Këndvështrimi i OKB rreth shtetit ligjor në Shqipëri
Nga Brian Williams*, botuar në Panorama, 20 qershor 2016
Me afrimin e verës, sezonit të pushimeve, intensiteti i debatit dhe aktivitetit të institucioneve të Shqipërisë, përfshirë organin ligjvënës të saj, është një shenjë e dukshme e vitalitetit të qeverisjes demokratike në vend.
Vetëm para disa javësh, Qeveria prezantoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), e cila synon ta vendosë Shqipërinë në rrugën e rritjes së qëndrueshme dhe të barabartë përmes sigurimit të stabilitetit makroekonomik dhe konkurrueshmërisë; dhe duke investuar në popullin e saj dhe në kohezionin social.
Arritja e këtyre qëllimeve të Qeverisë dhe të popullit të saj do të kërkojë një themel sistemesh edhe më të forta të qeverisjes demokratike dhe shtetit ligjor për të gjithë shqiptarët. Sot kjo mbështetet nga një program ambicioz reformash, që janë vendimtare për të përshpejtuar zhvillimin e vendit.
Për Kombet e Bashkuara, programi i hyrjes në BE përputhet me parimet e shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe rekomandimet e organeve të tyre.
Programi i reformës është gjithashtu në përputhje me Programin e Zhvillimit 2030, për të cilin kanë rënë dakord të gjitha Shtetet Anëtare në shtator të vitit 2015 dhe në veçanti, me Objektivin 16 të Zhvillimit të Qëndrueshëm për shoqëri të drejta, paqësore dhe përfshirëse, me të cilët Shqipëria ka rënë dakord.
Ky program kërkon që askush të mos mbetet pas. Në këtë kuadër, sistemi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri njeh rëndësinë e reformës në drejtësi dhe synon të thellojë bashkërendimin e përpjekjeve të tij me ato të partnerëve të tjerë për të çuar përpara shtetin ligjor.
Nga përvoja jonë rajonale dhe globale, ne jemi mjaft të ndërgjegjshëm se ndryshimet në kushtetutë dhe legjislacion janë hapi i parë, i domosdoshëm, në rrugën drejt përmirësimit të drejtësisë për të gjithë në Shqipëri.
Zbatimi në praktikë i programit të reformës nga institucionet kombëtare përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e shtetit ligjor në shoqëri do të jetë një provë e qenë- sishme për të parë nëse Shqipëria do të mund t’i realizojë shpejt aspiratat e saj. Për këtë gjë, bashkërendimi i përpjekjeve të të gjitha palëve të interesuara ndërkombëtare do të jetë vendimtar.
Programi i reformës është me rëndësi kritike për të ndihmuar në largimin e pengesave të mëdha për sigurimin e drejtësisë, përfshirë pamundësinë e komuniteteve të varfra për të gë- zuar asistencë ligjore falas dhe për të përfituar nga politikat e përfshirjes sociale.
Zhdukja e politizimit, përmirësimi i transparencës e llogaridhënies dhe rritja e efikasitetit janë dimensione thelbësore të reformës, që synojnë të rrisin besimin e pakët të publikut në institucionet e shtetit ligjor. Kërkohet mbështetje efikase dhe asistencë për viktimat dhe dëshmitarët, për t’i ndihmuar në marrëdhëniet e tyre me sistemin e drejtësisë penale.
Kjo nevojë është veçanërisht e mprehtë për viktimat e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore dhe ka ende shumë përmirësime që duhen bërë në fushën e drejtësisë për të mitur. Një pjesë e madhe e popullsisë, sidomos jashtë kryeqytetit, nuk ka njohuri apo nuk është e aftë të ndjekë të drejtat e saj për të pasur qasje në drejtësi dhe për të siguruar mjete efikase ligjore të pakorruptuara.
Ndonëse pjesëmarrja më e madhe e femrave në këshillat vendorë do të ndihmonte për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve për këto çështje, kërkohet punë e mëtejshme përmes avokatisë dhe fushatave publike, për të krijuar mjedisin mundësues që reforma në drejtësi të rezultojë në ndryshime reale në jetën e njerëzve.
Duhet shfrytëzuar kjo mundë- si që reformën në drejtësi e shoqëron me reformën e suksesshme territoriale, e cila demonstron angazhimin e vendit për të krijuar shërbime të ndershme dhe me qendër qytetarin.
Për një ndryshim të tillë transformues, Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për bashkërendimin e përpjekjeve të të gjitha palëve të interesuara të vendit dhe ato ndërkombëtare.
Dhe ndërsa shumë prej këtyre përpjekjeve teknike mund dhe duhet të fillojnë menjëherë – të drejtat e njerëzve nuk duhen lënë në pritje – ato do të kenë një ndikim shumë më të madh dhe do të jenë të qëndrueshme posa që të bihet dakord për reformat gjyqësore bazë. Themelet e shtetit ligjor dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut ndërtohen jo vetëm mbi një sistem drejtësie të ndershëm dhe efektiv, por edhe mbi aftësinë e tij për të adresuar trashëgiminë e padrejtësive të së shkuarës.
Në këtë drejtim, Kombet e Bashkuara në Shqipëri mirëpritën miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve të “Sigurimit” vitin e kaluar dhe nxisin ngritjen sa më shpejt të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të parashikuar me ligj.
Po ashtu, Shqipëria duhet të trajtojë me efektivitet problemet e së shkuarës në lidhje me të drejtat e pronësisë, përfshirë regjistrimin, rikthimin dhe kompensimin e tyre efektiv.
Nga ana e tij, sistemi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është i gatshëm të mbështesë drejtuesit e qeverisë, parlamentin dhe institucionet e pavarura në nivel qendror dhe lokal për një periudhë afatgjatë, për të përmirësuar shtetin ligjor, transparencën dhe llogaridhënien dhe për sigurimin e drejtësisë për të gjithë. Shumë mund dhe duhet të bëhet, për të rritur besimin tek institucionet, për të ulur korrupsionin, dhe për të siguruar drejtësi dhe të drejtat e njeriut për të gjithë në Shqipëri.
*Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri