Kriza politike afrohet, fati i qeverisë është në dyshim
Nga Gjergj Erebara, BIRN, 18 korrik 2016
Tre partitë kryesore parlamentare në Shqipëri nuk ranë dakord sot për votimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi ditën e enjte në parlament pas një takimi në kryesinë e Kuvendit mes Ramës, Metës dhe Bashës, një takim që u bojkotua nga ambasadorët.
Duke dalë nga takimi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se ka mandatuar disa deputetë të tij për të “vijuar negociatat” ndërkohë që kryeministri Edi Rama deklaroi në mbrëmje se për të nuk ka një plan b, duke sugjeruar se do të presë ditën e enjte për të parë rezultatin e votimit të reformës.
Ditën e dielë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta deklaroi në një konferencë shumë emocionale për shtyp se nuk kishte ndër mend ta votonte reformën, duke shprehur se ndjehej i shantazhuar me burgosje.
” Sepse ne jemi politikanë dhe në qoftë se kërkon konsensusin duke thënë që “ti do shkosh në burg”, apo “ti tjetri do të shkosh në burg me këtë reformë”, ne shkatërrojmë konsensusin, shkatërrojmë gjithë frymën konstruktive dhe gjithëpërfshirëse që duhet të ketë kjo reformë,” deklaroi Meta. (Kliko këtu për të parë fjalimin e plotë të Metës).
Ilir-MetaMeta, i cili disponon rreth 20 vota parlamentare, deklaroi se votat e tij dhe të Partisë Socialiste e aleatëve të tjerë të qeverisë nuk përbëjnë shumicën e nevojshme prej 94 votash nga 140 deputetë që ka parlamenti, të kërkuara për ndryshimet kushtetuese dhe përsëriti se reforma duhet të miratohet me konsensusin e opozitës, konsensus që dukshëm mungon.
Konferenca për shtyp e Metës bëri gjithashtu të ditur se koalicioni qeverisës i vitit 2013, i cili fillimisht u konsiderua si shumica më e fortë që nga viti 1997, duhet të zëvendësohet nga një “qeveri teknike që duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme”. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e mbështeti propozimin e Metës në më shumë se një rast gjatë ditës së sotme.
Kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti propozimit për qeveri teknike, por ministri i tij i Financave Arben Ahmetaj e konsideroi idenë “të dëmshme për ekonominë”.
Duke folur me ton të zymtë mbrëmjen e sotme, Rama deklaroi se më 21 korrik, në Kuvend, vendi do të përjetojë një ndarje të re dramatike, ajo mes mbështetësve të reformës dhe kundërshtarëve të saj.
“Kjo është reforma më e rëndësishme dhe vetëm pak ditë na ndajnë nga një moment deri tek i cili unë do të shpresoj deri në minutën e fundit se do të arrihet bashkimi i të gjithëve për t’i celur rrugën këtij transformimi, por që mund të jetë edhe momenti dramatik për një ndarje të re”, tha Rama.
Ndërmjetësimi i ethshëm i ndërkombëtarëve deri në momentin e fundit duket se nuk arriti të bindë Bashën apo Metën që të votojnë reformën në drejtësi. Ambasadorja e Delegacionit Europian Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, refuzuan të marrin pjesë në takimin e fundit mes palëve sot duke dhënë pak shpresa për një marrëveshje të orës së fundit.
Fati i qeverisë në pikëpyetje
Ndërsa Rama nuk ka folur ende për ndryshimet e pritshme në qeverisjen e vendit, Meta kërcënoi se mund të tërhiqte ministrat e tij nga kabineti qeverisës, një lëvizje të cilën e ka bërë edhe më parë në vitin 2004 pas mosmarrëveshjeve me ish-kryeministrin Fatos Nano, mosmarrëveshje që solli edhe ndarjen e Metës nga Partia Socialiste.
Aktualisht janë dy rrugë kushtetuese për rrëzimin e qeverisë, megjithëse historia e Shqipërisë ka njohur edhe rrugë të tjera jokonvencionale si në rastin e vitit 2004 dhe të prillit 2013. Rruga e parë është që kryeministri të kërkojë mocion besimi në kuvend dhe të rrëzojë vetveten duke shkaktuar zgjedhje të parakohëshme. Rruga tjetër është që opozita të mbledhë 28 firma deputetësh për të kërkuar mocion mosbesimi, por në këtë rast, opozita duhet të ketë edhe propozim për emrin e kryeministrit të ardhshëm.
Por në vitin 2004, kur Ilir Meta dha dorëheqjen si Ministër i Jashtëm dhe tërhoqi edhe disa mbështetës të tij nga postet e ministrave, qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano mbeti në ajër, në pamundësi për të zëvendësuar ministrat sepse i mungonin votat në parlament, ndërkohë që opozita nuk qe në gjendje ta rrëzonte me mocion mosbesimi pasi disa nga deputetët e saj nuk u paraqitën ditën e zgjedhjeve duke u vetëdeklaruar të sëmurë ose të aksidentuar.
Në vitin 2013, kur Lëvizja Socialiste për Integrim u tërhoq nga qeveria, ish-kryeministri Sali Berisha arriti në kohë rekord të blejë tre deputetë të opozitës dhe të sigurojë një maxhorancë minimale për të zëvendësuar ministrat e dorëhequr.
Opsionet për blerje deputetësh po diskutohen gjerësisht aktualisht, ku njëra alternativë është që Partia Socialiste të blejë nga opozita për të krijuar një maxhorancë të thjeshtë dhe alternativa tjetër është që Partia Demokratike të bashkohet me Lëvizjen Socialiste për Integrim për të rrëzuar Ramën si kryeministër dhe për të marrë qeverisjen e vendit.