Pushteti ndërmjet forcës dhe justifikimit
Nga Gilles Bonfroid, botuar në Mapo, 17 gusht 2016
Autoriteti gjithmonë është i kufizuar. I kufizuar në kuptim të fushave ose çështjeve në të cilat ushtrohet ai. Nuk ka autoritet për të gjitha fushat ose çështjet, por për një ose disa sosh. Kur pushteti ushtrohet ose pretendon të shtrihet edhe në fushat, në të cilat nuk ka aftësi ose të drejtë, atëherë ai nuk mund të legjitimohet. Kriza e autoritetit thellohet në raste kur brezi i vjetër don ta shtrijë autoritetin në më shumë fusha, duke pretenduar pushtet totalitar.
Autoriteti nënkupton të drejtën për të ushtru pushtet, domethënë për të detyru ose komandu të tjerët e për t’u dhënë urdhra atyre. Kësisoj, autoriteti i ka dy komponentë: pushtetin dhe të drejtën. Pra mundësinë ose aftësinë për të komandu si edhe të drejtën për ta bërë atë. Mundësia për të ushtru pushtet ka të bëjë me aftësitë, mjetet, mekanizmat e instrumentet që mundësojnë ushtrimin e pushtetit, ndërkaq, e drejta për ta zbatuar këtë mundësi mund të ketë aq burime sa ka raporte josimetrike të pushtetit. E drejta e prindit për të komanduar fëmijën e tij ka një burim tjetër nga e drejta e policit për të komanduar qytetarin. Kjo do të thotë se pushteti lyp të justifikohet, përndryshe pushteti që ushtrohet vetëm pse një aktor mundet ta bëjë atë, është thjesht forcë për të ushtruar pushtet. Një filozof, këtë e ka thënë me këto fjalë: “Edhe më i forti nuk është aq i fortë sa të jetë përherë zot, po nuk e shndërroi forcën e tij në të drejtë dhe bindjen ndaj tij në obligim.” Për ta ilustruar, prindërit, pra brezi i vjetër don me e ruejtë pushtetin e tij, por nëse nuk arrin me e justifiku atë (d.m.th. me e shndërru në të drejtë dhe obligim: me u pranu prej të rinjve), pushtetin e ushtron në mënyrë autoritare, pra me zor e dhunë. Në raste të këtilla flasim për krizë të autoritetit që manifestohet për shembull te marrëdhëniet konfliktuale ndërmjet brezave.
Mirëpo, veç kësaj, autoriteti gjithmonë është i kufizuar. I kufizuar në kuptim të fushave ose çështjeve në të cilat ushtrohet ai. Nuk ka autoritet për të gjitha fushat ose çështjet, por për një ose disa sosh. Kur pushteti ushtrohet ose pretendon të shtrihet edhe në fushat, në të cilat nuk ka aftësi ose të drejtë, atëherë ai nuk mund të legjitimohet. Kriza e autoritetit thellohet në raste kur brezi i vjetër don ta shtrijë autoritetin në më shumë fusha, duke pretenduar pushtet totalitar.
Për ta përmbledhur: marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit nuk janë të natyrshme ose normale. Pra kur një individ a grup ushtron pushtet ndaj individëve ose grupeve të tjera, kjo është e panatyrshme. Prandaj kur njerëzit e pranojnë këtë marrëdhënie të pabarabartë e të panatyrshme, këtë e bëjnë veç me një arsye të fortë dhe duke e kufizuar në fusha të caktuara. Ndryshe pushteti është veç një formë e dhunës së pastër.
Brezi më i moshuar ushtron pushtet në raport me brezin më të ri, e kjo është e pranishme në shumë raporte shoqërore, për shembull, prindërit në raport me fëmijët, arsimtarët në raport me nxënësit e studentët, elitat politike e kulturore në raport me juniorët në politikë, kulturë, shkencë e art, e kështu me radhë. Analiza e dinamikës dhe e tensioneve ndërmjet këtyre marrëdhënieve të pabarabarta na ndihmon të kuptojmë shumë transformime strukturore dhe kulturore në shoqëri.
Pushteti që brezat më të moshuar e ushtrojnë në raport me të rinjtë nuk është një marrëdhënie që tenton të jetë e qëndrueshme, ngase konflikti ndërmjet kërkesave, shijeve e interesave të të moshuarve dhe atyre të rinjve është një forcë drejt destabilizimit dhe ndryshimit të këtij raporti josimetrik të pushtetit. Prandaj, që të mirëmbahet ky raport i dominimit të më të moshuarve ndaj më të rinjve, në vazhdimësi lyp që jo vetëm të riprodhohen bazat e justifikueshmërisë së këtij raporti, por edhe të rimendohen e ndryshohen ato. Pra, raportet e pushtetit ndërmjet të rinjve dhe më të moshuarve duhet të rishikohen në vazhdimësi.
Nëse njohim dhe vlerësojmë nevojën për tradicionalizëm (se kështu trashëgohen mbërritjet njerëzore – dija, kultura, vlerat – nga një brez në tjetrin), nuk kemi sesi të jemi kundër tradicionalizmit. Në kohën kur rebelimi ndaj autoritetit të të moshuarve është bërë modë në mesin e “bulevardierëve” të shoqërisë, e di se më joshëse tingëllon me u pozicionu kundër traditës e tradicionalizmit. Mirëpo, nëse kërkojmë me qenë real, tradita është forcë që na formëson ne si shoqëri (pra si entitet mbi-individual): pritshmëritë sociale, presioni social, çfarë presin prindërit që të bëhen fëmijët e tyre, si na formësojnë shkollat etj., shumë prej këtyre kanë të bëjnë me traditën. Kjo është edhe në funksion të kohezionit shoqëror, ngase kështu e zhvillojnë njerëzit ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit, lidhjen me familjen, komunitetin, atdheun, shtetin, vlerat, kulturën etj.
Siç është bërë e ditur, tradita është e nevojshme nga njëra anë. Mirëpo, nga ana tjetër, pranimi gati absolut i autoritetit të traditës bëhet pengesë për progres në shumë drejtime, pasi që të rinjtë mbesin në “shejtninë e plakut” në familje, në shkolla e universitete, si dhe në vend të punës, dhe nuk imagjinojnë dot perspektiva të reja. Pra, udha e moderuar është jo një tradicionalizëm dogmatik, që pa kushte pranon autoritetin e brezave më të vjetër, por për një tradicionalizëm kritik që njeh mirë arritjet e vlefshme të brezave të shkuar, vlerëson ato me një qasje kritike, dhe tejkalon ato duke ndërtuar të renë mbi këtë përpunim të traditës.
*Universiteti i Rouen