Ekonomia e një qeverisjeje somnambul

Sipas Monitor, editorial, 29 mars 2016

qeveria-1024x682

Ishte shumë e trishtueshme të dëgjoje qeverinë përmes fjalëve të ish-ministrit të Financave Cani, kur justifikohej për rënien e të ardhurave në buxhet me pamundësinë e aftësive “biblike” për të parashikuar rënien e çmimit të naftës, mineraleve dhe disa mallrave të konsumit bazë në tregjet ndërkombëtare, të cilat prodhuan efekt zinxhir negativ, që po reflektohet përmes mbylljes së disa kompanive më të mëdha strategjike, rënies së eksporteve dhe inflacionit të ulët.

Duket qartë se, është një tentativë për të krijuar një alibi se ajo çfarë po ndodh me ekonominë është jashtë mundësive të qeverisë dhe jashtë sjelljeve racionale të tregjeve dhe që për të parashikuar këtë duhet aftësi paranormale.

Do të ishte “i bukur” artistikisht si argument nëse do të ishte kështu. Por, gjithë kjo sjellje politike ndaj ekonomisë në fillim tingëllon si dorëzim. Dhe për këtë, ka fakte. Kompanitë kryesore të naftës dhe industrisë minerare, eksportuesit më të mëdhenj, po kërkojnë falimentimin, por kjo nuk ndodh në një ditë. Pika e rënies është shfaqur më parë, por është lënë të ndodhë. Në brendësi të revistës ‘Monitor’ janë shpjeguar qartë shkaqet të cilat tregojnë se falimenti mund të jetë i pashmangshëm për shkaqe se si janë menaxhuar kompanitë por, ajo që i intereson publikut dhe duhet të shqetësojë edhe qeverinë, është lidhja e fortë, kaq e ngushtë dhe e vetmja që ekziston, mes fatit të këtyre kompanive dhe së ardhmes së ekonomisë. Qeveria këtu ka qenë e papërgatitur, sepse kur nuk ka pasur një plan të dytë dhe se pak ka punuar që të difersifikojë risqet duke krijuar burime të tjera alternative ku të mbështesë zhvillimin sa më të sigurt. Shikoni ecurinë e rritjes ekonomike. Ajo gjithnjë është diktuar nga rrethanat, por asnjëherë nuk ka qenë e sigurt. FMN tha se këtë vit, rritja do të jetë 3.4 për qind dhe do të ndodhë më shumë për shkak të investimeve që do të bëhen nga ndërtimi i naftësjellësit Trans Adriatik (TAP). Kjo është të fshihesh pas gishti, sepse jo vetëm që kjo rritje nuk ndikon as në një punësim të dukshëm dhe as në një rritje reale të të ardhurave të individit, por është e lidhur vetëm me një ngjarje, e cila nuk përsëritet çdo vit. Ekonomisë ende i mungojnë burimet e qëndrueshme, sepse i mungojnë ende reformat, të cilat kërkojnë vizion dhe jo aftësi paranormale siç pretendon qeveria. Shqipëria dhe qeverisja e saj ende nuk japin garanci, ndaj fati i ekonomisë së saj është i rastësishëm, prandaj dhe kur gjërat e mira ndodhin, liderët fillojnë e shfaqen si Mesia. Në fakt, ata janë Juda, sepse prej kohësh e kanë tradhtuar ekonominë, e cila ecën përtej kontributit që mund të japë një qeverisje e mirë. Këtë e tregojnë të dhënat e shpeshta statistikore si në punësim, në rritjen e të ardhurave buxhetore, indeksi i besimit, kredia, etj., kurbat e të cilave kanë luhatshmëri të lartë pasi gjithnjë diktohen nga faktorë të rastësishëm, koniunkturalë, por jo faktorë që lindin nga një sistem i qëndrueshëm dhe pozitivë.

Kjo qeverisje ka projektuar bujqësinë si një burim potencial i ri dhe i qëndrueshëm i rritjes ekonomike duke i vënë në dispozicion një thes me para në formë subvencioni. Por, përveçse ky subvencion është orientuar mbi skema të mëparshme të dështuara edhe në tregjet europiane, ai nuk zgjidh problemin kryesor, fragmentarizimin e tokës bujqësore, sepse ende nuk po dëshmohet vullnet dhe aftësi qeverisje për të bërë reformën e titujve të pronësisë, çka dhe FMN e përmendi edhe këtë herë si nevojë urgjente. Dhe paaftësia projektuese është problemi i dytë, se ndryshe nuk shpjegohen dështimet e Shqipërisë në tregun ballkanik për të tërhequr jo vetëm investitorë të huaj, por edhe projekt të financuar nga europianët, në infrastrukturë, transport, energjetikë etj.

Ka pasur shprehje publike për nevojën e një profili të ri dhe bumeve të reja të rritjes ekonomike, por edhe ato, ashtu si ekonomia, janë shfaqur rastësisht, nuk janë kthyer në një normë qeverisjeje, por kanë mbetur si zëra në shkretëtirë. Ekonomia vijon të ecë në gjendje të lirë, duke shpenzuar shumë kohë dhe kapital të pajustifikuar. Kjo e ka një shpjegim. Qeverisjeve u leverdis të hiqen si Mesia, ndaj dhe ju duhen vetëm fitoret e rralla dhe të papritura, siç ju leverdis të shfaqen si njerëz normalë e jo paranormalë, sepse mund t’ju falen gabimet edhe kur kanë dështime. Por gjithë këto pasiguri e ngjarje të rastësishme, qoftë edhe pozitive, i kanë lodhur njerëzit ndaj ekonomia dhe sipërmarrja nuk mund të ecë e vetme dhe e përgjumur, për shumë kohë, ashtu si një somnambul. Publiku nuk kërkon dishepuj, por qeverisje që prodhon mjedis e rezultate të sigurta.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi