Tell the truth
Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 23 maj 2016
Unë nuk e di nëse vërtet z. Kukan ia ka thënë Bashës këtë fjalë, por jam e bindur që e ka menduar. Ai e të gjithë të tjerët që kanë ardhur në Shqipëri kanë parë se si pasi largohen nga takimi me politikanët shqiptarë, e vërteta e tyre shndërrohet në “të vërtetën” e atij që flet e që çdo herë jo vetëm mund të jetë një gjysmë e vërtetë, por mund të jetë dhe një gënjeshtër e madhe. Ndoshta më shumë se kushdo këtë e ka kuptuar diplomacia amerikane që solli në Shqipëri një ambasador që flet shqip. Sigurisht është vështirë të presësh nga një kastë politikanësh të prerjes ballkanas-shqiptare, të thonë të vërtetën. Por është pothuaj e pabesueshme që pas bisedave me ndërkombëtarët, atë çka thuhet në biseda me ta, politikanët shqiptarë ta trajtojnë sipas interesave të veta pa u merakosur aspak se diplomatëve të huaj iu shkon në vesh gënjeshtra e vënë në gojën e tyre.
Të thuash të vërtetën është sot më e nevojshme se kurrë. Jemi realisht në një udhëkryq ku na duhet të përcaktojmë të ardhmen tonë. Mund të thuhet se e kemi thënë shpesh këto vite këtë fjali. Por realisht sot kemi vajtur në fund të rrugëtimit tonë demokratik, ku ose do duhet të themi të vërtetat ose do zhytemi tërësisht në llumin e gënjeshtrës nga i cili nuk do mund të dalim dot vetë! Jemi zhytur në një kaos gjysmë të vërtetash, në një kaos informative saqë njeriu i shkretë nuk arrin të kuptojë thelbin e problemit, pale të besojë në të.
Tell the truth, z. Basha! Mjaft me sharje, shpifje e mashtrime halabakësh! Mjaft me përdorimin e “ndërkombëtarëve” me buzëqeshjen e tyre të stampuar në shtrëngime duarsh! Ndryshe flisni me ta e ndryshe i ktheheni opinionit publik. Deri kur do talleni me shqiptarët? Por edhe deri kur do talleni edhe me ndërkombëtarët? Tell the truth z. Basha dhe thuaju shqiptarëve se pa u larguar Berisha nga politika nuk ka për të pasur të vërteta të Partisë Demokratike. Nëse vërtet e mendon veten Lider, Tell the truth dhe rindërtoje PD-në në interes të Shqipërisë dhe jo të interesave meskine të Berishës.
Tell the truth, z. Rama! Mjaft u fshehët pas ndërkombëtarëve që “ju mbështesin” vetëm ju! Mjaft i gënjyet shqiptarët për gjendjen e tyre. Unë besoj se ju nuk e shihni të “vërtetën” e gjendjes së shqiptarëve, se nëse e shihni, por mundoheni ta fshihni ky është një krim! Tell the truth dhe thuaju hapur shqiptarëve se gabove me ata që mblodhe rreth vetes, gabove me administratën publike, gabove me Saliun dhe kastën e politikanëve që e zhytën në errësirë Shqipërinë.
Tell the truth, z. President! Nëse e ke vështirë të thuash të vërtetën për atë çka po i bën vendit, të paktën hesht e mos e shndërro institucionin e lartë të presidentit në një institucion mashtrues e përçarës! Tell dhe truth, Media! Boll u qurravitët pas interesave të pronarëve që gjithnjë kanë lëvizur sipas së “vërtetës” së xhepit të tyre pa pyetur për Shqipërinë. Mjaft thatë të pavërteta ose gjysmë të vërteta! Ju jeni po aq fajtorë sa politika për udhëkryqin që kemi përpara! Boll e vratë opinionin publik!
Tell the truth, shoqëri civile! Nëse vërtet e quani veten qytetar mos u përdorni politikisht e mjaft gënjyet për “të vërteta” që janë vetëm “të vërtetat tuaja dhe jo të shqiptarëve! Tell the truth dhe ti intelektual që shfaqesh si opinionist, analist, apo politolog! Mjaft e keni “çmendur” opinionin publik me atë çka i servirni, me gjysmë të vërteta e me gjysmëfakte! Nëse keni pak integritet “tell the truth” dhe ndihmojini shqiptarët të rimarrin në dorë fatin e tyre.
Tell the truth, zotërinj ambasadorë! Në përpjekjet tuaja “për të zgjidhur” problemet “made in” Albania, ju më shumë keni fshehur të vërteta ose keni thënë vetëm gjysmën e tyre. Ju jeni po aq përgjegjës për gjendjen ku ndodhemi sepse ju na keni servirur gjysmë të vërtetat. Dhe nuk ka vend këtu për t’u fshehur pas gjuhës diplomatike. Nuk ka diplomaci në botë që dikton mbi një vend sovran ashtu si po diktoni ju! Dhe unë nuk them se po cenoni sovranitetin. Jo! Unë kërkoj të thoni të vërteta dhe këto me zë të lartë! Boll u sollët si të “barabartë” me krahët e politikës duke mos i kushtuar aspak rëndësi “së vërtetës së shqiptarëve!
Nuk iu drejtova Drejtësisë apo partive politike, sepse këta nuk mund të thonë të vërteta. Partitë politike janë në duar të kryetarëve mashtrues, demagogë e pse jo dhe vrasës e kriminelë të dënuar. Drejtësia nuk ka asnjë lidhje me “të vërtetat”, pasi ajo njeh prej kohësh vetëm një të vërtete: Paranë! Nuk iu drejtova as z. Berisha dhe pse media e bën vazhdimisht person të rëndësisë së veçantë. Nuk iu drejtova, sepse ai nuk ka pasur lidhje me të vërtetën për 25 vjet! Ai vazhdon të mbetet mjeshtër i gjysmë të vërtetave,
Dhe së fundmi “Tell dhe truth” ti vëlla, motër, ti mik e koleg, ti shqiptar kudo që ndodhesh e që kërkon më të mirën për Shqipërinë. Duke thënë të vërtetën, do të mësojmë ta shikojmë të keqen por edhe të mirën në sy, do të mësojmë të mos rrojmë me iluzionin e asaj që na gatuan politika, do të mësojmë të reagojmë.