Cili je ti që flet në emër të sovranit?
Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 27 qershor 2016
Në mitologjinë greke thuhet se Zoti, kur shpërndau cilësitë e të jetuarit në botën e krijuar prej tij, harroi njeriun. Atëherë, kur e pa se nuk kishte mbetur më as fuqia, as dinakëria, as shpejtësia, e as bukuria, me të cilat kishte pagëzuar kafshët e shpendët, vendosi t’u shpërndante në mënyrë të barabartë një cilësi: aftësinë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, me synim të jetuarit në shoqëri! Kjo aftësi për të biseduar, për t’u marrë vesh, për të jetuar së bashku, është në thelb nevoja për demokraci. Ndoshta ndaj grekët e lashtë nuk u morën shumë teorikisht me këtë problem, pasi e mendonin të dhënë nga Zoti! Më tej, kur me demokracinë u spekulua, atëherë njeriu filloi të teorizonte se çfarë është demokracia. Sot, këto spekulime janë në kulmin e tyre. Dhe kur janë në botë, natyrisht që në Shqipëri gjejnë qasjen më negative. Demokracia nuk është finish, nuk është model, është mënyrë e të marrurit vesh me njëri-tjetrin, është mënyra për të vendosur së bashku për jetën tonë. Pra nuk është zgjedhja e atyre që do na qeverisin për të thënë se; “Kjo është demokracia”! Demokraci do të thotë të vendosë populli, mirë apo keq. Ai është sovrani! Por ne popullit i drejtohemi vetëm kur na duhet të zgjedhim radhën e atyre që na sundojnë nën emrin e tij. Jo, kjo nuk është demokraci. Pastaj këta “Zotërinj” flasin në emrin e sovranit. Ata “dinë” se çfarë bëjnë, sesi duhet ta bëjnë apo nuk duhet ta bëjnë. Populli rri e pret me sytë nga ata. Nuk di nëse shqiptarët që “vdesin” për politikë mbajnë mend emrat e qeveritarëve zviceranë. Me siguri, jo. As vetë zviceranët nuk i mbajnë mend. Ata e marrin vetë në dorë jetën e tyre, me të mirë apo të keq. Thirren në Referendum. Dikush mund të hidhet përpjetë e të thotë se edhe Britania bëri referendum, por ja çfarë i ndodhi. Jam plotësisht e bindur se populli britanik (me të gjitha nëndarjet e tij) mirë apo keq e mori një vendim, të cilin nëse nuk i shkon për shtat, e rikthen. Por këtë vendim nuk e mori as Cameron-i e as mbretëresha Elisabetë. E mori Populli!
Tani le të vijmë në Shqipëri. Dëgjon z. Basha që flet në emër të sovranit se “në zgjedhjet e parakohshme do votohet edhe neni 88! Po a ka pyetur gjë popullin z. Basha nëse do zgjedhje të parakohshme apo jo? Pastaj vjen LSI, e cila si gjithnjë pasi provokon, e “kritikon” dikë që flet sërish në emër të sovranit. Por ama është e vendosur që “reformë në drejtësi nuk do ketë pa konsensus”! Sigurisht që askush prej këtyre të dyve kur flet për sovranin e sovranitetin nuk e ka në axhendë popullin, por vetëm veten! Pastaj vjen z. Rama, që sërish nën emrin e sovranit, kërkon të bëjë pazare politike, vetëm e vetëm që t’i dalë fjala e të miratojë një reformë e cila si e ka nisur, do katandiste kokoshi një thelë! Pse e bën këtë? Sepse nuk i intereson sovrani, por vetëm vetja. I intereson të “duket” sikur ai është Zoti që vendos për gjithçka dëshiron! Në të vërtetë atij që i intereson më shumë se çdo gjë reforma në drejtësi, është populli. Por këtë as e pyet njeri e as e sqaron njeri. Populli e ka shumë të qartë se një reformë në drejtësi nuk mund të bëhet nga ata që e kanë rrjepur vendin, që e kanë vjedhur popullin, që e kanë shitur pronën e popullit sikur të ishte prona e tyre private! Ndaj asnjë konsensus nuk do të vlente përballë vendimit të popullit. Kurrë mos u bëftë një Reformë e cila nuk mban vulën e sovranit të vërtetë! Asnjë njeri i vetëm, sa do i madh e me vlerë të jetë, nuk është sovrani! Ndryshe nuk ka demokraci! Por politikanët nguten të na thonë:
“Po si mund të zgjidhet një reformë me referendum? A do të jetë në gjendje populli të votojë për këtë reformë? Ai nuk di, ai është injorant, ai shitet dhe blihet se është i varfër”. Nëse është i varfër e ka lënë politika dhe këta zotërinj që pasi e vjedhin, e përçudnojnë, i shkatërrojnë arsimin dhe e degjenerojnë me një propagandë demagogjike çdo sekondë të ditës, vendosin nën emrin e tij, sepse “populli shitet dhe blihet! Ama kur vjen puna për zgjedhjet, ai quhet i mençur se ka zgjedhur ata që “duhej” të zgjidheshin!
Nëse dëshirojmë të kuptojmë se sa mirë gjykon populli, le ta provojmë me një referendum të thjeshtë: A dëshironi të vijnë një grup specialistësh nga disa vende të botës, për të verifikuar pasuritë e politikanëve, të gjyqtarëve, e zyrtarëve të lartë? A dëshironi që pasuritë e pajustifikuara të kthehen pronë publike? Dhe me siguri do ta merrni përgjigjen. Ajo po, do të jetë dëshira e Sovranit! Por për të mos e bërë diçka të tillë, vërshojnë deklarata politikanësh, artikuj gazetarësh, opinione liberalësh, që as nuk duan e as kanë ndër mend të njohin apo vlerësojnë ndonjëherë forcën e popullit.
E le ta bëjnë një referendum të tillë e pastaj të shikojë politika e politikanë si Berisha që i vuri zjarrin këtij vendi për 25 vjet, Meta, që e vodhi këtë vend në dhjetëra mënyra, Rama, që e ka shndërruar vendin në kantier fasadash, ku blihen e shiten interesa klienteliste, apo Basha që e vodhi dhe e vrau atë, në emër të së mirës të të cilit flet, se ku e kanë vendin! Por Jo! Nuk e duan. Sepse nëse vendos populli, ata që përmenda më sipër së bashku me kastat e tyre do të gjykohen në gjykatat popullore dhe jo të Gjin Gjonit, apo KLD e Nishanit! Sa më shpejt të kuptohet kjo rrugë, aq më mirë do të jetë për vendin e të ardhmen e fëmijëve tanë. Sepse kështu si jemi, vetëm Demokraci nuk kemi ndaj dhe as që mund të bëhet fjalë për Sovran e sovranitet.