Pragu zgjedhor dhe kostoja demokratike
Nga Adri Nurellari, botuar në Shqip, 16 maj 2016
Fatkeqësisht si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe kodin ligjor përkatës bëhen vetëm kur afrohen zgjedhjet, ndërkohë që në periudhën mes dy zgjedhjeve reforma elektorale neglizhohet tërësisht nga debate publike. Një ndër çështjet më të diskutuara në rastin e Kosovës është padyshim pragu zgjedhor i lartë prej 5%, i cili u vendos i tillë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2007. Në Shqipëri pragu është formalisht i ulët, mirëpo duke pasur parasysh ndarjen e vendit në 12 zona zgjedhore, atëherë pragu natyror (me përjashtim të Tiranës dhe Fierit) del të jetë shumë më i lartë, duke e rritur shumë koston e hyrjes së një aktori të ri politik në vend.
Mesatarja e pragut elektoral në vendet e Europës është pak më shumë se 4% dhe vetëm pesë vende kanë prag më të lartë se 5%. Këto vende janë Turqia (10%), Lihtenshtajni (8%), Rusia (7%), Gjeorgjia (7%), si dhe Moldavia me 6%. Marrëdhënia mes pragut të lartë elektoral dhe zhvillimit të demokracisë është diskutuar dhe analizuar prej kohësh dhe është vënë re një lidhje shkak-pasojë mes pragut dhe cilësisë së demokracisë. Kjo është arsyeja pse, sipas Rezolutës 1547 të vitit 2007 (58) të Këshillit të Europës, rekomandohet që demokracitë nuk duhet të kenë prag më të lartë se 3% në zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të lejohet përfaqësimi i maksimumit të opinioneve. Sipas kësaj rezolute, përjashtimi i grupimeve të ndryshme të qytetarëve prej të drejtës për t’u përfaqësuar politikisht nëpërmjet pragut të lartë zgjedhor është dëmtuese ndaj demokracisë. Sipas kësaj rezolute, është e nevojshme që të gjendet një ekuilibër mes përfaqësimit të qytetarëve dhe efikasitetit në parlament apo qeverisje dhe pragu 3% është ideal në këtë aspekt.
Arsyeja kryesore përse duhet që të ulet pragu lidhet padyshim me shtimin e pluralizmit dhe konkurrencës në sistemit partiak. Më e mira për Kosovën do të ishte që të kthehet në 3%, siç ka qenë në vitin 2004 për partitë dhe mundësisht të lihej në prag natyror për kandidatët e pavarur. Ndërsa për ta ulur këtë prag në Shqipëri do të duhej të hiqej dorë nga proporcionali rajonal, duke vendosur një zonë të vetme kombëtare zgjedhore ose së paku duke ulur numrin e zonave zgjedhore, nga 12 në 6.
Pragu më i ulët shton konkurrencën dhe inkurajon ripërtëritjen e elitës politike, inkurajon më shumë parti dhe kandidatë të rinj të këtyre që të marrin pjesë në lojën politike. Pragu i lartë e dekurajon futjen në garë dhe minimizon konkurrencën politike në vend. Mund të hamendësohet se ka figura publike apo të rinj të talentuar që do të donin të angazhoheshin në politike mirëpo nuk mendojnë se partitë ekzistuese i përfaqësojnë më së miri qëndrimet apo synimet e tyre politike. Këta individë do të mund të formonin subjekte të reja politike, mirëpo frikësohen nga ky veprim, sepse shanset për të kapërcyer pragun dhe për t’u futur në parlament janë të vogla me pragun 5%, sikurse është dëshmuar nga rasti i Partisë reformatore ORA në 2007-n apo Frymës së Re në 2010-n.
Nga ana tjetër, ulja e pragut do të shtonte edhe demokracinë e brendshme partiake, sepse fraksionet apo zërat ndryshe brenda partisë do të mund ta kërcënonin lidershipin e partive të mëdha me rrezikun e skizmës, pra shkëputjes dhe formimit të një partie nga e para. Ka pasur raste që ky impakt shumë domethënës, sikurse ndodhi me rastin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) apo NISMA, duke u shkëputur nga partia mëmë, ia kanë dalë që të kapërcejnë pragun prej 5%. Mirëpo në përgjithësi ky prag konsiderohet tepër i lartë dhe shpesh këta zëra ndryshe detyrohen të heshtin apo konformohen me shumicën e partisë ku janë, sepse mundësia për të bërë një skizmë të suksesshme është shumë e ulët. Nëse mundësia për të pasur një shkëputje të suksesshme është e lartë, atëherë edhe lidershipi i partive do të detyrohej që të tregohej më gjithëpërfshirës, tolerues dhe mirëkuptues, sepse mundësia e këtyre fraksioneve për të bërë më shumë presion brenda partisë do të shtohej ngaqë kërcënimi do të ishte më real dhe efikas. Kjo konkurrencë e shtuar do të kishte impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së përfaqësimit politik dhe frymës së debatit të brendshëm në partitë ekzistuese.
Kuptohet që shtimi i konkurrencës politike jo vetëm rrit cilësinë e ofertës politike që i jepet publikut, por njëherazi rrit edhe pjesëmarrjen në politikë. Ka studime konkrete që dëshmojnë se sistemi elektoral proporcional kombëtar me prag të ulët është më i përshtatshmi për të shtuar daljen në votime. Pjesëmarrja në votime në Kosovë ka pësuar një rënie të ndjeshme brenda një dekade, duke vajtur nga 51.11% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004, në 42.63% në vitin 2014. Kuptohet që kjo përqindje duhet të jetë de facto më e madhe kur të flitet për rezidentët, pasi diku tek 1/3 e listës së votimit duhet të jetë e përbërë me shtetas të Kosovës që gjenden në mërgim, mirëpo tatëpjeta në pjesëmarrje është më se reale. Për të krijuar një ide të trendeve ndërkombëtare të daljes në votime, duhet pasur parasysh që gjatë viteve 1990-2001 mesatarja e daljes në votim në Europën Perëndimore ishte 78%, në Oqeani 79%, në Amerikën Qendrore dhe të Jugut 69%, në Amerikën e Veriut dhe Karaibe 65%, në Afrikë 64%, ndërsa në rajonin tonë, pra në Europën Qendrore dhe Lindore ka qenë 72%.
Në aspektin e deformimit të votës duhet përmendur edhe se një prag i lartë bën që votat për partitë që nuk e kapin dot përqindjen e kërkuar të shkojnë dëm dhe ekzistojnë disa raste të çuditshme, ku deformimi i votës ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Kështu, për shembull, në zgjedhjet parlamentare të Rusisë në vitin 1995, mbi 45% e votave shkuan te parti të cilat nuk e kanë kaluar pragun, gjë që do të thotë se pothuajse gjysma e vullnetit të popullit ngeli i papërfaqësuar në Parlament. E njëjta gjë ndodhi në Turqi në vitin 2002, kur partitë që s’kapërcyen dot pragun morën 45% të votave ndërkohë që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) me vetëm 34.3% të votave siguroi 363 vende në Parlament, që përbëjnë 66% të 550 vendeve që ka Mexhlisi turk. Mirëpo duhet thënë që ironikisht ky deformim nuk shkon detyrimisht në të njëjtin drejtim, kështu për shembull në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, Erdogani shtoi përqindjen e votave dhe mori 46.6% të votave, ama ato u përkthyen në 341 deputetë, pra më pak vende në parlament. E njëjta tendencë ndodhi në zgjedhjet e vitit 2011, ku AKP-ja triumfoi me 49.8% të votave, ama numri i deputetëve ra në 327.
Në rastin e Kosovës janë dhjetëra mijëra votat e votuesve të Kosovës, të cilat shkojnë dëm si pasojë e partive që nuk e kalojnë pragun, sikurse ndodhi me votat e shumta të partisë ORA në 2007-n, FER-in në 2010-n apo AKR-n në 2014-n. Për të matur këtë lloj deformimi të votës përdoret një tregues i disproporcionalitetit apo shpërpjesëtimit, që quhet indikatori Gallagher, me vlera nga 0 deri në 100, dhe ku sa më e ulët vlera, aq më e ulët është niveli i deformimit apo shpërpjesëtimit, ndërsa sa më e lartë që të jetë, aq më i lartë është ky nivel. Në vitin 2004, kur Kosova ishte ende me një prag prej 3%, ky indikator ishte vetëm 1.78, që tregon se rezultati zgjedhor siguronte një përfaqësim shumë proporcional të votave dhe deformimi ishte minimal. Mirëpo kur e llogarisim këtë indeks në zgjedhjet pasardhëse me prag 5%, ky indikator rritet ndjeshëm dhe bëhet 4.4, pra rritet më shumë se dyfish niveli i disproporcionalitetit.
Një ndër argumentet që përdoret nga studiuesit e fushës kundër një pragu shumë të ulët është frika e prishjes së stabilitetit politik në vend nëpërmjet rritjes së fragmentarizmit të sistemit partiak. Mirëpo indikatorët që përdoren për të analizuar instabilitetin politik nëse përllogariten për Kosovën, tregojnë se nuk ka ndonjë tendencë apo rrezik të mirëfilltë që të ketë një tronditje të sistemit partia apo përmbysje të realitetit politik kosovar.
Një ndër indikatorët që përdoret në këtë fushë për të matur nivelin e copëzimit apo fragmentimit të sistemit partiak është indikatori i numrit të partive efektive. Ky indikator nuk llogarit numrin e partive me sy të lirë, pra cilat janë siglat partiake të pranishme, por i mat ato hipotetiket duke përllogaritur peshën relative të partive. Nëse numri efektiv i partive, pra indikatori i fragmentimit do të ndikohej nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, atëherë pritshmëria do të ishte që me rritjen e pragut dekurajohet fragmentimi dhe ky numër do të vinte në ulje. Ky numër përllogaritet ose përkundrejt peshës së votave që parti të ndryshme marrin në proces zgjedhor ose përkundrejt numrit të deputetëve që ka në parlament.
Duhet thënë që përllogaritja është bërë qoftë në këtë rast, por edhe në rastin e mësipërm të indikatorit Gallagher, mbështetur në votat e partive të komunitetit shqiptar, si dhe në 100 ulëset e Kuvendit të Kosovës. Duke ditur që 1/6 e ulëseve të Parlamentit janë në dorë të pakicave, si pasojë e diskriminimit pozitiv ndaj pakicave, të cilat vetë marrin shumë pak vota. Për shembull, në vitin 2010, tetë ulëse shkuan te parti të pakicave, që secila më vete nuk mori më shumë se 0.5% të totalit të votave në nivel shtetëror. Pra, nëse edhe partitë e pakicave do të përfshiheshin në llogaritje, do të dilte një rezultat që më shumë sesa mat impaktin e sistemit të zgjedhor, reflekton garancitë kushtetuese apo masat afirmative ndaj pakicave.
Rasti i Kosovës tregon që treguesi i fragmentimit jo vetëm që nuk është ulur pas vendosjes së pragut të lartë në vitin 2007, por madje është rritur lehtë. Kur matet pesha specifike e partive në vota del se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 me prag zgjedhor 3%, numri efektiv ishte 3.32, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2007, ky numër vajti 4.88, ndërsa në 2010-n vajti 5.02. Parë brenda legjislativit, numri efektiv ishte 3.08 në vitin 2004, ndërsa në 2007-n dhe 2010-n ishte respektivisht 4.19 dhe 4.36. Kjo do të thotë që jo vetëm që nuk u ul fragmentimi, por pati një rritje të ndjeshme të fragmentimit, pra rritja e pragut zgjedhor nuk mund të konsiderohet si ndonjë masë efikase kundër fragmentimit në rastin e Kosovës. Në përgjithësi, këto shifra janë të arsyeshme e jo të ekzagjeruara, kur ky indikator krahasohet me vende të tjera, që kanë një sistem proporcional kombëtar, pra edhe tendenca e fragmentimit mund të duket e vogël.
Një tjetër indikator që flet për stabilitetin apo institucionalizimin e sistemit partiak është ai i volatilitetit apo luhatshmërisë së votave. Për ta matur volatilitetin, pra lëvizshmërinë e votave prej një partie në një parti tjetër, përdoret indeksi Pedersen. Në vendet e tranzicionit, ku sistemi partiak nuk është konsoliduar sa duhet, kuptohet që ky indeks është i lartë, ndërsa në demokracitë e zhvilluara sjellja elektorale është më e stabilizuar dhe indeksi Pedersen është më i ulët. Në rastin e Kosovës ky tregues del 12.4%, që është relativisht i ulët krahasuar me vendet në tranzicion dhe flet për një stabilitet të lartë të votuesve. Në vendet postkomuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, indikatori Pedersen është mesatarisht 27.1, në Amerikën Latine 21.4, në Europën Perëndimore 7.7, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 4.5. Me pak fjalë, duke llogaritur treguesi i volatilitetit në Kosovë së bashku me një indikator fragmentimi jo të madh flasin për një tendencë drejt institucionalizimit të sistemit partiak dhe konsolidimit të sjelljes elektorale.
Padyshim që këto janë tendenca që mund edhe të ndryshojnë në një kohë të dytë, ka pasur vende të tjera që kanë pasur sisteme partiake edhe më të konsoliduara se ky i Kosovës dhe rrethana të caktuara kanë bërë që të ketë ndryshime thelbësore. Mund të ndodhë të vijë një lider karizmatik si Berluskoni në vitet ’90 e të krijojë një parti fituese nga e para. Ose mund të ketë kriza ekonomike si kjo botërorja, që në Greqi ka nxjerrë një parti krejt të re në fuqi, si Syrizam ndërkohë që ngjashëm ka cenuar dypartitizmin spanjoll, duke nxjerrë Ciudadanos dhe Podemos.
Megjithatë, për momentin mund të thuhet që sistemi partiak është relativisht i institucionalizuar dhe kjo do të thotë që kostoja potenciale e cenimit të stabilitetit prej uljes së pragut, sipas të gjitha gjasave, është minimale. Nga ana tjetër, përfitimi do të ishte maksimal, pasi do të shtohej konkurrenca ndërpartiake, por edhe brenda partive, do të nxitej rritja e pjesëmarrjes në politikë dhe ripërtëritja e elitës, si dhe do të ulej deformimi i votës.