Ëndrra e barazimit me Europën rrezikon të mbetet thjesht ëndërr

Nga Gjergj Erebara, botuar në Report.al, 27 maj 2016

Edi-Rama-Inovation

Një dekadë më parë, debati mes qarqeve të ekonomistëve qe përqendruar mbi hipotezat se sa shumë dekada do t’i duhen Shqipërisë që të barazohet në nivelin ekonomik me vendet e Bashkimit Europian. Rritja minimale ekonomike e viteve të fundit ka bërë që debati se kur Shqipëria do të mund të arrijë BE-në, thjesht të harrohet.

Javën e kaluar, në një konferencë pompoze në Tiranë, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed mbajti një fjalim me kontekst historik për rritjen ekonomike të vendit, ku theksoi dy pika të rëndësishme. E para, që Shqipëria ka pasur rritje shumë të fuqishme në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2008, kohë gjatë së cilës mirëqenia u rrit, varfëria u ul dhe hendeku mes nivelit ekonomik të shqiptarëve dhe hendekut ekonomik të europianëve u pakësua, sido që, ky ngushtim hendeku nisi nga një bazë shumë e ulët dhe mbetet sot në nivele shumë të larta. E dyta, që nga viti 2008 deri më sot, varfëria është rritur në vend që të ulet dhe ngushtimi i hendekut mes nivelit ekonomik të Shqipërisë dhe të BE-së ka ndaluar së pakësuari.

“Shqipërisë i duhet një rritje mesatare prej mbi 4,5 për qind në vit, me qëllim që të arrijë standardet mesatare të jetesës së BE-së brenda disa dekadave,” tha ajo.

Diskutimi në kontekst historik, ku historia nënkupton periudhën 25 vjeçare pas rënies së komunizmit dhe dekadat e ardhëshme, ka rëndësi të veçantë për të shmangur konfuzionin që shkaktohet zakonisht në këto lloj rastesh nga lajmet e karakterit sensacional mbi dinamikat e pjesëmarrësve të tjerë.

Faktet janë që rritja ekonomike prej 4,5 për qind, për të cilën flet Sayed, nuk është parë në këto anë që nga viti i largët 2008. D.m.th, po bëhet ngadalë një dekadë e tërë. Dhe perspektiva nuk është kaq e këndshme. Në vitin 2014, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikonte që Shqipëria do të kthehej te rritja 4.5 për qind në vitin 2018. Parashikimi aktual është që ky ritëm rritjeje nuk do të vijë as në vitin 2021. Fakti është që ekonomia po rritet shumë më ngadalë nga sa shpresohej, ndërsa qeveria po përpiqet ta kompensojë këtë dështim duke rritur dozën e propagandës apo duke forcuar retorikën e mohimit të faktit. Mosballafaqimi me realitetin është faktor më vete për të mos shpresuar për mirë.

Shpresa e konvergjencës

Duhet të flasim paksa me statistika të lodhshme. Duhet pak durim për të parë ekonominë në terma historikë.

Shqipëria ka pasur rritjen më të fortë dhe më të çmendur ekonomike në të gjithë Europën Lindore mes viteve 1992 dhe 2008. Ky është fakt. Rritja mesatare e PBB për frymë, matur me Dollarë Aktualë Ndërkombëtarë, – një monedhë imagjinare që përdoret nga FMN për të matur fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht, mirëqenien apo varfërinë e një populli, – mes periudhës në fjalë qe e lakmueshme prej mbi 8 për qind. Por në periudhën mes viteve 2009 dhe 2015, ritmi i rritjes së PBB për frymë ra në 4 për qind. Krahasimisht, PBB për frymë e Bashkimit Europian u rrit me 4 për qind në vit mes viteve 1992 dhe 2008 dhe 2.5 për qind mes viteve 2009 dhe 2015. (Të dhënat krahasuese janë nxjerrë nga databaza e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shiko linkun Excel në fund të shkrimit). Për Bashkimin Europian të dhënat janë matje për deri në vitin 2015 ndërsa për Shqipërinë, janë një vlerësim i përafërt që nga viti 2011 e pas. Këto të dhëna duhet të merren si orientuese dhe jo si tërësisht të sakta. Por kjo ka pak rëndësi pasi më e rëndësishme është tendenca e rritjes se sa shkalla e rritjes.

Viti 2000 qe një vit euforie të madhe. Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, rreziku i destabilizimit rajonal dhe luftës në rajon u pakësua ndjeshëm. Ekonomia shqiptare po tregonte fuqi të jashtëzakonshme rimëkëmbjeje nga trazirat e vitit 1997, rritja ekonomike u rikthye menjëherë në vitin 1998, inflacioni duket se u vu nën kontroll që në vitin 1999. Në maj 2000, AMC u privatizua për 86 milionë dollarë. Pak muaj më vonë, Vodafone, gjigandi tjetër i telekomunikacionit, bleu një licencë të dytë celulare për 38 milionë dollarë. Qenë dy fakte që jepnin shpresë. Një ekspert telekomunikacionesh sugjeroi se prania e korporatave të tilla në ekonominë shqiptare jepte shenja për shpresë se destabilizimi politik i asaj që kishim parë më 1991, 1997 e 1998, tashmë mund të konsiderohej si histori e mbyllur. Kishte shumë faktorë që të jepnin shpresë.

Në vitin 2000, llogaritej se në rast se ekonomia shqiptare do të rritej me 6 për qind në vit, ndërsa ekonomia e Bashkimit Europian do të rritej me 2 për qind në vit, atëherë ekonomia shqiptare do të barazohej me mesataren e Bashkimit Europian në vitin 2046. Paralelisht, çmimet në Shqipëri parashikohej të rriteshin me 3 për qind në vit ndërsa në BE, me 2 për qind. Diferenca do të bënte që brenda disa dekadave, niveli ekonomik dhe niveli i çmimeve mes Shqipërisë dhe BE-së do të barazoheshin.

Periudha 46 vjeçare mund të ngjajë shumë për jetën e një njeriu, por është asgjë në historinë e një kombi. Hipoteza e konvergjencës në vitin 2000 dukej tërësisht realiste, ndonëse jo brenda 46 viteve. Hamendësohej se kushtet qenë favorizuese: Shqipëria qe pranë Bashkimit Europian dhe kishte një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, (në atë kohë sugjerohej se anëtarësimi do të ndodhte rreth vitit 2013), kishte popullsi të re dhe energjike, të aftë për të emigruar, fituar eksperiencë dhe rikthyer në atdhe me kapital të kursyer në vendet e BE-së. Kuptohet se një vend nuk mund të rritet me 6 për qind në vit për 46 vjet me rradhë. Ligji i të ardhurave margjinale rënëse është i pashmangshëm. Sa më shumë të rritej ekonomia dhe sa më shumë të afrohej me mesataren e BE-së, aq më shumë do të ngadalësohej rritmi i rritjes. Rrjedhimisht, skenari tjetër qe që Shqipëria të rritej në dekadën e parë pas vitit 2000 me 7 për qind në vit e në dekadat në vijim me 6, 5 e me rradhë. Llogaritja e thjeshtë matematikore sugjeron se, në rast se rritja përgjatë dekadave do të qe mesatarisht 5 për qind, ndërsa BE-ja vijonte të rritej me 2 për qind në vit, barazimi i të ardhurave për frymë të Shqipërisë me BE-në do të ndodhte në vitin 2060 ndërsa nëse Shqipëria rritej me 4 për qind, barazimi do të ndodhte në vitin 2090.

Transformimi i një vendi nga i varfër në i pasur brenda një apo dy gjeneratave është në thelb, një gjë e mundshme. Shumë vende e kanë bërë. Rasti më domethënës është Koreja e Jugut, një vend me të ardhura të ulëta në vitet ’70 që u transformua në një gjigand industrial brenda tri dekadave. Finlanda, Singapori e Norvegjia janë shembuj të tjerë. Polonia është shembulli më i afërt, por këtu procesi i transformimit në ekonomi me të ardhura të larta nuk ka përfunduar ende.

Probleme me statistikat

Kuptohet, treguesi i PBB-së për frymë i matur me standardin e fuqisë blerëse, është një tregues në vetvete shumë i dobët për të treguar gjendjen ekonomike apo mirëqenien e një vendi. Dhe në krahasimin mes Shqipërisë dhe BE-së, elementi i parë që duhet të vihet re është që rritja e PBB-së për frymë është shkaktuar pjesërisht nga rritja e sjellë nga rivënia në punë e burimeve natyrore dhe rritja e eficencës ekonomike të punës dhe pjesërisht nga rënia e popullsisë. Ndryshe ndodh në Bashkimin Europian, ku rritja për frymë është shkaktuar para së gjithash nga rritja e produktivitetit të punës. Elementi tjetër është që një pjesë e rritjes ekonomike në Shqipëri është krijuar nga investimet e huaja të drejtpërdrejta, të cilat, ndonëse me raste krijojnë përfitime për ekonominë vendëse, më së shumti klasifikohen si borxh i jashtëm që duhet të shlyhet. Kur të shlyhen borxhet për investimet e huaja shpesh monopolistike, për koncesionet me pak ose aspak vlerë të shtuar për ekonominë vendëse, për rrugët e ndërtuara me tenderë të kushtueshëm por ku nuk qarkullojnë makina, etj., të gjitha këto para do të jenë minus në llogaritë kombëtare, gjë që do të thotë se ritmi i rritjes do të ngadalësohet më tej.

Akoma më tutje, rritja ekonomike e Bashkimit Europian ka qenë shumë më pak e luhatshme se sa ajo e Shqipërisë.

Dhe gjërat shkuan keq

Nëse në vitin 2000, perspektiva e barazimit të mirëqenies së shqiptarëve me nënshtetasit e Bashkimit Europian rreth viteve 2060 dukej si diçka e largët, tronditjet e karakterit politik e më pas ekonomik e social që Shqipëria përjetoi në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, bëjnë që hipoteza e konvergjencës të duket thjesht një ëndërr, jo vetëm për vitin 2060, por edhe për fundin e këtij shekulli.

Në vitin 2001, Shqipëria zhvilloi një palë zgjedhje të manipuluara. Sot, pesëmbëdhjetë vjet pas, asnjë palë zgjedhje nuk ka marrë certifikatën si zgjedhje në përputhje me standardet e Kartës së Kopenhagës, matësi i ekzistencës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në vitin 2002, një krizë energjetike tronditi besimin e investitorëve jo thjesht te siguria e furnizimit me energji, por edhe te aftësia organizative e shtetit shqiptar për të garantuar furnizim me energji përmes menaxhimit të projekteve për gjenerimin e energjisë apo për importimin e saj. Krizat energjetike u përsëritën vazhdimisht në vitet 2005 e 2006, për të shënuar kulmin në vitin 2007. Vetëm në vitin 2012, një dekadë pas krizës së parë, një impjant prodhues i energjisë elektrike, Ashta, hyri në punë. Sërish, problemi energjetik mbetet i pazgjidhur.

Sistemi i drejtësisë, i cili duhet të garantojë një “mall” me vlerë të paçmueshme ekonomike, të njohur si “besim”, bëri një hap para dhe shumë hapa prapa deri sa mbërriti në pikën aktuale, ku besimi është zero dhe ku miratimi i të ashtuquajturës “reformë në drejtësi” është bërë një çështje për jetë a vdekje jo thjesht për zhvillimin ekonomik të vendit, por për vetë ekzistencën e shqiptarëve si shoqëri e organizuar me ligje dhe rregulla. Kombinimi i korrupsionit të stërmadh të së shkuarës mes gjykatësve dhe prokurorëve me faktin se ata mund të kthehen me të vërtetë të paprekshëm në rast se krerët e politikës nuk bien dakord për të ndryshuar sistemin aktual, ka gjasa do ta bëjë Shqipërinë një vend efektivisht pa gjyqësor e pa prokurori. Mosmiratimi i reformës në vetvete nuk duhet të përdoret si gjethe fiku. Institucionet e vendit i kanë aktualisht mjetet për të hetuar prokurorë e gjykatës dhe për t’i arrestuar, siç ka bërë në dy raste të bujshme. Por fakti mbetet që të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare si dhe të gjithë investitorët me rëndësi në vend po ulërasin në mënyrë të pazakontë për miratimin e reformës në drejtësi si parakusht për të rikthyer shpresën se gjërat mund të përmirësohen. Miratimi në vetvete nuk përbën garanci se gjërat do të përmirësohen. Pazaret politike që po bëhen aktualisht mbi draftin e propozuar nga ekspertët dhe certifikuar nga Komisioni i Venecias aktualisht po rrezikojnë të shkatërrojnë thelbin e reformës. Por disa po besojnë se një reformë është një mirë se asnjë reformë dhe po i varin shpresat te procesi po kaq i komplikuar i zbatimit të saj.

Dështimi buxhetor

Sistemi i administrimit të buxhetit të shtetit dhe të borxhit publik solli rezultate të ngjashme. Në vend që Shqipëria të shlyente një pjesë të borxhit publik mes viteve 2002 dhe 2008, kur ekonomia qe në rritje, borxhe të reja u morën për të ndërtuar rrugë ku nuk ka makina për të qarkulluar, për të rritur paga e pensione me rritëm më të shpejtë se sa rritja ekonomike e për të instaluar sistemin e votave në këmbim të vendeve të punës. Kur mbërriti kriza ndërkombëtare e vitit 2008, vendi qe i papërgatitur për të ashtuquajturën “politikë kundërciklike” sepse borxhin publik e kishte sakaq të lartë, ndërsa gjysmat e projekteve të rrugëve i kishte ende të hapura. Borxhi publik vijoi të rritet duke u kthyer në një formë skeme piramidale. Interesat e borxhit publik qenë efektivisht më të shtrenjta se sa rritja ekonomike e vendit.

Sot, tetë vjet pas fillimit të krizës, situata mbetet e njëjtë. Politika nuk është serioze në planet për uljen e borxhit. Ndërsa nominalisht ka një plan për të reduktuar borxhin publik si përqindje e PBB-së, politikanët po punojnë ethshëm për të anashkaluar statistikat zyrtare duke zëvendësuar huamarrjen me koncesione pa treg, ose duke komisionuar tani punë publike me para që nuk ekzistojnë, siç janë koncesionet në sektorin e shëndetësisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi u lodh më kot duke kritikuar koncesionet dhe mënyrën e dhënies së tyre, imponoi së fundmi një koncept të ri në ligjin organik të buxhetit, ligjin që menaxhon sistemin e buxhetit publik të vendit, koncept të quajtur “detyrime thuajse fiskale”. E ka fjalën pikërisht për kontratat koncesionare. Po përpiqet që kostot buxhetore të dializës, Checkup falas e sterilizimit, t’i kontabilizojë si detyrime buxhetore, me shpresë se një masë e tillë do të ndalojë qeverinë të marrë borxhe të reja, të cilat, teknikisht nuk quhen borxhe por koncesione. Për fat të keq, ndryshimi i një ligji nuk e zëvendëson nevojën për të pasur vullnet politik dhe sistem kontrolli mbi politikën për të garantuar që shpenzimet publike dhe buxheti i shtetit të shërbejë për të ndihmuar rritjen e ekonomisë dhe jo për t’u bërë barrë dhe pengesë për rritjen ekonomike.

Kriza demografike

Mungesa e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse pas vitit 2008, rritja e nivelit të varfërisë dhe mungesa e shpresës për të ardhmen, duket se kanë sjellë një fazë të re migrimi mes shqiptarëve. Gjatë vitit të kaluar, dhjetëramijëra shqiptarë parapëlqyen të qëndrojnë në kampe refugjatësh në Gjermani e gjetkë me një shpresë sado të kotë për jetesë larg Shqipërisë në vend që të jetojnë këtu. Gjatë vitit të kaluar, konsumi final i popullsisë ra për herë të parë që nga viti i largët 1998, një sinjal tjetër i hidhur se gjërat vështirë se mund të ecin më mirë. Zyrtarisht, INSTAT vlerëson se popullsia e Shqipërisë është në pakësim dhe në plakje. Ndërsa më të rinjtë dhe më të arsimuarit e më të aftit fizikisht largohen, popullsia që mbetet është më pak cilësore. Përballë krizës demografike, malit në rritje të borxhit publik përmes emetimit të titujve të borxhit apo të kontratave me vlerë fikse të koncesioneve, diskursi mbi konvergjencën e nivelit ekonomik të Shqipërisë me Bashkimin Europian, në vitin 2060 apo në vitin 2100, bëhet thjesht i pavend.

Me rritje anemike prej 1, 2 apo 3 për qind në vit dhe në kushtet kur kjo rritje në masë të madhe po sigurohet me huamarrje, vendi ka nevojë të shohë pas për të kuptuar çfarë shkoi keq, e çfarë fajesh dhe gabimesh nuk duhet të përsëriten. Por në konferencën e fundit me titullin bombastik “Dialogu politik i nivelit të lartë mbi klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve”, Sayed e Bankës Botërore qe e vetmja që diskutoi në terma konkretë. Biznesmenët u ankuan për hallet e tyre të përditshme, të cilat, jo se janë të parëndësishme, por nuk përbëjnë detyrimisht interes për publikun e gjerë. Qeveria si zakonisht qe e angazhuar në procesin e mohimit të fakteve dhe mbulimit të dështimeve me më shumë propagandë. Në mungesë të reflektimit, ëndrra europiane ka gjasa që do të realizohet vetëm pasi të gjithë shqiptarët të kenë emigruar në BE.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi