Rrëshqitja në autoritarizëm e demokracisë së dobët

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 25 mars 2016

rexhep_meidani_1682-473x266Një shtet i dobët, me ndonjë përjashtim të rrallë kohëshkurtër, nuk mund të jetë një shtet realisht demokratik. Por, e kundërta nuk është patjetër e vërtetë. Një shtet gjoja i fortë, në kuptimin e komandimit, centralizimit e dhunës qeverisëse, mund të mos jetë fare demokratik. Një shtet i tillë rrëshqet lehtë në shtypje e dhunë, në humbje lirie, deri në autokraci e diktaturë, siç ndodhi me shtetin shqiptar në periudhën e komunizmit.

Ndërsa, një shtet me një demokraci të fuqishme e kapilare, me depërtim në të gjitha qelizat e shtetit e shoqërisë, është edhe një shtet realisht i fortë, si në rastin e SHBA-ve apo në vende të tjera perëndimore. E solla këtu këtë meditim, thjesht si kundërvënie ndaj prirjes së sotme për “qeverisje të fortë” në Shqipëri (të shpalosur edhe në kongresin e PS-së!), apo në disa vende të tjera, përfshirë vende anëtare e kandidate të BE-së (si Hungaria, Polonia, Turqia, Maqedonia, etj.).

Aty është justifikuar autoritarizmi (si autokraci e instaluar apo si autokraci në zhvillim) me nevojën e ndërtimit të një shteti të fortë (edhe pse lulëzon apo inkurajohet aty korrupsioni politik, qeveritar e administrativ). Me një përkujdesje të veçantë duhen parë dhe përpjekjet e deformimet në mekanizmat e sigurisë, përfshirja e tyre me një “veshje” antiterroriste në çdo aspekt qeverisës.

Sidoqoftë, për t’ia lejuar lexuesit analizën mbi realitetin e sotëm shqiptar dhe atë të afërt; në radhët e mëposhtme po renditen disa zhvillime të fundit në Turqi, të shfaqura në Shqipërinë e fillimeve të tranzicionit, por që ndeshen edhe sot, në raport me lirinë dhe të drejtat e njeriut, vetë konceptimin demokratik në drejtimin politik e qeverisje.

VENDOSJA NËN NJË KONTROLL QEVERITAR

Para pak ditësh, prokurorët turq ngritën akuza ndaj një gazete opozitare, ndër më të lexuarat në Turqi, të quajtur “Koha” (në turqisht “Zaman”), si dhe filialeve të saj, me pretendimin që ato po bashkëpunonin me një “organizatë terroriste”, të drejtuar nga kleriku turk Fethullah Gulen (të ndodhur në azil në SHBA). Pas një ndërhyrjeje të egër të policisë dhe një vendimi të sforcuar të gjykatës, gazeta kaloi në duar të tjera (qeveritare) menaxhimi! Kjo u shfaq menjëherë me adoptimin e një linje të ndryshuar në mënyrë drastike.

(Ajo, brenda natës, nga një gazetë opozitare u bë një gazetë qeveritare). U konfiskua dhe varianti anglisht i saj: “Today’s Zaman” (“Koha Sot”). Me gjithë kritikën e zyrtarëve europianë për një sulm të tillë mbi këtë media opozitare, qeveria turke vazhdoi goditjen e saj duke raportuar edhe marrjen nën kontroll të agjencisë private të lajmeve “Cihan” (pers. “univers”). Në mënyrë të veçantë, agjencia Cihan (Xhihan) ka pasur rol aktiv e monitorues në tri zgjedhjet e fundit në Turqi, deri duke demaskuar mjaft manipulime në procesin zgjedhor.

Pra, ajo ka edhe një kontribut të dukshëm në ekspozimin e deformimeve zgjedhore, në realizimin e zgjedhjeve të drejta e të ndershme, përfshirë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, një agjenci e tillë konsiderohet si ndër më të fuqishmet në mjedisin turk, duke mbuluar me informacion e lajme gati 80% të gazetave dhe afro 55% të televizioneve turke, por dhe duke bashkëvepruar gjerësisht me median lokale dhe mbi 100 kanale të huaja televizive.

POR, PSE KJO GODITJE?

Presidenti Erdogan e ka akuzuar, më 2013- n, Gulen-in dhe bashkëpunëtorët e tij për organizimin e një komploti kundër qeverisë. Bëhej fjalë në atë kohë për investigimin e korrupsionit të familjes së Erdoganit dhe të disa ministrave të tij. Sipas Erdogan, Gulen kishte komplotuar kundër tij. Ai akuzohej se kishte ndërtuar një rrjet mbështetësish e bashkëpunëtorësh në struktura të Gjyqësorit, Policisë e medias, me synime antiqeveritare e terroriste (!).

Në përpjekjet intensive për të shkatërruar këtë rrjet gulenist, kohët e fundit, u bënë gjithnjë e më të shpeshta daljet në pension në struktura të tilla, largimi deri arrestimi i mjaft zyrtarëve: oficerëve të policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pra, Gulen, si kundërshtar i paepur i Presidentit Rexhep Erdogan (më parë aleat i ngushtë i tij), jo vetëm dyshohet, por dhe konsiderohet zemra e komplotit kundër qeverisë turke. Pikërisht, me një “paranojë” të tillë, gjithçka e konsideruar nën një ndikim gulenist është futur nën survejim, investigim e goditjeje të gjithanshme.

Pikërisht, këtë fat patën dhe Zaman, Today’s Zaman dhe agjencia Cihan, pjesë të kompanisë mediatike “Feza Gazetecilik”, të vendosura, ditët e fundit, nën administrim qeveritar. Si reagim ndaj kësaj ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë, nisi, në Gjermani, dalja e kësaj gazete, ku në botimin e parë shpalosej titulli “Kushtetuta u hodh poshtë”, në kontrast me variantin (qeveritar) në Turqi, që, nën këtë administrim të ri, vetëm thurte lëvdata mbi Erdoganin, Presidencën dhe qeverisjen e tij…

NJË REAGIM I ZBEHTË NËN TRYSNINË E KRIZËS SË EMIGRANTËVE

Kjo goditje qeveritare mbi median e pavarur krijoi një alarm ndërkombëtar për lirinë e shtypit. Ajo u dënua nga grupet e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe disa politikanë europianë. Kundër kë- tyre veprimeve të njëpasnjëshme ndaj medias së pavarur reagoi edhe Departamenti i Shtetit. Sidoqoftë, në kushte dobësie të politikës europiane mbi emigracionin, kjo kritikë gjeti vesh të shurdhër në një pjesë të udhëheqjes apo në strukturat e BE-së, veçanërisht me hapjen e negociatave me Turqinë për trajtimin e emigrantëve drejt Europës. Megjithatë, nuk munguan reagimet.

Një ndër ta, që reaguan publikisht, ishte Presidenti Fransua Holland, sipas të cilit “shtypi duhet të jetë i lirë kudo, përfshirë dhe Turqinë, në çdo pjesë të saj”; madje, sipas tij, bashkëveprimi i BE-së me Turqinë “nuk nënkupton se mund të pranohet çdo gjë që bën Turqia”. Edhe për Kryeministrin e Belgjikës apo atë të Luksemburgut liria e medias është “e pacenueshme, e paprekshme”, madje, sipas këtij të fundit, për shkak të krizës së emigrantëve, “ne nuk mund të hedhim nga dritarja vlera të tilla si liria e shtypit”…Duke kundërreaguar Erdogan, midis të tjerash, thekson se: “Media nuk mund dhe nuk duhet të ketë liri të pakufizuar; madje, asnjë vend në botë nuk ka një liri absolute për median”.

Aq më tepër që, në rastin e më- sipërm, nuk bëhej fjalë për “çështje lirie shprehjeje, por për një veprimtari apo punë spiunazhi”!

A MUND TË QUHET KY “GRUSHT SHTETI NDAJ NJË QEVERIE TË ZGJEDHUR”?!

Në të vërtetë, Turqia, pasi negocioi me sukses një paketë europiane prej disa miliarda eurosh në trajtimin e krizës së refugjatëve, si dhe siguroi premtimin e liberalizimit të vizave të qytetarëve turq për hapësirën “Shengen”, nuk hezitoi për asnjë sekondë të mbrojë haptazi veprimet e saj. Madje, ajo u përgjigj flakë për flakë ndaj çdo kritike e akuze.

Sipas udhëheqjes turke, ajo kishte të drejtë të ndërmerrte veprime legale kundër gazetarëve të saj; apo ndaj kujtdo që “merr pjesë në një tentativë të qartë grushti shteti, qoftë ai me natyrë ekonomike e mediatike kundër një qeverie të zgjedhur”, Pikërisht, kjo ishte dhe përgjigjja e Kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, për këtë sulm qeveritar ndaj medias së pavarur…

LIRIMI I DY GAZETARËVE DHE KËRCËNIMI NDAJ GJYKATËS KUSHTETUESE

Rasti i dy gazetarëve, që u konsideruan si të burgosur padrejtësisht, dhe u liruan nga burgu pas akuzave për spiunazh, provokuan zemërimin e Presidentit. Në të vërtetë, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi joligjore burgosjen dhe një dhunim të të drejtave të tyre. Por, pas këtij vendimi, me këtë rast, Erdogan tha se kjo “nuk ka të bëjë fare me lirinë e shtypit”, dhe më tej shtoi se nuk mund ta pranonte “një vendim të tillë të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”.

Midis të tjerash, ai theksoi prerë: “Le të jem i qartë për këtë, unë nuk jam dakord me këtë vendim dhe unë nuk e respektoj atë”. Në një mënyrë apo në tjetrën, një pohim i tillë ishte një kërcënim i tërthortë për ekzistencën e kësaj gjykate. Sepse, sipas tij, këta gazetarë po ndihmonin një organizatë terroriste dhe po publikonin materiale që preknin rëndë sigurinë shtetërore. Por, nga ky kërcënim relativisht i tërthortë, ai kaloi dhe në atë të drejtpërdrejtë.

Kështu, në një miting me partizanët, ai shtoi: “Ky institucion me përfshirjen e kryetarit dhe të disa anëtarëve të tij, nuk e shmangu dot marrjen e një vendimi kundër vendit e popullit të tij, shembull konkret ky i një prej sulmeve më të mëdha të kohëve të fundit kundër Turqisë”. Dhe, më tej, ai shton: “Shpresoj që Gjykata Kushtetuese nuk do të tentojë përsëri një rrugë të tillë; që do të hapte debatin për ekzistencë dhe legjitimitet…” se ai, në funksionin e kryetarit të shtetit, ishte “i detyruar të garantonte që organet e shtetit të punojnë në harmoni”.

Jo vetëm kaq, për të ndikuar procesin e mëtejshëm, me “porosi” të Presidentit, zëdhënësi i tij deklaroi publikisht se e kishte të vështirë të shpjegonte diçka të tillë (d.m.th. lirimin e gazetarëve). Kurse, vetë Presidenti pohoi, më tej, se “Gjykata Kushtetuese e ka vendosur veten në pozitën e një gjykate fakti; dhe kjo nuk është e drejtë”. Këtyre pohimeve presidenciale apo “urdhrave të drejtpërdrejtë” të tij iu kundërvunë të gjitha partitë opozitare. Në fakt, kjo nuk ishte hera e parë e përplasjes Erdogan- Gjykatë Kushtetuese. Shumë e ashpër ka qenë kjo përplasje më 2014-n. Bëhet fjalë, pikërisht, për vendimin e kësaj gjykate për moslejimin e mbylljes së Twitter-it apo YouTube, pra dhe për bllokimin e sulmit qeveritar mbi median sociale.

A MUND TË QUHET KY “VAZHDIM KOMPLOTI”?!

Erdogan dhe Gulen më parë ishin aleatë politikë, por marrëdhëniet e tyre u bënë krejtësisht armiqësore në vitin 2013. “Helmatisja” e vërtetë e tyre ndodhi kur zyrtarë të policisë dhe prokurorë (të konsideruar si mbështetës të Gulen-it) nisën një investigim të gjithanshëm për korrupsionin e madh në rrethin e ngushtë të Erdoganit si Kryeministër dhe të kabinetit të tij. Pavarësisht bllokimit të mëtejshëm të këtij investigimi, në sajë të zhurmës së krijuar, në Turqi shpërthyen protesta masive, që çuan deri dhe ndryshime në kabinet.

Por, aktualisht, edhe pse duket sikur gjithçka është kapërcyer në Turqi, kjo nuk po ndodh në vende të tjera. Kështu, p.sh., Bilal Erdogan, djali i Presidentit, është nën investigim në Itali për pastrim parash. Sipas medias italiane, ky investigim lidhet ngushtë me skandalin e korrupsionit të vitit 2013, që tronditi shtetin turk.

Madje, sipas saj, prokurori publik i Bolonjës ka hapur një dosje për Bilalin. Në fakt, një oponent i regjimit në Turqi e denoncoi atë për transferim të një sasie të madhe parash në Itali, pikërisht për riciklimin e tyre. Sidoqoftë, ndryshe nga ky denoncim, Bilali ka pohuar se ai ka qenë në Itali me gruan dhe fëmijët për të përfunduar studimet PhD, të nisura më 2007. Mos është dhe ky lloj denoncimi një “vazhdim komploti”?!…

* * *

Vështirësitë e krijuara në përballimin të fluksit të refugjatëve nga Siria apo zonat e tjera të nxehta, sidomos atentatet e ngjarjet e fundit terroriste në Turqi, pa dyshim e bëjnë më se të domosdoshme marrjen e masave të ashpra në mbrojtje të rendit publik dhe jetës së qytetarëve turq.

Por, ato nuk mund të jenë të tilla që të mbulojnë veprimtaritë korruptive të zyrtarëve, që të godasin pavarësinë e Gjyqësorit, që të tkurrin demokracinë e ndërtuar me aq mundim e sakrifica; dhe, aq më keq, që të cenojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, ku parësore janë liria e mendimit, asociacionit dhe e protestës apo vetë liria e shtypit, e medias, përfshirë dhe atë sociale. Dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë e sotme, për qeverisjen e saj!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi