Paradigma e Sovranitetit dhe Reforma në Drejtësi

Nga Kristaq Xharo, botuar në Mapo, 17 gusht 2016

reforma-1

“…ti brendashkruhesh një koncepti të ngushtë vestfalian të sovranitetit në këtë botë, është një anakronizëm i pamenduar, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin”- Havier Solana

Nuk besohet se sot ekziston ndonjë shtet që plotëson kushtet për të qenë sovran në kuptimin vestfalian. Kisinger në librin e tij “Rendi Botëror: Refleksione mbi karakterin e kombeve dhe kursin e historisë” shprehet se parimet vestfalianë janë sfiduar dhe modifikuar nga të gjithë anët, edhe në emër të vetë rendit botëror.

Është e vështirë të jepen opinione për lidhjen midis konceptit të sovranitetit dhe reformës në drejtësi, nëse nuk do analizonim vetë termin në gjithë evoluimin e tij, dhe nuk do të arrinim të shkëputeshim nga ligjërimi i tij për qëllime jashtë kontekstit. Reforma në Drejtësi përveç shumë aspekteve politike, sociale, kulturore shfaqi edhe një veçori që pa merak duket që “turbulloi” ndjeshmërinë e publikut. Artikulimi i termit “sovranitet”nga disa politikanë i kapi krejt në befasi gjithë aktorët që po angazhoheshin me procesin. Nën paradoksin se “presioni” për reformën në drejtësi po cenonte sovranitetin kombëtar, u kap në befasi edhe ai që mendohet se është në të vërtetë sovrani – populli. Cilësimi i këtij termi kapi në befasi edhe përfaqësues ndërkombëtarë, që ishin pjesa motorike e procesit të reformës. Por, duket se aktorët kryesorë ndërkombëtarë shpejt e kaluan “grackën”” për sovranitetin dhe u orientuan drejt misionit kryesor. Kjo nuk ndodhi njëlloj për aktorët dhe publikun vendas. U krijua një dilemë midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet”, realitetit dhe qëllimit të reformës.

Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët, e shkëputën termin nga konteksti i përgjithshëm. Këtu qëndronte edhe “suksesi” i parë dhe i vetëm i këtij grupimi, por jo pa pasoja në proces. Një numër pyetjesh zunë hapësirë: A po cenohej në të vërtetë sovraniteti? Nga kush po cenohej ky sovranitet? Përse gjithë aleatët ndërkombëtarë ishin në unison për realizimin e reformës në drejtësi ndërsa elitat tona politike ju vendosnin përballë flamujt e rreckosur të drejtësisë nën emrin e sovranitetit? Çfarë e bënte drejtësinë tonë tiparin më sovran të shtetit ndërkohë që më parë nuk ishte kjo vëmendje për programet politike të partive, për çështjet e sigurisë, për çështje të mbrojtjes për çështje ekonomike, sociale, kulturore e plot të tjera. Për mendimin tim, reforma në drejtësi nuk e bën vendin më pak apo më shumë sovran, por më të mirë apo më të vështirë jetesën në të. Sot , nga mjaft studiues, analistë dhe liderë debatohet për dy modele të sovranitetit: modeli vestfalian dhe modeli bashkëkohor. Janë modele që dallohen nga periudhat kohore, nga elementët që mbartin, që lëshojnë apo fitojnë, nga mënyrat sesi integrohen në zhvillimet dhe sfidat e kohës dhe forma se si vendet afrohen apo kufizohen nga këto modele.

Sovraniteti Vestfalian dhe Sovraniteti Bashkohor. Me dije apo pa qellim, artikuluesit e termit “shkelje e sovranitetit” me tepër gjasa ndoshta i referohen konceptit vestfalian të sovranitetit, që erdhi në të drejtën ndërkombëtare në fund të luftërave 30 – vjeçare, në Europë, në periudhën e viteve 1618-1648. Me kalimin e kohës, ajo çka prodhoi Traktati i Vestfalisë, është nocioni i të drejtës absolute të sovranitetit apo siç edhe mori emrin “sovraniteti vestfalian”. Ndoshta që nga ajo periudhë (1648) Traktati i Vestfalisë vendosi bazat e sistemit klasik të cilat përcaktuan shtetin-komb, si një aktor unik në kompleksitetin e politikës botërore. Tiparet themelore të këtij lloji shteti konsistonin në katër elementë të dallueshëm që sipas Frankelit janë: një popull, një territor, një qeveri dhe atributi i sovranitetit. Ndërsa tre të parët mund të përkufizohen më qartë teorikisht, koncepti i sovranitetit mbetet shumë kompleks, me një artikulim të gjerë dhe me ndryshime të diferencuara, të brendshme dhe të jashtme.

Nuk besohet se sot ekziston ndonjë shtet që plotëson kushtet për të qenë sovran në kuptimin vestfalian. Kisinger në librin e tij “Rendi Botëror: Refleksione mbi karakterin e kombeve dhe kursin e historisë” shprehet se parimet vestfalianë janë sfiduar dhe modifikuar nga të gjithë anët, edhe në emër të vetë rendit botëror. Europa është nisur drejt shkëputjes nga sistemi, që po vetë e krijoi dhe po kalon në konceptin e sovranitetit të përbashkët apo kolektiv. Dy organizmat më të fuqishëm që dominojnë skenën europiane (BE dhe NATO) në mënyrë të vetëdijshme më shumë se tek ekuilibri i fuqive besojnë te ekonomia dhe siguria kolektive (Braun 2006). Më shpesh në ditët e sotme, shprehet Simpson termi “sovranitet” thirret në një kontekst, apo në një mënyrë të projektuar për të shmangur dhe për të parandaluar analiza, mjaft herë me qëllim e të bërit avokati, apo justifikuar kritikat për “kufizimet dhe mangësitë ” në ushtrimin e brendshëm të autoritetit. Si njohës i thellë i realitetit dhe raporteve midis sovranitetit vestfalian dhe sovranitetit bashkëkohor, Havier Solana do të shprehej se “…ti brendashkruhesh një koncepti të ngushtë vestfalian të sovranitetit në këtë botë, është një anakronizëm i pamend, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin. “ Kujtojmë që Solana ka qenë një nga drejtuesit më të suksesshëm i dy organizatave më të fuqishme globale, për një kohë relativisht të gjatë, me parë NATO-s dhe pastaj B.Europian.

A kufizohet reforma në drejtësi nga koncepti i sovranitetit? Reforma në Drejtësi përveç shumë aspekteve politike, sociale, kulturore shfaqi edhe një veçori që pa merak duket që “turbulloi” ndjeshmërinë e publikut. Artikulimi i termit “sovranitet”nga disa politikanë i kapi krejt në befasi gjithë aktorët që po angazhoheshin me procesin. Nën paradoksin se “presioni” për reformën në drejtësi po cenonte sovranitetin kombëtar, u kap në befasi edhe ai që mendohet se është në të vërtetë sovrani – populli. Cilësimi i këtij termi kapi në befasi edhe përfaqësuesë ndërkombëtarë, që ishin pjesa motorike e procesit të reformës. Por, duket se aktorët kryesorë ndërkombëtarë shpejt e kaluan “grackën”” për sovranitetin dhe u orientuan drejt misionit kryesor. Kjo nuk ndodhi njëlloj për aktorët dhe publikun vendas. U krijua një dilemë midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet”, realitetit dhe qëllimit të reformës. Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët, e shkëputën termin nga konteksti i përgjithshëm. Këtu qëndronte edhe “suksesi” i parë dhe i vetëm i këtij grupimi, por jo pa pasoja në proces. Një numër pyetjesh zunë hapësirë: A po cenohej në të vërtetë sovraniteti? Nga kush po cenohej ky sovranitet? Përse gjithë aleatët ndërkombëtarë ishin në unison për realizimin e reformës në drejtësi ndërsa elitat tona politike ju vendosnin përballë flamujt e rreckosur të drejtësisë nën emrin e sovranitetit? Çfarë e bënte drejtësinë tonë tiparin më sovran të shtetit ndërkohë që më parë nuk ishte kjo vëmendje për programet politike të partive, për çështjet e sigurisë, për çështje të mbrojtjes për çështje ekonomike, sociale, kulturore e plot të tjera. Për mendimin tim, reforma në drejtësi nuk e bën vendin më pak apo më shumë sovran, por më të mirë apo më të vështirë jetesën në të.

SHBA-BE- dhe Komisioni i Venecias, ku dallojnë ? Që në fillim, në mënyrë ironike, argumenti me “cenimin e sovranitetit” nga ligjëruesit fillonte me paradoks. Nga njëra anë, reforma u trumbetua se do të kryhej tërësisht sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Me informacionin e dhënë nga media ky Komision e ktheu me orientime aq herë sa ju drejtuam. Nuk e dimë se çfarë e bënte këtë proces kaq të pranueshëm për vlerësime sovrane, a thua se Komisioni i Venecias ishte Këshilli i Pleqve i vendosur diku në mes të Alpeve, apo thellë në luginën e Osumit dhe jo një forum i nderuar ndërkombëtar. Në anën tjetër insistimi i aleatëve më të mëdhenj jetik: SHBA dhe BE, (brenda BE, veças i vendeve më të fuqishme europiane: Gjermani, Francë, Itali etj. u shfaqën si “cenim sovraniteti”.Çfarë mund të konsiderohej “cenim sovraniteti” i ndryshëm nga institucione që punojnë në rezonancë të plotë midis tyre. Pra, “cenimi i sovranitetit” qartas ishte një slogan që vetëm me termin nuk kishte lidhje thelbësore.

A ka vend për insinuata? Sovraniteti dhe Aleatët strategjikë.

Nëse po “cenohej sovraniteti” detyrimisht lind pyetja se nga kush dhe përse? Dukej se u “harrua” se ata që po nënkuptoheshin si “cenues të sovranitetit të shenjtë kombëtar” për të cilën nuk tolerojmë…, ishin ata që më së tepërti e krijuan, e ruajtën dhe nuk e harruan as në ditët më të vështira këtë komb. Kjo vërtetohet në të gjithë historinë e kombit shqiptar. Por, pa shkuar më larg, përgjatë 25 viteve të fundit vendi ynë ka pasur momente shumë më të rëndësishme për të ngritur debatin për konceptin e sovranitetit. Duke përmendur vetëm disa prej tyre, qëllimi është për të gjetur një pozicion më të qartë për të diskutuar për konceptin dhe jo për të ngritur hamendësime.

Siguria – Sovraniteti dhe fundi i Vestfalisë. Që në vitin 1651, Tomas Hobs shprehej se siguria është tipari më dallues i një vendi sovran. Sigurisht që koncepti i sigurisë ka evoluar në mënyrë substancionale që nga ajo kohë. Pa hyrë në analizë të konceptit, tashmë siguria lidhet me qytetarët, me asetet kombëtare me kufijtë shtetërorë etj. Vendi ynë është vetëbesuar për sigurinë e tij kombëtare tërësisht në sigurinë kolektive. NATO është garant i sigurisë dhe sovranitetit. Përndryshe edhe sovraniteti edhe siguria do të ishin përherë në diskutim. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, Forcat tona të Armatosura nuk kanë kapacitetet minimale për të përballuar veçmas rreziqet konvencionale. Elitat qeverisëse, gjithmonë kanë lexuar “artikullin 5” dhe asnjëherë “artikullin 4” të Traktatit të Washingtonit, akt themelues i NATO-s. Por të qenit, anëtarë të Aleancës nuk mund të na shmangin për të parë dhe vlerësuar realisht situatën. Të merakosurit për cenim të sovranitetit besoj se kanë informacion se ne nuk kemi asnjë kapacitet konvencional për të siguruar sovranitet në kufijtë hapësirës sonë ajrore. Dy vende fqinje, anëtarë të NATO-s, mbikëqyrur edhe nga një i tretë, kontrollojnë hapësirën tonë ajrore. Se si funksionon ky proces është rasti i shkeljes së sovranitetit tonë ajrore nga një avion “renegad”para disa kohësh. Reagimi nga NATO ishte i menjëhershëm. Gati në të njëjtën situatë “sovraniteti” jemi edhe për kufijtë në hapësirën detare. NATO nuk na detyron, por na mundëson ruajtjen e sovranitetit territorial. Kur shteti ynë të mëkëmbet, NATO do të ishte shumë i kënaqur, që vendi ynë të krijonte kapacitete për të siguruar sovranitetin territorial edhe në hapësirën ajrore edhe në atë detare. Për çfarë paraqitëm më lartë është ndjeshmëria për të vlerësuar sovranitetin, aftësitë tona dhe aleatët strategjikë. Prej këndej vijmë në nevojën për një analizë më të plotë të termit sovranitet qoftë ajo edhe në një aspekt si reforma në drejtësi, që nuk mund të jetë unike, sovrane, por bashkëkohore, universale me standarde perëndimore. Stefan Krasner, i njohur si një teoricienët më të mëdhenj të teorisë së sovranitetit që në 1999 nuk do të nguronte ta quante tendencat për përdorimin e termit si “hipokrizi e organizuar sovrane”.

Vështirësitë për të mbijetuar. Viti 1997 ishte viti kur koncepti i sovranitetit mori goditjen më të rëndë për vendin tonë. Shteti humbi kontrollin mbi territorin e vet. Maks Veber do të kishte të vështirë për të gjetur një përkufizim specifik për sovranitetin e shtetit tonë, në kushtet kur ai nuk ishte në gjendje të ushtronte fuqinë mbi territorin. Skenarë të shumtë u shfaqën në atë vit të turbullt. Elitat politike u shfaqën aq të pafuqishme dhe amalgame sa në periudhën 1914-1924. Në mënyrë ironike, ata që ndihmuan për krijimin dhe njohjen e Shqipërisë dhe që sot nuk ngurohen të shigjetohen për “cenim sovraniteti”, ndërhyn fuqishëm dhe suksesshëm për të ringritur godinën e shtetit dhe sovranitetit. Nuk kërkuan merita, por përsëri bënë shumë më tepër se partizanët e sovranitetit urban. Por, elitat politike, më shumë se kushdo përgjegjëse për katastrofën, nuk arritën asnjë analizë dhe përgjegjësi, dhe nuk garantuan se ngjarje të tilla nuk do të përsëriteshin. Në pajtueshmëri me njëra tjetrën elitat shpërndajnë medalje dhe amnisti për veten e vet. Shtatori i vitit 1998, gati sa nuk u kthye në vitin e revanshit, dhe i tillë do të kishte ndodhur, nëse ruajtësit e sovranitetit , nga përtej oqeanit nuk do të na ishin ndodhur kaq pranë për të ruajtur sovranitetin tonë.

Sovraniteti dhe aleancat testohen në ngjarje historike. Zhvillohen ende kritika dhe analiza kundërshtuese për atë çka konsiderohet si “ndërhyrja e shekullit” e NATO-s, mbi ish-Jugosllavinë. Kjo ndërhyrje humanitare për mjaft kritikë vendas (serbë), por edhe të tjerë, veçanërisht në lindje, nuk ngurohet të konsiderohet si goditje mbi një shtet sovran. Ata besojnë se nuk ju mungojnë “argumentat” për cenim dhe shkelje sovraniteti kombëtar. Në të shumtën e rasteve, ata mbështeten në teorinë vestfaliane të sovranitetit duke anashkaluar teorinë bashkëkohore të sovranitetit, ku predominon e drejta humane. Ajo, që historikisht do të mbetet është se një tjetër shtet sovran shqiptar mori jetë, arritje që vështirë mund të ishte vepër vetëm e shqiptarëve. Nuk mund të kërkohen argumente për të vlerësuar se kanë qenë aleatët tanë strategjikë ata, që i dhanë shqiptarëve të drejtën që kërkonin që prej 100 vitesh dhe ndoshta do të duheshin edhe 100 të tjera për ta arritur.

A mund të mbijetojmë? Nuk besoj që situata jonë ekonomike është në ato standarde, që do të vlerësohej si e pavarur dhe sovrane. Pa marr përsipër të vlerësoj aftësitë, mundësitë dhe kapacitetet e ekonomisë sonë, është fakt se çdo vendim apo politikë ekonomike në këto 25 vjet ka qenë në mënyrë të konsiderueshme e ndikuar apo e diktuar nga institucionet ndërkombëtare: FMN, Banka Botërore, apo Banka Europiane për Zhvillimin. Qeveritë, kryesisht janë vetëlavdëruar për borxhet dhe kreditë që janë siguruara prej këtyre forumeve. Dhe duket që edhe për një kohë jo të shkurtër do të vazhdojnë në këtë linjë. Ironik është fakti që askush nga ata, që sot ligjërojnë për “cënimin e sovranitetit” nuk janë shfaqur me ndonjë qëndrim apo kritikë për rekomandimet që japin këto forume ekonomike. A mos vallë reforma në drejtësi qenka më nacionale dhe më sovrane, sa gjithkush nga faktorët që përmendëm më lartë: i sigurisë, ekonomisë, mbrojtjes, e të tjerë. Gjithkush ka njohuri që të paktën nga viti 1945, drejtësia dhe çështjet e të drejtave janë ratifikuar si universale. Përse gjithë ky paradoks.

Edhe njëherë për sovranitetin dhe reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi -shprehet një studiues i njohur shqiptar – i kalon caqet e demokracisë se veteizolimit. Ajo eshte përmbyllja e një tranzicioni pa shtet ligjor, pa barazi përpara ligjit, pa institucione drejtësie te pavarura, pa respekt për të drejtat e njeriut, pa ekonomi te lirë e të ndershme, pabesueshmëri dhe respekt ndërkombëtar. Pra reforma ne drejtësi është fillimi i munguar i demokracisë shqiptare… Në këtë kontekst reforma në drejtësi kapërcen kufizimet e konceptit te sovranitetit tradicional vestfalian. Ajo i qaset vizionit te sovranitetit bashkëkohor ku shume angazhime transferohen në qendra rajonale e globale nëpërmjet proceseve integruese dhe globalizuese. Pra, si ne dimensionin e demokracisë ashtu edhe ne atë të sovranitetit, reforma ne drejtësi i tejkalon gardhin që përpiqen ta rrethojnë trumbetuesit e “sovranitetit vestfalian”, nëse vërtet kanë për referencë këtë koncept të së drejtës ndërkombëtare.

Të gjithë fabulën për raportet midis sovranitetit (vestfalian), sovranitetit bashkëkohor dhe reformës në drejtësi e gjen, ndoshta, qartësisht në një koment on-line kur një lexues shprehet ” Drejtësia jonë i ngjan një të sëmuri kronik dhe të pashpresë. Mjekët e huaj kanë përcaktuar diagnozën dhe mënyrën e trajtimit. Për njëfarë kohë ajo duhet trajtuar edhe në reanimacion. Do të mbahet në mbikëqyrje deri sa të aftësohet me kapacitete bashkëkohore, duke garantuar parametrat jetik. … Por, kryekomunarët e politikës, ndoshta për hir të traditës , apo edhe më shumë… ngulin këmbë që ta marrin të sëmurin në shtëpi, të zgjedhin vetë terapinë e mjekimit, mundet me ilaçe popullore, pa u merakosur për aftësimin e të sëmurit dhe pa dhënë asnjë garanci për të ardhmen… Sugjerimi: Ju lutem merrni dhe kryekomunarët e politikës dhe futini në reanimacion me shpresën se mund të dalë ndonjë i saktë pas trajtimit….

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi