Të riparosh motorin e rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim

Nga Lee Jong-Wha , botuar në Reporter.al, 31 mars 2016

Scientific_RealEstate

Ekonomitë në zhvillim në mbarë botën duket se po humbasin dinamizmin e tyre. Vende që vetëm pak vite më parë lavdëroheshin për qëndrueshmërinë e tyre përballë krizave ekonomike botërore tashmë po përballen me një mori sfidash, gjë që është reflektuar në një ritëm rritjeje shumë më të ngadaltë. A po përballemi me shkatërrimin e motorit të rritjes së ekonomive në zhvillim?

Nga viti 2000 deri më 2007, rritja ekonomike në ekonomitë në zhvillim dhe në ngritje qe mesatarisht 6.5 për qind në vit. Ajo që qe më mbresëlënëse, nga viti 2008 deri më 2010, kur ekonomitë e zhvilluara qenë në recesion ose duke vuajtur një rimëkëmbje të dobët, ekonomitë në zhvillim ia dolën gjithsesi të ruajnë një ritëm rritjeje prej 5.5 për qind. Në fakt, në fund të kësaj periudhe, rritja ekonomike mesatare qe plot 7.5 për qind.

Por pas kësaj, rritja filloi të ngadalësohej dhe ritmi vjetor ra në 4 për qind më 2015. Edhe Kina, ekonomia më e madhe dhe më dinamike në zhvillim, shënoi normën e vet më të ulët të rritjes që nga viti 1990 me 6.9 për qind vitin e kaluar dhe ngadalësimi pritet të jetë më i fortë këtë vit. Shumë tashmë argumentojnë se ekonomitë në zhvillim janë duke hyrë në një situatë ku rritja më e ngadaltë se sa në të shkuarën po konsiderohet si “normalja e re”, dhe ditët kur ato qenë udhëheqësit e rritjes ekonomike botërore mund të konsiderohen të përfunduara.

Pavarësisht vuajtjeve të tyre aktuale, mund të jetë e nxituar të konsiderosh si të mbaruara ekonomitë në zhvillim. Sa për fillim, edhe nëse normat e rritjes së këtyre vendeve nuk do të kthehen në nivelin para krizës, kontributi i tyre te ekonomia botërore do të vijojë të mbetet domethënës, duke parë se pjesa e tyre në prodhimin botëror bruto e matur sipas fuqisë blerëse është rritur në mënyrë domethënëse, nga 43 për qind në vitin 2000 në 58 për qind në vitin 2015.

Por ekonomitë në zhvillim kanë shumë më tepër gjëra për të ofruar. Me politikat e duhura, ata mund të shfrytëzojnë potencialin për rritje që vijon të mos jetë i shfrytëzuar dhe të vijojnë progresin e tyre drejt konvergjencës me nivelet e të ardhurave të ekonomive të zhvilluara. Çelësi në përcaktimin se çfarë politikash duhet të ndiqen është para së gjithash të kuptuarit se pse rritja është ngadalësuar.

E para, ekonomitë në zhvillim u goditën nga sfida të jashtme, përfshirë dobësimin e ekonomisë botërore, çmimet e ulëta të lëndëve të para dhe kushtet e shtrënguara financiare. Tregtia botërore e mallrave u ngadalësua në mënyrë domethënëse përgjatë katër viteve të fundit; në gjysmën e parë të vitit 2015, ajo pësoi rënie për herë të parë që nga viti 2009. Çmimet e naftës dhe metaleve kanë rënë më shumë se 50 për qind në krahasim me kulmin e tyre në vitin 2011.

Për më tepër, ndryshimi i drejtimit të politikës monetare nga Rezervat Federale të SHBA-së, gjë që nënkupton një rritje të vonuar gjatë të normave të interesit, të kombinuara me politikat e normave të interesit negativ nga ana e Bankës së Japonisë dhe Bankës Qendrore Europiane, gjë që ka shkaktuar fluktuacione në tregjet financiare dhe ka lënë ekonomitë në zhvillim të prekura nga fluturimi i kapitalit. Këto faktorë të jashtëm mund të jenë ciklikë, por mbetet për t’u parë se sa shpejt do të kalojë ky problem.

Ngadalësimi i kohëve të fundit të ekonomive në zhvillim është gjithashtu rezultat i faktorëve strukturorë. Kur filloi historia e rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim, diferenca mes të ardhurave për frymë në atë kohë dhe potencialit të tyre afatgjatë qe aq e madhe sa mundësitë për akumulim të shpejtë të kapitalit dhe rritjes së fuqishme të produktivitetit përmes investimeve në teknologji qe e madhe.

Por pas shumë vitesh investimesh në shkallë të gjerë – të cilat, veçanërisht në Kinë, krijuan kapacitete të tepërta dhe keqvendosje burimesh – akumulimi kapital është ngadalësuar. Ndërkohë, ndërsa vendet lëvizin më afër limiteve të mundshme të teknologjisë, imitimi dhe adaptimi i teknologjive të të tjerëve duhet të zëvendësohet nga inovacionet e vetë këtyre vendeve – kjo nuk është kurrsesi një arrithe e lehtë për shkak se kapacitetet për novacione mungojnë. Pra, çfarë mund të bëjnë ekonomitë në zhvillim për të përmirësuar perspektivat e tyre? Përmes një miksi politikash të caktuara, të cilat varen nga lloji i ekonomisë, disa prioritete janë të qarta.

Për një gjë, vendet duhet të fuqizojnë rezistencën e tyre ndaj tronditjeve negative nga jashtë, përfshirë rezistencën që duhet të krijohet përmes forcimit të vetë sistemeve të tyre financiare. Për të reduktuar vulnerabilitetet e tyre ndaj luhatshmërisë së flukseve kapitale, ata duhet të promovojnë politikat e kurseve të lira të këmbimit valutor, të akumulojnë rezerva ndërkombëtare në nivele të përshtatshme dhe të vendosin kontrolle kapitale të mirëkonceptuara.

Ekonomitë në zhvillim që varen me tepri ndaj eksportet duhet të ribalancojnë burimet e tyre të rritjes drejt kërkesës së brendshme. Investimet në infrastrukturë publike, një përmirësim në klimën e investimeve dhe rrjete të mbrojtjes sociale të cilat mund të ndihmojnë investimin nga sektori privat e njëkohësisht, konsumin nga familjet.

Prioritet më i madh duhet t’i jepet gjithashtu politikave strukturore nga ana e ofertës për të shënjestruar rritjen e produktivitetit. E para, për të fuzizuar kapitalin njerëzor, ekonomitë në zhvillim duhet të plotësojnë progresin në arritjet në arsim me përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e shkollës, veçanërisht në nivelet e shkollës së mesme dhe të lartë. Atje ku është e nevojshme, sistemet arsimore duhet të reformohen për të plotësuar kërkesën gjithnjë të ndryshueshme të industrisë dhe kërkesat për aftësi.

E dyta, ngushticat strukturore kanë nevojë për trajtim urgjent, përmes thjeshtëzimit të rregullave si dhe reformave për të promovuar konkurrueshmërinë në tregjet e produkteve si dhe për të rritur fleksibilitetin dhe efikasitetin e tregjeve faktorale për punën, financën dhe tokën. Ekonomitë në zhvillim duhet t’i ulin barrierat për hyrje në treg, të mbështesin operacionet e biznesit dhe të rrisin aksesin në financë. Pengesat për tregti dhe investime të huaja të drejtpërdrejta duhet të hiqen gjithashtu.

Në fund, ekonomitë në zhvillim duhet të punojnë për të fuqizuar institucionet e tyre. Siç qëndrojnë punët aktualisht, korrupsioni – lehtësuar nga mjedise rregullatorë komplekse dhe të ngarkuara, regjime fiskale inefikase si dhe sisteme juridike të dobëta të paafta për të mbrojtur investirorët dhe të drejtat e pronësisë – është i gjithëpërhapur në shumë ekonomi në zhvillim, gjë që pengon rritjen e qëndrueshme. Përmirësimi i qeverisjes dhe forcimi i sundimit të ligjit janë thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe rritjen afatgjatë të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Motori i rritjes së ekonomive në zhvillim nuk është shkatërruar; ai ka thjeshtë nevojë për remont. Me politikat e duhura dhe reforma strukturore, ekonomitë në zhvillim mund të rikapin dinamizmin e tyre dhe të lëvizin drejt një rritjeje edhe më të fuqishme – duke marrë të gjithë ekonominë botërore me vete.

*Lee Jong-Wha është Profesor i Ekonomiksit dhe Drejtor i Institutit të Kërkimit Aziatik në Universitetin e Koresë. Ai ka shërbyer si kryeekonomist dhe kreu i Zyrë për Integrim Ekonomik Rajonal në Bankën e Azisë për Zhvillim dhe qe këshilltar i lartë për çështje ekonomike ndërkombëtare për ish presidentin e Koresë së Jugut Lee Myung-bak.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi