Përplasja e re mes brezave

Nga Joseph E. Stiglitz, Project Syndicate, 16 mars 2016

Fushatausa

Diçka interesante është shfaqur në mënyrat e zgjedhjeve në të dyja anët e Atlantikut: të rinjtë po votojnë në mënyra që janë thelbësisht të ndryshme nga të moshuarit. Një ndasi e madhe duket se është krijuar, bazuar jo aq shumë mbi të ardhurat, arsimin apo gjininë, se sa mbi gjeneratën të cilës i përkasin votuesit.

Ka arsye të mira për këtë ndasi. Jetët e të vjetërve dhe të rinjve, siç po përjetohen aktualisht, janë të ndryshme. Të shkuarat e tyre janë të ndryshme dhe po kështu janë edhe të ardhmet e tyre.

Lufta e Ftohtë, për shembull, pati përfunduar që para se disa prej gjeneratës së të rinjve sot lindën apo kur disa prej tyre qenë ende fëmijë. Fjalë të tilla si socializmi nuk mbajnë më sot të njëjtin kuptim siç e mbanin dikur. Nëse socializmi nënkupton krijimin e një shoqërie me shqetësime të përbashkëta – ku njerëzit shqetësohen për njerëz të tjerë dhe mjedisin ku jetojnë – atëherë kështu le të jetë. Po, mund të ketë pasur shumë eksperimente të dështuara në këtë drejtim çerek apo gjysmë shekulli më parë; por eksperimentet e sotme nuk kanë ngjashmëri me ato të së shkuarës. Kështu dështimi i eksperimenteve të së shkuarës nuk do të thotë asgjë mbi eksperimentet e të tashmes.

Amerikanët dhe Europianët e shtresës së mesme të sipër dhe që janë sot në moshë kanë pasur një jetë të mirë. Kur ata hynë në forcën e punës, vende pune me pagesa të mira po i prsnin. Pyetja që ata morën ishte ajo se çfarë deshën të bënin, sa kohë do të vijonin të jetonin me prindërit para se të merrnin një vend pune që i mundësonte të dilnin më vete.

Ajo gjeneratë priste të kishte siguri në punë, të martoheshin të rinj, të blinin një shtëpi – ndoshta edhe një shtëpi vere gjithashtu – dhe në fund të dilnin në pension me siguri të arsyeshme. Në tërësi, ata prisnin të jetonin më mirë se sa prindërit e tyre.

Megjithëse gjenerata e më të moshuarve u përball me gropa përgjatë rrugëtimit të tyre, në pjesën më të madhe, pritshmëritë e tyre u realizuan. Ata mund të kishin realizuar fitime kapitale edhe më të mëdha mbi shtëpitë e tyre se sa nga sa fituan nga puna. Ata pothuajse me siguri e gjetën të çuditshme, por të gatshëm për të pranuar dhuratën që ofruan tregjet tona spekulative dhe shpesh i dhanë vetes meritat për blerjen e pronave në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Sot, pritshmëritë e të rinjve, kudo që ata gjenden në shkallën e shpërndarjes së të ardhurave, janë krejt të kundërta. Ata përballen me pasiguri në punë përgjatë të gjithë jetës. Mesatarisht, shumë të diplomuar në kolegje do të kërkojnë për shumë muaj para se të gjejnë një punë – shpesh, vetëm pasi kanë kaluar në një apo dy internshipe të papaguara. Dhe ata do ta konsiderojnë veten me fat, për shkak se e dinë se të tjerët më të varfër të gjeneratës së tyre, disa prej të cilëve ishin më mirë në shkollë, nuk mund t’i lejojnë vetes të kalojnë një apo dy vjet pa të ardhura dhe nuk kanë lidhjet e nevojshme për të marrë një internship, qoftë edhe pa pagesë.

Sot të diplomuarit e rinj të universiteteve janë të mbingarkuar me borxhe – dhe sa më të varfër të jenë, aq më të lartë e kanë borxhin. Kështu, ata nuk pyesin se çfarë pune dëshirojnë të bëjnë; ata thjeshtë pyesin se çfarë pune do t’i mundësojë atyre të paguajnë kreditë e tyre studentore, të cilat shpesh do t’i rëndojnë atyre për 20 vjet apo më shumë. Në mënyrë të ngjashme, blerja e një shtëpie tashmë është një ëndërr e largët.

Këto përpjekje nënkuptojnë se të rinjtë nuk po mendojnë shumë mbi daljen në pension. Dhe nëse mendojnë, ata thjeshtë do të frikësohen mbi atë se sa shumë do të duhet të akumulojnë gjatë jetës për të pasur rehati në pleqëri (përtej pensionit të thjeshtë), duke parë se normat e interesit mbi kursimet janë aktualisht zero dhe se ato ka gjasa do të vijojnë të mbeten zero për shumë kohë.

Shkurt, të rinjtë e sotëm e shohin botën përmes lenteve të padrejtësisë ndërgjeneracionale. Fëmijët e klasës së mesme të sipërme mund t’ia dalin mirë në fund, për shkak se ata do të trashëgojnë pasuri nga prindërit e tyre. Ndërsa ata mund të mos e pëlqejnë këtë lloj varësie, ata mund të mos pëlqejnë edhe alternativën e mundshme: një ‘fillim i ri’ në të cilat fati është kundër tyre dhe shanset për të arritur diçka të ngjashme me atë që dikur konsiderohej si stil jetese bazë prej shtrese të mesme, janë të pakëta.

Këto pabarazi nuk mund të shpjegohen me lehtësi. Nuk është se të rinjtë e sotëm kanë qenë dembelë apo nuk janë të gatshëm të punojnë shumë: këto vështirësi prekin ata që kalojnë orë të gjata duke studiuar, dalin me rezultate të larta në shkollë dhe bëjnë çdo gjë “siç duhet”. Ndjesia e padrejtësisë shoqërore – ndjesia që loja ekonomike është e manipuluar – është më e fortë ndërsa ata shohin se bankierët që sollën krizën financiare, shkakun e sëmundjes së vazhdueshme të ekonomisë, po dalin me mega-bonuse, dhe ku pothuajse askush nuk është mbajtur përgjegjës për krizën. Elitat politike që premtuan se “reformat” do të sillnin mirëqënie të paprecedent nuk duken gjëkundi. Dhe ata ia dolën, por vetëm për 1 përqindëshin më të pasur të popullsisë. Të gjithë të tjerët, përfshirë të rinjtë, morën një pasiguri të paprecedent.

Këto tri realitete – padrejtësia sociale në shkallë të paprecedent, pabarazia masive dhe humbja e besimit te elita – po përcaktojnë momentin tonë politik, dhe me të drejtë.

Të kesh më shumë nga kjo që kemi, nuk është përgjigje. Kjo është arsyeja se pse qendra e majtë dhe qendra e djathtë në Europë po humbasin. Amerika është në një pozicion të çuditshëm: ndërsa kandidatët presidencialë republikanë konkurrojnë me demagogji, me propozime të keqmenduara që mund t’i bëjnë gjërat më keq nga sa janë, të dy kandidaët demokratë po propozojnë ndryshime të cilat – nëse ata ia dalin t’i kalojnë përmes Kongresit – mund të sjellin ndryshim real.

Nëse reformat e propozuara nga Hillary Clinton apo Bernie Sanders miratohen, aftësia e sistemit financiar që të nginjet me paratë e atyre që sakaq po bëjnë jetë të vështirë, do të kufizohet. Dhe që të dy kanë propozime për reforma të tjera që mund të ndryshojnë mënyrën se si Amerika e financon arsimin e vet të lartë.

Por më shumë duhet të bëhet për ta bërë pronësinë e shtëpisë të mundur, jo vetëm për ata me prindër që mund të përballojnë një pjesë të kostos së shtëpisë, dhe që ta bëjë sigurinë e daljes në pension të mundur, duke parë luhatshmërinë e bursave dhe botën me interesa thuajse zero në të cilën kemi hyrë. Më e rëndësishmja, të rinjtë nuk do të gjejnë një rrugë të butë drejt tregut të punës për sa kohë ekonomia nuk ecën shumë më mirë se sa sot. Norma “zyrtare” e papunësisë në Shtetet e Bashkuara në masën 4.9 për qind, është një maskë që fsheh nivelet shumë më të larta të papunësisë së fshehtë, të cilat, së paku janë faktorët që po i mbajnë pagat të ulëta.

Por ne nuk do të jemi në gjendje të rregullojmë këtë problem në rast se ne nuk e pranojmë atë. Të rinjtë tanë e pranojnë problemin. Ata e perceptojnë mungesën e drejtësisë ndërgjeneracionale dhe për këtë arsye, kanë të drejtë të jenë të zemëruar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi