PE diskuton draftrezolutën për Shqipërinë, pa reformën në drejtësi s’ka negociata
Sipas mediave, 13 prill 2016
Parlamenti Europian ka diskutuar sot draftrezolutën për Shqipërinë, e cila është përpiluar nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Johanes Hahn.
Ky i fundit ka vlerësuar disa nga reformat të qeverisë, por ka vënë theksin në miratimin e reformës në drejtësi brenda muajit maj, në mënyrë që Shqipëria të ketë një shans për nisje të negociatave për anëtarësim në BE.
Po kështu Hahn ka thënë se nuk mjafton vetëm miratimi i saj, por edhe zbatimi i reformës, që duhet të japë rezultate të ndeshmë.
Prioritet të dytë ai ka theksuar reformën zgjedhore, e cila do të garantojë zgjedhje të pakontestuara vitin e ardhshëm.
Pas fjalës së tij, ka folur Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në KE. Edhe ky i fundit ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në këto 25 vite.
Megjithatë, ai ka ngulmuar gjithashtu te reforma në drejtësi, administrata publike, lufta ndaj korrupsionit, si edhe reforma zgjedhore.
Pa përmbushjen e këtyre kritereve nuk do të ketë rekomandim për hapje negociatash me BE-në. Pas raportuesit, fjalën e ka marrë Eduard Kukan në emër të PPE-së.
Ai është shprehur optimist se palët do ta miratojnë reformën në drejtësi dhe do të gjejnë gjuhën për reformën zgjedhore. Miratimi i të dyjave dhe zbatimi i tyre i hap rrugë bisedimeve për nisjen e negociatave për integrim në BE.