“Në fillimet e tranzicionit”, çelësi për të lexuar Shqipërinë e sotme
Ditën e Premte, 10 qershor 2016 në UET promovohet libri “Në fillimet e tranzicionit” me autor Ylli Bufi
Parathënia e librit nga Prof. Dr. Afrim Krasniqi, 8 qershor 2016
Në historinë e shtetit shqiptar ka data, ngjarje e periudha unike, të cilat bëjnë diferencën në memorien kolektive dhe shpesh përbëjnë edhe çelësin drejt shumë të vërtetave. Viti 1991 është një prej tyre. Në dallim nga 25 vitet e tjera të tranzicionit, viti 1991 ishte unik sepse përbën pikëtakimin midis dy sistemeve të kundërta politike, eksperimentin e parë të shtetit demokratik, bashkëjetesën më të gjatë midis të anëve të kundërta politike si dhe kontaktin e parë intenstiv me botën e qytetëruar.
Në retrospektivë, viti 1991 mund të krahasohet pjesërisht vetëm me vitin 1920-1921, kur u jetësua shteti shqiptar. Edhe më 1920-1921 u eksperimentuan institucionet dhe sistemi politik, u prezantua Shqipëria në botë, u provua bashkëjetesa midis rrymave e partive të ndryshme politike. Gjithsesi, nëse në vitet ’20 shqiptarët kishin shtet të brishtë por kishin elitë të emancipuar politike, më 1991 shqiptarët bënë shtet të brishtë dhe elitat vuanin dukshëm nga konceptet e kulturës dhe edukimit demokratik. Referuar debateve, akteve politike, ligjërimit dhe memories historike elitat e viteve ’20 mbeten unike, bënin dallim të madh nga shumica shoqërore, por kishin jetuar në botën perëndimore, kishin bërë karrierë në Perandoritë e kohës, si dhe kishin CV të pasur politike e konkurruese. Ndërkohë në vitin e parë të ndryshimit politik (1990-1991) elitat e reja post-komuniste reflektonin nivelin kulturor të shumicës së njëtrajtshme shoqërore, ato nuk kishin përvoja jetesore, politike dhe profesionale në një shoqëri demokratike, të hapur e konkurruese, si dhe nuk ishin të përgatitura për një ndryshim sistemik të tillë.
Ndryshimi politik i vitit 1990-1991 nuk u mundësua nga faktorë klasikë të revolucioneve të mëdha (lëvizjet disidente, grupet liberale, sindikatat qytetare, komunitetet e diasporës) dhe as nga kundërvënia midis kategorive të ndryshme sociale. Më shumë sesa revolucion, dhjetori 1990 ishte ndryshim i imponuar nga periferia e sistemit egzistues – nga ata që nuk ishin vendimmarrës në të, ishte zhvendosje e elitave, rebelim i elitave të reja kundër atyre të vjetra, – të dyja, de facto me formim të gjatë politik e kulturor nga e njëjta shkollë, mentalitet dhe mjedis social. Studentët patën meritën sepse realizuan atë që asnjë shtresim tjetër shoqëror nuk mund ta arrinte, imponimin e ndryshimit politik, ndërsa vetë elitat pavarësisht nivelit të besnikërisë ndaj realitetit, kishin treguar mëse një herë se nuk dispononin masën kritike të nevojshme për potencial ndryshimi sistemik.
Nga ana tjetër, vetë sistemi komunist ishte në faliment moral, politik dhe sidomos ekonomik. Shqipëria ndodhej në prag të katastrofës humanitare, tezë që provohet më së miri nga masa e madhe e shqiptarëve, të cilët në gjendje dramatike mbushën anijet për tu larguar nga vendi vetëm tre muaj pas jetësimit ligjor të sistemit të ri politik. Regjimi, i paaftë të kuptojë realitetin dhe trendin, bëri gjithçka për ta penguar pluralizmin, dhe u dorëzua vetëm kur masa e madhe qytetare e braktisi pakicën e vetizoluar arrogante dhe demode në pushtet.
Koncepti tjetër që karakterizon vitin 1991, “bashkëjetesa e bashkëqeverisja midis të kundërtave politike” më shumë sesa fryt i pjekurisë politike e demokratike, duket se erdhi në mënyrë të sforcuar nga presioni i ngjarjeve dhe kohës, nga bashkimi i interesave politike dhe nga nevoja që kishin palët për të mësuar praktikat perëndimore të politikë-bërjes dhe administrimin shtetëror përmes ushtrimit eksperimental.
Por ndërsa në 1921, koncepti i bashkëjetesës dhe bashkë-drejtimit të të kundërtave politike shqiptare zgjati vetëm disa javë (Bashkimi i Shenjtë); në 1943 zgjati vetëm disa orë (Marrëveshja e Mukjes); më 1992 dhe 1997 zgjati vetëm disa muaj; (Qeveria teknike dhe ajo e Pajtimit Kombëtar), në vitin 1991 eksperimenti i Qeverisë së Stabilitetit mbajti forcat politike shqiptare së bashku më gjatë se në çdo periudhë tjetër historike të kohes moderne: rreth 180 ditë. Secila prej këtyre eksperimenteve bazohej në kompromisin midis palëve fituese dhe humbëse në zgjedhje, secila iu dedikua zgjidhjes së përkohshme të një krize ose ngërçi politik, dhe secila pati aq sukses sa u lejua të ketë nga aktorët vendimmarrës politik në prapaskenë.
Tipike është Qeveria e Stabilitetit. Me të drejtë ish- kryeministri Ylli Bufi evidenton se kabineti i tij eksperimental kishte dy “kundërshtarë” kryesorë: partitë politike dhe kohën tejet të kufizuar që qeveria do të kishte në dispozicion. Një qeveri mund të përballet me probleme ekonomike dhe i tejkalon ato me ndihmë nga jashtë e masa emergjente nga brenda, mund të përballet me situata krize dhe i tejkalon ato përmes rrugës institucionale dhe mekanizmave të politikës; me lëvizje sociale dhe i trajton ato përmes dialogut dhe negociatave. Por një qeveri e ndodhur përballë vullnetit të munguar të burimit të saj politik palëve politike, nuk ka mekanizëm manovrimi, as perspektivë për lëvizje afatgjata. Fati i saj është i paracaktuar, siç dhe ndodhi edhe me kabinetin qeveritar shumëpartiak të vitit 1991. Sidoqoftë misioni i saj quhet i kryer kur reformat e planifikuara vihen në lëvizje dhe bëhen të pakthyeshme.
Ndryshimi politik i dhjetorit 1990 mbeti sipërfaqësor dhe paradoksal përderisa sistemi i ri demokratik që pretendohej të instalohej bashkëjetonte ende me Kushtetutën staliniste të RPSSH të vitit 1976. Pamundësia e kësaj co-ekzistence doli në pah në akordin anti-demokratik të janarit 1991 për anulimin e grevave dhe protestave, në dekretin pa sens të janarit 1991 për mbrojtjen me ligj të veçantë të figurës dhe simboleve të diktatorit Hoxha, në eksperimentin ekstra-kushtetues të shkurtit 1991 për drejtimin e vendit nga Këshilli Presidencial, në vështirësitë e mëdha për të ndarë shtetin nga partia sidomos në organet e sigurisë kombëtare e publike, në vendimin e votuar 65 ditë pas pluralizmit për lirimin e burgosurve politikë, në absurdin e zgjedhjeve të marsit 1991 ku KQZ drejtonte dhe konkurronte vetë në zgjedhje apo ku 50% e subjekteve elektorale ishin fiktive, shtojca të një subjekti tjetër elektoral, etj. Kjo ecje paralele, me njërën këmbë në pluralizëm dhe me këmbën tjetër të prangosur në sistemin e vjetër, – e dëmtoi ndjeshëm procesin e sapo-nisur demokratik, e vonoi procesin e reformave dhe e mjegulloi vizionin e elitave “të reja” të djathta e të majta për shtetin e të drejtës, ekonomine e tregut dhe demokracinë funksionale.
Kompromisi i muajit prill 1991 për abrogimin e Kushtetutës së vitit 1976 dhe krijimin e një pakete të re kushtetuese (Dispozitave Kryesore Kushtetuese), shënoi aktin e parë politik e institucional të ndarjes nga “Shqipëria e përpara 12 dhjetorit 1990”. Më pas portat e Shqipërisë u hapën, “armiqtë historike” SHBA, TPE (BE), FMN, BB, KSBE, etj, zbritën në Tiranë për të asistuar dhe frymëzuar procesin e kalimit drejt demokracisë. Jeta politike shqiptare praktikoi për herë të parë kalimin nga mitingu në institucione, me preokupim dominues, – gjetjen e zgjidhjeve sa më optimale për vendin. Ishte koha kur shumica nuk përcaktohej nga numri i militantëve dhe as numrat formalë të deputetëve në parlament, por nga idetë, vizioni dhe aktet e përgjegjësisë ndaj sfidave të jashtëzakonshme me të cilat përballej vendi.
Pikërisht në këto rrethana u jetësua eksperimenti i Qeverisë së Stabilitetit. Leva e Arkimedit që e ushqeu dhe e mbajti 6 muaj këtë eksperiment është fakti se të majtët kishin nevojë për një periudhe tranzitore për përshtatjen me realitetin e ri – kalimin e tyre në opozitë. Forcat e reja politike opozitare kishin edhe ato nevojë për kohë për të fituar përvojën minimale të qeverisjes dhe për të kuptuar më mirë politikën, sfidat dhe problematikat me të cilat do ndeshej pas ardhjes në pushtet. Në qershor 1991 asnjëra palë nuk kishte iluzion se rotacioni politik mund të evitohej apo se jeta pluraliste do kishte jetëgjatësi mbi bazën e bashkëqeverisjes. Dy palët kryesore dhe numri gjithnjë e më i madh i aktorëve ndërkombëtarë të pranishëm në prapaskenat e vendimmarrjes politike në Tiranë, e kishin parashikuar trendin, e dinin fatin e tyre të destinuar, e dinin koston që duhej të paguhej. Por më shumë sesa për rrugën e gjatë të ecjes së përbashkët, mendonin për gjetjen kurdoherë të një rrugë të shkurtër që i nxjerr nga eksperimenti i bashkëqeverisjes.
Në një shoqëri me kulturë para-demokratike ku “partia” dhe “lideri” janë gjithçka, instrumentet dhe mekanizmat e ndërmjetëm ishin të destinuar të mbeten të përkohshëm, në varësi nga sjellja e liderit dhe vendimmarrjet e partive. Të tilla ishin edhe rrethanat që kushtëzonin Qeverinë e Stabilitetit dhe institucionet e tjera që u krijuan rishtas mbi këtë frymë eksperimentale. Ndaj kur flitet për bilanc të qeverisjes së vitit 1991, për arritje e dështime, në thelb, duket pranuar se arritjet do të ishin aq sa vetë partitë lejonin dhe dështimet do të ishin të tilla sa vetë partitë përbërëse ishin të interesuara të ishin. Fati final i qeverisë nuk ishte produkt bilanci, por produkt i axhendave dhe interesave politike. Kur ato ndryshuan ndryshoi edhe qeveria. Qeveria e vitit 1991 nuk ishte qeveri e një kryeministri dhe ministrave bashkëpunëtorë, por kabinet kompromisi, me prurje të ndryshme dhe me stabilitet në funksion të përputhshmërisë midis këtyre interesave të ndryshme.
Dëshmia e kryeministrit të Qeverisë së Stabilitetit, produkt i zgjedhjes konsensuale të vitit 1991 në Shqipëri, ndër risitë e veta ka edhe faktin se nxjerr në pah përkushtimin e jashtëzakonshëm të anëtarëve të kabinetit të tij dhe të politikanëve të kohës për të bërë më të mirën për vendin, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake. Libri është një homazh për ta, ndonjë prej të cilëve nuk jeton më, dhe disave të tjerë, të cilët mbetën gjatë aktiv në politikë në formacione të kundërta politike. Kjo ndjenjë shtetërore, ndjenjë përgjegjësie dhe integriteti qytetar, frymë reformimi dhe konsensualiteti në vendimmarrje, në thelbin e saj ndihmoi që në vetëm disa muaj të rivendosej kontrolli mbi territorin, të rivendosej ligji dhe autoriteti i shtetit, të realizohej hapja dhe partneriteti i Shqipërisë me disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare, të trajtoheshin me zgjidhje konsensuale çështje thelbësore si ato të pronësisë mbi tokën, depolitizimin e institucioneve, nisja e procesit të privatizimeve të para, amnistia dhe integrimit të ish përndjekurve politikë, etj. A ishin zgjidhjet më të mira të mundshme, sidomos ato që lidhen me reformën e pronësisë? Parë nga këndvështrimi i sotëm natyrisht që jo, por parë edhe nga sot, në kontestin e vitit 1991, me siguri, edhe po të përsëritet e njëjta periudhë, të njëjtat vendime do të merreshin. Sepse ato vendime shprehnin frymën e kohës, mentalitetin e kohës, rrethanat e kohës, interesat sa më të gjëra të kohës, njohuritë e kohës mbi demokracinë dhe standardet minimale të kohës prej nga ku mori udhë tranzicioni.
Mbi të gjitha dëshmia e Ylli Bufit kthjellon marrëdhëniet e tensionuara mes individit në përgjegjësinë e qeveritarit dhe anëtarit të partisë të deleguar në qeveri. Ky tension mes institucioneve shtetërore dhe partiake, dhe mbi të gjitha mes prioriteteve dhe përkushtimit të vendim-marrësit shqiptar vazhdon të karakterizojë dhe sot e kësaj dite demokracinë tonë.
Kohë më parë kam lexuar librin tjetër të autorit, “Tempulli i Demokracisë”. Aty pasqyrohet vizioni për standardet më të larta të demokracisë, pra ajo që Shqipëria që duhet të jetë. “Në fillimet e tranzicionit” është libri i tij i dytë që lexoj, dhe pasqyron rrethanat kritike të lindjes së demokracisë, pra Shqipërinë se si ishte. Vlera e botimeve të tilla, sidomos atyre që lidhen me dëshmi historike, është e dyfishtë: së pari sepse mbetet një dëshmi autentike shumë më tepër institucionale sesa personale, një dëshmi mbi dokumente, detaje, të dhëna, njerëz të njohur e ngjarje të jetuara; dhe së dyti, sepse një nga përgjegjësitë e çdo individi që merr mandat qeverisës duket të jetë edhe detyrimi moral për të krijuar memorien shtetërore, për të dëshmuar atë që nuk shihet, nuk njihet dhe që është privilegj i postit.
Libri “Në fillimet e tranzicionit” i plotëson këto pritshmëri, dhe përmes shfletimit të tij, na ndihmon të gjithëve ta njohim më mirë vitin e jashtëzakonshëm dhe unik 1991, të thënat e të pathënat rreth tij, diferencën midis Shqipërisë që aspiruam, Shqipërisë që gjetëm, Shqipërisë që kishim dhe Shqipërisë që lamë ditët kur morën udhën e tranzicionit, duke ditur destinacionin, por duke mos ditur rrugën që duhet të ndiqnim. Me syrin e studiuesit të proceseve politike, botime të tilla për situata kaq komplekse, të shpejta, plot të panjohura, të papritura dhe eksperimente, na lejojnë të provojmë tezën e V. Havel se “fati i shoqërive në tranzicion varet nga viti i parë i tij; nëse arrini ta kuptoni atë i keni kuptuar të gjitha, nëse arrini ta pranoni atë i keni pranuar të gjitha, nëse keni sukses përgjatë tij rruga e suksesit afatgjatë do të jetë më e lehtë, por nëse jeni të zhgënjyer prej tij me siguri zhgënjimi do jetë gjithashtu i gjatë”. Shqipëria e tranzicionit, në shumë aspekte, ka pasur dhe ka për simbol bilancin gri të vitit 1991 dhe gjithçka përfaqëson ai.
Pjesë të librit “Në fillimet e tranzicionit” janë botuar në gazetat:
Mapo, Panorama, Ballkanweb