Shqipëria është përmirësuar me 20 vende në indeksin e lirisë ekonomike

Sipas Monitor, 20 shtator 2016

screen-shot-2016-09-20-at-15-32-02

Shqipëria është përmirësuar me 20 vende në indeksin e lirisë ekonomike, sipas raportit “Liria Ekonomike në Botë 2016” publikuar nga Instituti Fraser pak ditë më parë dhe që analizon të dhënat e vitit 2014 për 159 vende.

Shqipëria renditet në vendin e 42, nga pozicioni i 62, që ishte në raportin e mëparshëm, duke marrë 7.4 pikë nga 10 pikë të mundshme.

Në këtë indeks përfshihen pesë kategori në shqyrtim si Madhësia e Qeverisë, Struktura Ligjore ku përfshihet sistemi i drejtësisë dhe mbrojtja e së drejtës mbi pronën, paratë e pastra, lehtësia e tregtisë ndërkombëtare dhe legjislacioni. Treguesit me përmirësim më të madh ishin lehtësia në tregtinë ndërkombëtare, ku

Shqipëria është përmirësuar me 35 vende dhe legjislacioni, ku vendi ynë është ngjitur me 48 vende. Ecurinë më negative e ka pasur në treguesin e madhësisë së qeverisë, ku vendi është përkeqësuar me 20 pozicione.

Për kategorinë e madhësisë së qeverisë, përkeqësimi ka ardhur nga nënkategoria mbi diferencat në normat e taksimit, ku ka rënë treguesi mbi diferencën në normën e taksimit mbi të ardhurat dhe tatimi mbi pagat (4 pikë nga 7 pikë që ka qenë një vit më parë), si rrjedhojë e kalimit në vitin 2014 në tatimin progresiv dhe rritjen e tatimfitimit nga 10 në 15%.

Kategoria e legjislacionit, ku përfshihet rregullimi i tregut të punës dhe i biznesit është ndikuar në rritje në renditje nga përmirësimi i legjislacionit mbi punësimin dhe heqjen nga puna të punonjësve, si dhe të marrëveshjeve kolektive.

Kategoria e Lirisë së Tregtisë Ndërkombëtare është përmirësuar (8.07 nga 7.54 që ka qenë një vit më parë) nga ulja e barrierave të tregtisë ndërkombëtare, ndërsa tarifat doganore kanë mbetur konstante.

Shqipëria treguesit më të dobët i ka në kategorinë e sistemit ligjor dhe të të drejtave mbi pronën (renditet e 107 në botë), ku përmblidhen pavarësia e gjyqësorit, integriteti i sistemit ligjor dhe paanshmëria e gjykatave. Ky tregues është përmirësuar lehtë, duke shënuar 4.8 pikë nga 4.6 të një viti më parë.

Treguesi më pozitiv në renditje është ai i parasë së shëndetshme, në vendin e 19 në botë, ndonëse në përkeqësim me 7 vende në raport me vitin e mëparshëm.

Vende të tjera të rajonit që kanë përmirësuar Indeksin e Lirisë Ekonomike janë Rumania dhe Mali i Zi, ku renditen përkatësisht në vendin e 22 nga 24 që ishte një vit më parë dhe në të 59-in nga ai i 70. Ndërsa vendet e tjera kanë pasur një renditje më të ulët krahasuar me një vit më parë.

screen-shot-2016-09-20-at-15-40-53

 

screen-shot-2016-09-20-at-15-41-18

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi