Përse zgjerimi i BE-së ka ngecur?
Dushan Reljiç, Shef i Zyrës së Brukselit të Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin
Nuk është Brexit ose Euroskepticizmi ato që kanë bllokuar anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe shumicës së vendeve të ish-Jugosllavisë. Në qoftë se ata do të ishin aq të pasur dhe politikisht të qëndrueshëm si Norvegjia apo Zvicra, klasa politike e BE-së dhe masa e gjërë me siguri që do t’i mirëpriste me duartrokitje.
Kështu siç qëndrojnë gjërat, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë perceptuar si strehues të rrezikut financiar dhe politik. Udhëheqësit e BE-së konsiderojnë si zgjidhje të matur vetëm nëse vendet paksa të frikshëm të Ballkanit Perëndimor mbahen në anën tjetër të gardhit. Megjithatë, vendim-marrësit dhe opinionistët në BE, në përgjithësi, dështojnë për të pranuar origjinën e vërtetë të rreziqeve. Faktikisht, kjo është struktura e marrëdhënieve ekonomiko- politike e vendosur mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që po i dënon aspirantët për anëtarësim në BE me prapambetje.
Midis viteve 2005 dhe 2015, deficiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregtinë me Bashkimi Evropian u shtua në afro 94 miliardë euro. Eksportet neto të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor (kryesisht nga Gjermania dhe më pak nga Italia) rritën prodhimin demokratik bruto të vendeve të BE-së duke zvogëluar bilancin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkë me Moldavinë, ata janë shtetet më të varfra të Evropës. Në mënyrë që të justifikojnë faturën e importit për të mbuluar boshllëkun në arkën e shtetit, vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të marrin kredi të freskëta – kryesisht nga bankat me seli në BE. Borxhi aktual i jashtëm i rajonit vlerësohet të jetë më i lartë se 100 miliardë euro. Ky është rreth pesë deri në gjashtë herë më shumë sesa borxhi i jashtëm që kishte akumuluar Jugosllavia pak para se të shpërbëhej një ҫerek shekulli më parë. Ky krahasim është i rëndësishëm nëse ju mbani mend njërën nga arsyet kryesore që ҫuan udhëheqësit e Sllovenisë dhe të Kroacisë (tani të dy vendet janë anëtarë të BE-së) drejt vendimit për t’u ndarë nga pjesa tjetër e federatës multikulturore jugosllave. Ata ishin të bindur se avancimi i tyre drejt Perëndimit do të pengohej për shkak të gjendjes së vështirë të pjesëve më të varfra të Federatës.
Në të njëjtën mënyrë, qeveritë e BE-së dhe banorët përkatës të saj nuk e shohin të arsyeshme përse ata duhet të pranojnë të varfërit nga Ballkani Perëndimor si anëtarë të rinj. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, nëse BE-ja do të kalojë në stanjacion në dy dekadat e ardhshme, dhe nëse Ballkani Perëndimor do të arrijë një rritje vjetore të PBB-së me normë më të lartë se gjashtë përqind (dy deri në tre herë më shumë se tani), atëherë, rreth vitit 2035, vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i afrohen PBB-së mesatare të BE-28. Aktualisht ata i afrohen rreth 30-40 përqind. Thjesht, shanset për një konvergjencë ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë të pakta. Krejt e kundërta – përhapjet e efekteve të krizës së Eurozonës në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mungesa e konkurrencës në tregjet globale, ritmi i shpejtë i plakjes së popullsisë dhe rritja e emigrimit nga rajoni theksojnë një deprivim socio-ekonomik në të ardhmen.
Përfundimi i një studimi të ri të botuar nga Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE) paraqet si një “rezultat të vështirë” përmirësimin e aftësisë konkurruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e rritjes së eksportit, në qoftë se vazhdohet me politikat shtrënguese. Gjithashtu, Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (WIIW) theksoi se qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar në “zhvlerësimin fiskal” gjatë viteve të fundit si një përpjekje për të përmirësuar konkurrencën. Kjo do të thotë se ata kanë rritur normat e TVSH-së, ndërkohë që kanë ulur taksat mbi të ardhurat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Instituti vjenez është i bindur se kjo mund të ketë ndihmuar promovimin e zëvendësimit të importeve dhe eksporteve. Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi fiskal “ka rritur barrën mbi grupe me të ardhura të ulëta, duke i siguruar lehtësim atyre me të ardhura të larta”. I shtojmë kësaj të fundit dhe performancën e dobët të gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të rëndësishme politike, përhapjen e gjërë të korrupsionit dhe bëhet krejtësisht e qartë përse shumica e njerëzve në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti të rinjtë (shkalla e papunësisë tek të rinjtë në rajon është midis 40 dhe 70 përqind) kanë humbur shpresën se mundësitë mund të ndriҫojnë gjatë jetës së tyre. Branko Milanoviҫ, profesor në Universitetin e Nju Jorkut (CUNY) dhe një nga ekspertët kryesorë në botë mbi të ardhurat dhe pabarazinë shoqërore, thotë se këshilla më e mirë që ai mund t’iu ofrojë të rinjve në vendet e varfëra është që të emigrojnë në rajone më të pasura. Realisht, vetëm ky veprim mund të përmirësojë shanset e tyre.