Avokatë të publikes që dhunojnë publiken
Nga Aleksandër Çipa, botuar në Shqip, 24 shkurt 2016
Avokatia për publiken nuk mund të manifestohet me patologji dhe akt të dhunshëm. Avokatia për atë çfarë është publike, duhet dhe ka lidhje me ndërgjegjen, sidomos atë qytetaren. Kjo e fundit, dëshmohet përmes mungesës dhe tkurrjes së përhershme në shoqërinë tonë. Një braktisje që në kohë dhe ngjarje kulmore ka marrë brendi dramatike në realitetin e shoqërisë shqiptare të 25 viteve të fundit.
Së fundi, duhet pranuar se ka një zgjim të protestave dhe reagimeve masive në Shqipëri. Është një shtim i aktivizmit qytetar dhe sidomos vërshim populist i ankimtarisë për shumëçka dhe për mjaft gjëra që lidhen me qeverisjen në të dyja nivelet, por jo vetëm me ato. Masivizimi i ankimtarisë virtuale, jo domosdoshmërish shpreh përkimin me të vërtetat dhe rrethanat objektive. Mirëpo, plane dhe investime të nisura de fakto nga Bashkia e Tiranës, si ai në mjedisin e brendshëm të Parkut të Liqenit, po vlejnë si “kampione” të rritjes dhe shtimit të aktivizmit qytetar, të cilin natyrshëm ndoshta tenton ta marrë në përdorim dhe opozita politike. Kjo është një çështje që meriton së pari, vëmendjen e qeverisjes vendore të Tiranës, sidomos kryetarit të bashkisë, zotit Erion Veliaj, dhe së dyti, edhe rikthimin e vëmendjes te dialogu dhe demokracia e respektimit të vullnetit të qytetarëve.
Ky projekt i ka ndarë qytetarët në dy palë:
Në ata që mbështesin nevojën e konsultimit paraprak me qytetarët, për projektin e parkut të lodrave për fëmijë brenda parkut të liqenit. Për këtë, kryebashkiaku Veliaj do të duhej të kishte një fushatë paraprake së pari konsultimesh, parashtrimi dhe publikimi të projektit, gjë që e bëri me një kohë vonesë Kryeministri Edi Rama, përmes një videoklipi projektues.
Anashkalimi i kësaj faze po i jep të drejtë masës së qytetarëve, një pjese të shoqërisë së pastër civile dhe një pjese tjetër të suportuar nga opozitarizmi politik të reagojnë fuqishëm dhe me tubime, të cilat tashmë po e parathonë në mospengimin, së paku vonimin dhe prishjen e këtij projekti bashkiak.
Versioni i fundit, i cili ka për të qenë shumë i mundshëm, po riciklon historitë e politikës me projektet e kushtueshme të shembura apo bllokuara në Bashkinë e Tiranës. (Kështu ngjau në kohë të shkuar me mbikalimin në “Zogun e Zi” dhe me sheshin “Skënderbej” në kohë të mandateve me kryebashkiakë Rama-Basha.) Projekti i ri i bashkisë për parkun e liqenit, po merr brendinë e një kauze opozitare, e cila duket qysh në prolog, se ka për t’i shkaktuar kokëçarje jo vetëm investitorit, financuesit dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në këtë projekt, por më së shumti, që do të përdoret si një “shesh beteje”, ku qytetarët do të jenë masivisht prezentë dhe palët politike në kundërshti me njëra-tjetrën. Si gjurmë dhe shenjë të kësaj beteje, do të lënë përbaltjen dhe pavizitueshmërinë e Liqenit Artificial. Më saktë, brenda ndoshta një muaji do të jemi dëshmitarë okularë se si ajo kurorë që u katandis “kokoshi një thelë” gjatë viteve të babëzisë betonizuese të këtyre 20 viteve të fundit, do të shndërrohet në një gropë e lënë në mes. A nuk mbeti më shumë se dy vjet ashtu dikur “Zogu i Zi”? Po sheshi “Skënderbej” a nuk u mbajt aq gjatë i pakalueshëm?
E thënë shkurt, avokatia për atë që është publike në Tiranë po gjeneron sa herë ka një histori dhe bëma të dhunimit të publikes. Protestuesit e shumtë dje në liqen të Tiranës, pasi i rrëmbyen grilat e hekurta të rrethimit të objektit, shkaktuan një kosto modeste dhe sidomos edhe përdhosën muret dhe mjediset e jashtme të Bashkisë së Tiranës. Ky gjest është një autogoditje për protestuesit, sepse të sjell në kujtesë goditjet vandale të viteve 1998 të opozitarizmit alla-Berishë në selinë e Kryeministrisë. Ndaj të njëjtën pikëpamje me intelektualin dhe profesorin Përparim Kabo kur shprehet: “Ajo që pamë si protestë e PD-së ishte një shëmtim, një dhunë që nuk shpie askund. Pse more njeri ç’të ka bërë godina që e gjuan me pisllëk … nëse ke fjalë për të thënë thuaji, nëse ke opsion opozitar bëje publik, nëse ke fakte komprometuese nxirri në dritën e diellit. Porse nëse nuk ke kauzë ajo nuk del nga logjika dhe argumenti i shoqërisë civile që s’ka lidhje me partitë politike. Po atë shkatërrim te liqeni duke thyer xhamat e makinerisë dhe duke e përmbysur ku e strehoni si motivim … te Ludizmi, pse makineria ta ka fajin ty? Ja pse nuk ecën vendi ynë … Nëse shoqëria civile ka një kauzë ajo nuk duhet të vidhet për akses publik dhe nuk duhet të katandiset në dhunë nga opozita politike e PD-së … Eh more njeri që ke kaq ngarkesë negative për të prishur në vendin tënd! Sa trishtim krijohet kur sheh se sa mendjeshkurtër është politika këtu te ne … gjithë ky vullnet për të shkatërruar”.
Më ngjan shumë më inteligjente dhe qytetare dërgesa e individëve të shoqërisë civile në organin e prokurorisë për të kërkuar nisjen e hetimeve për ligjshmërinë apo paligjshmërinë e projektit të bashkisë në parkun e liqenit. Sikundër do të më dukej shumë herë më e zgjuar dhe konstruktive që rrjeti i shoqërisë civile t’i kërkonte Bashkisë së Tiranës, meqenëse tashmë ka një perimetër gjeografik më të shtuar se më parë, që këtë projekt ta shtynte në zona të tjera më periferike të kryeqytetit dhe të mos prekej qoftë as edhe një centimetër tokë e gjelbërim nga kjo e mbetura në parkun e Liqenit Artificial. Nëse protesta dhe qëndresa e qytetarëve konvertohen në gurëhedhje, baltë dhe shembje objektesh, atëherë avokatia për publiken po konvertohet në dhunim të publikes. Nga ky version duhet shmangur çdo qytetar, edhe kur opozitarët e vjetër dhe të plakur si qeverisës, apelojnë për mosbindje civile.