Këndvështrimi i “The Guardian” mbi korrupsionin: David Cameron duhet të shikojë më afër shtëpisë.

Editorial i The Guardian, 17 maj 2016

Cameron-Queen

Britania drejton gishtin ndaj parave të dyshimta në vendet e varfra, edhe pse vetë Londra i shtyn paratë drejt parajsave fiskale.

Ka raste kur mjetin me të cilin punohet toka e cilësojmë më së miri me një lopatë, kështu që le të flasim hapur. Të enjten do të mbahet një samit mbi korrupsionin në Londër, qytet i  njohur ndërkombëtarisht (edhe nga FMN-ja , midis të tjerëve) si një parajsë fiskale. Ky event organizohet nga një politikan, i cili pranoi muajin e kaluar se ka përfituar personalisht nga financat offshore dhe se partia e tij është financuar nga një industri që përdor në mënyrë ekstravagante po të njëjtat parajsa fiskale. Jo vetëm  kaq , por  ai ka ndërhyrë edhe për të ndihmuar shmangësit e taksave. Kjo është e saktë, David Cameron po mban një takim mbi korrupsion.

Kryeministri,personalisht, nuk është i korruptuar, por padyshim që është fajtor i një hiprokrizie epike. Po kështu janë Britania dhe Perëndimi. Ato kanë harxhuar  dekada duke i diktuar vendeve të varfra dhe qeverive të dështuara sesi të zgjidhnin problemet në lidhje me paratë e dyshimta, edhe kur vetë merrnin shuma të konsiderueshme nga këto para dhe i pastronin përmes bankave të tyre, dyqaneve luksoze, agjentëve imobiliare dhe parajsave fiskale offshore- pothuajse pa bërë asnjë pyetje dhe pa iu dridhur qerpiku fare. Kur z.Cameron u fokusua nga kamera ditën e martë duke u mburrur përpara Mbretëreshës dhe mundësisht duke komentuar se vendet që vuajnë nga korrupsioni do të jenë të pranishme në Lancester House këtë javë, ai duhet të kishte përmendur faktin se Afganistani është një shtet i dështuar dhe nuk u bë më pak i dështuar gjatë këtyre 13 viteve të ndërhyrjes britanike. Gjithashtu duhet të kishte përmendur patjetër presidentin e Nigerisë, Muhammadu Buhari,  i cili do të vizitojë Londrën për të lobuar vendosjen e parajsave fiskale në kopshtin e shtëpisë së tij. Në të vërtetë, z. Cameron duhet të kishte cituar dhe përmbajtjen e një letre që i kanë dërguar atij dy javë më parë aktivistët nga Nigeria.

“Ne kemi filluar një fushatë mbarëkombëtare kundër korrupsionit,” thotë letra. “Por këto përpjekje fatkeqësisht pengohen në qoftë se vende si i juaji, i mirëpresin të korruptuarit tanë për t’u fshehur fitimet jo të ligjshme nëpërmjet shtëpive luksoze, dyqaneve, shitësve të makinave,  shkollave private ose kudo ku  pranohen paratë e tyre cash pa u bërë as edhe një pyetje. Roli i tregut të pronës në Londër i ngjan një anije ku ngarkohen pasuritë e vjedhura dhe njëkohësisht figurojnë të ekspozuara nëpër dokumente gjykatash, raporte, dokumentarë etj. “Presidenti i Senatit Nigerian, Bukola Saraki, është duke u përballur me akuzat për mosdeklarim të pasurisë, aktualisht ai zotëron një pronë në Belgravia të Londrës në emër të tij. Por Panama Papers zbuluan muajin e kaluar se prona me vlerë 5.7 milion paund është në pronësi të kompanive të përfshira në Ishujt Sejshell  dhe në Ishujt Britanikë Virxhin, ku aksionerët përkatës janë gruaja  e Sarakit dhe ish-asistenti personal. Ndërsa një shtëpi në Kensington me vlerë 1.65 milionë paund paraqitet në pronësi të kompanisë BVI, aksioneri i vetëm i së cilës është Folorunsho Coker, ish-kreu i prodhimit të targave të shtetit të Lagos dhe aktualisht këshilltar biznesi për guvernatorin e Lagos. Asnjë nga këta individë nuk ka bërë ndonjëgjë të keqe, por akuza e aktivistëve është e  vështirë të shmanget. Nën qeveritë e njëpasnjëshme, nga Thatcher tek Blair dhe duke u ndalur tek Cameron, Londra është kthyer në një qendër financiare për paratë e pista nga e gjithë bota.

Sipas Oxfam, një e treta e të gjithë trilionave të fshehur nëpër offshore janë të ruajtura nëpër parajsa fiskale që lidhen me Mbretërinë e Bashkuar. Këto parajsa mbështeten tek kjo e fundit për çështje sigurie dhe mbrojtje. Paundi në ishullin Jersey ka si shenjë dalluese Mbretëreshën. Në  Ishujt Kajman  këndohet himni kombëtar “God Save the Queen” (Zoti  mbroftë Mbretëreshën).  Kurse në Whitehall ende pretendojnë se janë autonomë- edhe pse Londra ka qënë më përparimtare përsa i përket heqjes së dënimit me vdekje , apo le të themi, dekriminalizimin e akteve homoseksuale. Por në lidhje me financat dyshuese asnjë palë nuk ka dëshirë të avancojë. Si pasojë, Britania së shpejti do të paraqesë një regjistër publik se nga kush zotërohen përfundimisht kompanitë e listuara në vend – sidoqë zotëruesit e kompanive në territoret e saj jashtë shtetit nuk e pranojnë një gjë të tillë. Ishujt  Kajman dhe pjesa tjetër pretendojnë se kjo ndodh për arsye se strehojnë operacione të përkryera legjitime – por në këtë rast, çfarë kanë ata për të fshehur ?

Ky mashtrim i shkon për shtat si Londrës ashtu dhe parajsave fiskale. Firmat e kontabilitetit,avokatët fiskalë dhe menaxherët e pasurive do të vazhdojnë të vjelin tarifat e majme duke përdorur zyrat e tyre si degë të shpërndara nëpër offshore. Mbretëria e Bashkuar kujdeset për klientët që kërkojnë taksa të ulta dhe konfidencialitet –ndërkohë që mund të supozohet se industria financiare vendase është po aq e pastër siç duhet të jetë.  Pak do ta quajnë këtë korrupsion ose hipokrizi , pasi mban veshur një kostum elegant dhe flet me edukatë.

Tek pjesa teatrale e Oscar Wilde, “Rëndësia e të qënit i ndershëm”, Sesilia i përgjërohet Guendolenit: “Kjo nuk është koha për të vënë maskën e cekët të mirësjelljes. Kur shoh një lopatë, unë e quaj atë lopatë”, dhe kundërpërgjigja vijon:”Unë jam e kënaqur të them se kurrë nuk kam parë një lopatë. Është më se e qartë se rrethet tona shoqërore kanë qenë plotësisht të ndryshme .”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi