Mbi tiparet e udhëheqësve politikë
Nga Arian Starova, botuar në Panorama, 20 mars 2016
Ky shkrim e ka marrë sh tysën prej librit bestseller “Dëshmi të pushtetit: Thelbi i të udhëhequrit” të analistit politik të mirënjohur të SHBA-ve dhe profesorit të Harvard Kennedy School of Government, David Gergen, i cili ka shërbyer si këshilltar i katër presidentëve amerikanë, Niksonit, Fordit, Reganit dhe Klintonit. Megjithatë, nevoja madhore e Shqipërisë për udhëheqës të vërtetë ka qenë edhe ajo një shtysë jo e vogël për shkrimin në vijim.
Sipas dëshirës, cilido prej lexuesve mund të mendojë, krahasojë, vlerësojë dhe hedhë tutje çfarëdo ideje të shprehur këtu, me përjashtim të idesë se Shqipëria duket se do të jetë gjatë në kërkim të modelit frymëzues të vërtetë të udhëheqësve të saj. Me këtë shkrim unë nuk kam marrë përsipër të vlerësoj asnjë udhëheqës politik të Shqipërisë, por vetëm të nxit lexuesit të mendojnë rreth tyre e të nxjerrin përfundimet e veta.
Jo vetëm për demokracitë shumë të reja si ajo shqiptare, por edhe sepse asnjëherë nuk mund të ketë demokraci të përsosura, mund të gjenden gjithnjë arsye për të folur për udhëheqësit dhe tiparet e tyre. Profesori Gergen flet për tiparet e presidentëve amerikanë të rreth njëzet vjetëve të fundit, duke u mbështetur në përvojën e tij, por siç e thekson vetë, këto tipare janë ato që duhet të portretizojnë çdo udhëheqës, i cili vjen në krye të institucioneve të shtetit jo për punët e tij vetjake, por për ato të të tjerëve dhe të kombit.
Në Shqipëri, për fat të keq, është harruar në masë të madhe pikërisht ideja themelore se udhëheqësi politik nuk kërkon të vijë dhe nuk vjen në krye të detyrave të ndryshme zyrtare për t’u pasuruar vetë nëpërmjet shkeljes së ligjeve, por për të pasuruar popullin dhe rritur mirëqenien e tij. Edhe më keq se kaq, në Shqipërinë tonë, ka udhëheqës politikë dhe drejtues të tjerë zyrtarë, të cilët e kanë shndërruar në synim kryesor politik fitimin dhe pasurimin vetjak, duke e mbuluar atë me një demagogji të përbuzshme mbi rëndësinë e “moralit dhe të mirëkuptimit”.
Është ky lloj i udhëheqësve politikë që ka kapur keq, si një tumor, edhe Drejtësinë dhe Reformën në Drejtësi, duke mos e lënë atë të veprojë kundër korrupsionit zyrtar të vetë atyre. Shtatë tiparet e mëposhtme, për të cilat flet profesori Gergen, do t’i shërbejnë çdo lexuesi shqiptar të mendojë thellë për udhëheqësit e vet politikë të tanishëm dhe për rikthimin e shpresës tek e ardhmja, nëpërmjet një lloji të ri të udhëheqësve politikë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se janë vetëm shtatë tipare të tilla dhe nuk ka të tjera.
1. UDHËHEQJA FILLON NGA KARAKTERI APO CILËSITË NJERËZORE VETJAKE TË UDHËHEQËSIT
Dikur, një senator amerikan me emrin Alan Simpson është shprehur kështu në Universitetin Harvard: “Nëse keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse nuk keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndë- si”. Kjo ishte mënyra më e thjeshtë dhe e bukur për të theksuar rëndësinë përparësore që ka karakteri njerëzor i një udhëheqësi politik, qoftë president apo udhëheqës i një rrafshi më të ulët. Sipas autorëve të ndryshëm, rreshtohen katërmbëdhjetë cilësi vetjake të ndryshme të udhëheqësve, por karakteri mbetet gjithnjë kryesori.
Trembëdhjetë cilësitë e tjera janë: 1-gjallëria fizike, 2-zgjuarsia dhe gjykimi veprues, 3-gatishmëria për të pranuar përgjegjësitë, 4-aftësia për të caktuar detyra, 5-të kuptuarit e mbështetësve dhe të nevojave të tyre, 6-aftësia për t’u marrë me njerëzit, 7-nevoja për të arritur sukses, 8-aftësia për të nxitur njerëzit, 9-aftësia për të fituar besim dhe për të ruajtur besimin, 10-aftësia për të drejtuar dhe për të përcaktuar përparësi, 11-besimi në vetvete, 12-siguria dhe 13-përshtatshmëria e mënyrës së të vepruarit. Megjithatë, këto cilësi nuk janë të pandryshueshme, apo të vetmet.
Atyre mund t’u shtoheshin menjëherë të paktën dy cilësi të tjera vetjake, siç janë njohuritë e gjera dhe guximi. Një udhëheqës politik pa njohuri mbi botën dhe historinë do të quhej i paaftë për detyrën që synon dhe po ashtu, asnjë udhëheqës nuk mund të ketë sukses në politikë në qoftë se ai ose ajo nuk është i përgatitur që të sakrifikohet për një çështje të lartë, çka kërkon guxim.
Duke theksuar rëndësinë shumë të madhe të karakterit për një udhëheqje presidenciale, profesori Gergen thotë: “Shpirti i brendshëm i një presidenti vërshon në çdo anë të udhëheqjes së tij shumë më shumë sesa pranohet përgjithësisht. Dëshirat e tij të jetës zakonisht formojnë themelin e detyrës së tij qendrore në udhëheqje”. Karakteri i një udhëheqësi ndikon shumë në vendimmarrjen e tij, në mënyrën se si vendos dhe në atë për të cilën vendos.
Është karakteri po ashtu ai që përcakton edhe shkallën e përsosurisë së jetës publike të udhëheqësit. Të njëjtën rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe për shqiptarët karakteri i udhëheqësve politikë, sidomos në rrethanat e sotme kur korrupsioni zyrtar është bërë tema e ditës për mediat dhe për thuajse njerëzit e të gjitha shtresave dhe moshave të rritura. Kjo është arsyeja që, për shkak të rëndësisë përparësore që ka karakteri për një udhëheqës, njerëzit kanë të drejtë që të jenë të prirur për të diskutuar edhe në lidhje me jetën vetjake të një udhëheqësi publik.
Ata shtrojnë pyetjen nëse duhet t’u besohen detyra të larta zyrtare drejtuesve politikanë, të cilët kryejnë tradhti bashkëshortore, janë gënjeshtarë, përdorin drogë, luajnë kumar, janë pijanecë, synojnë pasuri të paligjshme, shkelin ligjin, kanë pasur lidhje me veprimtari kriminale, apo shfaqin sjellje të tjera të keqvlerësueshme të jetës së njerëzve. Fakti më i dukshëm i këtij interesimi të njerëzve në Shqipëri është, ndërmjet të tjerave, edhe diskutimi i madh dhe i gjatë në lidhje me dekriminalizimin e Parlamentit të tanishëm.
Meqenëse karakteri i udhëheqësit politik ka rëndësi vetëm në lidhje me faktin se ai kërkon të udhëheqë bashkësi të mëdha njerëzore, atëherë ai ka rëndësi vetëm në lidhje me cilësinë e të udhëhequrit që ata shfaqin. Prandaj, mund të thuhet se nëse masa e sjelljeve të keqvlerë- sueshme të drejtuesit politik është e tillë që ndikon për keq në kryerjen e detyrës së tij zyrtare, atëherë ajo është e palejueshme sepse dëmton edhe interesin e përgjithshëm të vendit dhe të njerëzve.
Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të gjykuar për karakterin e udhëheqësit politik. Profesori Gergen, jep si shembull rastin e Presidentit Franklin Ruzvelt, për të cilin amerikanët e mësuan për herë të parë, vetëm njëzet vjet pasi kishte vdekur, se ai nuk kishte pasur një martesë të përsosur. Ruzvelti ishte baba i pesë fëmijëve në kohën që ai kishte një lidhje dashurie me Lucy Mercer, çka thuajse e shkatërroi martesën e tij. Megjithatë, pavarësisht prej kësaj marrëdhënieje, Ruzvelti është lartësuar si presidenti më i madh amerikan i shekullit të njëzetë.
Ajo që ka rëndësi për një udhëheqës politik është një përzierje e pakapshme e besimit tek e ardhmja, dijes, gjykimit dhe temperamentit, e cila e drejton atë drejt vendimeve të mençura, duke mbajtur njëherësh edhe përgjegjësi të plotë.
2. PËRKUSHTIMI NDAJ NJË SYNIMI QENDROR
Përveç karakterit të fortë, udhëheqësi politik duhet të ketë edhe një synim madhor të qartë e të shpallur. Ai duhet t’u tregojë qartë mbështetësve, votuesve, ose popullit se ku do ta çojë vendin nëpërmjet udhëheqjes së tij dhe në një mënyrë të tillë që të mund të grumbullojë njerëz përreth vetes. Synimi qendror i një udhëheqësi politik, nuk mund të mos e ketë burimin te vlerat madhore të një vendi, të cilat i mishëron në mënyrën më ideale Kushtetuta e vendit.
Në këtë dokument themeltar kemi të përmbledhur qartë edhe vështrimin popullor dhe mendimin idealist drejt së ardhmes së vendit. Prandaj, udhëheqësi politik nuk ka nevojë që ta rishpikë vështrimin kombëtar drejt së ardhmes, por ai mund ta pasurojë atë me synimet të tjera, sipas rrethanave të ndryshme të kohës dhe detyrës konkrete zyrtare ku vepron.
Qëllimi kryesor i udhëheqjes së politikanëve të rëndësishëm duhet të përmblidhet në një fjali të vetme. Nëse do të mund të hidhnim një vështrim në politikën shqiptare të këtyre njëzet e pesë vjetëve të fundit, njerëzit do të mund t’i përmblidhnin me një fjali se çfarë kanë bërë udhëheqës politikë të tillë si, p.sh., Berisha, Nano, Majko, Rama. Berisha ishte udhëheqësi që përmbysi regjimin komunist dhe i hapi rrugën zhvillimit të shoqërisë së re demokratike, duke u shquar në ndërtimin e infrastrukturës rrugore të vendit.
Nano ka qenë udhëheqësi që reformoi Partinë Socialiste, liberalizoi ekonominë e tregut dhe përmirësoi marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë dhe Opozitës. Majko do të mbahet mend si Kryeministri që përballoi krizën e rreth një milion refugjatëve shqiptarë nga Kosova në kohën e dhunës së regjimit serb të Millosheviçit. Nëse do të jetë i suksesshëm deri në fund të mandatit të tij, Rama do të mbahet mend si udhëheqësi që u përpoq dhe vendosi zbatimin e ligjit dhe të rregullit në Shqipëri në rrethana jashtëzakonisht të vështira ekonomike.
Përkushtimi ndaj një synimi themelor të një udhëheqësi politik duhet të shoqërohet me përgjegjësinë e tij të lartë, e cila duhet të shkojë deri në dorëheqje në rast të mosarritjes së synimit. Synimi im në këtë shkrim, siç e kam thënë që në krye, nuk është aspak që të tregoj se si e kanë përmbushur synimin themelor dhe kanë mbajtur përgjegjësi për të udhëheqësit e Shqipërisë. Për këtë le të mendojnë lexuesit.
Unë po tregoj një mënyrë se si duhet përdorur mendja për të bërë vlerësimin e tyre, duke u mbështetur në ide të ndryshme të ekspertëve të mirënjohur. Për fat të keq, ajo çka bie në sy fare dukshëm në sjelljen e udhëheqësve politikë të Shqipërisë është në shumë raste braktisja e synimeve kryesore të shpallura. Kjo ka ndodhur shumë herë dhe në formën e gënjeshtrave të stërmëdha në lidhje me synimet e shpallura të luftës kundër korrupsionit.
Përderisa ka ndodhur kjo, atëherë nuk ka nevojë të përsëritim se për mbajtje përgjegjësie as nuk bëhet fjalë fare. Në të dyja qeverisjet e fundit, atë të viteve 2005-2013 dhe atë në vazhdim të viteve 2013-2016, fushatat zgjedhore janë bërë me synimin qendror të luftës kundër korrupsionit, por shumë shpejt pas zgjedhjeve ky synim madhor është braktisur, madje pa as kurrfarë vetëdijeje se është gënjyer edhe populli, edhe ndërkombëtarët.
3. AFTËSIA PËR TË BINDUR NJERËZIT
Dikur, nuk kishte rëndësi shumë nëse një udhëheqës politik duhej apo jo të dilte dhe të fliste përpara njerëzve. Për të ishte më e rëndësishme që të luante rolin e një ndërmjetësit të mirë për interesat e shtresave të ndryshme të njerëzve dhe mënyra e të folurit në publik nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë. Me zhvillimin e mediave të komunikimit publik, radios dhe sidomos televizionit, nevoja për të folur me njerëzit dhe për të arsyetuar me ta është rritur shumë. Këtë nevojë e ka shndërruar në domosdoshmëri edhe zhvillimi i shpejtë dhe i përhapur i dijeve të njerëzve.
Prandaj, të folurit përpara njerëzve për të shpjeguar synimet dhe programet politike tani është bërë domosdoshmëri. Udhëheqësi politik duhet të zotërojë aftësinë për t’u lënë mbresa njerëzve me të gjitha përbërësit e ndryshëm të shfaqjes së tij përpara njerëzve, por mbi të gjitha, me aftësinë e tij për të folur, për të arsyetuar dhe për të bindur.
Sipas profesorit Gergen, për politikën amerikane, Kenedi dhe Regani kanë mbetur të shquar në mendjen e publikut si folësit më të mirë të fundit të shekullit të njëzetë, sepse ata ishin mjeshtër të mediave. Që të dy ata kishin aftësi për të bindur masa të mëdha të njerëzve nëpërmjet televizionit, ndërsa Regani e shndërroi atë në një armë të fuqishme për arritjen e synimeve të tij politike dhe ligjvënëse.
Edhe politika shqiptare e ka shfrytëzuar me të gjitha mundësitë median dhe televizionin. Megjithatë, ajo çka të tërheq vëmendjen tek udhëheqësit politikë të Shqipërisë është teprimi i përdorimit të mediave si rrjedhojë e mbivlerësimit të rolit të tyre. Ky teprim duket se bëhet në tri mënyra, me drejtimin e vëmendjes mediatike drejt gjërave jothelbësore, duke u lënë vend prirjes njerëzore për hamendësime pa fakte, me zgjatjen e fjalimeve të ndryshme dhe me teprimin e daljeve në media dhe kryesisht në televizione.
Profesori Gergen thotë për presidentët amerikanë në librin e tij se “rreziku i sotëm është se të folurit e presidentëve është vazhdimisht aq i tepruar, sa auditori i tyre nuk i dëgjon”. Megjithatë, edhe teprimi me numrin e daljeve publike e ul ndikimin e fjalimeve të udhëheqësve politikë edhe kur ata nuk janë të zgjatur. Një prej kritikave të ashpra që bëhej nga Partia Socialiste kur ishte në opozitë kundër qeverisjes së Partisë Demokratike ishte teprimi i përdorimit të medias nga Kryeministri Berisha.
E megjithatë, që kur kanë ardhur në pushtet socialistët, Kryeministri Rama ka dalë në publik shumë më shumë sesa Kryeministri Berisha. Proceset psikologjike që ndikojnë në uljen e aftësisë bindëse të udhëheqësit politik për shkak të teprimit të përdorimit të medias janë të panjohura mirë, por fakti i uljes së vëmendjes së njerëzve duket se është tregues i rëndësisë së krahasuar të çfarëdo vlere të kësaj bote, qoftë edhe të asaj më të çmuarës.
Të folurit e udhëheqësve politikë me synimin për të bindur njerëzit apo votuesit gjatë fushatave zgjedhore duhet të jetë sa më i frytshëm dhe veprues mbi mendjet e tyre. Meqenëse edhe programet më të ndërlikuara politike apo qeveritare bëhen për mirëqenien e përgjithshme të njerëzve, atëherë duhet të ketë patjetër edhe një mënyrë të qartë, të thjeshtë, të përmbledhur për t’ua shpjeguar atë njerëzve. I aftë është ai udhëheqës që e zotëron aftësinë për ta bërë këtë.
4. AFTËSIA PËR TË PUNUAR ME INSTITUCIONET E NDRYSHME
Një udhëheqës politik, por sidomos një president, duhet ta mendojë veten dhe veprimtarinë e tij të lidhur ngushtë me një grup të institucioneve ose të aktorëve të ndryshëm, ku bëjnë pjesë opinioni publik, media, Parlamenti, grupet e ndryshme të interesit, shtresat e ndryshme të elitës së vendit dhe fuqitë e huaja. Të gjithë këta aktorë apo lojtarë të jashtëm ose të brendshëm presin që të zënë një vend në tryezën e punës të udhëheqësit politik dhe të kenë një rol në vendimmarrje.
Një pjesë e këtyre aktorëve e duan këtë për shkak të ambicieve vetjake ose interesave të veprimtarisë së tyre, por pjesa më e madhe e tyre e bëjnë këtë sepse duan të parashtrojnë nevojat e veta. Në këto rrethana, është shumë e rëndësishme që udhëheqë- si politik të ketë marrëdhënie shumë të suksesshme me të gjithë këta aktorë shoqërorë nëpërmjet kërkimit të përhershëm të bashkësisë së interesave ose të bindjes së tyre me argumente.
Udhëheqësi politik duhet të synojë të mos i bëjë pengesë të synimeve të tij madhore asnjërin prej këtyre aktorëve shoqërorë. Natyrisht, jo të gjithë udhëheqësit politikë janë të aftë ta kenë këtë marrëdhënie me institucionet ose aktorët e tjerë shoqërorë. Përvoja ka treguar se suksesin e udhëheqësit politik mund ta pengojë, madje ta shndërrojë në dështim, secili prej këtyre aktorëve. Trazirat e vitit 1997 në Shqipëri mund të merren si një shembull i dukshëm, që erdhi si rrjedhojë e prishjes së marrëdhënieve të udhëheqësit politik me median dhe fuqitë e huaja.
5. FILLIMI I SIGURT DHE I SHPEJTË I DETYRËS UDHËHEQËSE
Udhëheqësi i vërtetë politik, thotë profesori Gergen, duhet të mendojë që të “arrijë atje ku synon duke vrapuar”. Ndryshe prej pjesës më të madhe të institucioneve, ku fuqia e udhëheqësit rritet me kalimin e kohës, për udhëheqësin politik e vërtetë është e kundërta, meqenëse fuqia e tij ka prirje që të pakësohet me kalimin e kohës. Prandaj, për udhëheqësin politik njëqind ditët e para të drejtimit apo të qeverisjes së tij janë shumë të rëndësishme, sepse përfaqësojnë periudhën kohore të mundësive të tij më të mëdha.
Me kalimin e kohës, rritja e numrit të vendimmarrjeve të tij në krye të institucionit që drejton do të sjellë pashmangësisht pakënaqësi të ndryshme dhe kjo gjë do t’ia vështirësojë vendimmarrjen e mëtejshme. Kjo është arsyeja kryesore se përse udhëheqësi politik duhet të lëvizë me shpejtësi në kryerjen e detyrave dhe arritjen e synimeve të tij. Vendimmarrja e shpejtë sjell pas vetes edhe forcimin e përfytyrimit të opinionit publik për sigurinë e brendshme të veprimtarisë së udhëheqësit politik. Si shpejtë- sia, edhe siguria e veprimtarisë së udhëheqësit janë shoqërues të padiskutueshëm të suksesit të tij.
Megjithatë, arritja e një fillimi të suksesshëm dhe pa konflikte është më e vështirë sesa duket. Prandaj edhe një fillim i shpejtë dhe i sigurt i veprimtarisë së një udhëheqësi politik janë menduar si kriter i suksesit të një udhëheqësi politik.
6. GRUMBULLIMI I KËSHILLTARËVE TË ZOTË DHE TË MATUR
Përvoja politike ka treguar se udhëheqësit më të mirë janë ata që e rrethojnë veten me këshilltarët më të mirë. Logjika që qëndron pas kësaj të vërtetë është e thjeshtë. Udhëheqja politike përfshin shumë fusha të shoqërisë njerëzore dhe asnjëherë nuk është e mundur që një udhëheqës politik, qoftë edhe më i dituri, të mund të merret me të gjithë ato fusha dhe problemet që ato bartin. Edhe energjitë për punë të një njeriu të vetëm, sado i fuqishëm të jetë ai, janë të fundme.
Po ashtu edhe koha që ka si mundësi për të vepruar dhe punuar një udhëheqës politik i vetëm është e kufizuar në krahasim me kohën jashtëzakonisht të madhe që kërkon kujdesi për drejtimin e punëve dhe zgjidhje e të gjithë problemeve. Si rrjedhojë, për aq kohë sa e njeh bota drejtimin e udhëheqësve politikë, ata janë rrethuar gjithnjë nga këshilltarët që marrin përsipër pjesë të barrës së tij të rëndë të udhëheqjes.
Suksesi i udhëheqësit politik do të varet shumë, si rrjedhojë, nga cilësia e këshilltarëve të tij. Si rregull, një këshilltar i mirë duhet të dijë më shumë në fushën e tij sesa udhëheqësi politik që ai e këshillon, përndryshe ai nuk është këshilltar, por shërbëtor me pamjen e këshilltarit.
7. AFTËSIA PËR TË FRYMËZUAR TË TJERËT PËR MISIONIN E TYRE
Kjo është aftësi e rrallë për udhëheqësit politikë, megjithëse është e domosdoshme. Ndër presidentët amerikanë, thotë profesori Gergen, presidenti Regan ka qenë i tillë. Këta lloj udhëheqësish bëjnë epokë nëpërmjet lëvizjeve të reja, të cilat vazhdojnë edhe pasi ata nuk janë në rol udhëheqës. Për shkak të rrethanave të krizës dhe të Luftës së Dytë Botërore, për shembull, presidenti Ruzvelt e la mënjanë politikën liberale të tregut, duke vendosur qeverinë në drejtimin e ekonomisë.
Ndërsa Regani i ndryshoi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë dhe biznesit privat, duke vendosur në qendër të vëmendjes të shoqërisë biznesin privat dhe lirinë e tregut. Këta lloj udhëheqësish politikë krijojnë jo vetëm lëvizje të reja politike, por edhe një grup të gjerë të mbështetësve besnikë të tyre, të cilët do t’i mbështetnin fort ata për një kohë të gjatë, pas përfundimit të detyrave të tyre udhëheqëse. Udhëheqësit politikë të këtij kalibri e lënë të gjallë pas vetes lëvizjen dhe frymën e besimit që krijojnë deri në atë shkallë, sa udhëheqësit pasardhës e ndiejnë për nder të vazhdojnë misionin e tyre.
Këta udhëheqës, që janë të pajisur me aftësinë e frymëzimit të masave të mëdha njerëzore, janë vërtet udhëheqësit e mëdhenj, por pikërisht për këtë arsye edhe janë më të rrallë. A kemi pasur ne shqiptarët të tillë udhëheqës pas Skënderbeut?