Reforma u bë, ngrehina mbetet!

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 22 korrik 2016

afrim-KrasniqiPas 18 muajsh konsultime dhe sidomos investimit & presionit të pashembullt perëndimor ndaj liderëve politikë reforma në drejtësi është duke u kaluar. Me siguri, militantët e palëve do thurin lavde për shefat e tyre. E kanë bërë dhe do ta bëjnë, pasi është e vetmja gjë që dinë të bëjnë. Por nëse ka një moment turpi në politikën shqiptarë, nëse ka një moment dështimi të elitave politike është pikërisht ky i sotmi: ata nuk janë heronjtë e ditës, ata janë turpi ynë dhe fatkeqësia jonë periodike.

24 orët e fundit treguan se liderit politikë nuk e donin reformën, ata kalkulonin taktika elektorale me të dhe pas saj, dhe se vetëm presioni i paprecedent i qeverise amerikane dhe BE mundësoi kalimin e saj. Ata janë të vetmit që duhen përgëzuar sot. I shikuat sot live takimet e politikanëve në selitë e partive dhe në Kuvend? Makina luksi, veshje luksi, ligjërim militant komunikimi, njerëz që kanë humbur çdo kontakt e ndjesi me qytetarët dhe sfidat reale të shoqërisë; kërcënues në orët e para të ditës dhe kartona formalë në orët e vona të mbrëmjes, të pafuqishëm jo vetëm të thonë atë që mendojnë por edhe të pafuqishëm edhe për të menduar.

Reforma u bë, ngrehina mbetet! Institucioni që duhej të ishte katalizator i zgjidhjes së krizave, – parlamenti, u kthye në mekanizëm formal, që pret të miratojë gjithçka u servilet nga selitë e partive. Pas reformës, ai nuk ka më besim publik, koalicioni mazhoritar është ia pabesueshëm në aftësinë e tij për të jetësuar reformën, opozita nuk ofron alternativë, media e shoqëria civile mbeten shtojca të partive, dhe kështu, republika ndodhet në krizë identiteti, – me sytë aty ku i kishim më 1991, tek flamuri amerikan apo Evropa!

A do jetë reforma sukses? Është herët për të folur. Konsensusi i fundit, përpjekja e partive për të diktuar zgjedhjet e reja në gjyqësor e prokurori nuk përbën sukses, por “çmimi që duhej paguar” për të kaluar pjesën tjetër të reformës, e cila, megjithëse jo ideale, mbetet oferta dhe zgjidhja më e mirë. Vendosja e vetingut ndërkombëtar në hallkat e promovimit dhe përzgjedhjes përbën garancinë e vetme se të paktën, të zgjedhurit e rinj nuk do jenë avokatët e familjes politike dhe as shoqëruesit e politikanëve nëpër kazino. Vendosja në Kushtetutë e Misionit Ndërkombëtar strukturalisht përbën hap pas në shtet-formimin shqiptar, por aktualisht përbën zgjedhjen e vetme optimal dhe garancinë e vetme se vendimet në drejtësi nuk do merren nga shefat politikë të partive – piramida, por do të kalojnë në filtra testimi dhe konkurrimi.

Me siguri jetësimi i reformës do kërkojë kohë, energji, kriza, negociata dhe ndërhyrje ndërkombëtare të tjera. Dita shihet në mëngjes dhe nga mëngjesi i reformës sot u lexua sesi do jetë periudha 1-3 vjeçare e jetësimit praktik të reformës. Sepse ajo, në thelbin e saj përveç pjesës pozitive në cilësinë e shtetit të së drejtës, fokusohet edhe në korrupsionin, abuzimit, kriminalitetin, dhe cilësi të tjera të shumë prej atyre që sot ndodhen në parlament, falë vendeve të blera në listat e mbyllura proporcionale të 3-4 partive parlamentare. Ndaj ata dhe shefat e tyre rezistuan, ndaj ata dhe shefat e tyre vonuan procesin, ndaj ata dhe shefat e tyre na bënë qesharakë dhe shefat e tyre na shndërruan në kavie eksperimentale, ndaj ata dhe shefat e tyre kanë marrë peng partitë, – nuk ka zgjedhje, nuk ka votime, nuk ka mendim kritik dhe nuk lejojnë të krijojmë shtet e demokraci funksionale.

Në bilancin final ka një “peng” të mbetur nga reforma e miratuar, – fituam reformën por humbëm shansin që ambasadori amerikan premtoi, – të deklarojë në emër të qeverisë së tij masat penalizuese për politikanët antireformë dhe të korruptuar. Në emër të reformës dhe interesit publik ata e kuptuan frikën e pasojat, ndaj nxituan të bien dakord! A do ketë listë amerikane? A do ketë publikim dosjesh korruptive? A do ta lexojë komuniteti ndërkombëtar dakordësinë e koalicionit të interesave si akt pragmatist, amnisti politike apo si një dritë jeshile për ti rikthyer besimin qytetarëve tek demokracia dhe drejtësia? Le të shohim. Shpesa vdes e fundit, megjithëse ky vend prej vitesh e shekujsh jeton aq intensivisht me ëndrrat dhe shpresat sa rrallë arrin të bëjë diferencën midis iluzionit dhe realitetit.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi