Po bëjmë reformë? Po bëjmë shtet? Apo po bëjmë treg?
Nga Enio Civici, botuar në Panorama, 9 qershor 2016
Tri pyetje, tri përgjigje, një Shqipëri. Asnjë ditë pa përplasje politike të përmasave titanike, aq sa “titanike” mund të jetë Shqipëria. Shteti, edhe pse shpesh ngatërrohet me bishtin e tij, në vitet e fundit ka ofruar aromën e një sistemi të vjetër hidraulik në “përçapje” të një investimi të ri.
Ndërsa tregu është fjala më pak e përdorur në 48 muajt e fundit. Reforma në drejtësi e ka marrë vëmendjen e vet ndoshta dhe më shumë sesa i takon. Në mbledhjen e fundit trepalëshe pozicionet ishin shumë qartë të përcaktuara dhe aspak fleksible pavarësisht rëndësisë së këtyre ndryshimeve kushtetuese.
Aq i vështirë është të zbulohet vullneti konstruktiv i palëve sa Kryeministri flet për deputetë të opozitës që mund të bashkohen me veprimet e maxhorancës, Kryetari i Opozitës përmend “djegie të mandateve” nëse kjo ndodh dhe sigurisht Kreu i Kuvendit nuk prononcohet aspak për këtë “pseudo-pazar”.
Reforma në drejtësi e ka marrë vë- mendjen dhe kjo është e pakontestueshme pavarësisht se rezultatet janë “laissez faire” tipike ballkanike. Por asnjë pikë ujë nuk mund të pihet nëse rubineti nuk është i hapur. Dhe në këtë kontekst asnjë sukses nuk mund të ketë një reformë në drejtësi, e cila miratohet në një shtet që nuk funksionon. Dhe këtu afrohemi te fjalia “po bëjmë shtet”.
Sigurisht që më shumë shtet se më parë sytë tanë po shohin përditë. Por ndërkohë që më parë ishin shqiptarët, të cilët abuzonim me shtetin, tashmë është shteti, i cili po abuzon me veten.
Pas ndërhyrjeve të forta të pagesës së energjisë elektrike, pas aksionit antiinformalitet për të deklaruar të gjitha faturat dhe paguar pa asnjë dallim taksat, pas aplikimit rigoroz të projekteve të rilindjes urbane, shumë pak persona mund të pretendojnë se shteti nuk është! Por mbetet problemi se si sillet ky shtet me këtë legjitimitet dhe funksionim normal që ka arritur të fitojë.
Mënyra si administron paratë jo të pakta që vijnë nga formalizimi i shumë industrive është pikërisht çështja në të cilën duhet të përqendrohen të gjithë sytë e publikut. Nëse kërkon nga unë të jem i rregullt, patjetër që pretendimet e mia nuk mund të jenë më të pakta se “vice-versa”.
Në epokën e problemeve të mëdha, në vitet ’70, një ndër baballarët e psikologjisë sociale, Stanley Milgam, thoshte se: “Zhdukja e sensit të përgjegjësisë është në fakt pasoja më e rëndë e nënshtrimit ndaj autoritetit”. Shteti po bëhet, por edhe kur e shoqërojmë me reformën në drejtësi, përsëri nuk mjafton pasi bota e zhvilluar mendon se elementi më i rëndësishëm në fakt është tregu.
Dhe këtu vijmë te termi më pak i përdorur. Kjo e sotmja, si një qeveri parimisht e majtë, mbi të gjitha i takon fuqimisht që të kujdeset për praninë, por dhe për karakterin e shtetit. Por realisht duke parë frymën e dashur që kjo qeveri shpërndan te partneriteti publik privat, duke parë sjelljen buxhetarisht konservatore që ndërmerr kundrejt investimeve publike, si dhe duke vështruar mosrritjen e ndjeshme të pagave dhe pensioneve, fillojmë dhe mendojmë se të majtë vetëm emrin ka. Në këto kushte kthehet në domosdoshmëri interpretimi kokëndriçues që duhet t’i jepet funksionimit të shkëlqyer të tregut, patjetër të garantuar dhe jo të diktuar nga shteti.
Se të bëjmë shtet pa bërë treg është një realitet, i cili me siguri ju kujtohet. Për pasojë si presioni vetëm publik, pasi privatisht është mësuar që e lavdërojnë qeverinë, i investitorëve të huaj dhe vendas, po ashtu dhe llogaridhënia e kërkuar mediatike janë hapa të patjetërsueshëm drejt një rregulli të duhur ekonomik dhe financiar. Drafti për rregullimin dhe lehtësimin e procedurave tatimore është një hap pozitiv drejt fuqizimit dhe mbi të gjitha autonomisë së tregut nga shteti.
Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës, si dhe përfshirja e çdo metër tokë si kolateral, ekuivalencë e parave cash apo potencial për investime të huaja është një tjetër etapë treg-formuese që kjo qeveri duhet ta ketë parësore.
Rregullimi i një ligji të vjetër si ai i të ardhurave dhe përshtatja me filozofinë perëndimore të trajtimit të burimeve të financimit të shtetit nuk mund të mos jetë etapë e rëndësishme treg-konsoliduese që duhet të ndërmerret. Funksionimi dhe zbatimi i të famshmit “rregull i artë buxhetor”, sipas të cilit paketat fiskale nuk ka nevojë të miratohen çdo vit, pasi nuk ndryshojnë dhe rishikimet e buxheteve limitohen në një numër totalisht minimal, është po ashtu veprimi i duhur në shërbim të tregut.
Në kohët kur ashtu si thotë INSTAT, niveli i inflacionit në vend është në 4 muaj mesatarisht nën shifrën 0.5%, shteti mund të bëjë shumë pak. Por tregu dhe funksionimi optimal i tij mund të bëjë një mrekulli. Në fund, por ndoshta rregullimi më i rëndësishëm në ekonominë dhe politikën shqiptare të vitit 2016, është tregu i kapitaleve apo e ashtuquajtura “Bursa”.
Ofrimi i kushteve lehtësuese, rritja e cilësisë së mbikëqyrjes dhe mbështetja jo vetëm institucionale që mund t’i jepet një burse në Shqipëri, do të ishte mënyra e vërtetë për të treguar se është tregu, dhe vijnë më pas shteti apo reformat, që e zhvillon këtë vend.
Nuk ka rëndësi nëse bëjmë reformën në drejtësi apo nëse bëjmë të ndihet dora e rëndë e shtetit mbi shpinën e qytetarëve, pasi si gjyqi, ashtu dhe taksat nuk do të kishin asnjë kuptim nëse paratë nuk lëvizin sipas ligjeve të pashkruara të tregut funksional.
Nuk kërkohet investimi maksimal në fuqizimin dhe zhvillimin e tregut në Shqipëri si pjesë e pandarë e ekonomive po ashtu të vogla të rajonit. Kërkohet baraspeshimi i shqetësimeve të vërteta të shqiptarëve, të cilat edhe pse mund të jenë duke u zvogëluar, është e qartë se po komplikohen.