Kemi ndryshuar sistemin e drejtësisë por nuk kemi ndryshuar kulturën e sjelljen tonë ndaj saj

Nga Fatmir Xhafaj, fjala në Kuvendin e Shqipërisë, 15 korrik 2024

Kuvendi është vendi ku procesi i monitorimit dhe raportimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë duhet të trajtohet si një nga proceset me të rëndësishme në funksion të parimit kyc kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe në shërbim të drejtësisë aq jetike për fatin e shoqërisë që duam të ndërtojmë dhe pritshmërit e interesat e qytetarëve tanë.

Ne kemi ndryshuar thellësisht sistemin e drejtësisë, por kemi ndryshuar shumë pak kulturën tonë të sjelljes e reagimit ndaj institucioneve të saj. Seanca e sotme ishte dëshmia kuptimplotë e këtij fakti.

Ky realitet ka zënë vend edhe në raportin screening të BE që shprehimisht ka theksuar se: “Kontrolli parlamentar i punës së institucioneve të pavarura kryhet, por mbetet një proces burokratik që në pjesën më të madhe limitohet në shqyrtimin e raporteve të tyre vjetore”

Përpjekja e bërë në këtë fillim viti nga maxhoranca për të reflektuar mbi këtë rekomandim të BE ishte një hap shumë pozitiv që fatkeqësisht nga disa u keqkuptua dhe nga një pjesë tjetër u keqpërdor për interesa të politikës dritëshkurtër që nuk mungon të flasi papushim për drejtësinë, por shumë pak bën për të ndryshuar qasjen e sjelljen ndaj saj.

Duhet ta pranojmë, reforma në drejtësi ka sjell ndryshime thelbësore në sistem ku vlerat, parimet dhe akitektura e tij është në standartet më të mira ndërkombëtare.

E dëshmojnë këtë fakt të gjitha raportet e vlerësimit të BE.

Drejtësia e re po ndryshon vetvehten dhe po ndikon pozitivisht mbi shoqërinë, por edhe në dy pushtetet e tjera. Kryesorja ka rritur shpresën dhe besimin e shqiptarëve. E ky është fakt. Sondazhet më të mira e konfirmojnë këtë gjë, por akoma e më shumë po e konfirmon koha!

Mjafton edhe vetëm një krahsim i thjeshtë. Dje pushteti i drejtësisë ishte vecse një zgjatim i pushtetit ekzekutiv të maxhorancës së radhës, sepse cdo institucion i drejtësisë formohej në këtë sallë nga vullnetet e konsensuset politike, shpesh tejet të mbrapshta ndaj saj.

Sot pushteti gjyqsor është tërësisht i pavarur, një pavarësi e garantuar dhe mbrojtur me kushtetutë, sistemi vetqeveriset me institucionet e zgjedhura prej tij dhe kontrolli, promovimi dhe kariera e gjyqtarit dhe prokurorit përcaktohet tërësisht me mekanizma të brendshëm rregullues të vet sistemit.

E për ta kuptuar edhe më mirë këtë mjaft të shohim goditjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Shumë pak do ta imagjinonin këtë cfarë po ndodh sot me luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe sidomos atë cfarë po ndodh me krimin e organizuar në vend. E ky është fakt që nuk duan ta pranojnë vetëm disa që ndjejnë peshën e mëkatave dhe orën e llogaridhënies për to. Po kjo ka pak rëndësi. Ka rëndësi që e pranojnë qytetarët shqiptarë që po ndjejnë përditë ndryshimin, forcën dhe barazin para ligjit.

E kjo është një vijë e qartë ndarëse midis atyre që duan drejtësi të pavarur dhe barazinë para ligjit në këtë vend dhe atyre që duan një drejtësi me telekomandë politike, një drejtësi të nënshtruar nga pushteti politik dhe pushteti i parasë e krimit.

Kjo është një betejë e madhe që është duke e ndryshuar shoqërinë tonë, një betejë midis të djeshmes dhe të nesërmes europiane. Nuk ishte një betejë e lehtë dje kur nisi dhe u miratua kjo reformë dhe nuk ka sesi të jetë sot kur drejtësia ka filluar të veprojë mes nesh dhe ndaj nesh, pa dallim gradën politike që mban apo sa vite mban mbi supe xhaketën e pushtetit.

Procesi për reformimin e drejtësisë, për konsolidimin e vlerave dhe standarteve që kushtetuta dhe kuadri ligjor kanë përcaktuar mbetet një proces i vështirë e i shtrirë në kohë. Vërtetë jemi duke ndryshuar shumë gjëra: ligjin, institucionet, infrastrukturën apo edhe njerëzit brenda sistemit, por ama nuk kemi ndryshuar ende sa dhe si duhet qasjen dhe kulturën e njerëzve që japin drejtësi dhe gjithë atyre që shërbejnë në sistemin e drejtësisë. Kjo nuk është vetëm cështje ligji, godinash apo financash, por vullneti, devotshmërie, besimi dhe kohe.

Kushtetuta e ligji kanë garantuar një drejtësi të pavarur dhe cdo presion për vendimmarrjen e saj është i dënueshëm, por ama është fakt që ende edhe në këtë aspekt kemi jo pak probleme sot brenda sistemit. Gjyqtarë dhe sidomos prokurorë që nuk ndjehen brenda vehtes të pavarur dhe lejojnë të ndikohen në vendimmarrje nga eprori, kolegu apo edhe faktorë të jashtëm. Ca më keq akoma që disa prej tyre e kanë keqkuptuar pavarësinë, mbështetjen dhe mbrojtjen e dhënë si një liri për të kapërcyer kufijtë e ligjit apo për t’ju kthyer disa praktikave të mëparshme të gabuara për të cilat u detyruam të bënim atë ndërhyrje të thellë në sistem.

Pavarësia dhe mbështetja finaciare e dhënë duhet të kthehen në më shumë përgjegjshmëri, transparencë, cilësi hetimi e gjykimi dhe eficensë të sistemit gjë që nuk po ndodh me ritmin e duhur në disa pjesë të tij.

Në vlerësimin tim aktualisht po bëhet një gabim i madh, me apo pa dashje. Të gjithë flasin, sic ndodhi edhe sot në këtë seancë, kryesisht vetëm për SPAK dhe me shumë të drejtë për cfarë ky institucion përfaqëson dhe po dëshmon me treguesit e punës së tij. Natyrisht SPAK, por edhe GJKKO kanë shumë arritje dhe një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe sidomos një shumicë e prokurorëve e hetuesve të SPAK janë duke duke dëshmuar integritet të lartë moral e profesional dhe duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kjo është një arritje e paimagjinueshme me pak vite më parë.

Gjithsesi pavarësisht suksesit, tashmë mbas kësaj faze të ngritjes dhe veprimit të këtyre strukturave të specializuara krahas nevojës për të përmirësuar dhe forcuar më tej kushtet e garancit ligjore ndaj tyre ka ardhur momenti për të forcuar më tej autoritetin e gjyqtarit dhe barazinë e palëve në proces, kërkesën për rritje të cilësisë së hetimit dhe gjykimit, zbatimin e drejtë të ligjit dhe bazueshmërinë në prova, zbatimin e një politike më të drejtë e proporcionale në masat e sigurisë dhe dënimin penal etj.

Drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi cështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit. Edhe sepse cështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me lirit dhe të drejtat themelore të njeriut.

Reforma në drejtësi, prokuroria e gjykatat nuk janë vetëm SPAK e GJKKO, por edhe ato dhjetra prokurori e gjykata në të gjithë territorin ku ka shumë e shumë më tepër probleme dhe në dyert e të cilave trokasin shumë më tepër njerëz që shpresojnë të zgjidhin drejt dhe në kohë hallet e tyre, të marrin drejtësi dhe të shërbehen me drejtësi.

Pavarësisht arritjeve shumë pozitive në zbatimin e reformës në drejtësi duhet të shohim me preokupim e reflektim edhe gjetjet e problematikat që ka aktualisht sistemi të adresuara këto shumë qartë edhe në raportet vlerësuese  më të fundit të BE, në vlerësimet dhe rekomandimet e tyre.

Vonesat në hetim e gjykim janë aty ashtu sic është zvarritja pafund e cështjeve nga gjyqtarët që padyshim lidhen me vakancat në sistem, por në një masë të konsiderueshme lidhen edhe me zvarritjen e vetë cështjeve nga gjyqtarët ekzistues, keqmenaxhimi i seancave gjyqsore prej tyre, mungesa e autoritetit të tyre për t’ju dhënë fund praktikave simuluese të palëve ndërgjyqëse, mungesa e arsyetimit në kohë të vendimeve si dhe shtyrja për shkaqe të pajustifikuara të seancave hetimore e gjyqsore.

Situatë kjo e ndihmuar edhe nga mungesa e një efikasiteti më të mirë të autoritetit kontrollues të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe vecanërisht me problematikat që kemi me përgjegjshmërinë, transparencën dhe efikasitetin në punë të dy këshillave që qeverisin sistemin e sidomos Këshillin e Lartë të Prokurorisë që në vlerësimin tim në disa aspekte ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ligji dhe zbatimin e rekomandimeve të BE.

E përsëris sërish në këtë sallë, që është e papranueshme që dy këshillat nuk arrijnë të koordinohen midis tyre dhe të reagojnë në kohë e me vendosmëri për disa cështje kyc për sistemin sic janë ato për unifikimin e standarteve në aktet rregullatore që do duhej të ishin miratuar, ndërtimin e sistemit të integruar të menaxhimit të cështjeve – një projekt ky kyc për sistemin, reagimin e fortë për uljen e numrit të lartë të cështjeve në pritje prej vitesh për hetim e gjykim etj të tilla.

Më vjen keq ta them, por performanca e dy këshillave lë shumë për të dëshiruar dhe vecanërisht e disa prej anëtarëve jo magjistratë, cka është reflektuar qartazi ne vendimmarrjet e tyre me vlerësimet profesionale të vonuara, promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që karakterizohen nga zvarritjet e pajustifikuara dhe mungesa e transparencës, cka ka krijuar perceptime mbi ndikimin në këtë proces të interesave koorporatiste dhe nepotike brenda sistemit, por edhe nga lobimet e interesave jashtë sistemit.

Cilësia e hetimit dhe gjykimit mbetet ende problematike ku shpesh vihet në dyshim edhe integriteti për disa gjyqtarë, prokurorë e oficer të policisë gjyqsore.

Gjithashtu vendime të keqarsyetuara dhe të keqshkruara dhe për më tepër qëndrime të ndryshme për cështje të së njëjtës natyrë janë prezente në të dy nivelet e gjykimit.

Dukuri prezente këto edhe sepse mungon kontrolli i brendshëm efikas i vet gjyqsorit, por edhe nga nevoja për një unifikim të munguar të standarteve e praktikës nga Gjykata e Lartë dhe sidomos për një kontroll më të adresuar në cështje të tilla nga ILD mbështetur qoftë edhe në vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut, të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë cka do të ishte një shërbim shumë i mirë në këtë fushë.

Drejtësia e drejtë nuk gjykon dhe as ndëshkon bazuar mbi perceptim, as mbi preferenca politike, as mbi shijet e portaleve mediatike të ndikuara po prej tyre, por mbi fakte dhe prova! Populizmi politik është i dëmshëm, por populizmi gjyqsor është i edhe më i dëmshëm. Ligjshmëria dhe prova mbeten thembra e akilit, forca dhe autoriteti i drejtësisë, besueshmëria reale e saj!

Nga ana tjetër me shumë të drejtë raporti i fundit i Komisionit Evropian konstaton se: “Shqetësimet mbeten për … presionin politik dhe frikësimin, duke përfshirë zyrtarë publikë ose politikanë që ngrenë akuza kundër magjistratëve që duhet të parandalohen dhe sanksionohen”.

E tillë ishte edhe sot gjuha e përdorur në disa nga pyetjet e bëra në sallë ndaj drejtuesve të institucioneve. Nuk jam kundër pyetjeve, përkundrazi se unë vet e kam shfrytëzuar gjerësisht këtë të drejtë në seancat dëgjimore në komisionin e ligjeve, megjithëse do të ishte realisht e dobishme një prezencë më aktive e më konstruktive të opozitës në këto seanca dëgjimore dhe sidomos në hartimin dhe miratimin e projektrezolutave me rekomandime për këto institucione.

Nuk është pozitive kur dëgjon në seancë një gjuhë presioni politik, në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve dhe tërësisht jashtë kufijve që parashikon kushtetuta e rregullorja e Kuvendit për procese të tilla me institucionet e pavarura të drejtësisë.

Në përmbyllje, dua t’ju kujtoj përgjegjësinë që Kuvendi ka, për të reflektuar mbi problematikat dhe për të propozuar zgjidhjet e duhura, jo përmes tavolinave hermetike, por përmes një procesi gjithpërfshirës, transparent dhe profesional ku në qendër të këtij debati të jenë vet njerëzit e sistemit të drejtësisë.

Maxhoranca, në reflektim të përgjegjësive kushtetuese e ligjore të Kuvendit e bëri këtë hap me ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar që ndër të tjera do ju jap mundësin përfaqësuesve të vet sistemit, ekspertëve e profesionistëve të saj që vet ato të prezantojnë, debatojnë e vendosin për reflektimet që duhen bërë në sistem, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent përball ekspertizës së shoqërisë civile, trupës akademike dhe vlerësimit të vet qytetarëve.

Opozita ende heziton të bëhet pjesë e këtij procesi dhe në vend të bashkëpunimit dhe përfshirjes me kontribute konkrete në këtë proces, ka zgjedhur paragjykimin mbi procesin dhe agresivitetin mbi vet sistemin e drejtësisë. Nuk mund të jesh një forcë serioze, se alternativë e besueshme jo e jo, nëse një pjesë e juaja i drejtohet SPAK-ut si në një gjyq popullor duke i kërkuar drejtësi e ndëshkim penal për kundërshtarët politik dhe pjesa tjetër bën dhunuesin publik ndaj tij sic ndodhi edhe në seancën e sotme! Nuk mund të ketë prokurorë apo gjyqtar të mirë kur ju jep të drejtë dhe prokurorë e gjyqtarë të kapur apo të blerë kur nuk u japin të drejtë!

Rezultatet e zgjedhjeve të njëpasnjëshme mbase duhet t’i bëj kundërshtarët tanë politik të kuptojnë se për qytetarët e këtij vendi qëndrimi ndaj drejtësisë së re, pavarësisë së saj, mbetet vija e kuqe. Këtë e kanë treguar qartazi qytetarët tanë me mbështetjen që i dhanë reformës në drejtësi dhe që vazhdojnë ti japin institucioneve të reja të drejtësisë.

Drejtësia, domosdoshmëria për të, mbetet guri i themelit mbi të cilën mund të vazhdoj përpara rruga jonë europiane, bazamenti mbi të cilën mund të ndërtojmë një shtet të fortë e me institucione të qëndrueshme, shpresa e fortë për mirëqeverisje dhe sundimin e ligjitpër një të ardhme shumë më të mirë për vendin e fëmijët tanë.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi