Borxhi, investimet dhe zhvillimi ekonomik në Shqipëri

Nga Teuta Nunaj, botuar në Mapo, 10 qershor 2016

Teuta-NunajBorxhi publik dhe investimet janë tregues që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të një vendi dhe kanë një lidhje ndërvarësie me njëri-tjetrin. Borxhi publik në Shqipëri në gjashtë vitet e fundit ka pësuar një rritje të ndjeshme. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2010 borxhi publik ishte 57.78% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe në fund të vitit 2015 ishte 72.39% e PBB (ose 14.61% më shumë). E përkthyer në vlerë monetare, sot borxhi publik është 326,83 miliard lekë më shumë se në vitin 2010. Deri në vitin 2011, borxhi ishte brenda kriterit ligjor nën 60% të PBB dhe në vitin 2012 e tejkaloi këtë kriter, duke shënuar vlerën 62.12% të PBB. Tejkalimi nuk përbën thjesht një numër mbi vlerë, por e ekspozoi vendin kundrejt një risku më të lartë, qoftë ekonomik dhe politik, duke sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë tek investitorët e mundshëm, të cilët humbën besimin dhe sigurinë për të investuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria u kthye në një vend risku dhe borxhi i marrë në vazhdimësi do të sjellë normë më të lartë interesi, pikërisht për shkak të kësaj pasigurie. Pasja e një borxhi të lartë publik ka sjellë rritjen e presioneve mbi politikën monetare që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë, e cila në masat e marra për stimulimin e rritjes ekonomike, në katër vitet e fundit ka ulur 16 herë normën e interesit, e cila sot është 1.25%, një nivel i paimagjinueshëm kohë më parë.

Për vitin 2015, borxhi i brendshëm është vlerësuar 38.3% e PBB dhe borxhi i jashtëm është vlerësuar 34.09% e PBB. Në krahasim me vitin 2010, borxhi i brendshëm është rritur 6.6% dhe borxhi i jashtëm është rritur 9.21%. Rritja më e madhe e borxhit të jashtëm në krahasim me atë të brendshëm, tregon që tregu i brendshëm zvogëlon mundësitë për të kredituar ekonominë në vend dhe ul mbështetjen e tij në zhvillimin ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë, rritet ndikimi i tregut të jashtëm mbi ekonominë shqiptare, duke e bërë atë më të varur prej saj. Përdorimi i borxhit publik për zhvillim ekonomik e bën atë (borxhin) të jetë nxitës në rritje ekonomike, pasi hapen vende të reja pune, rriten të ardhurat dhe më tej, edhe konsumi. Marrja e borxhit publik në nivele të larta dhe përdorimi i tij për konsum dhe jo për kreditimin e ekonomisë, nuk sjell rritje të kapacitetit të ekonomisë shqiptare; sjell një ndikim të drejtpërdrejtë në terma negativë mbi zhvillimin e ekonomisë; rëndon koston e likuidimit të tij; dhe bën që borxhi të përcillet te brezat e ardhshëm, duke u kthyer në një ngarkesë financiare, siç është rasti i tanishëm i Shqipërisë.

Në periudhën e marrë në analizë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, remitancat (paratë e dërguara nga emigrantët) kanë ardhur duke u ulur, nga 690 milionë euro në vitin 2010, në 597 milionë euro në vitin 2015. Ndërsa investimet e huaja direkte kanë pësuar ulje-ngritje dhe në vitin 2015, i kemi në vlerën 871 milionë euro. Rritja e borxhit publik dhe ulja e financimeve sjell një ndikim të drejtpërdrejtë tek investimet publike që ndërmerr qeveria. Sipas Ministrisë së Financave, investimet publike për vitin 2015 dhe vitin 2016 janë përkatësisht me 61,622 miliardë lekë dhe 59, 988 miliardë lekë, që shënojnë edhe vlerat më të ulëta të investimeve publike prej vitit 2008. Edhe pse për vitin 2015 kemi rritje të të ardhurave buxhetore dhe ulje të deficitit buxhetor, mund të themi se jo gjithnjë kjo rritje të ardhurash buxhetore sjell dobishmëri. Të ardhurat e larta buxhetore, për shkak të tatimit të lartë, sjellin rritje të barrës fiskale të biznesit, që ul mundësinë e tij për investim.

Mbi bazën e të dhënave nga INSTAT, 75 % e ndërmarrjeve aktive janë prodhues të shërbimeve. Ndërsa aktiviteti ekonomik “Tregtia me pakicë, përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave” zë 35.3 % dhe vazhdon të jetë mbizotëruese në ekonominë e vendit. Ndërmarrjet e mëdha me 50 dhe më shumë të punësuar, zënë 1,1 % të totalit të ndërmarrjeve, por kontributi i tyre në punësim llogaritet të jetë 46,2 %. Dhe te këto ndërmarrje prodhuese, mbizotërojnë ndërmarrjet fasone, të cilat zënë edhe pjesën më të madhe të eksporteve në masën 41.8% të tyre dhe 13.7% të importeve për muajin prill 2016. Ndaj mund të themi se Shqipëria është një vend që ofron më shumë shërbim se produkt dhe peshën më të madhe në PBB e zënë pikërisht shërbimet, që janë në masën 45.7% të PBB për vitin 2014. Ne jemi një shoqëri konsumatore, që e mbështesim të ardhurën tonë në shërbim, konsum dhe jo mbi prodhim. Për vitin 2014 është pikërisht konsumi final që zë edhe peshën më të madhe në ekonominë tonë në masën 93% (Burimi: INSTAT).

Po të bëjmë një përmbledhje të treguesve të analizuar më sipër, shohim se borxhi publik është rritur, remitancat janë ulur, investimet e huaja kanë paqëndrueshmëri dhe investimet publike kanë pësuar tre vjet rresht ulje, në krahasim me vitin 2013. Ekonomia shqiptare mbështetet në tre të katërtën e saj te shërbimi, 47% e të cilit është tregti. Deficiti tregtar vijon të thellohet. Të gjithë këta parametra nuk të bëjnë optimist se gjysma e vitit në vijim e më tej, do të sjellë një rritje të zhvillimit ekonomik, që do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e popullatës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi