Ambasadori Lu: Byroja e Hetimit do të arrestojë “të paprekshmit” e Shqipërisë
Sipas Reporter.al, 23 mars 2016
Ambasadori amerikan, Donald Lu deklaroi se Byroja Kombëtare e Hetimit do të mbështetet nga FBI-ja për të arrestuar “të paprekshmit” në Shqipëri. Duke iu referuar një filmi të Hollivudit mbi njësinë elitë të policisë amerikane që arrestoi Al Kaponen, ambasadori Lu paraqiti vizionin e tij për Byronë shqiptare të Hetimit; “policë të pavarur që nuk kanë frikë të arrestojnë çunat e këqinj”.
“Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri. Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë,” tha ambasadori amerikan. Deklarata e tij u bë në Forumin e Aktorëve të Interesit, një projekt i laçuar në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
Duke njohur skepticizimin e shqiptarëve, ambasadori amerikan garantoi se “kjo strukturë e posaçme do të jetë përtej ndikimeve dhe korrupsionit, pasi Shtetet e Bashkuara do të investojnë që të jetë e tillë”.
Sipas tij, SHBA do të investojë miliona dollarë për pajisjet dhe trajnimin e policëve të Byrosë, të cilat do të kryhen në Akademinë e FBI-së. Në anën tjetër, një agjent i FBI do të vendoset në Tiranë për mbështetjen e kësaj strukture.
Ambasadori renditi gjithashtu filtrat e rreptë që duhet të kalojnë oficerët gjyqësore të kësaj njësie.
“Të gjithë policët e Byrosë do të kalojnë përmes testit të poligrafit. Llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar,” tha Lu.
Byroja Kombëtare e Hetimit-një strukturë e policisë gjyqësore, e specializuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit sipas modelit të FBI-së amerikane është një premtim i hershëm elektoral i Partisë Socialiste. Një projektligj për ngritjen e saj iu dorëzua Parlamentit gjatë vitit 2014, por drafti u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese.
Më pas, Byroja Kombëtare e Hetimit u mendua të ishte pjesë e paketës së reformës në drejtësi, ndërkohë që mazhoranca dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme mbi varësinë e kësaj strukture hetimore.
Ambasadori Lu, i cili është përfshirë edhe në negociata direkte mes së majtës dhe të djathtës për këtë çështje la të kuptohej se vetë ai mbështet variantin e një Byroje të Hetimit brenda Prokurorisë Antikorrupsion, ndërsa ngritja e saj duhet të bëhet në të njëjtën kohë me reformën në drejtësi.
Sipas ambasadorit, një variant i tillë mbështetet edhe nga Komisioni i Venecias, i cili në opinionin e vet përfundimtar ka përkrahur ngritjen e kësaj strukture, jashtë varësisë së Prokurorit të Përgjithshëm apo Policisë së Shtetit.
I vetëdijshëm se palët politike në Shqipëri po e përdorin Byronë Kombëtare të Hetimit për arsye politike, ambasadori Lu u bëri atyre thirrje që të bien dakord se kjo strukturë është jetike për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
“U kërkoj atyre të bien dakort për modelin anti-korrupsion që diskutova, një institucion të mbështetur nga FBI amerikane: i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar,” përfundoi ambasadori amerikan.