Leszek Balcerowicz: Arkitekti i “terapisë së shock-ut” dhe tranzicionit më të suksesshëm
Nga Adrian Civici, botuar në Mapo, 10 prill 2016
Në fjalorin dhe terminologjinë e tranzicionit për kalimin nga një sistem socialist me pronë shtetërore dhe planifikim të centralizuar në një sistem kapitalist ku mbretëron prona private dhe tregu i lirë, emri i Leszek Balcerowicz është i lidhur ngushtë me “terapinë e shock-ut”, modelit që cilësohet si më i shpejti dhe më i sigurti për të realizuar një objektiv të tillë. Aplikimi i një formule të tillë në Poloni në vitet 1989-1992 dëshmoi jo vetëm potencialet e mëdha e të shpejta reformuese që nënkuptonte një strategji e tillë, por evidentoi dhe një akademik, ekonomist e politikan të shquar liberal si Balcerowitz, në atë periudhë ministër financash dhe ideator e përgjegjës për vënien në jetë të këtij transformimi radikal. Guvernator i Bankës Qendrore të Polonisë në vitet 2001-2007 dhe kandidat për Drejtor i Përgjithshëm i FMN në vitin 2011, Balcerowitz është aktualisht një nga ekonomistët dhe akademikët më të shquar në kontributin e tij për teorinë dhe zbatimin praktik të tranzicionit në vendet e Europës qëndrore dhe lindore.
Socialist oportunist apo reformator liberal idealist?
Opinionet dhe vlerësimet për Leszek Balcerowicz janë të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Për disa “ai është një hero kombëtar polak që e shpëtoi Poloninë nga katastrofa ekonomike e periudhës së fundit të socializmit”, “është një ekspert brilant që ideoi reformat më të përshtatshme dhe eficente për kalimin nga plani tek tregu i lirë”; ndërsa për disa të tjerë, “Balcerowiz, me terapinë chok-ut është shkaktari i krizës sociale dhe diferencimit të madh social dhe shumë idealist”; të tjerë i përmendin shpesh “oportunizmin dhe transformimin drastik nga marksizmi drejt liberalizmit”. E përmendin shpesh si kandidat për çmimin Nobel në ekonomi, ashtu siç e karikaturojnë duke e cilësuar si “Don Kishoti polak”.
Natyrisht, që një pjesë e opinioneve të tilla kanë elemente eksagjeruese, por për një figurë komplekse që veproi në një periudhë akoma dhe më komplekse siç ishte “strategjia dhe politikat e tranzicionit”, periudhë ku të gjithë qytetarët e vendeve të Europës qëndrore e lindore, përfshirë edhe Poloninë, ndryshuan në thelb idetë, pasionet, jetën, punën, marrëdhënien me lirinë dhe pronën, etj., është e kuptueshme gama e gjerë, shpesh në sens të kundërt, e këtyre opinioneve.
Është e vërtetë që Balcerowitz ishte anëtar i Partisë Bashkuar Punëtore Polake (PBPP) që nga viti 1969 kur ishte akoma student, ashtu siç është e vërtetë që ai i kreu studimet universitare për planifikim dhe statistikë në ekonominë socialiste, por, kjo ishte e vetmja mënyrë e mundësi për një student të shkëlqyer që të merrte një profesion dhe bënte karrierë në një vend komunist. Një pjesë e madhe e intelektualëve polakë, që më vonë u bënë frymëzuesit dhe drejtuesit kryesorë të Solidarnos-it, si T.Mazowiecki apo B.Geremek kishin ndjekur të njëjtën trajektore. Shumë prej tyre, përfshirë këtu dhe Balzerowitz-in, e shfaqën shumë herët kundërshtimin e tyre ndaj “doktrinës socialiste sovjetike” duke bërë veprime publike të rrezikshme anti-regjim. Mazowiecki dhe Geremek kundërshtuan hapur politikat e PBPP dhe u larguan në mënyrë demonstrative prej saj mbas protestave të fuqishme kundër pushtetit komunist të vitit 1968, ndërsa Balcerowitz e braktisi PBPP në vitin 1981, në momentet e lindjes së lëvizjes Solidarnost të drejtuar nga Lech Walesa dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria e Jaruzelskit.
Balcerowicz largohet nga Polonia dhe vazhdon studimet universitare në Saint john’s university të New York-ut duke u dilomuar MBA në vitin 1974. Gjatë kësaj periudhe atashohet tërësisht me idetë dhe teoritë liberale ekonomike e politike, mbi bazën e të cilave mbron dhe një tezë doktorature. Konvertimi drejt liberalizmit erdhi pikërisht në kohën dhe momentin e duhur për trajektoren politike dhe ekonomike të Balzerowicz. Duke e jetuar vetë “eksperiencën socialiste” ai u bind se nuk ekzistonte asnjë lloj “socializmi human”, “socializmi zhvillues”, “ekonomie sociale tregu” apo “socializëm i reformuar”. Ai nënvizonte shpesh se “unë nuk njoh asnjë shembull të vetëm të një socializmi të mirë…në funksion të politikave ekonomike, financiare e sociale që ndërmerren, mund të ketë kapitalizëm më shumë apo më pak të mirë, por jam i sigurt se socializmi është gjithmonë i keq”. Vetëm kapitalizmi krijon premisat e duhura që të ndërtohet një demokraci e vërtetë, sepse pa kapitalizmin, demokracia nuk mbijeton dot.
Autorë të ndryshëm që kanë analizuar “transformimin e Balcerowitsz në një ekonomist liberal të dorës së parë” evidentojnë tre burime kryesore nga të cilat u formua dhe frymëzua : eksperienca kinezë e Ten Siao Ping në fillim të viteve 1980-të në ndërmarrjen me sukses të reformave radikale liberalizuese e zhvilluese në një vend komunist; idetë dhe politikat liberale të Kryeministres britanike Margaret Thtcher dhe Presidentit amerikan Ronald Reagan në vitet 1982-89 që u bënë simbol i liberalizmit modern, Shtetit minimal, privatizimeve masive, lirisë maksimale të tregut dhe lirisë ekonomike në tërësinë e saj; shkolla austriake e ekonomisë dhe sidomos teoritë e Friedrich Hayek; Platforma e “axhustimit strukturor” e FMN që kërkonte dhe synonte ekuilibër buxhetor, kontroll mbi borxhin publik, reduktim maksimal të tarifave doganore, bankë qendrore të pavarur nga qeveria, kontroll të inflacionit, mbështetjen e ofertës nëpërmjet taksave të ulta, hapjen e plotë ekonmike e tregtare, etj.
Një ndikim të konsidrueshëm në mendimin e Balcerowitz pati dhe “shkolla regulacioniste” me të dy degët e saj: “ordnungstheorie”, ose Ordoliberalizmi gjerman i zhvilluar nga Joseph A. Shumpeter, Walter Eucken, Wilhelm Ropke, etj, dhe “New Institutional Economic” i trajtuar nga James Bucanan, Ronald Coase, Johan M. Nelson dhe Peter Murrell. Ideja e domosdoshmërisë së transformimit të menjëhershëm të institucioneve si premisë themelore për suksesin e tranzicionit u bë “kali i betejes” së Balcerowitz në paketën e reformave të tij drejt kapitalizmit.
Tranzicion spontan apo ndërhyrje Shtetërore?
Mbas eksperiencës impresionuese të tij si ministër Financash i Polonisë në vitet 1989-‘91, Balcerowicz botoi dy libra në të cilat sintetizoi doktrinën e tij liberale dhe versionin e tij të kapitalizmit më të mirë dhe më të mundshëm për vendet ish-socialiste në tranzicion: “800 ditët. Goditja e kontrolluar” dhe “Shteti në rikonstruksion”. Sipas tij kapitalizmi ka 5 karakteristika bazë që duhen respektuar me çdo kusht: dominimin total të ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve private, konkurrenca e drejtë dhe transparente, ekonomi e hapur ndërkombëtarisht, monedhë e qëndrueshme dhe lirisht e konvertueshme, shtet i vogël dhe eficient i çliruar nga presionet e grupeve të interesit dhe sindikatat.
Balcerowitz mendonte se suprimimi i monopoleve shtetërore dhe kontrolli i tyre nga politika, liberalizimi i tregtisë së jashtme, konvertibiliteti i lirë i monedhës, ekuilibri i financave publike, Shteti minimal dhe tregu i lirë ishin kushte “të panegociushme” për të garantuar vendosjen e kapitalizmit dhe kurorëzuar me sukses tranzicionin “nga plani drejt tregut të lirë”. Sipas tij, thelbi i suksesit në “politikat e tranzicionit” qëndronte në realizimin e shpejtë dhe transparent të privatizimeve të ndërmarrjeve dhe aseteve të tjera shtetërore.
Vendet që arrinin ta realizonin “shpejt, me ide të qarta dhe me transparencën e duhur këtë proces”, hidhnin një themel të fortë për një kapitalizëm eficent. Balcerowicz nënvizonte se “sa më të gjera dhe më të shpejta të jenë reformat, aq më të mëdha dhe të pëlqyeshme do jenë rezultatet. Ky nuk është një pohim që vlen vetëm për vendet e Europës qendrore e lindore në tranzicion, por një leksion universal për çdo vend që synon zhvillim ekonomik e social”.
Sipas Balcerowitz, tranzicioni post-socialist duhej të realizohej duke iu përgjigjur njëkohësisht 4 problematikave thelbësore : aplikimi dhe administrimi i politikave stabilizuese dhe atyre të axhustimit strukturor; veprimi në kushtet e ndryshimeve të mëdha institucionale, përfshirë këtu rishpërndarjen e të drejtave të pronësisë dhe krijimin e mekanizmave të tregut; hartimin dhe aplikimin e strategjive të reja për aktivitetin e ndërmarrjeve të privatizuara si dhe një kontroll specifik për ato që mbeten akoma publike; hartimin e strategjive specifike për t’u integruar në ekonominë botërore dhe alokimi i burimeve kryesore, investimeve dhe buxheteve në këtë drejtim. Teorikisht, zgjidhja më e mirë ishte aplikimi në të njëjtën kohë, pavarësisht kostove të përkohshme ekonomike e sociale, i gjithë reformave institucionale thelbësore.
Balcerowicz përkrahu pa rezerva platformën e FMN për domosdoshmërinë e zbatimit të 6 reformave thelbësore që do garantonin suksesin e shpejtë të tranzicionit të vendeve ish-socialiste : politikë monetare shtrënguese të konkretizuar në tri drejtime bazë – thithja dhe eliminimi i tepricave monetare në qarkullim, ngritja e një banke qendrore të pavarur dhe zgjerimi i ofertës së produkteve financiare e monetare; shtimi i ofertës i reflektuar në reformimin e sistemit të çmimeve, garantimin e konkurrencës së lirë dhe decentralizimi i kompetencave në vendimmarrjen e ndërmarrjeve; politikë buxhetore rigoroze që nënkuptonte suprimimin e plotë të subvencioneve shtetërore dhe hartimin e një sistemi fiskal eficent; liberalizimi i tregut të brendshëm të kapitaleve duke krijuar bazën juridike dhe institucionale për funksionimin, kontrollin dhe transparencën e këtij tregu; liberalizimi i tregtisë jashtme duke suprimuar tërësisht monopolin shtetëror mbi të; liberalizimi i lëvizjes së kapitaleve dhe konvertimit të monedhave.
Në debatet e mprehta të asaj periudhe “origjinale dhe të panjohur e eksperimentuar më parë”, në atë që u cilësua si “laboratori i tranzicionit” mbizotëronte një pikëpyetje e madhe: çfarë roli do të luante Shteti – do t’i zbatonte vetë reformat, apo thjesht do t’i orientonte ato? Balzerowitz u vendos menjëherë në anën e “liberalëve” që mendonin se “sapo parimet e ekonomisë së tregut bëhen pjesë e ligjeve dhe institucioneve, aplikimi dhe zbatimi i tyre ndodh në mënyrë spontane pa pasur nevojë për ndërhyrje nga jashtë, sidomos nga Shteti”.
Duke menaxhuar me kujdes tensionet sociale, që lindin në periudha transformimesh të mëdha siç ishte kalimi nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë, rregullat e reja integrohen natyrshëm në ekonomi dhe shoqëri duke ndjekur logjikën sipas së cilës plotësimi i interesave individuale çon vetvetiu në pasurimin e gjithë shoqërisë, punësim të gjerë dhe rritje ekonomike të lartë. Autoriteti i Shtetit është i domosdoshëm vetëm për të garantuar të drejtat e pronës dhe zbatimin e ligjit. Në këtë kuptim, tranzicioni post-socialist nuk është gjë tjetër veçse një rikthim në një ekuilibër historik, duke braktisur absurditetet e ekonomisë së planifikuar dhe krijuar hapësirat maksimale për institucionet e tregut.
Përballë këtij qëndrimi qëndronte teoria institucionaliste ndërhyrëse sipas së cilës “vendosja e konkurrencës së lirë, pronës private, sistemit të kontratave, lirisë ekonomike, etj., nuk ishte e mjaftueshme për të realizuar një “evolucion natyror drejt nje ekonomie tregu eficente që mund të garantonte zhvillim ekonomik e social”. Autorë të ndryshëm mbronin mendimin alternativ se “tranzicioni nuk mund të realizohej spontanisht apo natyralisht por kërkonte ndërhyrjen e një agjenti apo subjekti historik të identifikueshëm dhe të fortë, rol që mund ta luante vetëm Shteti dhe institucionet e tij legjitime”.
Adoptimi i mekanizmave institucionale që bëjnë të mundur krijimin e tregjeve varet shumë nga Shteti, pasi Ai nuk është thjesht një arbitër në këtë lojë, por që me anë të aktivitetit të tij ekonomik duhet të krijojë kushtet optimale për veprimin e sektorit privat dhe gjithë ekonomisë në përgjithësi. Cila metodë duhet të triumfojë? Kjo ishte dilema kryesore e tranzicionit që i diferencoi në dy grupe ekonomistët, politikanët dhe frymëzuesit e reformave të tranzicionit.
Terapi Shock-u apo gradualizëm?
Që në fillimet e tij u duk qartë se suksesi i tranzicionit do të varej nga shpejtësia me të cilën do veprohej, kohëzgjatjen dhe cilësinë e politikave që do ndërmerreshin. Përvoja e viteve 1970-të e reformave liberalizuese “të imponuara” të zbatuara në mjaft vende të Azisë, Afrikës apo Amerikës latine i kishte përballur Institucionet ndërkombëtare dhe vetë këto vende “me pasoja traumatizuese sociale”. Përtej konsideratave me natyrë teorike, pyetjet bazë ishin: çfarë duhej pritur nga “efektet reale të tranzicionit…cilat ishin tregjet dhe institucionet që duhej të liberalizoheshin të parat…cila ishte radha e liberalizimit të tyre…duhej të liberalizoheshin të gjitha në të njëjtën kohë apo kishte ndonjë radhë institucionale…duhej ndjekur binomi liberalizim-stabilizim apo e kundërta stabilizim-liberalizim?”. I gjithë ky debat u përmblodh në dy versione të mundshme: “terapinë e shock-u apo gradualizëm?
Balcerowicz u vendos menjëherë në krahun e atyre që besonte se “periudha e braktisjes së sistemit të vjetër socialist dhe vendosja e bazave për ekonominë e tregut dhe kapitalizmin duhej të ishte sa më e shpejtë dhe e shkurtër. Terapia e shock-ut e quajtur ndryshe dhe si “dushi i ftohtë” si dhe “big bang-u” institucional ishte varianti më racional për realizimin e qëllimit final”. Ndryshimi i sistemit bëhet i pakthyeshëm sapo realizohen një sasi e caktuar reformash stabilizuese e liberalizuese.
Balcerowitz u konsiderua si “babai i terapisë së shock-ut dhe u bë simboli i asaj që u cilësua si “thatcherizmi lindor polak”. Portreti i tij reformator u fiksua në një frazë të tij tashmë të famshme: “tranzicioni duhet konsideruar si diçka e thjeshtë – gjithçka duhet bërë në të njëjtën kohë: kontrolli inflacionit, liria absolute në vendosjen e çmimeve, privatizimet e vogla e të mëdha, konvertimi i lirë i zlot-it, krijimi i bursës, etj. Nuk ka kohë për të humbur. Nëse nuk i bëjmë të gjitha këto në një çast, ne nuk do të arrijmë kurrë t’i bëjmë ato. Gjërat e ngadalta bëhen gabim dhe përfundojnë keq”.
Reformat pjesore ose të ngadalta e kanë të pamundur të transformojnë ekonominë e rëndë dhe të sklerotizuar socialiste; ekzistenca e dizekuilibrave të mëdhenj makroekonomikë kërkon ndërhyrje drastike në të gjitha drejtimet dhe në të njëjtën kohë; terapia e shock-ut krijon mundësi që të shprehet qartë vullneti politik për ndryshimin pa asnjë lëshim e kompromis të sistemit të vjetër socialist. Për vetë mënyrën dhe efektet e saj sociale, sidomos në një periudhë afat-shkurtër, aplikimi i terapisë së shock-ut kërkonte “autoritet dhe pushtet të fortë në dorën e reformatorëve”, çka bëri që kjo politikë të aplikohej në kohë dhe mënyra të ndryshme në Poloni, Rusi, Republikën Ceke, Shqipëri, etj.
Shembulli polak: “Plani Balcerowitz”
Falë Balcerowitz-it, në postin e ministrit të Ekonomisë dhe financave, në vitet 1989-‘90, Polonia u bë vendi i parë i Europës qendrore dhe lindore që zbatoi një paketë të plotë dhe të shpejtë masash drastike për të realizuar transformimin e madh drejt ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit. Kjo paketë masash dhe politikash ishte simbol i “terapisë së shock-ut” dhe hyri në historinë dhe literaturën e tranzicionit si “Plani Balcerowitz”. Në vitin 1989, inflacioni kishte arritur në nivelin 640%. Të gjithë ndërmarrjet shtetërore ishin jo-eficente dhe me teknologji të prapambetur. Pagat ishin mjaft të ulta dhe varfëria ishte prezente në shumë shtresa të popullsisë. Në treg dhe dyqane mungonin shumë nga produktet bazë ushqimore.
Dështimi i qeverisë komuniste në zgjedhjet e 4 qershorit 1989, i hoqi legjitimitetin formulave për “reformimin e socializmit” duke i hapur rrugë “kompromisit të madh Polak të tavolinës së rrumbullakët” që bëri të mundur kalimin paqësor të pushtetit në duart e demokratëve, lejimin e sindikatave,etj. Nën drejtimin e Zv/presidentit dhe ministrit të Financave Leszek Balceroëitz, në shtator 1989 u krijua një “Komision special për reformat” në të cilin merrnin pjesë dhe figura të shquara si Xhorxh Soros, Jeffrey Sacs, Stanislav Gomulka, etj. Komisioni përgatiti një plan special reformash që do ta çonin “në mënyrë të rrufeshme Poloninë” drejt ekonomisë së tregut të lirë të ngjashme me atë të vendeve perëndimore kapitaliste.
“Terapia e Shock-t” u prezantua në 6 tetor 1989 dhe përbëhej nga 11 ligje thelbësore që do ndryshonin në mënyrë të menjëhershme sistemin: ligji mbi “ekonominë financiare të shoqërive shtetërore” që krijonte mundësinë që ato të deklaronin lirisht falimentimin duke i dhënë fund ekzistencës fiktive të tyre; ligji mbi “të drejtën bankare” që ndalonte Bankën Qendrore të financonte deficitin buxhetor dhe emetonte monedha jashtë programit monetar; ligji “mbi përqindjet e kredisë” që eliminonte avantazhet e shoqërive shtetërore në aksesin dhe interesat e kredive; ligji “mbi taksimin e pagave të larta dhe shpërblimeve suplementare” që frenonte rritjen pa kriter të pagave në sektorin shtetëror; ligji “mbi rregullat e reja të taksave” që vendoste një sistem unik taksash dhe eliminonte çdo diferencim për ndërmarrjet shtetërore; ligji “mbi aktivitetin ekonomik të investitorëve të huaj” që favorizonte investimet e huaja në Poloni duke lejuar dhe transferimin e fitimeve të tyre; ligji “mbi monedhat e huaja dhe këmbimin e lirë të tyre në treg” që e bënte monedhën polake të konvertueshme lirisht në treg; ligji “Mbi tregtinë e jashtme” që hiqte çdo monopol shtetëror mbi tregtinë; ligji “Mbi legjislacionin doganor” që krijonte një tarifë unike për gjithë ndërmarrjet; ligji “mbi punësimin” që rregullonte marrëdhëniet e punës; ligji “Mbi pushimin nga puna” që saktësonte të drejtat dhe detyrimet e punonjësit dhe ndërmarrjes.
Shembulli i Polonisë u ndoq pjesërisht edhe nga vende të tjera të ish-bllokut komunist sovjetik si Rusia, Ukraina, Bullgaria, Shqipëria, Rumania. Qeveria ruse mori si këshilltar kryesor të reformave të saj pikërisht Balceroëitz-in dhe një pjesë të bashkëpunëtorëve të tij. Por ekspertë ndërkombëtarë si Jeffrey Sachs apo Joseph Stiglitz mendojnë se “Polonia u tregua më inteligjente se vendet e tjera të lindjes në aplikimin e terapisë së shock-ut, pasi i zbuti, i modifikoi apo i ndërpreu ato në kohën e duhur, duke i kombinuar reformat e saj me eksperiencën e Hungarisë dhe Cekosllovakisë që vlerësuan dhe metodën gradualiste në realizimin e tranzicionit, ndërkohë që mjaft vende të tjera e humbën fillin në kalendarin, thellësinë, rigorozitetin, cilësinë dhe radhën e reformave të terapisë së shock-ut duke u përballur me tronditje të mëdha ekonomike, politike e sociale. Shqipëria paraqitet si një nga rastet tipike në këtë drejtim, që në pamundësi që të realizonte mirë ose terapinë e shock-ut ose gradualizmin, prodhoi një miks të paqartë reformash duke u karakterizuar si vendi që aplikoi strategjinë “stop and go”, ec e ndalo me kriza dhe periudha pozitive që alternoheshin me njëra-tjetrën.
Efektet pozitive dhe negative të “terapisë së shock-ut”
Për vetë kompleksitetin dhe “natyrën eksperimentale” të tyre, pasi deri në këto momente nuk ekzistonte asnjë teori apo praktikë ekonomike e konsoliduar dhe provuar për tranzicionin “mbrapa ktheu” apo “tranzicionin që duhet të ribënte vezën nisur nga omeleta dhe jo e kundërta që ishte diçka e zakonshme”, reformat e terapisë së shock-ut iu nënshtruan një gjykimi rigoroz për efektet dhe vlerat e tyre, aq më tepër që përballë qëndronte varianti alternativ i “gradualizmit” i ndjekur nga disa vende të tjera në tranzicion.
Eksperienca e strategjive të shock-ut në Kili në vitet 1975 dhe vendeve të tjera të Azisë apo Amerikës latine si Bolivi, Argjentinë, Peru, etj, në vitet 1980-të kishte treguar se “suksesi i radikalizmit kushtëzohej nga një farë neutralizimi të institucioneve parlamentare duke i zëvendësuar ato me dekrete Presidenciale apo ndryshime kushtetuese të dhunshme. Kjo eksperiencë përbënte një nga pikëpyetjet e mëdha për mënyrën se si do ta realizonin vendet e lindjes tranzicionin e tyre post-komunist. Rusia e Presidentit Eltsin ndoqi pak a shumë modelin latino-amerikan.
Në Poloni “terapia e shock-ut” u aprovua nga Parlamenti, por vetëm një vit mbas fillimit të saj, Parlamenti, i trembur nga efektet e para jo-pozitive të reformave kërkoi “zbutjen e programit radikal”, por Balcerowitz dhe ekipi i tij nuk e pranuan një kërkesë të tillë duke dhënë dorëheqjen nga postet e tyre në fund të vitit 1991. Eksperienca më e suksesshme rezultoi ajo Ceke që vlerësonte se “rrugët për të zbatuar terapinë e shock-ut ishin më shumë se një e vetme, se reformat ekonomike e sociale radikale mund të zbatoheshin duke qënë në unison me demokracinë parlamentare. Strategjia “social-liberale” ishte instrumenti më eficent, sepse në vendet ish-komuniste, përqendrimi i pushteteve shkaktonte ndjeshmëri të madhe sociale pasi përceptohej si kthim prapa, ndërkohë që pushtetet e përqendruara rrezikoheshin në çdo moment nga korrupsioni, informaliteti, klientelizmi, kapja e Shtetit nga grupe mafioze e monopoliste, etj.
Ndikimi pozitiv i reformave të frymëzuara nga Balcerowitz mund të përmblidhet në disa elemente: kufizoi shumë rolin dhe ndërhyrjen e Shtetit në ekonomi, krijoi mundësi për liberalizimin e menjëhershëm të çmimeve dhe veprimin e lirë të ligjit të kërkesë-ofertës në treg, eliminoi menjëherë subvencionet parazitare shtetërore, përgjysmoi shumë shpejt borxhin e brendshëm dhe deficitin buxhetor, dha sinjale pozitive për ardhjen e një fluksi të madh investimesh të huaja, inflacioni u vu nën kontroll dhe filloi të ulej gradualisht, u krijuan me mijëra ndërmarrje të reja private dhe u hapën mbi 1.5 milionë vende të reja pune, u ekuilibruan në mënyrë spetakolare bilanci tregtar dhe bilanci i pagesave, buxheti i shtetit rezultoi për herë të parë me një suficit primar prej 0.7%.
Efektet negative të terapisë së shock-ut, sidomos në periudhën afat-shkurtër 1990-92, u shfaqën në falimentimet masive të ndërmarrjeve publike, humbjen e shumë vendeve të punës në sektorin shtetëror, pagat reale ranë me 20% në vitet e para të reformave dhe konsumi u reduktua me 15%, rritje të dobët ekonomike në 2-3 vitet e para, vështirësi të jashtëzakonshme në zonat rurale për t’u përshtatur me sistemin e ri dhe privatizimin e fermave shtetërore, ekzistencën e një boshllëku dhe ineficence në skemat e mbrotjes sociale, rritjen e madhe të çmimeve për disa nga produktet bazë ushqimore, etj.
Ja si i përshkruan Jeffrey Sacs vlerat dhe rolin Balcerowitz në procesin e reformave radikale në një shkrim të tij të titulluar “Çfarë bëra unë në Poloni dhe Rusi”: në 24 gusht 1989, gjatë takimit me Kryeministrin Tadeusz Mazowiescki, i sugjerova nevojën për adoptimin e reformave të shpejta dhe të vendosura. M’u përgjigj duke thënë se ishte në kërkim të Ludwig Erhardit të tij, duke iu referuar arkitektit të reformave të ashpra ekonomike në Gjermaninë e pas-luftës së II-të botërore. Dhe e gjeti Ludwig Erhardin polak tek Leszek Balcerowitz, ministri i Financave që shumë shpejt u bë simboli i reformave radikale në Poloni…..brenda 4-5 muajve u përgatit një program reformash radikale…që megjithë hezitimin, frikën, debatet intelektuale dhe politike, dha rezultate të shpejta dhe pozitive…mbas një periudhe të vështirë fillestare, duke filluar nga viti 1992, Polonia u bë një nga vendet më dinamike të Europës qendrore dhe Lindore, dhe disa vite më vonë u bë ekonomia me rritjen ekonomike më të shpejtë edhe duke u krahasuar me vendet e Europës Perëndimore.
Rezultatet dhe performanca e Polonisë nuk kishte të krahasuar me asnjë nga ekonomitë e tjera të vendeve në tranzicion”.