Ekonomia, primitivizëm në kohët moderne…
Editorial i Monitor, 5 prill 2016
Që mjedisi ekonomik në Shqipëri duket i shterur, kjo po duket. Por kur këtë e pohojnë edhe bankat, atëherë gjërat janë më keq se kaq, pasi ato kanë aftësinë më të madhe se çdokush për të perceptuar atë që do të ndodhë nesër.
Duke pyetur bankat dhe duke analizuar treguesit e sistemit bankar financiar, Revista Monitor në këtë numër special të saj vëren se megjithëse bankat shitën gjatë vitit të kaluar shumë pak produktin e tyre bazë, kredinë, performanca e tyre financiare është e mirë dhe e stabilizuar. Shoqata e Bankave thotë se në 2015 u arrit një fitim i rritur 150%, krahasuar me një vit më parë, ndonëse i përqendruar në në pak banka. Duket si paradoks, por që ka një shpjegim. Rritja e fitimeve ishte më shumë një baticë nga ulja më e shpejtë e interesave të depozitave, në raport me ato të kredive, për shkak të maturitetit më afatshkurtër të depozitave, por që mund të kthehet në zbaticë në periudhën në vijim, kur kjo diferencë të ngushtohet.
Gjithsesi, ky rezultat dhe disa të tjerë që lidhen me bilancet e drejtpërdrejta tregojnë se bankat kanë aftësi të menaxhojnë mjaft mirë atë çka ndodh brenda tyre, porse partnerët e tyre jashtë këtij mjedisi nuk janë të gatshëm e në disa raste edhe të pabesueshëm, duke krijuar një situatë dorëzimi përballë faktit.
Bankierët rendisin disa faktorë të jashtëm frenues, siç janë kërkesa e ulët konsumatore, madje shpesh e goditur nga politikat fiskale të çuditshme dhe aksionet ad hoc, kundër informalitetit, të keqorientuar. Publiku është ende konservator në besimin e tij për pritshmëritë ekonomike. Niveli i investimeve publike dhe gabimet në planifikim nga qeveria, por edhe investimet private nën kapacitet dhe aftësia e ulët paguese e konsumatorëve (prej tre vjetësh, nuk ka pasur asnjë rritje pagash dhe pensionesh të mbështetur nga buxheti) janë disa faktorë që po shterojnë aftësinë e ekonomisë e në veçanti të bankave për t’u ringritur. Por nevoja për më shumë likuiditet dhe një situatë deflacioni duket se kanë prodhuar një paradoks tjetër aq se duket se bankat po refuzojnë paratë, sepse megjithëse patën rritjen më të vogël historike, ato nuk kanë mundur ta shesin kapitalin e akumuluar. Kudo duket sikur ka pak shtigje. Por ndonëse bankat duhet ende të ballafaqohen me një situatë të re në tregun e tyre që vjen prej kredive me probleme dhe uljes së normave të interesit, ato duhet të vuajnë edhe mjedisin e jashtëm. Këta faktorë kanë arritur të zhvendosin peshën e risqeve nga ana e tyre, duke harxhuar energjinë dhe vëmendjen e bankave nga problemet e tyre. Por fatkeqësisht, kjo nuk është beteja e bankave, megjithëse ato nuk i kanë bërë bisht, por kanë mbetur vetëm. Ato mund të akumulojnë sërish fitim edhe këtë vit, por publiku dhe ekonomia nuk mund t’i gëzohen një aseti kaq të çmuar, sepse po përdoret fare pak. Sepse është tjetërkush që po vlerëson këtë aset. Mjedisi shqiptar është i kufizuar nga idetë. Ristrukturimi i ekonomisë, përmes kalimit nga një sektor i shterur drejt një tjetri, po bëhet i ngadaltë dhe nuk është inspirues, sepse të gjithë ata aktorë që kanë në dorë ta bëjnë sa më mikpritës këtë mjedis të tyre, nuk kanë ide. Një shembull është paaftësia e Shqipërisë për të tërhequr investime të mbështetura nga BE, krahasuar me fqinjët, vetëm 2 nga 11 gjithsej që mund të përfitojë Ballkani nga Samiti i Parisit.
Nuk ka bankier që nuk krediton një projekt të mirë. Por sot në Shqipëri nuk ka projekte të mira, sepse nuk ka ide dhe politika të mira. Ndaj sot duket se bankat duken aq të pafuqishme sa të tërheqin ekonominë pas, por ndodh e kundërta, ekonomia e dobët po i tërheq ato në një fushë ku kanë shteruar burimet. Por një ekonomi pa banka ndodh të jetë vetëm në shoqëritë primitive. Është ky primitivizëm që nuk prodhon ide, ndaj ka dhe ka shumë paradokse dhe kaq pak besim.