Një shans për demokracinë vendore dhe mirëqeverisjen
Nga Sotiraq Hroni, botuar në Panorama, 19 maj 2016
Detyrimet dhe fryma e Ligjit të ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” (nenet 68 & 69) kërkojnë krijimin e një realiteti të ri të organizimeve komunitare, realitet i cili përbën ndoshta një moment historik në zhvillimin e demokracisë, sepse përafron një dinamikë publike, e cila fuqizon qytetarët për rolin e tyre në qeverisje. Zbatimi i Ligjit në germë dhe në frymë kërkon dhe nxit krijimin e një mjedisi mundësues për ngritjen e këshillave komunitarë me nismën dhe vullnetin e qytetarëve në çdo mini-zonë urbane, e më tej nga radhët e këtij këshilli zgjidhet ndërlidhësi komunitar.
Sikundër ligji kërkon një vendimmarrje ekskluzive të këshillit bashkiak për procesin rregullator normative që pritet të realizohet nga qeverisja vendore. Ligji i ri, nëse zbatohet, krijon bazën për një alternativë qeverisëse ndryshe. Ligji nxit iniciativën e institucioneve vendore dhe qendrore drejt kërkimit dhe vendosjes së një partneriteti me qytetarin (strukturat komunitare), si subjekt i rëndësishëm i ndryshimit. Përmirësimi i qeverisjes dhe cilësisë së jetës nuk mund të jetë një e drejtë, por as edhe detyrim ekskluziv vetëm i pushtetit.
Në konferencën përuruese të IDM-së, në 31 maj 2000, Lord Griffiths of Fforestfach, duke iu referuar organizimeve komunitare u shpreh se: “Të gjitha këto institucione forcojnë lidhjet vendore, sigurojnë një mënyrë stërvitjeje për vetëqeverisje lokale dhe plotësojnë më tej punën e pushtetit vendor apo atij qendror e për pasojë rrisin edhe efikasitetin e demokracisë…”.
Më tej ai shton: “Demokracia ka nevojë për vlera dhe pa ndihmën e këtyre strukturave ndërmjetë- suese, si burim i vetëm i këtyre vlerave, i vetmi burim i tyre do të jetë shteti. Në praktikë, siç e dinë më mirë shqiptarët, kjo gjendje nuk është aspak e këndshme…”. Procesi i ngritjes së strukturave komunitare përbën një risi për realitetin shqiptar, dhe si i tillë procesi është mbi të gjitha edukativ për qytetarët dhe institucionet.
Ky proces kërkon një kulturë ndryshe qeverisëse që shkon drejt qytetarit, njëherazi edhe ndryshim të mentalitetit menaxherial, duke u mbështetur në një rol aktiv të qytetarit dhe grupeve komunitare. Për më tepër, i gjithë ky proces rregullator, vetësensibilizimi dhe mobilizimi të komuniteteve vendore ka vlera të qenë- sishme dhe krijon për herë të parë një model të organizimit të fqinjësisë nëpër lagje.
Është ky model që do të rrezatojë dhe ndikojë në rritjen e përgjegjshmërisë komunitare, duke bërë më të lehtë përballjen me vështirësitë e ndryshme të jetës komunitare, përfshirë edhe bashkëjetesën në pallate. Siç shihet, sfidat janë të mëdha dhe jo fort të lehta. Mbi të gjitha sepse kërkohet ndërhyrje në raportet ndërpersonale midis njerëzve në komunitetet vendore. Investimi për forcimin e kapitalit social është dimensioni i munguar në politikat publike gjatë gjithë tranzicionit të vendit.
Në disa analiza dhe diskutime publike, shumë nga arsyet për mosecjen e gjërave në drejtimin e duhur i atribuohen pasivitetit shoqëror e qytetar, mungesës së një perspektive për zhvillimin nga poshtë të shoqërisë, apo qeverisjes “me një drejtim”, pra, nga qeveria te qytetari dhe jo edhe nga poshtë-lart. Dukuri apo fenomene sociale të tilla si eksodi apo emigrimi nuk burojnë nga varfëria apo gjendja ekonomike.
Mosbesimi në politikë dhe në qeverisje, apo se deklarimi që e ndesh rëndom se “ky vend nuk mund të bëhet”, nuk është vetëm për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit apo autoritarizmit. Mbi të gjitha, këto vijnë për shkak të një tjetërsimi individual apo shoqëror dhe nga pafuqia sociale dhe individuale për të ndryshuar për mirë këtë realitet. Pra, nga mungesa e çdo lëvizjeje që vjen nga poshtë shoqërisë, që njerëzit të besojnë se ndryshimi mund të vijë edhe prej tyre.
“Strukturat komunitare e bashkojnë botën e individit me atë të strukturave të mëdha, duke zgjeruar fushën që kënaq interesat e individit dhe njëkohësisht e pakëson ndjenjën e tjetërsimit që krijohet nga shteti dhe nga strukturat e fuqishme. Ky koncept nuk është i ri. Kur shkruan përgjigjen e tij të famshme për Revolucionin Francez, Edmund Burke vë në dukje se “të jesh i bashkuar me nënndarjet, ta duash grupin e vogël të njerëzve të cilëve u përkasim në shoqëri, ky është parimi i parë i dashurisë qytetare…”, shkruan Lord Griffiths (po aty).
Edhe më kërkuese bëhet situata me Njësitë e reja të Qeverisjes Vendore ku përfshihen territore më të gjera urbane e rurale dhe ku përfaqësimi dhe pjesëmarrja e komuniteteve vendore në qeverisje dhe vendimmarrje është edhe më sfiduese. Ligji i ri “Për Vetëqeverisjen Vendore” e ka paraparë përballjen me këtë problematikë. Bashkia e ushtron administrimin e vet në periferi përmes njësive administrative.
Ndërkohë, për herë të parë në legjislacionin kombëtar parashihet iniciativa e qytetarëve për t’u vetorganizuar e për të kontribuuar në forma e mënyra të ndryshme për aktivizim e pjesëmarrje me qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe cilë- sisë së jetës në komunitetin vendor. Stepja e parë që lind në këtë parashtrim lidhet me një mungesë të besimit dhe skepticizëm se ky ndryshim mund të ndodhë; se komunitetet qytetare mund të marrin përgjegjësi qeverisëse.
Jo aq i lehtë është edhe ndryshimi i mentalitetit të drejtimit apo menaxhimit të jetës publike, duke vlerësuar qytetarin partner në qeverisje. Në tërësinë e vet mjedisi social, por edhe institucional në vend nuk ka qenë deri më sot i udhëhequr nga filozofi dhe modele qeverisëse që ftojnë dhe mbështeten në ndërveprimin nga lart-poshtë e anasjelltas.
Por ndryshimi i synuar duhet të ndodhë. Pikësëpari sepse nuk ka një alternativë tjetër (veçse fuqizimit të qytetarëve) për të zëvendësuar boshllëkun dhe distancën e qytetarit me qeverisjen për sa i përket përfaqësimit, pjesëmarrjes, aktivizimit, qytetarisë, civilizimit, përgjegjësisë, llogaridhënies, humanizmit, vullnetarizmit e të tjera. Kjo është njëra anë, njëherazi mjaft e rëndësishme, sepse i bën qytetarët të ndihen subjekt të ndryshimit.
Ana tjetër është se vetë institucionet kanë nevojë jetike për bashkëpunimin dhe ndërveprimin me strukturat komunitare, të cilat realisht janë zgjedhur nga komunitetet vendore. Është e vështirë për të përfytyruar një qeverisje demokratike, një eficencë të zbatimit të ligjit në nivel vendor nga çdo institucion publik, politika ekonomike për zhvillim të qëndrueshëm në mënyrë të veçantë në zonat rurale, përfshirje sociale dhe reduktim të pabarazisë shoqërore, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e qytetarëve dhe komuniteteve vendore në proceset qeverisëse.
Përpjekjet për të minimizuar korrupsionin dhe përmirësuar llogaridhënien publike mund të jenë më të suksesshme përmes forcimit të zërit të qytetarit. Për të mos shkuar më tej, se edhe vetë morali i shoqërisë, në instancë të fundit, lidhet me qytetarinë.
Orientimi i institucioneve drejt politikave me në qendër qytetarin dhe fuqizimi i qytetarëve përmes strukturave komunitare për pjesëmarrje dhe angazhim civil, janë dy anë që garantojnë mirëqeverisjen. Në këtë drejtim sapo kemi nisur rrugëtimin me Bashkinë e Tiranës për t’i dhënë jetë kësaj praktike. Rruga është e vështirë, por shpresa është e vetmja.