Polisi, demokracia dhe oligarkia aristoteliane

Politics Magazine, 12 tetor 2016

aristoteli

“Ai që nuk mund të jetojë në bashkësi ose ai që nuk ka nevojë për askënd, sepse është i vetëmjaftueshëm, nuk është pjesë e shtetit, dhe, si i tillë, është ose egërsirë, ose perëndi”.
Aristoteli

Vetëm njerëzit, në mënyrë të natyrshme mes tyre hyjnë në raporte politike dhe merren me politikë si qenie politike. Krijesat ndër ta, që janë kafshët dhe mbi ta që janë zotat, nuk merren me politikë. Nëse njerëzit hyjnë në raporte politike për t’i harmonizuar interesat e tyre që nga familja dhe se kjo është një e mirë për të gjithë, atëherë edhe organizimi i shtetit duhet të bëhet mbi këtë bazë si e mirë e të gjithë qytetarëve.

Aristoteli është njëri ndër teoricienët e parë dhe më të njohur të shoqërisë, të shtetit dhe të politikës në përgjithësi. Veprat e tij, veçanërisht “Politika” dhe “Kushtetuta e Athinës” janë tejet të rëndësishme për teorinë e shtetit dhe politikës dhe si të tilla, nuk mund të mos përfillen, sa herë që bëhet fjalë për shtetin dhe politikën.
Aristoteli, pikëpamjet e tij politike dhe meditimet për shtetin i filloi nga analiza e rolit të familjes bazë, duke i sistemuar edhe të gjitha strukturat e tjera që e sajojnë natyrshëm godinën shtetërore.
Vetëm njerëzit, në mënyrë të natyrshme mes tyre hyjnë në raporte politike dhe merren me politikë si qenie politike. Krijesat ndër ta, që janë kafshët dhe mbi ta që janë zotat, nuk merren me politikë. Nëse njerëzit hyjnë në raporte politike për t’i harmonizuar interesat e tyre që nga familja dhe se kjo është një e mirë për të gjithë, atëherë edhe organizimi i shtetit duhet të bëhet mbi këtë bazë si e mirë e të gjithë qytetarëve.
Në krahasim me punën e tij në fushën e etikës, e cila i adresohet individit, në veprën e tij “Politika” –Aristoteli i adresohet qytetit. Koncepti i Aristotelit për qytetin është organik dhe ai konsiderohet ndër të parët që e përkufizon qytetin në këtë mënyrë.
Aristoteli konsideronte se qyteti është një komunitet natyral. Për më tepër, ai e konsideronte qytetin si primar përkrah familjes, e cila ishte primare përkrah individit.
Aristoteli i referohej politikës më shumë si organizëm se sa si makinë si dhe si grup i pjesëve ku asnjëra pjesë nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Duhet theksuar që përkufizimi modern i të kuptuarit të komunitetit politik është ai i shtetit. Sidoqoftë, shteti ishte i huaj për Aristotelin. Ai iu referohej komuniteteve politike me fjalën “qytet”. Aristoteli e kuptonte qytetin si “partneritet” politik dhe jo si komunitet politik siç e konsideronte Niccolo Machiavelli.
Rrjedhimisht, qyteti është krijuar jo për të mënjanuar padrejtësinë apo stabilitetin ekonomik, por më tepër për të jetuar një jetë të mirë: “Partneriteti politik duhet të shihet si ekzistim për shkak të aktiviteteve të moralshme e jo si shkak i të jetuarit së bashku”. Kjo mund të nxirret nga teoria e kontratës sociale ku individët e lënë gjendjen natyrore për shkak të “frikës nga vdekja e dhunshme” apo “pakënaqësitë e saj”.
I ndikuar nga pikëpamjet idealiste të Platonit, Aristoteli pohon se pozitën e çdo individi në shoqëri e ka caktuar natyra me përkufizimet dhe virtytet që i ka dhuruar çdo
individi. Kjo, njëkohësisht ishte bazë teorike edhe për ruajtjen e sistemit skllavopronar si sistem i ngritur mbi bazën e dallimeve natyrore të njerëzve.
Por, idealizmi i Aristotelit dallon nga ai i Platonit, i cili lindjen e shtetit e mbështet apriori në idenë nga e cila materializohet shteti, ndërsa Aristoteli, sajimin e shtetit e shpjegon përmes faktorëve empirikë që nga familja, fshati e polisi, të motivuar nga interesi për një jetë më të mirë.
Shteti, sipas Aristotelit është një bashkim dhe çdo bashkim ka qëllimet për diçka më të mirë. Bashkimet e tilla qëllimmira janë bashkime politike.
Pasi përcakton nocionin e shtetit, në veprën e tij Politika, ai i sistemon shtresat që e përbëjnë fenomenin shtet duke filluar nga bashkimi i burrit dhe gruas, që sigurojnë trashëgiminë. Pasojnë bashkimet e atyre që me inteligjencën e vet, natyrshëm i marrin përgjegjësitë për drejtimin e punëve të shtetit. Rojtarët (ushtarët) janë shtresa pasuese të cilët kanë më shumë forcë por me më pak inteligjencë.
Aristoteli bën dallimin në mes njerëzve me mendje të ndritur dhe të atyre që kuptojnë, por nuk kanë aftësi për mendime të pavarura. Mbi këtë fakt, ai bën klasifikimin e atyre që natyrshëm iu takon roli që të drejtojnë shtetin, ndërsa të dytët si barbarë, natyrshëm iu takon pozita skllave në shërbim të të parëve.
Një shumicë familje fshatare, bëjnë bashkësinë e fshatit, e cila u ndihmon që t’i zgjidhin problemet lokale, ndërsa shteti ose Polisi-shtet, është bashkim më i lartë (më kompleks). Shteti ka resurse natyrore, fizike, kulturore dhe institucionale për zhvillimin e të gjitha mundësive njerëzore.
Në vazhdim të zbërthimit të nocionit SHTET, Aristoteli përshkruan detyrat dhe shërbimet që duhet të ushtrohen për të pasur një shtet funksional. Kështu fshatarët duhet të prodhojnë ushqim, artizanët për shërbime të ndryshme dhe prodhimin e mjeteve teknike etj., forcat e armatosura për mbrojtje nga lufta, njerëz me prona nga të cilët shteti vjel të ardhura për funksionim dhe mbrojtje, priftërinjtë për shërbime ndaj perëndive dhe në fund organet e drejtësisë.
Aristoteli, theks të veçantë i vë domosdoshmërisë së shoqërizimit të individit, ngase njeriu nuk mund të ekzistojë i ndarë nga shoqëria, sepse njeriu është qenie zoopolitike (kafshë politike).
Shteti, sipas sistemit natyror qëndron mbi individin dhe familjen, sepse tërësia gjithmonë është mbi pjesën. Aristoteli, e krahason shtetin me trupin e njeriut. Konkretisht Aristoteli në veprën e tij “Politika”, lidhur me këtë thotë “Shteti sipas natyrës së vet është mbi familjen dhe secilin veç e veç, sepse tërësia është medoemos më e rëndësishme se pjesët. Nëse rrënohet tërësia, atëherë nuk ekziston as këmba, as dora, por ekziston vetëm i njëjti emërtim i cili mund të aplikohet edhe kur është fjala për dorën prej gurit; sepse dora e veçuar nga trupi do jetë e ngjashme me atë prej gurit.” Në qoftë se nga trupi i njeriut veçojmë pjesë vitale, trupi nuk mund të funksionojë. Atëherë, lind pyetja “Po si qëndron tërësia pa pjesët përbërëse të saj?” Teorikisht edhe mund të njëjtësohet shteti (funksionimi i tij) me trupin e njeriut, mirëpo realisht shteti (si tërësi, për dallim nga trupi), mund të funksionojë, paçka po i munguan pjesët, nuk mund të realizohet në plotësinë e tij.
Aristoteli bën shkallëzimin e njerëzve në bazë të aftësive dhe fisnikërisë së tyre, për t’u marrë me punët e shtetit.

Format e qeverisjes sipas Aristotelit

Aristoteli është një ndër mendjet më të ndritura të filozofisë politikë të kohës antike. Format e qeverisjes së shtetit të anticipuara nga ai, qysh para 25 shekujsh, janë materializuar gjatë tërë rrjedhës historike me më pak ose më shumë ndryshime, plotësime apo korrigjime.
Në analizën e tij mbi format e qeverisjes së shtetit më shkoqitur flet për monarkinë, oligarkinë dhe demokracinë. Monarkinë e cilëson si sundim të një individi, e cila mund të shndërrohet edhe në tirani (tiranidi- siç e quan Aristoteli). Oligarkia është sundim i një grupi të të pasurve, ndërsa demokracia- si sundim i shumicës së të varfërve (demos-popull, kratia-sundim). Në analizën e tij, Aristoteli i vë në pah anët pozitive dhe negative të çdonjërës nga këto forma të qeverisjes.
Shteti, sipas Aristotelit duhet të jetë në raport të natyrshëm me qytetarët, si i vjetri ndaj të riut, ose si prindi ndaj fëmijës.
Aristoteli pyet: A posedon skllavi edhe ndonjë virtyt pos aftësisë që të jetë vegël e qytetarit të lirë? Ai thotë se ekzistojnë mendime pro dhe kundër dhe përgjigjet po ose jo, i kanë vështirësitë e veta. Aristoteli pohon se ka mundësi që edhe skllavi të posedojë këto virtyte duke qenë se edhe ai është njeri dhe e posedon arsyen. Me këtë qëndrim ai bie në kundërshtim me teorinë e tij me të cilën e mbron sistemin skllavopronar si sistem natyrshëm i përcaktuar (apriori). Ai, njëkohësisht pohon se shteti domosdoshmërisht duhet të jetë i ndarë në klasa.
Ligjvënësit, thotë Aristoteli, duhet të bëjnë ligje në funksion të edukimit të qytetarëve. Në veçanti flet për obligimet e shtetit për edukimin e rinisë. Nëse shteti nuk e përmbush këtë obligim, ai pëson dëme, ngase çdo rregullimi shtetëror i nevojitet edukim i posaçëm. Kështu edukimi moral demokratik e ruan demokracinë, ai oligarkik-oligarkinë. Pra, morali më i mirë gjithmonë gjeneron rregullimin shtetëror më të mirë. Edukim i mirë duhet konsideruar çdo aktivitet që trupin, shpirtin e lirë të njeriut, e bën të aftë për zbatimin e virtytit dhe për të vepruar në pajtim me virtytin.
Sipas Aristotelit, një shtet i qëndrueshëm është atëherë kur “sasia” dhe “cilësia” sillen në drejtpeshim. Me “kuantitet” (sasi), Aristoteli kupton “atë që pjesërisht është e diskontinuar, kurse pjesërisht e kontinuar dhe përbëhet ose nga pjesët që mes veti kanë një pozitë ose nga pjesët që nuk kanë pozitë.” Ndërsa, “kualitet” (cilësi), Aristoteli quan “atë për shkak të të cilit për diçka thuhet se është e tillë dhe e tillë. Cilësia nga gjendja dallohet me faktin se është shumë më permanente dhe e qëndrueshme. Të tilla janë dituritë dhe virtytet”. Më saktësisht, me kualitet kuptojmë lirinë, arsimin, inteligjencën, pasurinë e vlera të tjera, ndërsa me kuantitet, Aristoteli na lë të kuptojmë të gjitha ato epërsi numerike që nuk kanë të kundërt.
Pushteti shtetëror është i mirë kur e ka parasysh të mirën e tërë bashkësisë, ndërsa pushteti i keq vepron vetëm në interes të vetin. Ndaj, pushtetin duhet ta udhëheqin personat e ndershëm, të moralshëm dhe më të aftët.
Aristoteli, konsideron se ekzistojnë tri lloje të rregullimit të mirë të shtetit: monarkia, aristokracia dhe shteti kushtetues. Paralel me shembujt për shtetet e mira, ai numëron edhe tri forma shtetërore që i konsideron të këqija: tirania, oligarkia dhe demokracia.

Monarkia Aristokracia Shteti kushtetues
Tirania Oligarkia Demokracia

Aristoteli thekson se ekzistojnë edhe forma tjera të përziera, por asnjërës formë të rregullimit shtetëror nuk i jep përparësi absolute. Sipas mendimit të tij e që pajtohet me teorinë e mesit të artë, një pushtet i matur duhet të realizohet përmes virtyteve. Aristoteli i jep përparësi demokracisë, duke e arsyetuar se “është më e sigurt dhe më pak i nënshtrohet kryengritjeve se oligarkia. Kjo ndodh për shkak se në oligarki ekzistojnë dy lloje të luftërave, lufta midis vetë oligarkëve dhe lufta e oligarkëve kundër popullit. Kurse në demokraci ekziston vetëm një luftë dhe kjo është lufta kundër demokracisë: luftë brenda demokracisë nuk ka dhe nëse ekziston, ajo nuk ka atë rëndësi. Politeja e cila përbëhet prej klasës së mesme është më afër demokracisë se sa oligarkisë dhe ajo është më stabile prej këtyre rregullimeve shtetërore.”
Aristoteli e kritikon utopinë e Platonit për shumë arsye, së pari ngase shteti i Platonit është koncipuar të jetë një unitet i koncentruar ndaj i parealizueshëm (ideal). Vërejtja pasuese ka të bëjë me pikëpamjen e Platonit për shpërbërjen e familjes si faktorin bazik për formimin e shtetit. As komunizmi utopik i Platonit nuk i pëlqen Aristotelit. Një sistem i tillë thotë, u konvenon njerëzve dembel. Gjithashtu preferon që prona duhet të jetë private, por ai porosit që të pasurit duhet të jenë solidarë.
Aristoteli, me veprat që i la pas, është filozofi më me ndikim jo vetëm në filozofinë mesjetare por edhe në mendimin filozofik të Europës bashkëkohore. Aristoteli, krahas Sokratit dhe Platonit është mendimtari më i shquar i Greqisë Antike. Gjerësia e tij krijuese ka mahnitur edhe filozofët dhe shkrimtarët më të mëdhenj. (Mapo)

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan