Formalizimi i ekonomisë, një përpjekje shumë komplekse

Nga Arben Malaj, revista Bankieri, 16 shkurt 2016

Arben-MalajKa shumë referime dhe klasifikime se kush përfshihet në ekonominë informale. E përbashkëta është pagimi i një pjese apo i të gjitha detyrimeve fiskale. Përgjithësisht, paraja informale gjendet në një numër të madh biznesesh, kryesisht individuale dhe të vogla, ndërsa ajo kriminale në një numër gjithnjë e më të vogël. Të parat e cenojnë pak demokracinë, të dytat janë një kërcënim real dhe në rritje. Paratë nga ekonomia e zezë, bëhen edhe më të pista dhe kërcënuese kur investohen në politikë, me synimin e kapjes së shtetit. Shkalla e lartë e informalitetit në ekonominë tonë, e vendos reduktimin e tij në reformat strukturore prioritare, për çdo qeveri. Efektet pozitive kanë të bëjnë me përcjelljen më mirë të politikave monetare, financiare dhe strukturore, në një pjesë më të madhe të ekonomisë. Nëse pranojmë se informaliteti në vendin tonë është 33-36%, kjo nënkupton se, më shumë se 1/3 e veprimtarisë ekonomike, ndodhet jashtë mundësive për të përfituar nga politikat ekonomike, mbështetëse dhe nxitëse. Më shumë se 1/3 kanë qasje të kufizuar në burimet e kreditimit të biznesit të tyre dhe nuk përfitojnë nga skemat e nxitjes së NVM-së. Nëse 1/3 e ekonomisë, ka këto pengesa për t’u zhvilluar, e gjithë ekonomia jonë do të rritet poshtë potencialeve të saj, duke krijuar probleme me stabilitetin e financave publike dhe produktivitetin e ekonomisë.

Aktualisht, zhvillimi në një fazë të re të ekonomisë së vendit, do të kushtëzohet ndjeshëm në rritjen, qëndrueshmërinë dhe cilësinë e rritjes së ekonomisë. Rritja e aftësisë konkurruese të ekonomisë tonë, kushtëzohet nga disa reforma strukturore të rëndësishme, siç janë: (i) shërbimet publike, energji, ujë, transport, ndriçim – të cilat duhet të eliminojnë subvencionimin e tyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, sepse kanë kufizuar burimet buxhetore për financimin më të mirë të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, bujqësisë dhe turizmit; (ii) reduktimi i shkallës së subvencionimit të deficiteve të skemave të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, që janë një barrë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Rreth 460 milionë dollarë të taksapaguesve shqiptarë, nuk shkojnë për të rritur investimet publike në sektorët që përcaktojnë cilësinë e zhvillimit ekonomik dhe në uljen graduale të borxhit publik, por subvencionojnë deficitin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; (iii) reformat në menaxhimin e shoqërive dhe agjencive publike – keqmenaxhimi i tyre i shkakton ekonomisë sonë humbje të mëdha, jo vetëm financiare, por edhe në cilësinë e shërbimeve dhe furnizimeve që ato duhet të garantojnë; (iv) grupi i reformave më të vështira, por edhe më të domosdoshme, është ai i përmirësimit të mjedisit të biznesit. Funksioni i dobët i shtetit ligjor, mungesa e lirisë së pronës, niveli epidemik i korrupsionit dhe kapja e shtetit – vazhdojnë të mbajnë të shtypur potencialet për rritje ekonomike më të lartë dhe cilësore.

Nëse do u referohemi disa prej indekseve kryesore të skanimit të ekonomive të vendeve të ndryshme në botë, do të ndihmohemi të qartësojmë problemet kryesore dhe do të dallojmë pengesat reale, do të kuptojmë dështimet e përsëritura, gjatë tranzicionit tonë të vështirë. Disa nga këto indekse janë: 1. indeksi i lirisë ekonomike; 2. indeksi i perceptimit të korrupsionit; 3. indeksi i tranzicionit; 4. indeksi i të bërit biznes dhe i pagimit të taksave; e sidomos 5. indeksi i konkurrencës globale.

Por si ndikojnë aksione të tilla në klimën e biznesit në përgjithësi e më tej, cili është ndikimi dhe pasoja e një sipërmarrjeje të tillë në drejtim të kërkesës së biznesit drejt huave bankare? Më lart u argumentua domosdoshmëria dhe dobia e luftës kundër informalitetit. Pra, pas diagnostikimit të gjendjes kritike, hapi tjetër është terapia, shkalla e ndërhyrjes, mjetet dhe kura e domosdoshme, përpara, gjatë dhe pas ndërhyrjes/aksionit. Reforma do të lehtësonte: i) qartësimin e vizionit (reformë apo aksion); ii) vendosjen e objektivave dhe treguesve konkretë e të matshëm; iii) llojin e ndërhyrjes në tri nivele, legjislativ – ligjet dhe aktet nënligjore, institucionet përkatëse, përgjegjëse për zbatimin e reformës dhe përmirësimin e eficiencës së autoriteteve përkatëse; iv) shkallën e gradualitetit, për të arritur rezultate të qëndrueshme; v) raportin midis kulaçit dhe kërbaçit. Studimet ndërkombëtare tregojnë se reduktimi i informalitetit do të synohet duke i dhënë prioritet lehtësimit (kulaçit) dhe jo penalizimit (kërbaçit); vi) do të qartësonte kohëzgjatjen për arritjen e objektivave dhe qëllimeve konkrete; do të parashikonte skemën dhe afatet e monitorimit, si dhe afatet e rishikimit, p.sh. një reformë 5 deri në 7 vite, do të duhej të rishikohej dy herë në vit dhe t’i bëhet rifreskim një herë në vit dhe së fundi, do të qartësonte brenda skemës funksionale të qeverisë, por edhe institucioneve jo-qeveritare, kush bën çfarë dhe kur.

Reduktimi gradual dhe me logjikë lehtësuese të ekonomisë informale, është një qasje me përfitim të dyfishtë edhe për sistemin bankar. Kjo, pasi formalizimi i saj në hapat e para, rekomandohet të bëhet nëpërmjet skemave lehtësuese financuese, ku kërkohet bashkëpunimi midis sistemit bankar që krediton me interesa tregtare dhe qeverisë që lehtëson kostot tregtare, nëpërmjet skemave të ndarjes së rreziqeve. Formalizmi fut në qarkullim ekonomik pasuri individuale, të cilat duhet të lehtësojnë huamarrjen, për të kaluar në një shkallë me të lartë të veprimtarisë dhe fitimeve të tij. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave, bashkë me shoqata të tjera të biznesit apo donatorë potencialë, mund të financonin një studim të thelluar të shkaqeve e përmasave të ekonomisë informale, si dhe të strategjisë kombëtare të reduktimit të saj. Eksperienca të studimeve të tilla gjenden në vende të tjera.

Për sa i përket cenimit të veprimtarisë bankare, kërkesës për hua dhe rritjes ekonomike nga aksione të tilla, nëse ato nuk janë të mirëstudiuara dhe të pashoqëruara me masa të tjera lehtësuese në ekonomi, duhet të dallojmë efektin e menjëhershëm dhe efektin e qëndrueshëm. Këtu ka shumë rëndësi ajo që konsiderohet “timing” – pra koha që përzgjidhet për të nisur një reformë, një aksion apo një sipërmarrje. Në ketë këndvështrim, koha e përzgjedhur për një aksion kundër informalitetit, ishte e gabuar. Koha për të nisur një reformë që lehtëson informalitetin ishte koha më e mirë, kjo sepse reduktimi i informalitetit, duke u bazuar në lehtësimin e formalizimit, mund të krijonte burime të reja rritjeje, në një kohë kur rritja është objektivi më i vështirë për çdo qeveri, sidomos aktualisht kur sfidat sociale janë të rënda. Aksioni kundër informalitetit, krijonte trysni për mbyllje të veprimtarive informale, rrit qoftë edhe përkohësisht papunësinë dhe plagë të tjera sociale, ndërsa formalizimi nëpërmjet lehtësimit nuk e krijonte këtë situatë.

Edhe në pjesën e huadhënies duket se “timing-u” nuk është mbajtur parasysh, pasi lufta kundër informalitetit u nis me vrull në periudhën kur, për shumë arsye, bankat tona tregtare ndodheshin nën kufizime të rrepta lidhur me huadhënien. Jo rastësisht në indeksin e konkurrencës globale të vitit 2014-2015, vështirësia kryesore për biznesin, ishte qasja në burime financimi.

Në qoftë se u bëhet një analizë retrospektive rezultateve të aksionit kundër informalitetit, kemi disa pasoja shqetësuese, duke filluar nga shkelja e rëndë e parimit të proporcionalitetit dhe parimit të shtetit të së drejtës, që nënkupton ndarje, balancë dhe kontroll të pushteteve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e ligjit për procedurat tatimore, është një argument plus në këtë debat publik dhe një hap pozitiv në qartësimin e kufijve kushtetuese, që ka çdo qeveri në qeverisjen e vendit të saj.

Masat represive kanë ushqyer pasigurinë dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, kanë varfëruar burimet e konsumit, duke u shfaqur edhe në rënien e niveleve të parashikuara të rritjes ekonomike. Këto masa nxitën emigrimet masive dhe rritën aplikimet për të emigruar. Reduktimi i burimeve njerëzore dhe i kapitalit social, është sfida më e rëndë e çdo vendi, aq më shumë për vende që në të ardhmen e afërt do të përballen me sfida demografike jo të lehta. Shqipëria ka ende mundësi të përdorë më mirë dividendin e saj demografik, përpara se të përballet me sëmundjen epidemike europiane, të deficitit demografik dhe të rritjes së papunësisë strukturore.

Oponenca jonë (www.ippm.al) për aksionin e qeverisë kundër informalitetit, se si mund të orientohej dhe realizohej më mirë ky aksion dhe cilat mund dhe do të ishin përfitimet e të gjitha grupeve të interesit, përfshirë dhe bankat, u bazuan në studime të institucioneve financiare ndërkombëtare, që kishin studiuar ekonominë informale në 188 vende të botës, për periudhën 1999- 2009 dhe në një studim të FMN-së për problematiken e aksioneve të reduktimit të informalitetit, duke absolutizuar në imponimin e përdorimit të kasave. Jo vetëm këto dy studime por edhe një sërë kërkimesh akademike kanë argumentuar se, reduktimi i informalitetit duhet të bazohet në një strategji të mirë-studiuar, duhet të jetë afatmesme dhe afatgjatë, duhet të synojë fokusimin te lehtësimi, duhet të jetë integrale dhe të përfshijë sa më shumë faktorë dhe aktorë të zhvillimeve ekonomike dhe sociale.

Shoqatat e biznesit dhe bankave duhet të nxisin studime të thelluara, ato duhet të jenë aktorë në hartimin dhe zbatimin e suksesshëm të reformave strukturore në ekonomi, duhet të përmirësojnë edhe menaxhimin e tyre dhe marrëdhëniet profesionale me biznesin. Bankat nuk duhet të kërkojnë dhe mbështesin nisma ligjore, deri në Kodin Civil, që prekin parimet themelore dhe të drejtat jetike të çdo individi në marrëdhëniet kontraktuale me bankat dhe çdo ent tjetër, publik apo privat. Nëse synohet që problemet e bankave tregtare të zgjidhen duke cenuar ose kufizuar këto të drejta, përfitimet e tyre do të jenë të kufizuara dhe të përkohshme.

Bazuar edhe në përvojën personale studimore dhe në mandatet publike, është koha që disa bankierë të ndërgjegjësohen se, pa ekonomi të shëndetshme nuk ka banka të shëndetshme. Ekonomia rritet më mirë nëpërmjet reformave strukturore që vënë në qendër cilësinë e institucioneve të shtetit të së drejtës. Ristrukturimin pozitiv të ekonomisë së vendit tonë, mund ta bëjnë më mirë ndërmjetësit financiarë, duke shpërndarë dhe rishpërndarë kursimet/depozitat dhe fitimet drejt investimeve publike e private më produktive.

Së fundi, qeveria duhet të përmbushë detyrimet e saj në reformat që rrisin dhe garantojnë lirinë e pronës, që reduktojnë pengesat nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, që eliminojnë kostot shtesë të mungesave kritike për biznes, siç janë aksesi në furnizimin me drita, ujë, infrastrukturë fizike, ligjore dhe tregtare. Sa më i lehtësuar dhe i përmirësuar të jetë mjedisi i biznesit, aq më pak ka kohë për burokraci dhe shumë kohë për sukses. Sa më pak kosto të ketë nga pengesat për biznes, aq më shumë burime financimi do të ketë, për t’u rritur dhe modernizuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi