Parti të reja, histori të vjetra

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 10 tetor 2016

Ervis-Iljazaj-150x150Lëvizja e re politike që pritet të krijojë Ben Blushi, tashmë e zyrtarizuar nga ai vet, tregoi edhe njëherë, që çdo forcë e re politike e lindur në Shqipëri, përveçse emrit nuk ka asgjë të tillë. Fatkeqësisht, nuk kanë sjell asgjë të re për sa i përket programit, frymës apo zemëratës popullore e cila mund të përkthehej më pas në një forcë politike të besueshme. Çdo tentativë e tanishme apo më e hershme, siç kanë qenë disa lëvizje të tilla, duke patur parasysh lëvizjen “Ne Tirana” apo “Aleancën Kuq e Zi”, të cilat krijohen nga njerëz më shumë se sa politik, janë të destinuara të dështojnë për një arsye shumë të thjeshtë. Të gjitha këto lëvizje edhe pse orvaten të paraqiten si një frymë proteste ndaj klasës politike aktuale dhe tentojnë të godasin sistemin aktual politik, janë produkt i po këtij sistemi.

Këtë fenomen të kudondodhur jashtë kufirit të Shqipërisë, politikanë të ndryshëm po sforcohen ta sjellin edhe në vendin tonë. Por, pa sukses. Dështimi spektakolar i Aleancës Kuq e Zi e vërteton më së miri këtë. Është e vërtetë, që ka një valë pakënaqësie ndaj partive politike tradicionale kudo në Europë, duke patur parasysh nivelin e ulët të besimit që ekziston ndaj tyre si pasojë e krizave ekonomike dhe sociale, që po përjetojnë këto vende, por, po aq e vërtet, është fakti se suksesi i tyre bazohet te protesta spontane nga të cilat kanë lindur këto parti. Një valë pakënaqësie e cila vihet re edhe në elektoratin shqiptar por, që, deri më tani nuk ka arritur të përkthehet në një parti politike vërtet të re, në çdo kuptim që duhet të përmbajë një forcë e tillë.

Sepse këto lëvizje të reja që pretendojnë të përfaqësojnë zemëratën e madhe popullore ndaj partive kryesore, bazohen te besimi që duhet të kemi te emri që udhëheq ato, dhe jo te parimet e ndryshme të cilat janë të vërteta vetëm nëse lindin nga një frymë e përgjithshme që përveç logos së partisë duhet të ketë, njerëz të rinj, ide të reja dhe politikë të re. Përse vallë duhet t’i besojmë më shumë Benit sesa Edit?! Hipokrizinë e tyre të forcës puritane dhe të ndryshme që ato duan të na paraqesin, i ka dhënë përgjigje zbrazësia e tyre politike sa herë ato janë shfaqur me në krye njerëz që kanë qenë pjesë e këtij sistemi dhe kanë patur në dorë fatin e qytetarëve me vendimet e tyre. Andaj, emërtimi parti e re nuk u shkon përshtat. Këto forca janë po aq të vjetra sa dhe vet liderët e tyre. Personalisht do të preferoja, duke patur konsideratën më të lartë për politikanin Blushi, Të qëndronte brenda Partisë Socialiste. Dhe po brenda saj, të pastronte atë që ai e quan kazan plehrash, dhe jo të krijonte një kazan të ri, që ndoshta do të mbajë erë më shumë se sa i pari në të cilin zotin Blushi bënte pjesë.

Nëse ka një gjë që elektorati nuk e fal asnjëherë, është pavërtetësia e kauzave politike të cilat i paraqiten. Dhe deri më tani elektorati shqiptarë e ka vërtetuar këtë. Ndryshe nuk të do të shpjegohej fakti që, edhe pse perceptohet një pakënaqësi dhe mosbesim ndaj klasës politike shqiptare, asnjëra nga forcat e reja politike deri më tani nuk ka patur sukses. Është e thjeshtë!. Ato nuk kanë qenë të reja, por të vjetra sa vet tranzicioni shqiptar. Ndoshta lëvizja e Blushit do të ketë sukses. Le të shohim! Por, kostumi i antipolitikës që pretendon të ketë veshur nuk i shkon për shtat. Sepse, siç thotë edhe një politolog i famshëm amerikan Tomas Man: “Anti-politika është gjithashtu politike. Sepse politika është një forcë e tmerrshme. Kundërshtia ndaj politikës shprehet fatalisht në forma politike. Politika është aq e fortë sa që neutralizon viruset që ajo vetë prodhon”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi