Shqipëria që ka ngecur!

Nga Valbona Mezini, botuar në Shqip, 19 prill 2016

bertelsmann

Në fakt, unë nuk kam ndonjë meritë për këtë titull të gjetur përshtat situatës që po kalon vendi, por merita është e gjitha e Bertelsmann Stiftung, Indeksit Gjerman të Transformimit. Shqipëria, në këtë indeks, ka marrë një pikësim prej 6.7, duke shënuar kështu performancën më të ulët në rajon.

Indeksi Gjerman i Transformimit 2016 analizon dhe vlerëson cilësinë e demokracisë, ekonominë, menaxhimin politik në 129 ekonomi botërore. Ai priret të japë një panoramë të përgjithshme të situatës së një shteti të caktuar, si dhe raportin e konkurrencës me të tjerët.

Por pse vendi ynë gjithmonë e më shumë po ngec në të gjitha indekset globale?

Përgjigjen më mirë mund ta japë zoti Kryeministër, i cili mund të ketë informacion të bollshëm pse nuk po rritet ekonomia, pse nuk rriten pagat e pensionet dhe pse klima e tërheqjes së investitorëve është një ajër asfiksues që po vdes edhe ekonomitë e vogla.

Shqipëria sot, në të gjitha indekset globale, i ngjan një lokomotive treni të vjetruar, amortizuar dhe ndryshkur, pa vagonë, e braktisur nga trendi i lëvizjeve së ekonomive globale, larg zhurmës së mirëqenies sociale, diku larg syve të inovacionit dhe sipërmarrësve, në periferi të “qytetit të madh global”, në stacionin e mbyllur hekurudhor, ku askujt nuk i bie mendja se ku bie.

Shqipëria është e fundit në rajonin e Ballkanit për nga transformimi ekonomik dhe rajonin e kryeson Mali i Zi me pikësim 7,48, ndjekur nga Serbia 7,43 dhe Maqedonia 6,86. Vendi ynë ka pak avancime për zhvillimin, uljen e pabarazisë dhe papunësisë.

Sipas këtij indeksi, shkalla e papunësisë është rritur në vitet e fundit, duke arritur mbi 17%, ndërsa 14% e popullsisë jeton në prag të varfërisë. Gjithashtu, ekziston një hendek i madh në dallimet gjinore kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në punë, përfaqësimi publik, edukimi dhe prona.

Indeksi Gjerman thotë se pjesa e papunësisë së të rinjve është mbi 30%, dy herë më shumë se mesatarja europiane.

Pse vendi ynë sot ka ngecur në të gjitha indekset globale?

Menaxhimi i kalimit paqësor të pushteteve nga autoritare të demokracisë drejt një sistem tregu-ekonomik konkurrues, paraqet një sfidë të madhe. Nëse është fjala për rikrijimin e koherencës së shtetit, qoftë pas një konflikti të armatosur, zgjerimin e të drejtave të pjesëmarrjes dhe sundimin e ligjit në demokracitë e reja, tejkalimin e strukturave të korruptuara, luftimin e varfërisë dhe pabarazisë ose vendosjen e rregullave të qarta për konkurrencë të qëndrueshme në treg-ekonomikë, kërkesat janë të mëdha dhe presioni ndaj udhëheqësve përgjegjës është intensiv.

Pas të gjithave, cilësia e menaxhimit politik jep një kontribut thelbësor në suksesin apo dështimin e proceseve të transformimit.

Në vendin tonë procesi i transformimit ka ngecur sipas indeksit gjerman. Shqipëria ka ngecur dhe si e tillë nuk përbën interes më as nga forca aktuale qeverisëse, që të synojë drejt menaxhimit cilësor politik.

Bertelsmann Stiftung shprehet se vendos aftësitë drejtuese politike të vendimmarrësit në qendër të analizës së saj dhe si rrjedhojë, është i vetmi indeks në botë që mat dhe krahason kualitetin e qeverisjes. Ndaj renditja e Shqipërisë në fund të vendeve të rajonit është sërish një kambanë për elektoratin shqiptar se, proceset transformuese të vendit kanë ngecur, procese që domosdoshmërish do të duhet të ishin guri i themelit për hartimin e suksesshëm të reformave për një vend si Shqipëria, ku burimet e energjisë, ato ujore dhe nëntokësore, do të sillnin transformim unik për vendin.

Shqipëria nuk ka ngecur vetëm në Indeksin Gjerman të Transformimit. Ka ngecur edhe në indeksin global të Doing Business, që zbriti nga vendi i 62, në vitin 2014, në vendin e 97 në 2016-n. Ka ngecur edhe në atë të tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Ja treguesit:

Rënia e konkurrueshmërisë – competitiveness index: 3.93 p. me 3.83;
Prodhimi Industrial Bruto (real change %): 28.3; 1.6; -5.0;
Densiteti i Sipërmarrjes: 4.6 biznese për 1000 banorë (2.5 herë më pak se rajoni).
Shqipëria ka ngecur dhe tek Indeksi Global i Rritjes Ekonomike, ku vendi njeh rënie të GDP-së reale në normën 2.15%. Gjithashtu norma e papunësisë, sipas Eurostat, është më e larta në rajonin e Ballkanit 17.7%, veçanërisht të rinjtë, të cilët janë azilkërkuesit më të mëdhenj në numër në Gjermani. Nga anën tjetër, pikiata e normës së inflacionit është 0.3%, si asnjëherë më parë.

Ndërsa vendi përjeton buzë-greminën e recesionit ekonomik, nuk mjafton as dekadenca e kostos së parasë me 1.55%. Edhe pse Banka e Shqipërisë uli normën e parasë në minimum historik që të kreditohet biznesi, jo vetëm që nuk po jep efekt në rritjen e kreditimit, por sërish numri i çregjistrimeve mbetet i lartë; mbi 2000 aplikime për t’u çregjistruar në muaj.

Këto të dhëna nga indekset globale ofrojnë mundësinë për të kuptuar prirjet afatgjata për vendin.

Në qendër të vëmendjes duhet të jenë procese të ndryshme transformuese dhe të vihet në perspektivë progresi e të rishikohet ngecja e kohëve të fundit në rrugën drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi