Asimilim, integrim apo përafrim shumëkulturor?

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 18 shkurt 2016

Rexhep MeidaniA KA NEVOJË EUROPA PËR NJË KOHEZION E PËRAFRIM TË RI?

Diçka nuk ecën në botën e sotme. Këtë po e dëshmojnë mjaft pamje të ekstremizmit të dhunshëm, të ushqyera sidomos nga terrorizmi, dhe të motivuar për arritjen e qëllimeve politike, ideologjike, fetare e sociale. Përgjithësisht, frika, kërcënimi, kanosja dhe dhuna e çdo lloji po kërcënojnë demokracitë perëndimore.

Këtë situatë po përjeton edhe Europa sot. Aty, në luftën kundër terrorizmit, një rrezik real po shndërrohet numri i të rinjve që udhëtojnë drejt zonave të konfliktit, si Siria, Iraku, Libia etj., për t’u bërë luftëtarë të “Kalifatit islamik”. Sidomos, ky kërcënim bëhet akoma më serioz me rikthimin e tyre në vendet e tyre të origjinës, pas stërvitjes e aftësimit në veprimtari terroriste dhe mbajtjes së lidhjes me shtabet terroriste.

Gjakderdhja e fundit në Francë është një dëshmi e qartë e këtij rreziku të madh… Pikërisht, me shfrytëzimin e gjendjes së pakënaqësisë, në mjaft vende të Europës Perëndimore po fuqizohet ekstremi i djathtë që ushqen nacionalizmin, por edhe nxit pozicionin refraktar ndaj emigracionit. Ndërsa, në pjesë të Europës Lindore po rritet nacionalizmi agresiv, p.sh., në Ukrainë; kurse në pjesë të Europës Jugore, që po “shërbejnë” si vende tranziti, po rritet pakënaqësia e përplasja.

Të gjitha këto aspekte të ekstremizmit nacionalist, etnik e fetar apo të formave të tjera të tij janë baza ushqyese për një polarizim e intolerancë në rritje në shoqëritë europiane. Një pamje shqetësuese ka shtrirja e ekstremizmit fetar, veçanërisht globalizimi i Islamit radikal e fals, me trupëzim te dhuna. Nga ana tjetër, në vendet perëndimore, një zhvillim i tillë ka nxitur prirjen e vetëpërjashtimit, refuzimin e integrimit normal, përfshirës e shumëkulturor, të kohezionit e proceseve ndërvepruese në bashkësitë me origjinë myslimane.

Është pikërisht ky përjashtim apo vetëpërjashtim që, në mjaft raste, po shërben aty si një sistem feedback i radikalizimit në rritje. Kjo vlen të detajohet dhe të ndiqet me vëmendje edhe në rastin shqiptar…

PËRFSHIRJA DHE PËRJASHTIMI

Një zhvillim i tillë negativ nuk është, në vetvete, një Përplasje Qytetërimesh (Clash of Civilizations), por është pasqyrë e dështimit të procesit të përfshirjes e adoptimit, integrimit e funksionimit të një shoqërie shumëkulturore, sidomos për popullsitë myslimane në shoqëritë perëndimore. Disa nga shkaqet janë aty:

– Një nivel i lartë papunësie e varfërie;

– Forma të ndryshme të diskriminimit, të përjetuara në mënyrë të shpeshtë (si problemet e punësimit, strehimit, kontrolleve të përsëritura policore etj.);

– Pabarazi sociale e territoriale në përftimin e shërbimeve të ndryshme publike;

– Faktorë strukturorë të lidhur me papunësinë masive në zona periferike, një lloj veçimi (segregacioni) që nuk është shmangur dot në sajë të mungesës e dobësisë së planifikimit të politikave urbane; njëfarë “aparteidi” social me elementë përjashtimi;

– Faktorë socialë-kulturorë të lidhur ngushtë me veçimin edukativ e kulturor, me reduktimin e shpenzimeve publike për asistencë sociale, për mbështetje të asociacioneve të ndryshme etj.

INTEGRIMI PËRKUNDREJT ASIMILIMIT

Kohë më parë, në shumicën e vendeve, ka qenë më se e zakonshme që ato të ruanin e zhvillonin një kulturë të vetme në një popullsi gati homogjene. Por, sot, në kushtet e një globalizimi intensiv, pjesa më e madhe e tyre kanë popullsi të përzierë, shpesh me një kulturë të shumëfishtë.

Madje, ky proces po shtrihet e përshpejtohet duke imponuar në këtë mënyrë pluralizmin kulturor apo multikulturalizmin. Janë zhvilluar në kohë dy mënyra të ndryshme me të cilat pakicat (minoritetet) kanë bashkëjetuar me shumicën e popullsisë. Proceset bashkëshoqëruese të tyre kanë qenë: asimilimi e integrimi.

I pari është njëfarë absorbimi i komuniteteve pakicë prej bashkësisë shumicë; madje ai është zhvilluar në një drejtim. Nëpërmjet tij u kërkohet (imponohet) bashkësive pakicë që të më- sojnë dhe t’u përshtaten zakoneve e traditave të shumicës, duke hequr dorë nga traditat e zakonet e mëparshme apo duke i modifikuar ato për të qenë të pranueshme nga ajo shumicë. Pra, në mjaft aspekte, popullsia e bashkësive pakicë duhet të adoptojë kulturën e shumicës si “shenjë pranimi” e kësaj të fundit.

Me fjalë të tjera, asimilimi ndodh kur pakica (etnike, fetare) humbet disa nga veçoritë e veta për t’iu adoptuar veçorive të shumicës për t’u pranuar si pjesë e saj. Ky lloj asimilimi ka qenë ose vullnetar, ose i detyruar, nëpërmjet “taktikash” të ndryshme në fushën e shkollimit, pjesëmarrjes në veprimtaritë kulturore etj.; në ndonjë rast nëpërmjet ekspozimit social, riedukimit apo përshtatjes së dhunshme (si për fëmijët aborixhinë, në Australi).

Ndërkohë që metodat më ekstreme të asimilimit apo dominimit kulturor janë shfaqur, veçanërisht, gjatë procesit të kolonizimit. Procesi i dytë është ai i integrimit. Ai shfaqet si një proces i dyanshëm, ku ndeshet një ndikim i ndërsjellë, një huazim reciprok midis kulturave, njëfarë synimi apo tentativë për ta pranuar kulturën e pakicës dhe ta “shkrirë” atë me kulturën e shumicës.

E thënë ndryshe, një proces i tillë nënkupton pranimin e ligjeve dhe të sjelljes morale të vendit pritës nga popullsia pakicë, që nuk është e detyruar të heqë dorë nga traditat dhe mënyra e saj e jetesës brenda grupit. Normalisht, kjo shoqërohet edhe me modifikime në të dy kulturat në kontakt. Por, ama, rezultati është pozitiv kur nuk ka antagonizëm ose nuk ushqehet ai midis këtyre kulturave.

Në mungesë të tij, ato akomodohen lehtë te njëra-tjetra dhe jetojnë midis tyre në mënyrë harmonike. Pra, integrimi është një proces ku kulturat e komuniteteve pakicë marrin diçka nga kultura e bashkësisë shumicë, duke u bërë dhe ato pjesë të kulturës shumicë, duke e ruajtur identitetin e tyre. Në këtë proces integrimi duhet të vlerësohen, po ashtu, këto aspekte:

i) mënjanimi i barrierave ndaj komunitetit të emigranteve dhe grupeve pakicë;

ii) aspekti kulturor i integrimit (përfshirë dhe lehtësitë për mësimin e gjuhës);

iii) aspekti ekonomik i integrimit (p.sh., punësimi);

iv) aspekti politik i integrimit (p.sh., e drejta për të votuar në zgjedhjet vendore, pa pasur shtetësinë);

v) aspekti social i integrimit;

vi) ndërmjetësimi i autoriteteve publike në favor të bashkimeve social-kulturore;

vii) ndërtimi i një opinioni publik pozitiv dhe inkurajimi i medias pjesëmarrëse e ndihmuese; etj

NJË RAPORT QË FLET SHUMË

Në disa vende të zhvilluara, pretendohet se po zhvillohet sot një politikë zyrtare në ruajtje e mbrojtje të kulturave dhe të identiteteve kulturore brenda vendit, në kuadër të një shoqërie sa më të unifikuar (po jo patjetër homogjene).

Kështu, brenda shoqërisë, synohet një politikë e baraspeshuar, që garanton një status e trajtim të njëjtë për të gjitha grupet e ndryshme kulturore, etnike e fetare.

Pra, asnjë nga kulturat nuk konsiderohet mbizotëruese, ndryshe nga asimilimi (kulturor), ku kërkohet, pak a shumë, një gjuhë e kulturë e vetme. Për ta ekspozuar më mirë shqetësimin, po ndalojmë shkurtimisht në disa përfundime të raportit prej 615 faqesh, të përgatitur në Francë, nga Instituti Kombëtar i Studimeve Demografike, për integrimin e emigrantëve dhe fëmijëve të tyre në shoqërinë franceze.

Sipas tij, emigrantët e ardhur aty pas Luftës së Dytë, shumica prej kolonive franceze apo ata që ishin rreshtuar në njësitë franceze në luftën kundër nazistëve, përqafuan në pjesën dërmuese të rasteve një identitet francez. Pra, kjo ishte gjenerata që e pranoi me lehtësi qytetarinë (shtetësinë) franceze.

Por, me kalimin në gjeneratën e dytë dhe të tretë, në vend të një transformimi të mëtejshëm, u shfaqën jo pak barriera në procesin e edukimit, strehimit e punësimit, sidomos me rritjen numerike të dukshme të këtyre bashkësive.

Ky lloj diskriminimi ishte më i qartë te pakicat me ngjyrë. Pra, ata e konsideronin veten francezë, dhe zyrtarisht ata ishin qytetarë (shtetas) francezë, por ata nuk perceptoheshin si të tillë, duke krijuar një mospërputhje të dukshme midis identitetit dhe pranimit të tyre si anëtarë me të drejta të plota në shoqërinë franceze. Sidomos shqetësues (e) ka qenë mobiliteti i ngurtë social apo ngecja në vend te pasuesit e emigrantëve me origjinë joeuropiane.

Madje, gjatë krizës ekonomike, ata kanë vuajtur më shumë se të tjerët, por dhe kanë përjetuar një nivel më të lartë papunësie e diskriminimi se gjeneratat e tjera. Disa politikanë e justifikojnë këtë, sot, me numrin e madh të emigranteve në Francë apo në vendet e tjera perëndimore.

Kjo është një e vërtetë, por, ama, vetëm një pjesë e vogël e saj. Në fakt, sipas raportit, mund të lexohen shumë elemente diskriminimi, të padukshme dhe të paplanifikuara, që i kanë zhvendosur këto gjenerata drejt punëve më pak të paguara, njëfarë “getoje” të krijuar për ta.

Pra, nuk ekziston zyrtarisht një veçim racial, etnik e fetar, por kanë ekzistuar dhe ekzistojnë praktika “filtrimi” dhe forca socialekonomike, që prodhojnë këtë ndarje e diskriminim. Dhe ky është një problem real, sidomos, sot, në Europë, me ndryshimet e dukshme sasiore në numrin e emigrantëve (apo, në përgjithësi, të pakicave). Ai ka nevojë për një përafrim krejt tjetër, duke konsideruar seriozisht dhe vetë këto ndryshime sasiore-cilësore.

ZGJIDHJE ËSHTË PLURALIZMI KULTUROR

Siç u tha pak më sipër, asimilimi është një proces në të cilin anëtarët e grupit të vogël etno-kulturor absorbohen nga bashkësia pritëse shumë më e madhe. Asimilimi tërë- sor ndodh kur anëtarët e rinj të shoqërisë bëhen identikë me anëtarët e grupit kryesor.

Kjo do të thotë se grupi i absorbuar humbet shumicën e karakteristikave të veta, gjë që edhe mund të shoqërohet me pakënaqësi e përplasje midis anëtarëve të dy bashkësive. Disa dekada më parë, për grupe të vogla emigrantësh, koncepti kryesor ishte asimilimi me anë të përftimit të një

a) statusi socialekonomik,

b) përqendrimit hapësinor,

c) mësimit të gjuhës me kalim nga gjenerata e parë (me gjuhë mbizotëruese atë amtare, por një njohje të pranueshme të gjuhës së vendit pritës), në gjeneratën e dytë (si brez dygjuhësh) dhe më tej në gjeneratën e tretë, etj., (që zotëron vetëm gjuhën zyrtare të vendit); apo

d) martesave të përziera (si tregues asimilimi ose integrimi social).

Sidoqoftë, pas shumë dekadave, u kuptua se një rrugë e tillë me synim asimilimin, nuk e zgjidhte problemin, sidomos kur numri i personave nën këtë procedurë u bë tepër i madh. Këtë dëshmuan, p.sh., trazirat e vitit 1981 në periferinë e Londrës; trazirat në zonat nënurbane në Francë, në nëntor 2005 e tetor 2006, trazirat në Mbretërinë e Bashkuar në 2011 etj.

Deri diku, kjo u kuptua me dëshirë apo padëshirë në rrjedhje të viteve. Pra, ndryshimet sasiore kërkonin një përafrim tjetër, një ndryshim cilësor shumë më të pranueshëm e koheziv… Prandaj, politika asimiluese në trajtimin e emigrantëve filloi të shndërrohej gradualisht në një politikë integruese.

Veçse, sot, kjo përsëri nuk është më e mjaftueshme. Në kushte më globale, si objektiv politik po bëhet tashmë një përafrim shumë më realist ndaj shumëllojshmërisë apo të ashtuquajturit “multikulturalizëm”, ku kultura e popullsisë shumicë përmban dhe kulturat pakicë.

Të dy përafrimet, i vjetri dhe i riu, ndeshen si në Europë, ashtu dhe në Amerikën e Veriut. Për disa, p.sh., në SHBA është më përfaqësues përafrimi asimilues-integrues, ndërsa në Kanada përafrimi integruesshumëkulturor.

Megjithatë, ndarja midis tyre nuk është e prerë. Aq më tepër që në një botë gjithnjë e më globale, përafrimi shumëkulturor synon të krijojë unitetin nëpërmjet ndryshimit, duke mbrojtur larminë e kulturave, deri duke ndarë vlera të ndërsjella. Kështu, në pikëpamje të politikës legale, Kanadaja është një nga vendet me një akt të parë zyrtar shumëkulturor; por, edhe brenda këtij shteti me dy gjuhë zyrtare ndeshen jo pak shfaqje asimilimi.

Madje, aty, me gjithë politikat zyrtare konkrete, vihet re përplasja midis këtyre dy përafrimeve. Por, duke e përpunuar më tej përafrimin shumëkulturor, si model më funksional rezulton ai i shoqërisë së përbashkët (shared society).

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi