Financat publike, borxhi vendor dhe Reforma në Drejtësi
Nga Zef Preçi, botuar në Panorama, 24 gusht 2016
Gjithkush kujton fillimin e ushtrimit të mandatit nga qeveria aktuale dhe problemet e ngritura prej saj në lidhje me detyrimet e shtetit ndaj kompanive private, që ishin përfshirë në ofrimin e shërbimeve dhe të mallrave publike. Ndërsa përfaqë- suesit më të lartë të administratës së më- parshme argumentonin se prokurimet e veprave dhe të shërbimeve publike ishin kryer me vleftën e plotë, pavarësisht gjendjes së fondit limit dhe se një numër operatorësh ekonomikë kishin përfunduar punimet/ shërbimet para kohe, duke mobilizuar burime nga të tretët, të porsaardhurit në pushtet shprehnin shqetësimin, jo pa të drejtë, për këtë borxh publik të paraportuar në Kuvendin e Shqipërisë, e për rrjedhojë, sipas tyre “për situatën katastrofike të financave publike”.
Ndërkaq, historia e financave publike të kohëve të fundit flet për rritje të taksave kombëtare e vendore dhe për rrjedhojë, për humbjen e avantazheve konkurruese e krahasuese të ekonomisë sonë kombëtare, për largimin (de facto) dhe konvertimin (de jure) në “kineze” të pjesës më të madhe dhe më të rëndësishme të investimeve të huaja në sektorët strategjikë të ekonomisë sonë kombëtare; për shtimin e frikshëm të pranisë së kompanive offshore dhe rënien bashkë me të të kontributeve të pasurive kombëtare në të ardhurat buxhetore në kundërshtim me angazhimet e maxhorancës aktuale; për shtrirjen deri në rreth 7% të GDP-së të “partneritetit publik-privat” si një formë e favorizimit klientelist të bizneseve të oligarkisë dhe lënies peng të të ardhurave buxhetore të dy apo tri dekadave të ardhshme pa transparencën e detyrueshme dhe ndonjë analizë të efektivitetit mbi kosto-përfitimet dhe si një kërcënim për stabilitetin financiar të vendit; nga rritje e frikshme e borxhit publik, për të cilin qeveria është angazhuar ta ulë në vitin e fundit të mandatit të saj, gjë që ka pak shanse të ndodhë; nga mungesë përparësish në investimet publike dhe kryerje shpenzimesh të natyrës fasadë apo propagandistike, si p.sh. qendrat e qyteteve etj., por të lidhura me problemet kryesore të ekonomisë, siç janë papunësia e lartë, mungesa e prodhimit vendës dhe fuqia e ulët eksportuese, aftësia konkurruese dhe novatore në nivele simbolike etj.
Të të njëjtit rend të problematikës duket se janë edhe ineficienca e korrupsioni i dyshuar në investimet publike, sidomos në shërbimet shëndetësore, ngadalësia në reformën arsimore, politika e ngrirjes së pagave që ka çuar në përkeqësimin e statusit social ekonomik të të punësuarve në sektorin publik e privat njëkohësisht; perceptimi thjesht burokratik (si kursim fondesh publike për administratën) i reformës territoriale etj. Këto fenomene, të analizuara herë pjesërisht dhe herë integralisht nga analistë dhe studiues vendës dhe të huaj, kanë zënë vend edhe në raportet dhe vlerësimet zyrtare të ekonomisë së vendit nga institucionet financiare ndërkombëtare, por që shumë herë neglizhohen ose kalohen përmes një propagande bajate zyrtare për tregues të shkëputur nga këto raporte që interpretohen në funksion të retorikës politike të ditës.
Natyrisht, këtu problemi nuk është te qeveria dhe përpjekjet e saj për të paraqitur mediatikisht “Shqipërinë virtuale”, sepse pak a shumë kështu kanë vepruar edhe qeveritë paraardhëse të saj dhe kjo është brenda “misionit” të (vetë)përcaktuar të saj. Problemi qëndron në rrezikun e përçimit të sinjaleve të pasakta/të gabuara ndaj sipërmarrjeve private vendëse dhe të huaja. Kështu, pati pak ose aspak jehonë fakti se rreth 90 mijë biznese ose 50% e të gjitha bizneseve të republikës rezultojnë me status pasiv (d.m.th. nuk kanë regjistruar asnjë transaksion gjatë 12 muajve të fundit), ose më shumë se 35 mijë makina që lëshojnë kuponët tatimorë nuk raportojë prej kohësh asnjë veprim…
Kudo në botën që na rrethon, do të ndërpritej diskutimi publik shterpë mbi telenovelën verore të raporteve ndërmjet dy partnerëve të koalicionit qeverisës apo mbi tema të ngjashme, për t’u marrë me thelbin e problemit: si po performon ekonomia jonë kombëtare – njëlloj si më parë, më mirë apo më keq? Po kjo situatë, përtej përpjekjeve të sforcuara për ta paraqitur gjendjen e ekonomisë sonë kombëtare dhe të financave publike si tejet optimiste, sikur “kemi lënë pas krizën ekonomike globale” etj., dëshmon thellë- sisht rënien e konsumit, përkeqësimin e klimës së biznesit (kjo e konfirmuar gjerësisht edhe nga organizata serioze të biznesit, të cilat, siç thuhet, qeveria së shpejti “do t’i fusë përsëri në kooperativë”), por edhe ndryshimin e formave të evazionit dhe të informalitetit, faktin se më shumë se gjysma e të ardhurave tatimore e doganore të pambledhura të tatime-taksav lidhet me një numër të kufizuar kompanish (36 gjithsej), për të cilat qeveria ka përgatitur edhe një amnisti tatimore, që do të miratohet brenda pak javësh.
Në fakt, nga këndvështrimi i interesit publik dhe momentit kur po ndërmerret kjo amnisti fiskale, është vështirë të gjesh argumentim në dobinë publike të saj, por mund të thuhet se ky hap reflekton, pa dyshim, fuqinë ndikuese e përcaktuese të oligarkisë mbi qeverisjen, d.m.th. motivohet dukshëm nga interesa private. Siç dihet, ajo (oligarkia) është e mbipërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe vendimmarrje të tilla ekonomikisht naive dhe përgjithësisht penalizuese mbi të ardhurat publike janë të pritshme. Pasojat negative të kësaj amnistie, sidomos në dekurajimin e atyre bizneseve dhe të individëve që përmbushin rregullisht detyrimet fiskale ndaj shtetit, por edhe në vazhdimin e praktikes së dëmshme të paqëndrueshmërisë së akteve që rregullojnë jetën e biznesit, mbeten të pranishme.
Nisur nga një analizë e revistës “Monitor” në një nga numrat e saj të fundit, por edhe e konfirmuar nga burimet zyrtare, vihet re një rritje në nivele serioze e borxheve të qeverive vendore, tashmë të riorganizuara mbas zgjedhjeve administrative të vitit që shkoi. E kjo ndodh kur administrata e këtyre qeverive është shkurtuar (e cila sipas pritshmërive zyrtare do të kurseheshin 80 milionë dollarë amerikanë në vit), si dhe kur janë rritur mundësitë ligjore të kësaj administratë për të marrë borxhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në fakt, borxhi në njësitë e qeverisjes vendore krijohet kur kryhen prokurime pa pasur fondin limit në dispozicion apo kur ndërtimi i veprave publike shtrihet në më shumë se një vit fiskal, kur merren shërbime të paparashikuara në planin përkatës të prokurimeve etj. Në periudhat e mëparshme parazgjedhore (sikurse jemi aktualisht) është vënë re edhe kryerja e shërbimeve apo ndërtimi i veprave publike të panevojshme apo të parakohshme, copëtimi i fondeve publike në vepra të vogla, si dhe fokusimi i shpenzimeve në objekte të pamatshme, por që kanë njëkohësisht ndikim elektoral (aspekte vizuale etj), dhe pamundësi verifikimi të shpenzimeve të kryera etj.
Të marra së bashku, këto parregullsi apo shfrytëzim i kuadrit ligjor për prokurimin e fondeve publike për qëllime elektorale synojnë të gjenerojnë burime financiare suplementare të nevojshme në të holla, por edhe in kind – materiale (p.sh., në formën e sponsorizimeve në reklama apo ndikim mbi masmedian në pasqyrimin e fushatës), pa folur për ineficencën e përdorimit të fondeve në dispozicion, shkeljen e pabarazisë në prokurimet publike, korrupsionin etj.
Personalisht mendoj se shifrat e dhëna në analizën mbi borxhin publik të njësive të qeverisjes vendore janë shqetësuese dhe qenia në një vit parazgjedhor (të dhënat janë deri në mesin e 2016) rrezikojnë daljen jashtë kontrollit të borxhit publik, duke kërcënuar kështu edhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Ndërsa qeveria do të vihet, me ose pa dëshirë, në çdo rast në rolin e llogaritarit që likuidon faturat, në shumicën e rasteve “duke marrë borxh të ri për të paguar borxhin e vjetër”, por pa qenë në gjendje të ofrojë rritje të investimeve publike, të zbusë papunësinë etj. E më keq akoma është vënia e qeverisë në rolin e agjentit tatimor të oligarkisë, d.m.th. të mbledhjes së taksave nga qytetarët dhe bizneset e vogla e të mesme, për t’ia paguar në emër të “marrëveshjes së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë” oligarkëve në shëndetësi, në dogana e në shërbime të tjera të ashtuquajtura “partneritete publike-private”, por që në shumicën e tyre nuk janë gjë tjetër veçse një haraç ndaj keqqeverisjes dhe vendosjes së kontrollit të oligarkisë mbi financat publike.
Këto dhe fenomene të tjera të ngjashme me menaxhimin e aseteve dhe të financave publike e bëjnë të domosdoshme fillimin e zbatimit sa më të shpejtë të Reformës në Drejtë- si për të garantuar kështu edhe mbrojtjen ligjërisht dhe në rrugë institucionale të interesave publike, krahas me hetimin dhe ndëshkimin e paligjshmërive dhe abuzimeve me fondet buxhetore, me pasuritë publike dhe me të drejtat ekskluzive të shtetit.