Paqe, Stabilitet dhe Besueshmëri përmes ndërlidhjes ekonomike: Rasti i Ballkanit Perëndimor

(Kontribut i Hanes Svoboda për konferencën e OSBE-së mbi “Ndërlidhja për Tregtinë dhe Investimet”, mbajtur në Berlin, më 18/19 Maj)

Ciwe2IvWYAAGHAB

Ndërlidhja është një term shumë i gjërë që mbulon disa lloje të ndryshme të lidhjeve ekonomike. Ato mund të jenë bilaterale, mund t’i përkasin një rajoni me karakteristika të ngjashme, mund të kenë lidhje me rajone të tjerë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe madje të jenë globale. Shpesh ndërlidhjet përkojnë me njëra-tjetrën dhe mund të jenë reciproke. Pikërisht kjo gjë haset dhe në Ballkanin Perëndimor. Por sigurisht, e parë në nivel global, ekzistojnë koncepte të ndryshme të ndërlidhjes, si p.sh teorike, strategjike etj. Një nga këto koncepte mund të bëjë diferencimin mes SHBA-s, Kinës dhe modelit evropian. Amerikanët dëshirojnë pranimin e përgjithshëm dhe global të standardeve, sidomos të standardeve të tyre, ku dhe lidhjet ekonomike nga investimet e tregtisë do të lulëzojnë. Koncepti i Kinës është duke u mbështetur në investimet në infrastrukturë, si portet, rrugët dhe hekurudhat. Sigurisht që ata janë duke investuar në këto fusha për vetë sigurinë e tyre ekonomike. Në të dyja rastet ne mund të dallojmë argumentin përkatës për globalizim. Modeli evropian do të ishte kombinimi i të dy elementeve për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe marrëdhënie fqinjësie. Ideja kryesore është se lidhjet ekonomike përtej kufijve dhe vijave të konfliktit, mund të ndihmojnë për të krijuar apo për të ruajtur paqen. Por ne duhet të pranojmë së ndonjëherë paqja dhe besueshmëria janë parakushte për të promovuar ndërlidhjen. Veç kësaj ndërlidhja prek infrastrukturën si rrugët, hekurudhat dhe furnizimin me energji elektrike. Por në botën e sotme ne duhet të investojmë në ndërlidhje dixhitale, si një kontribut me vlerë të veçantë për suksesin ekonomik të së nesërmes. Patjetër që arsimi, trajnimet, shkenca dhe hulumtimi janë gjithashtu elemente të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm. Në çdo rast efektet dhe rezultatet e ndërlidhjes për bashkëpunim dhe besim të ndërsjelltë janë afatgjatë dhe kërkojnë durim, dhe politika të përgjithshme inteligjente që shoqërojnë ndërlidhjen ekonomike. Gjithashtu vendet kanë nevojë të transformojnë veprimtaritë e paligjshme dhe tregjet e zeza në një botë të ligjshmërisë, për të zvogëluar korrupsionin, qe është duke lulëzuar përtej kufijve shtetërorë dhe përçarjeve etnike. Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë nga vendet e Ballkanit, por ka ende shumë për të bërë përsa i përket luftës kundër trafikimit të paligjshëm.

NDËRLIDHJA E INFRASTRUKTURËS NË EVROPËN JUGLINDORE

Vazhdimisht BE-ja ka theksuar rëndësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Por, ka pasur shumë dyshime dhe madje qëndrim të ashpër ndaj këtyre kërkesave. Shumë politikanë të rajonit ishin të frikësuar – dhe disa ende janë të frikësuar – se do të shtyheshin përsëri drejt një komuniteti si Jugosllavia, një subjekt politik që ata donin ta kapërcenin dhe ta harronin. Përveç kësaj, një vend në rajon, Shqipëria, nuk ka qenë kurrë më parë anëtar i një federate rajonale dhe si i tillë ishte shumë i izoluar. Brukseli, ashtu si edhe Berlini, Vjena, etj, ka qënë qëllimi i tyre sepse ata dëshironin të mos ishin të shpërqendruar në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Fillimisht u desh shumë punë për të rënë dakord mbi një zonë të tregtisë së lirë (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore – CEFTA) dhe për të hapur tregjet e njëri-tjetrit. Por kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme. Pas heqjes graduale të Paktit të Stabilitetit, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim me seli në Sarajevë, mori përsipër detyrën e promovimit të bashkëpunimit rajonal dhe ende vazhdon ta bëjë këtë në shumë mënyra. Një shtytje e re erdhi me “Procesin e Berlinit”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe të ndërlidhjes. Përsëri ishte Gjermania, e cila mori iniciativën dhe Austria e ndoqi menjëherë . Në një takim fill pas konferencës së Berlinit, kryeministrat ranë dakord për një listë të projekteve prioritare në lidhje me zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Në një deklaratë të përbashkët, në prill të 2015 ata pohuan se: “Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit ekonomik është një nga mjetet tona të përbashkëta për t’ju përshtatur standardeve evropiane dhe për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, dhe procesi duhet të sjellë përfitime të qarta për qytetarët tanë ende përpara anëtarësimit (!) … Ne e kuptojmë se përmirësimi i ndërlidhjes brenda rajonit tonë ashtu si dhe me BE-në, është një faktor kyç për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor. ” Dhe ata ishin të gatshëm “të adresonin pa asnjë vonesë të gjitha masat përkatëse si p.sh çështjet rregullatore ose koordinimin e procedurave në pikë-kalimet kufitare që do të sillinin menjëherë ndërlidhjen. Një mbledhje e ministrave të energjitikës mbështeti iniciativat e Komunitetit të Energjisë për të përmirësuar dhe për të zgjeruar rrjetet energjitike në rajon. Në konferencën pasuese në Vjenë, kjo strategji u konfirmua dhe u përpunua më tej. Një studim i kryer nga Instituti i Vjenës për Ekonomi Ndërkombëtare (WIIW) tregoi se ka ende shumë detyra për t’u përmbushur. Ka tashmë disa lidhje qe funksionojnë mjaft mirë, si p.sh midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sigurisht që një lidhje e fortë mes Kosovës / Prishtinës dhe Serbisë / Beogradit do të ishte veçanërisht e rëndësishme. Fakti që shumë banorë të Kosovës i flasin të dyja gjuhët, do të thotë se gjuha shqipe dhe ajo serbe mund të ndihmojnë në forcimin e ndërlidhjes midis dy vendeve. Por lidhjet e tjera presin ende të përmirësohen edhe pse mund të shihet një përparim i qëndrueshëm. Do të ishte e nevojshme për të kapërcyer hendekun e dukshëm të infrastrukturës me vendet fqinje të BE-së. Drejtimi i makinës në autostradat ekzistuese e gëzon drejtuesin pasi ato rrallë herë janë të bllokuara. Por ky është edhe një tregues i mungesës së aktiviteteve ekonomike që do të çojnë në përdorimin e shpeshtë të infrastrukturës së re. Lidhjeve hekurudhore ende iu mungon një shtysë e fortë dhe disa prej tyre kanë nevojë për një mbështetje nga investitorët jashtë rajonit. Më me rëndësi, përveç zbatimit të shumë masave të “buta”, është koordinimi dhe riorganizimi i procedurave doganore.

AKTORËT GLOBALË DHE INTERESAT E TYRE

Një shtytje mjaft interesante po vjen nga jashtë. Kina është shumë aktive për të investuar në objektet portuale p.sh në Pire, ku po investon në lidhje me infrastrukturën hekurudhore, ose investimet midis Beogradit dhe Budapestit. Ky është një shëmbull se si interesi dhe investimet nga jashtë mund të ndihmojnë për të përmirësuar lidhjet rajonale brenda rajonit me vendet dhe ekonomitë jashtë tij p.sh me vendet anëtare të BE-së. Interesi i rinovuar i Kinës për “Rrugën e Mëndafshit” dhe koncepti i saj “Një Lidhje, Një Rrugë” mund të jetë tërheqës për Ballkanin, nëse të dyja palët i respektojnë interesat specifikë të vendeve të rajonit dhe në qoftë se kjo do të kontribuojë për bashkëpunim më të ngushtë ndërkufitar. Por sigurisht Kina ka interesat e saj dhe këtë mund ta shohim me krijimin e formatit të 16 + 1, ku përveç disa vendeve anëtare të BE-së, edhe disa vende nga Ballkani janë të ftuara për të bashkërenduar aktivitetet ekonomike me Kinën. Pra, Kina bashkëpunon me BE-në, kur e konsideron më të përshtatshme, si me anëtarët individualë ashtu dhe me vendet kandidate ku ka përfitime. Një tjetër shtytje nga jashtë është duke ardhur nga Rusia përsa i përket energjisë sidomos për gazin dhe naftën. Po ashtu në këtë drejtim, interesat individuale të vendeve dhe të rajonit janë në rrezik të madh. Natyrisht edhe Turqia me politikën e saj të Korridorit të Mesëm dëshiron të luajë një rol aktiv për të lidhur Azinë, sidomos Kinën me Evropën, veçanërisht nëpërmjet Ballkanit. Këto ndikime nga jashtë duhen patjetër të përfshihen në strategjinë e përgjithshme ekonomike dhe politike të rajonit. Këto aktivitete “të jashtme” duhet të forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen evropiane përpos lidhjes globale. Mbivendosja e ndërlidhjes dypalëshe dhe rajonale me aktorët globalë si Kina dhe Rusia duhet të jetë në interes të aspiratave afatgjata të rajonit. Diçka e tillë mund të ndihmojë jo vetëm në bashkëpunimin rajonal, por edhe në përmirësimin e lidhjeve globale që kontribuojnë në parandalimin e konflikteve në nivel ndërkombëtar dhe ndihmojnë në zgjidhjen e tyre. Por vendet duhet të mbështeten nga BE-ja për të negociuar me Kinën dhe / ose Rusinë, pak a shumë si palë të barabarta. Ata duhet të jenë në gjendje të nivelojnë fushën e lojës dhe të nxjerrin përfitime të qarta nga investimet kineze dhe ruse. Në një artikull mbi “Epokën e aleancave të infrastrukturës”, Parag Khanna flet për “aleancat e infrastrukturës”, të cilat “paraqesin projektet e krijimit të vendeve të punës që rrisin aftësinë e vendeve të varfra pa dalje në det për të marrë pjesë në ekonominë globale. Siç kanë treguar projektet tradicionale të ndihmës perëndimore, kushtet jorealiste për financimin e projekteve të mallrave dhe infrastrukturës kanë vonuar në mënyrë të panevojshme zhvillimin dhe kanë dështuar të krijojnë vende pune në mënyra që vetëm këta sektorë munden të sigurojnë. Të ndash të njëjtën infrastrukturë, është të ndash pasurinë.” Unë mund të pajtohem me këtë vlerësim, nëse vendet e rajonit, që do të lidhen me ekonominë globale, mund të thonë fjalën e fundit dhe vendimtare në lidhje me interesat e tyre dhe nevojat në këtë lloj ndërlidhje.

NDËRLIDHJA DIXHITALE

Është e qartë se vendet, që po përgatiten për një rritje të ardhshme ekonomike, duhet të pajisen me një politikë dixhitale, dhe të përpiqen të bëjnë për vete ekonomitë më të zhvilluara dixhitale. Duke parë Indeksin e Ekonomisë dhe Shoqërisë Dixhitale të BE-së, ende mund të shikojmë shumë dallime dhe mangësi në hapjen e ekonomive dhe shoqërive dixhitale. Këto ndryshime kanë të bëjnë me ndërlidhje të tilla si infrastruktura elektronike, kapitali njerëzor, përdorimi i internetit, Integrimit i Ekonomive dhe Shërbimeve Publike Dixhitale. Treguesi i BE-së nuk përfshin vendet e Evropës Juglindore që nuk janë anëtare të BE-së. Por, kjo tregon më së miri se shumica e fqinjëve të rajonit në fjalë janë në pjesën fundore të listës dhe madje më poshtë se Bullgaria, Greqia dhe Hungaria. Gjithashtu, Kroacia dhe Italia janë më poshtë se sa mesatarja e 28 vendeve anëtare të BE-së, por ato janë duke punuar për të arritur ritmin e tyre. Vetëm Austria është më lart se sa mesataria e BE-së dhe tani po shkon drejt kreut të listës. Kjo fqinjësi dixhitale e dobët, e vështirëson përqasjen e lidhjes dixhitale, por njëherazi ka përpjekje të ndryshme për të ndërtuar një politike rajonale dixhitale të mbështetur nga RCC dhe veçanërisht nga UNEP. Një nga këto iniciativa është Evropa Juglindore Elektronike. Kjo iniciativë është ndërmarrë për herë të parë në Stamboll, në tetor të vitit 2000, me një axhendë dhe program pune ambicoz. Qëllimi ishte dhe është ngushtimi i hendekut të zhvillimit në raport me BE-në, mbështetjen për integrimin në BE si dhe për ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimin e ngushtë në rajon. Objektivi ishte ndërtimi i një Hapësirë Informative të Vetme për Evropën Juglindore. Duke parë listën e aktiviteteve dhe legjislacionit të miratuara në vende të ndryshme, ne mund të vëmë re disa përparime, por duhet bërë shumë më tepër për të arritur objektivat e vendosura nga qeveritë e ndryshme kombëtare. Duhet të jetë e qartë se e vetmja mënyrë e depërtimit në ekonomitë moderne dhe në bashkëpunimin e ngushtë ekonomik, dhe në atë politik, është përmes zgjerimit të infrastrukturës dhe krijimit të një hapësire të vetme dixhitale. Për të arritur këto standarde do të jetë e nevojshme një marrëveshje mbi rregullatorët e përbashkët, sigurisë dhe privatësisë. Ne kemi nevojë për politika të përbashkëta që luftojnë rritjen e numrit të sulmeve kibernetike. Politikat dixhitale nuk duhet të jenë paralele me ndërlidhjet e tjera, por duhet të jenë të lidhura për të promovuar në shkallë të gjërë aktivitetet private, sidomos Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të). Këto të fundit duhet të jenë shtylla kurrizore e zhvillimit rajonal. Për të mbijetuar në të ardhmen, ato duhet të përfshjnë instrumente dhe metoda dixhitale. Gjithashtu duhet të jenë në gjendje të mbështeten në standarde dhe politika të përbashkëta.

TRAFIKIMI I PALIGJSHËM DHE TREGU I ZI

Nuk ka asnjë dyshim, se trafikimi i paligjshëm është një element de facto i ndërlidhjes ndër-etnike dhe ndër-kufitare. Por shumë taksa janë shmangur për këtë lloj tregtie dhe nuk ka kontroll të standardeve për këto mallra. Një element i rëndësishëm i politikës së suksesshme ekonomike do të jetë krijimi i incentivave për të detyruar trafikantët e paligjshëm që të kalojnë në tregtinë e ligjshme. Disa hapa janë ndërmarrë tashmë, por më shumë duhet bërë për të transformuar këto aktivitete të paligjshme në një fushë të ligjshmërisë, pa ndërprerë dhe pa ndaluar flukset tregtare. Një politikë e de-burokratizimit është absolutisht e nevojshme për të reduktuar marrëdhëniet e korrupsionit publik – privat, si dhe për të mbështetur respektimin e ligjit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi