Debat politik-publik vetëm për votën
Nga Aurence Bebja, botuar në Shqip, 25 shkurt 2016
Politikanët shqiptarë kemi mundësinë t’i takojmë për të debatuar gjatë fushatave elektorale të zgjedhjeve lokale ose parlamentare. Janë momente ku ndiejmë “ngrohtësinë dhe dashurinë” e tyre të pafundme. Na tregojnë se na dëgjojnë dhe dëshmojnë se na kuptojnë. Me ëmbëlsi, na lajkatojnë me programet e tyre politike, kryesisht titujt e projekteve e tyre, se çfarë do të bëjnë për të zhvilluar vendin, por fatkeqësisht mungon gjithmonë transparenca se si do t’i realizojnë.
Fitojnë zgjedhjet, zënë postet e parashikuara, dhe papritmas fillojnë të aplikojnë në terren “projekte” pa konsultuar qytetarin – votuesin. Opinioni i qytetarit shqiptar, në jetën e përditshme, shpërfillet nga klasa politike drejtuese dhe së fundmi kjo vërtetohet qartësisht te pushteti i decentralizuar. Bashkia më e madhe e Shqipërisë, në parkun e liqenit të Tiranës, po aplikon në terren një projekt për të krijuar një hapësirë argëtuese për fëmijë, pa i dhënë mundësinë qytetarit të debatojë se çfarë mendon.
Pushteti i decentralizuar është baza e demokracisë e lokale. Ai mundëson afrimitetin me qytetarin, e konsideron atë dhe e bën pjesë të projekteve sipas zonave apo lagjeve ku ai jeton. Sot, pushtetarët shqiptarë mjaftojnë të publikojnë disa “vargje” dhe fotografi në rrjetet sociale mbi një projekt – temë dhe e quajnë çështje të mbyllur debatin publik. Habitem nga ata/ato që janë në krye të këtyre projekteve dhe mbështetësit e tyre nga që mburren dhe i mburrin se janë me formim perëndimor, por e dinë fare mirë se në Perëndim çdo projekt në hapësirat publike nevojit debat publik, transparencë me qytetarin. As që është e imagjinueshme të fillosh punimet pa informuar banorët.
Për shembull, në pushtetin lokal francez, çdo projekt, pavarësisht madhësisë, rëndësisë së tij apo vlerës ekonomike që nevojit, nga momenti që në të përfshihet një pjesë e hapësirës publike, debati apo konsultimi i tij me qytetarin është i paevitueshëm. Meqë jam gjetur në pozicionin teknik, politik dhe publik në administratën franceze do t’ju tregoj se si një çështjeje teknike minimale iu akordua një rëndësi politike maksimale.
Rasti më konkret kishte të bënte me pozicionimin e një stacioni (shtylle a tabele) autobusi, ku në fakt banorët e një lagjeje nuk dëshironin ta kishin pranë hyrjeve të tyre për arsye të frekuentimeve – zhurmave të udhëtarëve. Me ekipet teknike kishim gjetur dy opsione për ta ripozicionuar duke e ditur që duhej marrë parasysh një distancë prej 300 metrash mes dy stacioneve, por asnjë opsion nuk u pëlqente banorëve, edhe pse teknikisht ishte plotësisht e justifikueshme.
Banorët dëshironin që stacioni të vendosej jo shumë larg stacionit të radhës, në një zonë ku nuk i shqetësonte, por në fakt nuk respektohej më distanca e 300 metrave. Kështu, gjatë një kohe tremujore pati një seri mbledhjesh e debatesh publike intensive, si në terren po ashtu edhe në sallat e bashkisë, ku përfshiheshin ekipet teknike, politike dhe qytetarët.
Në fund, edhe pse ekipet teknike kishin të drejtë, kryetari i Bashkisë dëgjoi qytetarët dhe mori vendimin që stacioni i autobusit do të vendosej aty ku banorët dëshironin. Justifikimi i kryetarit ishte: “Banorët – qytetarët më kanë votuar, dhe unë e kam për detyrë të dëgjoj ankesat e tyre dhe t’i respektoj”. Pra, ky është fryti i debatit publik në demokracinë lokale perëndimore, ku zëri i qytetarit merret në konsideratë dhe ku një projekti minimal i akordohet e njëjta rëndësi e një projekti madhor.
Bashkisë së Tiranës i mungon transparenca për sa i përket projekt-ndërtimit të parkut të fëmijëve te liqeni i Tiranës – dhe nuk është aspak e çuditshme që shoqëria civile, media, po ashtu edhe opozita, reaguan.
Politikanët, që tani gjenden në krye të bashkisë, të mos harrojnë se debatonin me qytetarin për t’i marrë votën gjatë muajve maj dhe qershor 2015. Ata/ato mund të vazhdojnë të njëjtin proces debati edhe sot, me projektet që mendojnë të realizojnë në hapësirat publike. Angazhimi i qytetarit në debatin publik është cilësor dhe bën që projektet të jenë më solide.