-Demokrate beson se do të jetë në gjendje të përmirësoj sondazhet vetëm nëse ekonomia tregon një rritje të moderuar. “E majta ka dështuar për të ofruar ide që tingëllojnë ekonomikisht dhe politikisht sa më popullore përtej politikave përmirësuese si p.sh transfertat e të ardhurave”, shkruan së fundi ekonomisti Dani Rodrik.
Socialisti humbës ka një tepri dhembshurie dhe politikat aktuale i duken shumë të padrejta- duke parë arritjet e shekullit të 20 të shkrumbohen në pluhur e hi, ai po nxiton për të shpëtuar atë çfarë mundet. Por kur vjen puna për këtë shtysë shpëtimtare, socialisti humbës gërmon tek argumentet e opozitës, duke pranuar gjithmonë premisat mbi të cilat zhvillohet debati. “Borxhi kombëtar ka dalë jashtë kontrollit, por ne mund të hartojmë më tepër programe të ardhurash-që varen nga …. Të luftosh varfërinë është tmerrësisht e shtrenjtë, por është pjesë e të qënit një komb i civilizuar…. Taksat janë të larta- por secilit sipas aftësisë së tij”.
Të frenosh dhe të kufizosh, ky është i vetmi mision i mbetur nga socialisti humbës. Kundër-ashpërsisë, kundër-privatizimit, kundër-sistemit insitucional: befas e gjen veten duke menduar, për ҫfarë duhen socialistët humbës në të vërtetë? Herë pas here, ata përkrahin fatkeqët e shoqërisë: njerëzit e varfër, të braktisurit, azilkërkuesit, njerëzit me aftësi të kufizuar dhe të diskriminuarit. Ata dënojnë islamofobinë, homofobinë dhe racizmin. Ndërkohë, ata fiksohen pas shtimit “të përҫarjeve” duke e ndarë botën në jaka blu ose jaka të bardha, të varfër ose të pasur, njerëz të zakonshëm ose 1% të jashtëzakonshëm, dhe me mëndjemadhësi kërkojnë “të rilidhen” me një zonë elektorale që prej kohësh i kanë kthyer shpinën.
Por problemi më i madh i socialistit humbës nuk është se ata gabojnë. Ata nuk e bëjnë këtë. Problem i tyre më i madh është se ata janë të shurdhër. Të shurdhër si shuli i derës. Nuk kanë çfarë të tregojnë më; nuk gjejnë dot as gjuhën për të komunikuar. Kanë arritur në përfundimin se politika është një ҫështje e thjeshtë identiteti, kanë zgjedhur një arenë në të cilën ata do të humbasin ҫdo herë.
Shumë shpesh, duket sikur të majtëve iu pëlqen të humbasin. Sikur të gjithë dështimet, fatkeqësitë dhe barbarizmat kanë shërbyer kryesisht për të provuar se ata kishin gjithmonë të drejtë. “Është një lloj aktivizmi,” vëren Rebecca Solnit në librin e saj “Shpresë në Errësirë”, “që ka të bëjë më tepër me forcimin e identitetit sesa arritjen e rezultateve.”
Një gjë që Donald Trump kupton shumë mirë është se shumica e njerëzve parapëlqen të jetë në anën e fitimtarit (“Ne do të fitojmë thellë. Ju do të lodheni nga fitorja). Ata pëlqejnë mëshirën dhe paternalizmin e Samaritanit të mirë. Situata e pandryshueshme- apokalipsi i përhershëm dhe i pashmangshëm- në vend të falimentimit financiar të rradhës ose katastrofës klimatike- nuk është një motivues i madh.
Ajo ҫka ka harruar socialisti humbës është se historia e së majtës premtonte të ishte një rrëfim i shpresës dhe i progresit. Me këtë nuk nënkuptoj një rrëfim që emocionon disa mbeshtetës të ideve hipster, të cilëve iu pëlqen të filozofojnë për “post-kapitalizmin”, pasi kanë lexuar një vëllim të lodhshëm. Mëkati më i madh i së majtës akademike është shndërrimi i saj tërësor në aristokraci duke shkruajtur në një zhargon të ҫuditshëm që i bën klishetë të duken të pakuptueshme. Në qoftë se nuk mund t’i shpjegosh dot idealin tënd një 12-vjeҫari inteligjent, me sa duket ky është vetëm faji yt. Ajo ҫfarë kemi nevojë është një rrëfim që i flet miliona njerëzve të zakonshëm. Gjithҫka fillon me rivendosjen e gjuhës së progresit.
Reforma? Patjetër që po. Le t’i japim sektorit financiar një rindërtim të vërtetë: rritini fondet, rimodeloni bankat dhe sfidojini parajsat fiskale. Pas kësaj, le të rizbulojmë shtetin e mirëqënies dhe zhdukjen e varfërisë përgjithmonë- ky po që do të ishte një investim me vlerë.
Meritokracia? Përfshiheni dhe atë. Më në fund le t’i paguajmë njerëzit sipas kontributeve të tyre të vërteta. Mbledhësit e mbeturinave, infermierët dhe mësuesit do të kishin një rritje të konsiderueshme page, ndërkohë, disa njerëz që merren me lobime, avokatë dhe bankierë do të shihnin sesi rrogat e tyre do të pësonin ulje. Në qoftë se bëni një punë që dëmton shoqërinë, vazhdoni atëherë. Por do t’ju duhet të paguani për privilegjin.
Inovacion? Absolutisht. Dhe kush më mirë për të mbeshtetur këtë risi sesa kapitalisti më i madh, sipërmarrësi i historisë: qeveria. Pothuajse çdo risi novatore financohet nga taksapaguesit: çdo pjeë e teknologjisë themelore në iPhon-in tuaj (sensorët kapacitivë, memoria, klikimet, GPS, internet, komunikimi, Siri, touch-screen) u shpik nga kërkuesit të paguar prej qeverisë.
Efiçencë? Pikërisht ky është qëllimi. Mendoni për këtë: çdo paund i investuar ndaj një personi të pastrehë kthehet trefish ose më shumë në kursimet për kujdesin shëndetësor, policinë dhe shpenzimet gjyqësore. Vetëm imagjinoni se çfarë mund të arrihet me çrrënjosjen e varfërisë së fëmijëve. Zgjidhja e këtyre problemeve është në tërësi shumë më efikase sesa koha dhe kostot për “menaxhimin” e tyre.
Stop shtetit-dado? Menjëherë. Le të ndërpresim kurset pakuptim të ripunësimit për të papunët, të ndalohet simulimi dhe degradimi për përfituesit e benefiteve, t’i japim fund përhapjes së burokracisë në hemisferën perëndimore dhe të çlirojmë “forcat e tregut” në kujdesin shëndetësor.
Liria? Kjo është ajo që e majta ka ëndërruar gjithmonë. Ndërsa flasim, 37% e britanikëve janë të mbërthyer me “punë koti”, të konsideruara si të tilla prej vetë atyre që i bëjnë këto punë. Ka ardhur koha që të gjithë të luftojmë për potencialin tonë. Por si? Përmes të ardhurave bazë universale.
Por së pari, socialistët humbës do të duhet të ndalojnë zhytjen në superioritetin e tyre moral. Kushdo që e quan veten progresist duhet të jetë një fener jo vetëm për çlirim energjie, por dhe për idetë, jo të pasqyrojë indinjatë, por burim shprese, përmes etikës së barabartë dhe shitjes nxitëse. Në fund të fundit, çka i mungon socialistit humbës është pikërisht përbërësi më jetik për ndryshimin politik: bindja se kjo me të vërtetë është mënyra më e mirë.

• Rutger Bregman është autor i librave: Utopia për Realistë: Rasti për të Ardhurat Bazë Universale, Kufijtë e Hapur dhe Javë Pune 15-orëshe.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi