A mund të vetërregullohen partitë?!
Nga Ervis Iljazaj
Nëse duam vërtet një sistem demokratik dhe funksional për vendit tonë, nuk duhet të rreshtim asnjëherë duke folur për organizimin dhe funksionimin e partive politike. Nuk ka rëndësi nëse i përkasim një ideologjie apo tjetër. Funksionimi i tyre në mënyrë demokratike, siç e parashikon Kushtetuta e Shqipërisë, duhet të na shqetësojë të gjithëve, pa dallim bindjesh politike.
Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të drejtën qytetarëve të bashkohen në organizata partiake të cilat duhet të organizohen sipas parimeve demokratike dhe të konkurrojnë midis tyre po në mënyrë demokratike, për të përcaktuar politikat kombëtare.
Që nga viti 1998, kur hyri në fuqi Kushtetuta e parë e Republikës së Shqipërisë, partitë politike kanë qenë, praktikisht, protagonistet kryesore të politikës kombëtare, e cila është përcaktuar ekskluzivisht nga ato, në Parlament, në Qeveri, në administratën publike, në ekonomi, në informacion dhe në kulturë.
Mbas reformës në drejtësi, për të cilën shumë njerëz janë skeptikë nëse do të sjellë efektet e dëshiruara apo jo, pasi është e votuar nga një Parlament i përfolur për moralitetin e tij, radha për t’u reformuar është pikërisht e partive politike, për disa arsye thelbësore.
Pikë së pari, partitë politike përcaktojnë politikat kombëtare. Prandaj është absurde që mos të ketë asnjë mekanizëm kontrollues mbi funksionimin dhe organizimin e tyre, mungesa e së cilës ka sjellë një personalizim të politikës duke krijuar klientelizma ekonomikë dhe trafiqe politike, që rëndojnë në mirëqenien e shoqërisë shqiptare akoma dhe sot e kësaj dite.
Pikë së dyti, të gjitha pushtetet e tjera të organizimit shtetëror burojnë po nga ato. Mund të flasim sa të duam për pavarësinë e pushtetit gjyqësor apo pushteteve të tjera. Kam përshtypjen, shpresojë shumë të gabojë, se edhe reforma në drejtësi nuk do të sjelli efektet e dëshiruara nëse fillimisht nuk do të zgjidhim çështjen e funksionimit të partive politike. Po të shikojmë me kujdes, të gjitha funksionet e tjera shtetërore burojnë nga Parlamenti. Një institucion i cili kontrollohet nga partitë politike, nëse marrim në konsideratë edhe sistemin zgjedhor aktual ku Kryetari i partisë, praktikisht emëron deputet sipas orekseve të tij, kuptohet fare mirë që demokracia brenda tyre është kusht thelbësor për funksionimin e të gjithë rendit kushtetues dhe demokratik në vend.
Pikë së treti, në shoqëritë e masave dhe komplekse që jetojmë sot, demokracia direkte, pra ku çdo gjë vendoset nga populli, siç e ka pasur edhe kuptimin në gjenezën e saj kjo fjalë, nuk është e mundur. Në këtë mënyrë partitë politike edhe pse sot shoqëria ka forma të tjera për organizimin dhe përfaqësimin e interesave të tyre, ngelen një instrument i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë. Mund t’i kritikojmë pa fund, por nuk mund të bëjmë dot pa to. Historia ka treguar se të gjithë ata që kanë konsideruar partitë politike si e keqja më e madhe e një vendi, kanë përfunduar në diktaturë. Të gjithë diktatorët, gjëja e parë që kanë bërë, është eliminimi i partive politike. Andaj, ato janë të domosdoshme, ose më saktë, të pazëvendësueshme në demokracitë përfaqësuese që njohim sot.
Për të gjitha këto arsye, nuk mund t’i shmangemi diskutimit mbi gjendjen e funksionimit dhe organizimit të tyre. Është absurd fakti, që ato, kanë misione publike dhe aktualisht funksionojnë si shoqata private. Andaj, çdo diskutim mbi gjendjen e demokracisë sot në Shqipëri, nuk ka asnjë kuptim nëse nuk do t’ia fillojmë nga këtu.
Ajo që sot duhet në Shqipëri, është një ligj organik për këto organizata, i cili të rregullojë në mënyrë të rreptë organizimin dhe funksionimin e tyre. Një ligj i cili të disiplinojë çdo aspekt të jetës së brendshme të tyre. Sepse autonomia statutore e çdo partie nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa principet kushtetuese që janë të përcaktuara qartë.
Modelet nuk mungojnë. Mjafton të shohim ligjin organik të partive politike në Gjermani dhe do të kuptojmë se si këto të fundit mund të kthehen të institucionalizuara dhe publike. Ky ligj, shkon deri atje sa i imponon partive mënyrën se si ato duhet të përzgjedhin kandidatët për çdo funksion. Mbi përmbajtjen e ligjit mund të diskutohet, por ajo që nuk vihet në diskutim, është domosdoshmëria urgjente e një të tilli. Shqetësimi i vetëm në këtë rast, është, se po këtë ligj, do të duhen ta votojnë po këto parti.
Pyetja që ngrihet është kjo: A mund të vetërregullohen të çrregulltit?!