Çështja Blushi dhe degjenerimi i partive politike
Nga Mark Marku, botuar në Panorama, 4 mars 2016
Sa herë ambienti politik, mediatik e publik shqiptar vihet para çështjeve të tilla si ato që ngre deputeti i PS-së, Ben Blushi, ky ambient shfaq një perversitet të paparë. “Ben Blushi e bën gjithë këtë luftë për t’i zënë vendin Ramës”, thonë disa. Kërcejnë disa të tjerë: “E bën se ka mbetur pa post ministror”. Disa zbulojnë: “Do të krijojë një parti të re”.
Ka pastaj që e sulmojnë si shkrimtar, të tjerë si gazetar, disa për të dyja bashkë, kundërshtari Rama si dembel e sehirxhi, vartësit e Ramës e akuzojnë se nuk ka shkuar sa duhet në bazë, ish-kolegët e tij të Lëvizjes për Mendim Ndryshe brenda PS-së si besëprerë, kundërshtarët e tij politikë të djathtë mundohen t’i “vijnë në ndihmë” duke u dhënë një argument shtesë kundërshtarëve të tij brenda partisë për ta konsideruar si “bashkëpunëtor të armikut”, domethënë të opozitës, shkurt secili gjen një mundësi për të mos u marrë me çështjet që ai ka shtruar për diskutim. Natyrisht ka pasur edhe qëndrime serioze ndaj tij dhe kam këtu parasysh disa opinione si ai i Lubonjës që reagimet ndaj Blushit i shihte si test për gjendjen mendore të PS-së, apo edhe kolegëve të tjerë në media, por dhe mbështetje politike nga disa figura serioze politike të PS-së të prejardhur kryesisht nga bota universitare, si ishpresidenti Meidani, ish-ministrja e jashtme Arta Dade apo deputetja Mimoza Hafizi.
Perversiteti qëndron në faktin se ky soj parazitësh që gëlojnë në ambientin tonë politik, mediatik apo publik i shikojnë përplasje të tilla si një shans për t’ia shitur konformizmin e tyre shefit pa asnjë kosto, pasi të mbështesësh shefin në një ambient shoqëror ku përherë ai ka të drejtë dhe ku kundërshtarët e tij janë të destinuar të humbin është një gjë e leverdishme. Dhe shërbimi që i shesin ata shefit është përlyerja e personit që ka guxuar të mendojë ndryshe nga shefi, personit që shtron për diskutim disa çështje që shefit nuk i pëlqejnë fare, banalizimi i ideve të tij, i luftës së tij, pse jo edhe shantazhimi i tij.
Po çfarë çështjesh ka shtruar për diskutim Blushi para partisë së tij dhe opinionit publik shqiptar dhe a janë ato çështje themelore për shoqërinë dhe sistemin tonë politik? A duhet anashkaluar ajo që thotë Blushi? A duhet sharë dhe braktisur në betejën e tij? A duhet të bëjmë edhe më tej sehir? Ben Blushi ka shtruar disa çështje themelore për gjendjen e Partisë Socialiste, por që janë njëkohësisht edhe çështje të PD-së, PR-së, LSI-së, PSD-së dhe të gjitha partive shqiptare.
Në mënyrë të sintetizuar Ben Blushi ka thënë se: Partia Socialiste nuk ka rregulla, nuk ka zgjedhje, nuk ka vendimmarrje forumesh, dhe se kjo parti është shndërruar në një instrument të verbër Edi Ramës dhe klientëve të tij. Kjo ka shkatërruar demokracinë e brendshme dhe karrierën brenda partisë. Partia Socialiste nuk ka asnjë lidhje me programin e saj politik dhe se nuk ka asnjë referencë politike apo ideologjike të një partie të majtë. Partia Socialiste ka dështuar në qeverisje pikërisht për shkak se gjithçka në qeverisjen e saj varet nga një njeri i vetëm – kryeministri Rama, që është edhe kryetari i PS-së, dhe se kjo qeverisje e dështuar është me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve që e kanë votuar dhe të atyre që nuk e kanë votuar.
Se Partia Socialiste për shkak të fondeve të errëta që i vijnë PS-së në fushatë apo individëve që përfitojnë nga këto fonde ka një aleancë me krimin e organizuar dhe figura të këtij krimi kanë marrë në dorë Partinë Socialiste dhe grupin parlamentar të saj. Ben Blushi ka bërë konstatime që edhe kundërshtarët e tij i pohojnë. I pohojnë qytetarët shqiptarë. I pohojnë gazetarët, diplomatët e huaj dhe institucionet ndërkombëtare. Ka thënë gjithçka që të gjithë e dimë.
E vetmja e re është se këto konstatime si rrallëherë në realitetin politik shqiptar i bën një figurë me peshë e një partie politike, i përsërit në mënyrë sistematike, prej kohësh, brenda dhe jashtë forumeve politike, duke shpalosur edhe një platformë politike, të cilën e ka hedhur për debat brenda partisë dhe jashtë saj. Për ato mendje që shqetësohen për fatin e sistemit tonë politik, demokracisë sonë, dhe qeverisjes normale të vendit, lufta që po bën Blushi është një luftë për disa çështje themelore të demokracisë shqiptare dhe për një nga kolonat e demokracisë: partinë politike.
Çështja e PS-së, por edhe e PD-së dhe partive të tjera nuk është vetëm çështje e brendshme e partive, por është çështje e gjithë qytetarëve. Nuk mund të ketë sistem demokratik pa parti demokratike. Këto parti edhe me ligj janë të detyruara të udhëhiqen me norma demokratike, të respektojnë statutin, të respektojnë liritë themelore të garantuara në Kushtetutë. Duke u marrë me derivat totalitare të një partie të madhe si PS-ja ai zbulon edhe thelbin e dështimit të shoqërisë shqiptare në këto vite dhe krizës së sistemit politik.
Prej mungesës së demokracisë së brendshme të partive burojnë edhe sëmundjet kryesore të sistemit tonë: korrupsioni, vjedhja e votës, mosrealizimi i kontratës qeverisëse me qytetarët, shkatërrimi i administratës publike, kriminalizimi i pushtetit dhe institucioneve të tij. Qytetarët shqiptarë mund të mos e mendojnë këtë, por kjo gjë duhet marrë seriozisht. Nuk mund të ketë asnjë garanci të sistemit tonë politik me parti që funksionojnë si banda, ku kryetari i tyre është kryebanditi që largohet andej vetëm kur e shqepin prej postit të tjerë më të fortë apo më të dhunshëm se ai.
Pikërisht ky duhej të ishte shqetësim i të gjithëve dhe jo zbulimi i qëllimeve që fshihen pas denoncimeve dhe alternativave që jep Blushi. Të tjerat pak rëndësi kanë. Nëse Blushi do të marrë postin e PS-së, është e drejtë e tij legjitime dhe mirë bën. Nëse është i pakënaqur se nuk është përfshirë në qeveri, është e drejtë e tij dhe mirë bën. Nëse e konsideron PS-në si bandë ku të dyja këto quhen legjitime vetëm kur ia ka qejfi kryetarit, po mirë bën.
Për ata që nuk e kuptojnë këtë, duhet t’u shpjegojmë se ka tre parime që e rregullojnë diskursin politik dhe që janë: a. Parimi i alteritetit (tjetri si kusht për ekzistencën tënde) b. Parimi i ndikimit (secili ka projektin e vet për të ndikuar te të tjerët) c. Parimi i rregullimit (meqenëse projektet e ndikimit zhvillohen në një hapësirë të përbashkët, atëherë vendosen rregulla që i moderojnë aktorët dhe i bëjnë ata jo asgjësues për njëri-tjetrin) Bën mirë, pra, Blushi, dhe ne duhet ta bëjmë tonin shqetësimin e tij: parti që shndërrohen në banda dhe kryetarë që shndërrohen në kryebanditë janë fatkeqësi për demokracinë dhe jetën e qytetarëve dhe duhen denoncuar.
Dhe debati që ai ka hapur për PS-në duhet hapur për të gjitha partitë politike shqiptare.