BB: Rritja e qëndrueshme ekonomike përballë rreziqeve në rritje

Raport i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim/Banka Botërore, vjeshtë 2016

screen-shot-2016-09-28-at-11-26-23

 

Gjashtë vendet e Europës Juglindore (EJL6) – Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina (BeH), Kosova, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi, dhe Serbia – duhet të veprojnë në një mjedis kompleks global. Pasiguria politike, institucionale, dhe e politikave ekonomike në vendet e zhvilluara, çmimet ende të ulëta për lëndët e para, dhe normat veçanërsiht të ulëta të interesit ulin pritshmëritë e rritjes së ekonomisë globale. Ritmet e rritjes ekonomike janë ngadalësuar kudo, dhe rritja ekonomike e Bashkimit Europian (BE), një destinacion i rëndësishëm për eksportet e EJL6-ës, këtë vit vlerësohet të jetë 1.9 për qind, që është më e ulët se niveli 2 për qind në vitin e mëparshëm. Pasiguria në Europë është rritur për shkak të vendimit të referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për të dalë nga BE-ja, krizës së vazhdueshme në Greqi, presionit mbi bankat Italiane, tensioneve politike në Turqi, si dhe vazhdimit të krizës së refugjatëve. Brexit ka ripërtërirë debatin për të ardhmen e BE-së dhe ndikimin e mundshëm në vendet që janë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Megjithatë, vendet e EJL6-ës vijojnë të ndjekin në mënyrë të vendosur aspiratat e tyre për integrimin në BE, dhe disa prej këtyre vendeve kanë çelur kapituj të rinj këtë vit.

Pavarësisht faktorëve të jashtëm, ritmet e rritjes ekonomike në rajonin e EJL6-ës po konsolidohen. Ne parashikojmë që rritja ekonomike në vitin 2016 të forcohet në 2.7 përqind krahasuar me 2.2 për qind në vitin 2015, duke u stimuluar nga investimet e fuqishme dhe rigjallërimi i konsumit të familjeve. Zgjerimi ekonomik i rajonit reflekton rimëkëmbjen e rritjes ekonomike kryesisht në Serbi, por edhe në Shqipëri (Tabela A). Investimet vijojnë të jenë faktori kryesor nxitës i rritjes ekonomike, sidomos në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Pas disa viteve me rritje të vogël, edhe konsumi filloi të rritet me shpejtësi, i stimuluar kryesisht nga përmirësimet në tregun e punës (Shqipëri, Kosovë, dhe Serbi) dhe rritjes së pagave dhe transfertave publike (IRJ e Maqedonisë dhe Mali i Zi).

Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe reformat e tregut të punës vijojnë të mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat. Zvogëlimi i ngurtësive të tregut të punës në kombinim me rritjen e fortë ekonomike, ka rezultuar në rritjen e punësimit me 4.7 për qind në Serbi, në gjysmën e parë të vitit 2016. Përpjekjet për formalizimin e tregut të punës kontribuan në rritjen e punësimit me 6.7 përqind në Shqipëri. Megjithatë,pavarësisht përmirësimeve të fundit, niveli i punësimit është ende nën nivelet e para-krizës në të gjitha vendet e EJL6-ës, me përjashtim të IRJ të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Papunësia vijoji të reduktohet në shumicën e vendeve me përjashtim të Malit të Zi, ku ajo u rrit pjesërisht për shkak të zgjedhjeve të politikave publike të kohëve të fundit. Megjithatë, niveli mesatar rajonal i papunësisë mbetet ende i lartë në rreth 25 për qind.

Rreziqet për perspektivën afatshkurtër të EJL6-ës janë në rritje, ku vecanërisht të pambrojtura janë pozicionet e jashtme të vendeve të EJL-6. Deficiti i llogarisë korrente (CAD) të rajonit në vitin 2016 pritet të jetë 6.4 përqind e PBB- së, që është më i lartë se ai i vitit 2015, pasi ngushtimi i deficitit të Serbisë do të balancohet nga rritja e deficiteve të vendeve fqinje të saj. Në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, kjo tendencë e rritjes së CAD-ve shpjegohet nga rritja e deficiteve tregtare, rënia e remitancave, dhe pagesat e dividentëve për investitorët jorezidentë. Flukset më të ulëta të të ardhurave dhe remitancave janë faktorët ndikues të rritjes së CAD-ve tëë Bosnje dhe Herzegovinës (BeH) dhe IRJ të Maqedonisë. Pas rritjes së shpejtë në vitin 2015, hyrjet neto të investimeve të huaja direkte (IHD), si përqindje e PBB-së, pësuan rënie në vitin 2016, por ato do të vijojnë të financojnë një pjesë të madhe të CAD-ve. Investimet e portofolit janë në rënie për disa periudha rradhazi, duke reflektuar zhvillimet negative në tregjet ndërkombëtare.

Vendet që vijuan me vendosmëri përpjekjet e konsolidimit fiskal arritën të stabilizojnë borxhet e tyre publike dhe publikisht të garantuara (PPG) për herë të parë që prej fillimit të krizës globale. Konsolidimi fiskal ka filluar të japë fryte, duke ndihmuar në reduktimin e deficitit fiskal mesatar të rajonit nga 3.6 përqind e PBB-së në vitin 2015 në 3.4 përqind në vitin 2016. Këto rezultate ishin më të theksuara në Shqipëri, BeH, dhe Serbi, të cilat vijojnë përpjekjet e tyre për konsolidimin fiskal dhe pritet që këtë vit të regjistrojnë deficite fiskale të ulëta ose në rënie dhe zvogëlim të borxhit publik dhe borxhit publik të garantuar (PPG) për herë të parë që prej vitit 2009. Në të kundërt, pozicionet fiskale ka të ngjarë të përkeqësohen në Kosovë, IRJ të Maqedonisë, dhe Mal të Zi, duke çuar në nivele më të larta të boxheve PPG.

Kreditimi për sektorin privat po rigjallërohet me ritme të ngadalta në shumicën e vendeve të EJL6-ës. Rritja e kreditimit është rimëkëmbur në Serbi, për shkak të përshpejtimit të aktivitetit ekonomik. Në mënyrë të ngjashme, dhënia e kredive të reja është zgjeruar në Shqipëri, veçanërisht për segmentin e konsumit, dhe Kosovë, e shtyrë nga normat më të ulëta të interesit të kredive. Rritja e kreditimit vijoji të ishte pozitive në IRJ të Maqedonisë dhe Kosovë, megjithëse rënia e besimit preku kreditimin e korporatave në pjesën e parë të 2016. Rritja e kreditimit ishte më e dobët në

Mal të Zi për shkak të kërkesës së ulët për kredi nga segmenti i korporatave; ndërsa kushtet e ofrimit të kredive ndikuan në nivelin e ulët të rritjes së tyre në BeH. Megjithëse bankat në rajon janë fitimprurëse, me nivel të mirë likuiditeti dhe kapitalizimi, niveli i kredive me probleme (NPL) është akoma më i lartë se para krizës.

Perspektivat afatshkurtra të rritjes ekonomike për vendet e EJL6-ës janë pozitive, por rreziqet nxjerrin në pah rëndësinë e reformave strukturore për ribalancim të suksesshëm midis burimeve të brendshme dhe të jashtme të rritjes ekonomike. Ritmet e rritjes ekonomike në rajon parashikohet të përshpejtohen nga 2.7 për qind në vitin 2016 në 3.6 për qind në vitin 2018 për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme – investimeve me mbështetjen e konsumit – si dhe të rigjallërimit të eksporteve. Megjithatë, perspektivat e rritjes ekonomike në BE, si dhe paqartësitë e tjera në rajon do të vazhdojnë të ulin parashikimet e rritjes ekonomike të EJL6-ës. Në kushtet kur shumica e vendeve të rajonit ose sapo kanë dalë ose janë duke hyrë në ciklin e zgjedhjeve, pasiguria politike po shton rreziqet, edhe pse fillimi i një cikli të ri politik ofron një mundësi për të çuar përpara reformat strukturore. Problemet që janë duke kufizuar rritjen ekonomike potenciale të EJL6-ës janë papunësia vazhdimisht e lartë, mjedisi i varfër i biznesit dhe qeverisjes, ofrimi i dobët shërbimeve publike, dhe integrimi i cekët global.

Teksti i plote i Raportit: 

Download (PDF, 1.94MB)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi