Llogaritë e reja politike

Nga Ilir Kalemaj, botuar në Ballkanweb, 27 korrik 2016

80664_ilir-kalemajJo pak ujëra u trazuan nga deklarata e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, ku bash në kulm të zhegut veror hodhi “bombën” apo “shashkën tymuese” për një qeveri teknike, që do çonte vendin në zgjedhje të parakohshme në rast se nuk gjendej një formulë gjithëpërfshirëse për ta kaluar me konsensus reformën në drejtësi. Ndonëse u deshën shumë intervista para dhe pas këtij momenti, ku me gjuhë ezopiane bashkëkryetari dhe bashkëpunëtorë të tij të afërt me një gjuhë të koduar mohuan ekzistencën e një krize të tillë që do prodhonte zgjedhje të parakohshme, “kasandrat” e politikës dhe medias kanë parashikuar që shtatori do të jetë vendimtar përsa i përket kumtit të ri politik. Një koalicion në paterica, as mund të funksionojë për të zgjidhur ngërçin ekonomik, as mund të garantojë rend dhe siguri, as mund ta shpëtojë vendin nga plagët sociale dhe as të ofrojë shpresë për zgjedhje të pakapura dhe të pamanipuluara qysh në start.

Por, me të drejtë shtrohet pyetja: a janë dhe sa janë të përgatitura palët për të hyrë në një betejë politike të parakohshme, që paralajmëron zgjedhje vjeshtake? Po elektorati? Për ta filluar nga partitë, duhet thënë se ndonëse pati lëvizje të momentit të fundit që synuan të qetësonin apo kooptonin zërat rebelë brenda PS-së në përpjekje për të mbajtur gjallë 71-shin qeverisës, në rast “krisjeje” të mazhorancës për mosarritje akordi për ndryshimet kushtetuese, kjo e fundit si partia më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka marrë kosto jo të vogël gjatë kësaj qeverisjeje problematike trevjeçare të projektit “Rilindja”. Projekt ky i kontestuar për së brendshmi, shpesh po aq zhurmshëm sa dhe prej së jashtmi nga antagonistët politikë, pasi përfaqëson një pakicë në rrafsh numerik dhe ideor edhe brenda forcës politike ku operon.

Bashkudhëtari tjetër qeverisës, LSI e Ilir Metës ka ditur të kapitalizojë nga këto dobësi dhe konsumim pushteti, duke forcuar radhët e militantëve të vetë të mirëtrajtuar me poste dhe privilegje të tjera, shpesh në nivel asimetrik, me një parti që ka një komandë më vertikale dhe operon taktikisht më e organizuar dhe duke shmangur konfrontimin direkt me opozitën, pra duke lënë hapur një rrugë kalimi për një koalicion parazgjedhor, që do sillte një deja vú politike të mirëpritur nga disa dhe të kontestuar po aq fuqishëm nga të tjerë homo politicus të PD-së. Kjo e fundit, si forca kryesore opozitare, ka pak për të humbur dhe shumë për të fituar me një qeveri teknike, që përgatit vendin për zgjedhje të parakohshme. Së pari, siguron mekanizmat e duhur të votimit elektronik dhe të tjera garanci institucionale për mbrojtjen e votës (duke përfshirë atë të emigrantëve) pa të cilat votimi në vetvete do sillte një rezultat minimalisht të diskutueshëm. Së dyti, do risillte në vëmendjen e publikut dhe të medias, probleme akute të qeverisjes, nga ekonomia te siguria, të cilat u anashkaluan apo dolën në rend të dytë gjatë diskutimeve mbi reformën në drejtësi, a thua kjo e fundit do t’i zgjidhte këto me anë të një “deux ex machina”, reale apo jo. Së treti, do të kapitalizonte nga pesha që mbarti për të prodhuar një draft konsensual të vetë reformës, që kjo e fundit të mos ishte e kapur politikisht qysh në start dhe për rrjedhojë, pa legjitimitetin që i duhej për t’u kthyer jo në “kërbaç politik”, por në aset për të pastruar radhët e drejtësisë nga të korruptuarit dhe që të shërbejë si një pushtet i tretë i vërtetë dhe garant i konstitucionalizmit në vend.

Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e elektoratit do veçoja atë që dy politologë të famshëm amerikanë Cristopher Achen dhe Larry Bartels në një libër të sapopublikuar “Demokracia për Realistët” kanë avancuar një “teori grupi” për demokracinë dhe shtetin. Ata e vënë theksin mbi besnikërinë e grupit dhe ndaj partisë si më të rëndësishme se preferencat mbi politikat dhe ndasitë ideologjike, në kalkulimet e votuesve. Pra, e kthejnë kokëposhtë paradigmën e famshme të Rilindjes Europiane, liberalizmit britanik apo progresivizmit amerikan, që e kanë kthyer deri në kult arsyen njerëzore dhe kultin e individualizmit, duke theksuar se jeta njerëzore dhe për rrjedhojë edhe veprimet që ndërmerren janë të influencuara nga rrethi shoqëror, politik apo ekonomik i qytetarit të sotëm. Për shumicën e njerëzve sipas tyre, të përkiturit në një grupim politik nuk është e lidhur me ideologjinë se sa me kulturën e grupit që kërkon të përbashkohet me njerëz të ngjashëm me veten. Kjo kulturë grupi ka bërë që në SHBA për shembull, në çdo palë zgjedhjeje presidenciale, secila nga dy partitë e mëdha ta nisë fushatën me rreth 45 për qind të votuesve “në xhep”, duke luftuar për ata 10 për qind të pavendosur që synohen të tërhiqen nëpërmjet përzgjedhjes së një simbolike politike sa më përfaqësuese.

Në vendet me sisteme zgjedhore proporcionale, me sisteme më plurale dhe të fragmentarizuara politike, si gjerësisht në Europë dhe natyrisht te ne, thyerjet dhe përthyerjet e votës janë vështirë të parashikohen jashtë kontureve të koalicioneve para dhe paszgjedhore. Pra, ndonëse PD dhe PS kanë një “rezervuar votash” të garantuar, që nuk i lejon të zbresin poshtë një kuorumi të caktuar (të themi rreth 600 mijë secila), përcaktuese janë votat për partitë e koalicionit të secilës. Veçanërisht deçisivë do jenë vendimmarrjet e LSI-së, PDIU-së, por edhe partive të tjera me peshë politike më margjinale në daljen më vete si pol i tretë apo bashkangjitur lokomotivës të një prej dy partive kryesore. Kjo përllogaritje numerike dhe e bazuar në strategji elektorale nëpërmjet rreshtimit taktik për të maksimizuar suksesin elektoral, nuk mund asesi të lërë jashtë konsiderate “frymën” e zgjedhjeve, të parakohshme apo jo qofshin. Vënia e gishtit mbi plagë, duke identifikuar problemet dhe plagët dhe duke ofruar zgjidhjet dhe recetat, është po aq, në mos më e rëndësishme, për të thithur votën e elektoratit të pavendosur, pjesës fluide dhe pjesës së painteresuar. Tri grupime këto, që numerikisht janë shumica e shqiptarëve sot që flasim. Natyrisht, bashkë me emigrantët, të cilëve duhet t’u ofrohet çdo lloj mundësie për t’u përfshirë në proces dhe për të qenë të përfaqësuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi