Vendimet themelore politike
Nga Enis Sulstarova, botuar në Shqip, 18 shkurt 2016
Pjesa më pak e debatuar e një kushtetute është preambula, apo parathënia. Kjo ndodh, sepse parathënia e Kushtetutës hartohet në atë mënyrë që të shprehë bashkëpëlqimin mbi vlerat themelore të bashkësisë politike dhe mbi qëllimet e saj, realizimit të të cilave i shërbejnë nenet që formojnë trupin e Kushtetutës. Shkurtimisht, synohet që parathënia të përmbajë frymën e Kushtetutës. Vlerat dhe qëllimet themelore formulohen enkas në mënyrë të përgjithshme, por kjo gjë e bën të vështirë përdorimin e tyre në gjykatë. Ndërkaq, nenet e Kushtetutës përpiqen të trajtojnë me një gjuhë sa më të përpiktë të drejtat e detyrimet e qytetarëve dhe të institucioneve të shtetit, dhe rregullat themelore që garantojnë rendin e përgjithshëm ligjor. Si të tilla, ato citohen më shpesh, motivojnë paditë në gjykata, debatohen gjatë politikës së ditës dhe janë edhe objekt i ndryshimeve me anë të parlamenteve dhe referendumeve. Edhe pse parathënia nuk jep ndonjë të drejtë apo pushtet, veç atyre që janë cilësuar si të tilla në nenet që formojnë trupin e Kushtetutës, në krahun tjetër, teksti i parathënies mund të citohet nga gjykata për të vendosur mbi interpretimin e drejtë të ndonjë neni të Kushtetutës, rreth kuptimit të të cilit ekziston një mosmarrëveshje.
Parathënia është pjesa e Kushtetutës që kumton vendimet politike të hartuesve të saj. Parathënia shërben për të emërtuar sovranin, i cili në kushtetutat moderne është populli – në vetvete një term neutral me të cilin identifikohen të gjithë qytetarët – si edhe kombin e veçantë, apo kombet që përbëjnë popullin e një shteti. Parathënia mund të përmbajë një rrëfim historik që arsyeton shpalljen dhe miratimin e Kushtetutës, zakonisht në emër të aspiratës së popullit për pavarësi dhe vetëvendosje. Më tutje, parathënia mund të specifikojë gjuhën, identitetin, besimin apo traditat e popullit dhe t’i trajtojë si vlera ose gjëra të shenjta. Gjithashtu, një pjesë tjetër që vendoset në parathënie janë qëllimet themelore, të cilat mund të jenë universale, si drejtësia, liria, barazia, të drejtat e njeriut etj. Këto mund të quhen ndryshe edhe përcaktime për të mirën e përbashkët të një shoqërie apo bashkësie politike.
Mënyrat për të ndryshuar parathënien e Kushtetutës janë referendumi, asambleja kushtetuese apo miratimi i një Kushtetute të re. Sipas një prej teoricienëve më në zë të së drejtës kushtetuese, Karl Shmit (Carl Schmitt), në përmbajtjen e një kushtetute ekziston dallimi midis “dispozitave kushtetuese”, që rregullojnë veprimet dhe caktojnë normat e së drejtës, dhe “vendimeve politike themelore”, që, për nga natyra e tyre i paraprijnë dhe janë të domosdoshme për të gjitha normat e tjera të së drejtës. Dispozitat kushtetuese janë mjetet për arritjen e qëllimeve mbi të cilat janë marrë vendimet politike themelore. Këto të fundit mund të zënë vend edhe në trupin e saj, por ato patjetër shprehen në parathënie, për t’i dhënë një frymë të caktuar të gjithë trupit të Kushtetutës. P.sh. shprehja “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar” është pjesa e parathënies së Kushtetutës së Shqipërisë që e pajis me një substancë të përveçme historike atë që më sipër është quajtur “Populli i Shqipërisë”, dhe prej frymës së saj buron neni 8/1 i Kushtetutës, që thotë se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të tij”. Pra, atë që parathënia e shpreh si parim, neni 8/1 e përcakton si detyrim ligjor për të gjitha institucionet shtetërore në lidhje me shqiptarët që nuk janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Për të dhënë një shembull tjetër, Kuvendi me shumicë të cilësuar mund të ndryshojë nene të caktuara të Kushtetutës, por jo nenet 1 dhe 2 që kanë të bëjnë me formën republikane të qeverisjes, karakterin unitar të shtetit dhe me sovranitetin popullor. Këto janë vendime themelore politike ndryshimi i tyre patjetër sjell anulimin e Kushtetutës së tanishme.
Përfytyrimet mbi vlerat dhe të mirën e përbashkët të një populli janë historikisht të ndryshueshme dhe objekt i mosmarrëveshjeve politike. Mjafton të shohim se çfarë kanë dashur të përcaktojnë si të tilla në parathëniet përkatëse hartuesit e kushtetutave të Shqipërisë gjatë shek. XX. Një krahasim midis parathënieve të kushtetutave të Mbretërisë Shqiptare, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës së Shqipërisë na shfaq vazhdimësitë dhe dallimet në konceptimin e vlerave dhe të qëllimeve të secilit rend politik. Nga të tria, parathënia e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, i miratuar më 1 dhjetor 1928, është më e shkurtra. Në të theksohen qëllimet e forcimit të bashkimit kombëtar, zhvillimi paqësor i atdheut dhe të sigurimit të së mirës të përgjithshme (të përbashkët) për popullin, duke u mbështetur dhe respektuar traditat historike të kombit. Teksti i thjeshtë i parathënies, bën kontrast me aktin pompoz të shpalljes së mbretërisë tre muaj më parë. Ai duket sikur kërkon të tregojë vazhdimësinë me të shkuarën, prandaj vlerat e përmendura janë liria dhe traditat historike kombëtare. Kombi është referenca e vetme, mungojnë referimet te Zoti apo parimet universale, ndërsa sistemi mbretëror përmendet në nenin e parë të trupit të Kushtetutës. Kujtojmë se argumenti më i fortë që paraqiti Zogu për ndërrimin e trajtës së regjimit ishte pikërisht ideja se mbretëria ishte më pranë traditave shqiptare dhe, si e tillë, ofronte më shumë siguri e stabilitet sesa republika. Jo më kot fjala “siguri” shfaqet dy herë brenda parathënies, një herë te shprehja “për sigurimin e zhvillimit paqësor të Atdheut” dhe herën tjetër te ideja se traditat e kombit “i sigurojnë brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme”. Kështu, republika fare mirë mund të konsiderohej si një fazë tranzitore, prej mbretërisë pa mbret që sanksiononte Statuti i Kongresit të Lushnjës, drejt mbretërisë që e kishte gjetur më në fund mbretin e merituar. Ky i fundit vetëm sa ndërroi kapelën me kurorën. Si për të theksuar edhe me vazhdimësinë, dispozitat kalimtare në fund të Statutit Themeltar të Mbretërisë e shndërrojnë Asamblenë Kushtetuese në parlament të rregullt – deputetët e të cilit vijojnë punën aty ku e kanë lënë ata të mandatit të kaluar – dhe ato sanksionojnë që në të gjitha ligjet e rregulloret shtetërore të mbetura në fuqi të bëhet ndërrimi i fjalëve “republikë” e “president” me fjalët “mbretëri” e “mbret”.
Parathënia, apo “Hyrja” e Kushtetutës së vitit 1976 është më e gjata. Në tërësinë e saj, ajo është një panoramë e shkurtër e ngjarjeve themelore që kanë çuar deri te kjo kushtetutë, prej përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për të fituar lirinë prej armiqve të jashtëm e për të fituar “bukën e drejtësinë shoqërore” prej armiqve të brendshëm, deri në vitet e socializmit. Fitorja e socializmit në Shqipëri paraqitet si rrjedhojë e përpjekjes shekullore kombëtare dhe e revolucionit komunist të tetorit në Rusi. Krijimi i shtetit të pavarur më 1912 paraqitet një “fitore e madhe”, mirëpo më poshtë thuhet se, “më 29 Nëntor 1944 Shqipëria fitoi pavarësinë e vërtetë dhe populli shqiptar mori në dorë fatet e tij. Triumfoi revolucioni popullor dhe u hap një epokë e re, epoka e socializmit”. Kjo u bë e mundur nga “lufta më e madhe e historisë së tij”, kuptohet nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Se nga cilat vlera orientohet rendi socialist mund të nxirret nga lista e arritjeve të Shqipërisë socialiste që numërohen në parathënie. Midis tyre janë shtetëzimi i pronës dhe i mjeteve të prodhimit, likuidimi i klasave dhe i shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, ndërtimi i ekonomisë së planifikuar socialiste, industrializimi, emancipimi i gruas, shembja e “obskurantizmit fetar”. Në pjesën e parë e historike të parathënies, përveç kombit, dominon përmendja e “klasave mike”, “masave”, “shoqërisë” dhe shprehet hapur se ideologjia sunduese në vend është ajo proletare. Frymëzimi i popullit shqiptar është “doktrina e madhe e marksizëm-leninizmit”, ndërsa udhëheqësja e tij është Partia e Punës. Meqenëse në tekst thuhet se Shqipëria ka hyrë në rrugën e ndërtimit të shoqërisë socialiste, si etapa që i paraprin shoqërisë komuniste, parathënia përcjell sigurinë më të madhe të mundshme për të ardhmen. Paracaktimi i së ardhmes nuk i le shtetit shqiptar qëllim tjetër veçse vazhdimin e rrugës së nisur. Në lidhje me mjedisin e jashtëm, hyrja e Kushtetutës përfshin Revolucionin e Tetorit e idetë komuniste në aspektin historik, dhe mbështetjen “aktive” aktuale që Shqipëria i jep luftës së popujve për çlirim kombëtar e shoqëror dhe për paqen, në luftën kundër imperializmit, reaksionit dhe revizionizmit, me synimin e fundmë të ngadhënjimit kudo në botë të “idealeve të mëdha të socializmit e komunizmit”. Edhe pa lexuar nenet e Kushtetutës së vitit 1976, parathënia përcakton shumëçka. Kombi, populli, shoqëria janë sinonime të bashkimit të dy klasave “mike”, punëtorëve dhe fshatarësisë kooperativiste, ku gjithsesi e para është “klasa udhëheqëse”, sepse shoqëria socialiste e më pas ajo komuniste janë shoqëri të industrializuara dhe fshatarësia, ndonëse kooperativiste, më shumë sesa subjekt i modernitetit, është ruajtëse e traditave të shëndosha të popullit. Partia e Punës është përcaktuar qysh në fillim si udhëheqësja politike, sikurse edhe ideologjia sunduese, gjëra të cilat gjejnë shprehje thuajse të njëjtë edhe në nenin 3 të Kushtetutës: “Partia e Punës e Shqipërisë, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë. Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi”.
Ndër të tria parathëniet e kushtetutave, tek ajo e periudhës socialiste gjejmë më shumë vendime themelore politike, madje ato shtjellohen më mënyrë të përpiktë e substanciale, për të mos lënë vend për interpretime të mëvonshme. Shembujt janë favorizimi i pronës kolektive përkundrejt asaj private, përmendja e emancipimit të gruas (në vend të emancipimit në përgjithësi), tipologjia e armiqve të jashtëm ideologjikë (në vend të një kuptimi të përgjithshëm të armikut si kushdo që cenon lirinë e pavarësinë e popullit), përbërja klasore e popullit, mënyra socialiste të zhvillimit e mirëqenies shoqërore (në vend të zhvillimit e mirëqenies në përgjithësi), përcaktimi komunist i shoqërisë së ardhshme, qëndrimi i hapur ateist etj.
Parathënia e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë hapet me cilësimin e kolektivit kushtetues si “Ne, populli i Shqipërisë” dhe jo me shprehjet “kombi shqiptar” e “populli shqiptar” që gjenden në kushtetutat përkatëse të mbretërisë dhe komunizmit. “Populli i Shqipërisë” do të thotë se, së pari, Kushtetuta e tanishme është miratuar në vitin 1998 nga qytetarët e republikës, por jo nga pjesët e popullit/kombit që gjenden jashtë saj; së dyti, përkufizimi territorial-shtetëror i “popullit” është menduar si më përfshirës ndaj qytetarëve me origjinë etnike joshqiptare. Për rrjedhojë, vlerësimi që i bëhet së shkuarës me shprehjen vijuese “krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë” duhet kuptuar në planin civil dhe jo etnik, pra i referohet të shkuarës së qytetarëve të Shqipërisë dhe jo vetëm historisë së kombit shqiptar. Për këtë arsye, ndoshta është parë e udhës që më poshtë në parathënie të vihet shprehja “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”, e cila i referohet specifikisht një kolektivi historik me identitet të përveçëm që ka pasur dhe ka “dëshirën e madhe, synimin dhe shpresën” (shpjegimi i fjalës “aspiratë”, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe) për bashkimin politik.
Gjithsesi, në parathënie aspirata e bashkimit kombëtar përmendet pas “vendosmërisë për të ndërtuar” një shtet të së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me tolerancë e bashkëjetesë fetare. Përfshirja e të drejtave dhe lirive të njeriut në parathënie pasqyron vlerat e demokracisë liberale në botën e sotme, që janë edhe fokusi i shumë dokumenteve themelore të rendit të sotëm ndërkombëtar në botë dhe sidomos në Europë. Dallimi është i dukshëm me “njeriun e ri” të Kushtetutës së vitit 1976. Përmes parathënies së Kushtetutës së Shqipërisë, një vendim themelor i popullit shqiptar del se është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, krahas të drejtave dhe lirisë së popullit/kombit. Kjo karakteristikë vihet edhe në trupin e Kushtetutës, përkatësisht në nenin 175, pika 1 që specifikon se në situatë lufte apo në gjendjen e jashtëzakonshme nuk mund të pezullohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ato mund të pezullohen vetëm me anulimin tërësor të Kushtetutës.
Vlerat të tjera që përmenden në parathënien e Kushtetutës së tanishme të Shqipërisë, janë dinjiteti njerëzor, prosperiteti i të gjithë kombit, paqja, kultura dhe solidariteti shoqëror. Barazia shoqërore nuk përmendet, por të paktën synimi për të luftuar efektet e pabarazisë shoqërore mund të merret i nënkuptuar përmes shprehjeve “prosperitet i të gjithë kombit”, “solidaritet shoqëror” dhe “shtet social”. Në fund të parathënies, si “vlerat më të larta” të njerëzimit përmenden drejtësia, paqja, harmonia e bashkëpunimi midis kombeve. Sërish, dallimi është mjaft i dukshëm me rolin revolucionar që Kushtetuta socialiste i caktonte shtetit shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare.