Qëndrimi publik është përgjegjësi sa individuale aq dhe kolektive

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 20 prill 2016

rexhep_meidani_1682-473x266Disa vite më parë, në gazetën “Panorama” (17 shkurt 2012), kam botuar një shkrim me titull: “Të shmanget me ligj ndikimi i jashtëm në një fushatë kombëtare!”. Aty analizohej një ndë- rhyrje apo shkelje etike-politike e një qeveritari në fushatën elektorale të vendit, ku ai kishte shkuar zyrtarisht për një veprimtari dypalëshe.

Në fakt, bëhej fjalë për një “interferencë” të pakuptimtë të Kancelares gjermane Merkel në fushatën presidenciale franceze, pikërisht në Paris. Kjo ndërhyrje, në të vërtetë, krijoi një furtunë të vërtetë politike jo vetëm në Francë, por dhe në Gjermani. Një ndërhyrje e tillë, si një mbështetje e hapur për kandidaturën e Presidentit Sarkozi, nuk ishte as etike, as diplomatike; madje krijoi një efekt të kundërt!

Me gjithë përpjekjet e Merkelit për ta “zbukuruar” këtë ndërhyrje si një pozicionim thjesht personal, por jo si një qëndrim zyrtar të një Kancelareje gjermane (ndërkohë që në Paris ishte për një mbledhje të përbashkët kabineti!) një justifikim i tillë nuk ngjiti fare. Gabimi i saj u bë shumë më evident pas humbjes së Sarkozisë dhe fitores së Holand, gjë që krijoi një hendek fillestar në bashkëpunimin midis dy vendeve!

Megjithatë, aty bëhej fjalë për dy vende kryesore të BE-së; për Francën e Gjermaninë dhe udhëheqës me peshë të veçantë në skakierën politike botërore, por jo për liliputë të saj…

NDIKIM NË RËNIE I FOTOGRAFIVE PROTOKOLLARE

Në vitet e para të tranzicionit, politika shqiptare e “shiste shtrenjtë” shfaqjen në publik të ndonjë drejtuesi të saj me përfaqësues (me peshë ose pa peshë) të komunitetit ndërkombëtar. Vetë suksesi, në atë kohë, nuk llogaritej me rezultate konkrete brenda vendit, sidomos në fushën e ekonomisë, por pompohej si mbështetje ndërkombëtare.

Madje, ky kompleks inferioriteti ndaj të huajit gjente ushqimin e vet në gjirin e shoqërisë shqiptare për arsye dhe të izolimit të saj në dekada. Arrihej deri aty sa dhe një regjistrim fare i rastit, deri i kërkuar pa dinjitet, i ndonjë lideri shqiptar, të shitej si mbështetje e vlerësim ndaj tij…

Fatmirësisht, sot, në shumë aspekte, situata është shumë ndryshe! Jo sepse disa politikanë e qeveritarë shqiptarë nuk po vazhdojnë që ta luajnë “kartën” fotografike apo “përrallën” televizive të mbështetjes së jashtme, por sepse ngjitja në popull prej një “teknologjie” të tillë është gati-gati minimale. Në fund të fundit, me gjithë defektet ende serioze, shoqëria shqiptare ka arritur të ndërtojë tipare të qarta europiane-perëndimore.

Madje, po i afrohet tipizimit të votuesit europian, që, nga ana e tij, ndikohet pothuajse shumë pak prej “paradave” të jashtme, pa interferencë konkrete në ecuritë e brendshme politike-institucionale e social-ekonomike, veçanërisht për standardin e jetës së tij.

Megjithatë, pavarësisht këtij emancipimi, përpjekja për ndikim (ndonjë herë e interpretuar dhe si ndërvarësi) vihet re aty-këtu edhe brenda politikës europiane. Veçse, pasqyrimi publik i kësaj “minindërhyrjeje” (që nuk arrin ta prekë votën qytetare), mund të shoqërohet me deformime serioze në vendet me demokraci të brishtë si, p.sh., Shqipëria.

Në kushtet shqiptare nuk duhet lejuar më, si opinion publik apo si bazament ligjor, një interferencë e tillë zgjedhore. Madje, shmangia e ndikimit të jashtëm në fushata zgjedhore kombëtare, në Shqipëri e rajon, duhet parë si një shenjë e rëndësishme e emancipimit politik-shoqëror…

NJË MBËSHTETJE E PAKUPTIMTË NË FUSHATË

Siç u tha më sipër, një rast që ka lënë gjurmë në historinë zgjedhore europiane është ai i ndërhyrjes së Kancelares Merkel në zgjedhjet franceze. Konkretisht, në shkurt 2012, në Paris, në zemrën politike të Francës, Kancelarja Merkel mbështeti hapur Presidentin Sarkozi në betejën e tij presidenciale. Edhe pse ajo e konsideroi këtë interferencë si normale në kuadër të konfiguracionit partiak europian apo të përkatësisë në të njëjtën “familje politike”, kjo sjellje jonormale solli mjaft pakënaqësi e pështjellime në jetën politike të dy vendeve dhe kampet përkatëse.

Për të qetësuar disi gjakrat, vetë znj. Merkel e argumentoi vizitën e radhës në Paris me mbledhjen e përbashkët të dy kabineteve, edhe pse gjatë këtij takimi gjëja e parë që spikati dukshëm ishte mbështetja e saj për kandidatin e djathtë, z. Sarkozi, në fushatën e tij kundër kandidatit socialist Holand… Në konferencën e shtypit, Kancelarja Merkel pretendoi të hidhte poshtë kritikat e shtypit francez e gjerman për këtë mbështetje, duke sqaruar se “është normale që të mbështesim parti që janë mike”.

Sipas saj, edhe Sarkozi e kishte mbështetur atë, në vitin 2009, në fushatën e saj elektorale! Po ashtu, edhe kandidati socialist Holand, kishte zhvilluar në Gjermani mjaft takime me social-demokratët gjermanë (veçse, pavarësisht kësaj “analogjie” justifikuese të Merkelit, takimet e Holandit si krye-socialist francez nuk ishin shtetërore, por thjesht partiake, pa rrjedhoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet midis shteteve)…

A MJAFTON JUSTIFIKIMI ME PËRKATËSINË POLITIKE?

“Ne i përkasim së njëjtës familje politike. Ai më ka mbështetur mua më parë. Është e natyrshme që dhe unë ta mbështes atë në fushatën e tij” , theksoi Kancelarja Merkel gjatë intervistës televizive me Presidentin Sarkozi. Madje, ajo vlerësoi punën e përbashkët me Presidentin francez, “atmosferën miqësore” në angazhimin e ndërsjellë për krizën e borxheve në eurozonë.

Sipas saj, një gjë e tillë lidhej edhe me marrëdhëniet personale shumë të mira midis tyre. Për ta “zbutuar” deri diku këtë mbështetje jodiplomatike dhe me pasoja politike, madje as normale në marrëdhëniet institucionale midis drejtuesve kryesorë të shteteve të ndryshme në prag fushate elektorale, Sarkozi, gjatë përgjigjeve të tij, theksoi se: “Është populli francez që vendos vet, ashtu si gjermanët kanë vendosur në mënyrë të lirë”, por, ama, “kur dikush, për të cilin keni afeksion e admirim, i mbështet hapur aksionet tuaja, kjo të jep një kënaqësi të veçantë”…

Edhe Shtrajter, zëdhënësi i Kancelares gjermane, e konsideroi mbështetjen e znj. Merkel për Sarkozinë, në prag të fushatës së tij presidenciale, thjesht si një angazhim “personal” të saj, si drejtuese partiake e CDU-së, por jo si zyrtarja më e lartë e Gjermanisë. Një përpjekje e ngjashme u vu re dhe në deklarimet e Sekretarit të Përgjithshëm të CDU-së, Groehe. Ndërkohë që, për disa politikanë e analistë, mbështetja e znj.

Merkel për Presidentin Sarkozi ishte më shumë e motivuar me përpjekjet e shumëfishta të saj për të reformuar Europën.

“MË MIRË I VDEKUR SE I KUQ”

Interferenca të drejtpërdrejta, me ndikim elektoral, janë ndeshur edhe në proceset zgjedhore shqiptare. Madje, ky ndikim ka qenë i skajshëm në fillimet e tranzicionit, por shumë më pak në vitet e fundit. E gjitha kjo, më tepër për arsye të emancipimit politik të elektoratit, të vetë votuesit, sesa të politikës shqiptare! Sidoqoftë, një rast tipik interference ka qenë, p.sh., ai i amerikanit Xheims Trafikant, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në periudhën 1985 – 2002, i njohur në Shqipëri për deklaratat dhe pjesëmarrjet e drejtpërdrejta në mitingjet e PD-së, deri duke nxitur e frymëzuar emocione agresive në ato takime.

Madje, ka mbetur ende e memorizuar shprehja e tij: “Më mirë i vdekur se i kuq”! Veçse, pas fillimit të hetimit kriminal ndaj tij për mjaft abuzime korruptive, ky “hero” në gjirin e mitingashëve shqiptarë u mbulua me një heshtje “absolute”!…

A KISHTE NEVOJË PËR NJË “NDËRHYRJE” TË TILLË?!

Pas “sprovës” në Prishtinë, Kryeministri Rama i vazhdoi deklaratat e panevojshme dhe në Amerikë. Kështu, në “Foreign Policy” ai kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë sjelljen politike dhe retorikën elektorale të kandidatit republikan Trump, sidomos thirrjet e tij për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në SHBA.

Midis të tjerash, në Këshillin e Atlantikut në Uashington, ai “trimërohet” më tej duke pohuar: “Shpresoj shumë që ai të kuptojë se ajo çka ai thotë nuk është aspak një mënyrë për ta bërë përsëri të madhe Amerikën, por e turpëron atë në sytë e botës dhe në sytë e gjithkujt që e sheh Amerikën si qytetin rrezatues mbi kodër”. Dhe diku tjetër ai thekson se Trump “po shfrytëzon një boshllëk të krijuar nga mungesa e informacionit, nga mungesa e formimit, dhe mungesa e kulturës mbi fetë, mbi besimet.”

…Pra, pas deklaratave në Kosovë, z. Rama ka sulmuar kandidaturën e Trump, në shtëpinë e këtij të fundit. Gjatë vizitës zyrtare në SHBA, në një intervistë të dhënë për gazetarin Ricard Quest, në CNN, Rama tha se zgjedhja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte kërcënim për SHBA-të. Parë në thelbin e tyre, deklarata të tilla të z. Rama mbi Trump dhe kandidimin e tij i tejkaluan kufijtë diplomatikë.

Në thelbin e vet, ato ishin sa të pakuptimta, po aq dhe të dëmshme për një përfaqësues të një vendi, që i ka shumë “borxhe” politike Amerikës. Në fakt, Rama, në intervistën për CNN, duke komentuar zgjedhjet presidenciale, pretendoi se zgjedhja e Donald Trump-it në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte një kërcënim për Amerikën. Por, një tejkalim i tillë pati mospëlqimin e gazetarit, që i kujtoi Kryeministrit shqiptar daljen nga kuadri diplomatik, duke komentuar zgjedhjet e një vendi tjetër.

Konkretisht, aty, pak a shumë, ky pasazh regjistrimi ishte i tillë: “Rama: “Deklaratat që po dëgjojmë së fundmi nga Donald Trump janë frikësuese dhe lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë nën kërcenim.” Gazetari i CNN, Richard Quest: “A jeni i ndërgjegjshëm që po dilni nga kuadri diplomatik, duke komentuar zgjedhjet e një vendi tjetër?”…

Ndoshta, pasi e kuptoi teprimin, i ndodhur para reagimit të këtij gazetari amerikan me famë botërore, z. Rama bëri një “indietro”, duke pohuar: “Unë nuk komentova zgjedhjet, dhe nuk jam i vetmi që e shoh këtë shqetësim; edhe liderë të tjerë europianë kanë të njëjtin shqetësim, sepse Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme përtej kufijve të tyre”.

I tepërt ishte dhe këshillimi ndaj Trump për të udhëtuar dhe njohur botën dhe myslimanët, për të parë vlerat e atij komuniteti. Sjellje tipike këshilluese e një “politikani global”!…

* * *

Ndryshe nga reagimi i denjë i gazetarit amerikan, pyetja që shtrohet për çdo qytetar shqiptar, që ka ndjekur prononcime të tilla, është shumë më e thjeshtë dhe konkrete: A kishte nevojë politika shqiptare për deklarata të tilla, sidomos në gojë të kreut të ekzekutivit? A nuk duhet që të shmangeshin interferenca të tilla në fushata elektorale në vende të tjera?

Ato jo vetëm nuk janë etike e diplomatike, por dhe të rrezikshme, sidomos kur shenjat e deritanishme, në kampin republikan, janë në favor të Trumpit! Dhe, së fundi, çdo ndërhyrje, kur llogaritet e favorshme dhe e nevojshme, duhet të studiohet e analizohet në detaje, në raportet dhe pozicionimet konkrete politike; por jo të improvizohen ato me “trimëri”, sepse nga sjellja të tilla publike dhe kualifikimet përkatëse mund të dëmtohen të gjithë shqiptarët, vetë Shqipëria e Kosova, por dhe popullsia shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi