A kemi strategji të rritjes ekonomike?!

Nga Epidamn Zeqo, botuar në Dita, 17 janar 2016

downloadEKONOMIA ZOMBI

Katër simptomat kryesore të krizës ekonomike që ka mbërthyer Shqipërinë, që nga viti 2011, janë: pamundësia për marrje kredie; rënia e kërkesës agregate; papunësia e lartë dhe niveli i ulët i investimeve të huaja. Pas goditjeve të jashtme nga Recesioni i Madh dhe nga kriza e borxheve sovrane në Greqi dhe Itali (partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë), rritja ekonomike ka qenë e parëndësishme – afërsisht 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)- krahasuar me madhësinë e ekonomisë.

Rezultatet e menjëhershme ishin shumë të dhimbshme: Investimet e huaja u thanë, remitancat nga diaspora shqiptare u ndalën dhe, “flluska” e tregut të banesave plasi – tre kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike që nga viti 2000 (duhet shënuar se deri në vitin 2010 rritja mesatare ishte 6% e PBB-së). Si pasojë, niveli i borxhit të keq u rrit në 25% të totalit të kredive sepse pati një ngadalësim të fuqishëm në rrjedhën e transaksioneve, një prirje që vazhdon dhe intensifikohet. Si rezultat, ka presione të forta deflacioniste, të cilat do të intensifikohen për shkak të mungesës së vendeve të reja të punës dhe kredisë. Vetëm në vitin 2015, kredia e re për bizneset ra me më shumë se 13% në krahasim me vitin 2014.

Ekonomia e Shqipërisë mbetet një nga ekonomitë më të varfra në Evropë, me PBB-në më të ulët për frymë, në rreth 1/3 e mesatares së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. A nuk është kjo një krizë në vetvete? Tragjikisht perspektiva për rritje ekonomike mbetet e zymtë dhe, në raportin e saj të fundit, Banka Botërore parashikon një rritje të PBB-së në 3.5% deri në vitin 2018. Potenciali i rritjes së ‘kapjes’ trishtimisht nuk po realizohet. Rritja është e nxitur kryesisht nga një projekt shumë i rëndësishëm energjetik – që është gazsjellësi Trans Adriatik, i cili për fat të mirë kalon edhe te ne.

Unë e kam përshkruar ekonominë shqiptare si një “zombi” që u la të ‘ngordhë’ nga koalicioni i ish-kryeministrit Sali Berisha me Ilir Metën. Mosveprimi dhe qeverisja e keqe e Berishës shkaktoi përkeqësimin e katër simptomave të sipërcituara. U bënë përpjekje për të përmirësuar treguesit e të bërit biznes – dhe janë duke u bërë nga qeveria e re e koalicionit të kryeministrit Edi Rama dhe Ilir Meta, por tërheqja e ekonomisë mbetet kokëfortësisht e ulët. Në fakt, Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku mjedisi i biznesit është përkeqësuar që nga viti 2011.

Situata ekonomike që Rama trashëgoi në vitin 2013 ishte me të vërtetë e tmerrshme. Ai e përshkroi ekonominë si të rrënuar nga ‘kancerat’ në çdo sektor, dhe menjëherë filloi të operojë në të gjitha ‘kancerat’ në të njëjtën kohë; ndonjëherë duke ndërhyrë thellë, si në sektorin e energjisë dhe, në raste të tjera, vetëm duke kruajtur në sipërfaqe, si në sektorin bankar. Megjithatë, ekonomia vazhdon të rritet nën potencial dhe unë argumentoj se kjo është edhe për shkak të ‘shok’-ut që ekonomia po përjeton nën udhëheqjen e tij.

Qasja që Rama ka zgjedhur është një qasje e rëndë: terapi ‘shok’-u për stabilizimin fiskal dhe reforma të thella strukturore të shpejta. Mundet që edhe të kuptohet tundimi për të ndjekur verbërisht këtë qasje, kur ajo është këshilluar nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore. Por cilat janë kostot kalimtare të këtyre reformave strukturore në kontekstin e ekonomisë ‘zombi’?

Reformat po provohen si të pafavorshme për rimëkëmbjen ekonomike dhe potencialisht mund të shkaktojnë një recesion tranzitor, sepse reformat strukturore janë subjekt i problemit të ‘mospërputhjes kohore’. Ekonomia dhe agjentët e saj kanë nevojë të shohin përmirësime të shpejta dhe të kenë një pikëpamje optimiste për të ardhmen, para se të pranojnë reforma të kushtueshme strukturore. Kryeministri Rama po kërkon që shqiptarët të pranojnë humbje afatshkurtra për premtimet afatgjata të përfitimeve, një situatë që shumë nuk mund ta përballojnë.

Për të kthyer rritjen e lartë ekonomike, dhe besimin dhe optimizmin në ekonomi, së pari duhet të adresohen çështjet tona të kreditit të shtrënguar, kërkesa agregate e ulët dhe papunësia e lartë. Vetëm atëherë, pasi të kemi trajtuar këto çështje atraktiviteti i ekonomisë do të përmirësohet – dhe për pasojë do të rrisë nivelin e investimeve të huaja. Kur ekonomia është ringjallur, do të ishte edhe momenti më i mirë për të zbatuar gradualisht reformat strukturore.

POLITIKA

Aleanca për një Shqipëri Europiane u votua nga një shumicë dërmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 për një ‘rilindje’ të ekonomisë dhe të shtetit, për të forcuar sundimin e ligjit, dhe për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve. Programi për “rilindjen” e Shqipërisë ishte një program social demokratik, por qartësisht jo realist, pasi në fund të fundit nuk arriti të kuptojë fuqinë e politikës monetare dhe të financës. Ku jemi sot? Premtimet për shërbime falas të kujdesit shëndetësor po ballafaqohen me rritjen e privatizimit në shërbime, dhe ka pak shenja nga ato 300.000 vende të reja pune të premtuara.

Për më tepër, pasi Rama erdhi në pushtet, ai ka huazuar nga tregjet e jashtme financiare rreth 1.2 miliard $, por pak nga këto para kanë rrjedhur në ekonominë reale. Qeveria ka shpenzuar buxhetet e saj për shlyerjen e borxheve ndaj kompanive të ndërtimit për projektet e infrastrukturës të porositura nga Berisha, për reformën në energji – duke përfshirë edhe investimet në rrjetin e shpërndarjes, për projektet për rigjenerimin urban dhe, për reformat e qeverisjes së mirë. Duhet thënë se ende nuk ka pasur ndonjë projekt të ri të madh infrastrukturor, ndonëse ka një vizion për autostradën e Adriatikut dhe ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar në jug të vendit, por saktësisht se si këto do të mund të financohen, mbetet e paqartë. Si pasojë, Shqipëria mbetet destinacioni më i shtrenjtë evropian për të udhëtuar, që ndikon në aftësinë e saj për të zhvilluar një sektor të fuqishëm të turizmit, ashtu si e kanë bërë vendet fqinje.

Tani fokusi politik është për reformën në drejtësi – një kusht kryesor për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Por, asgjë nuk është duke u bërë për të rritur kërkesën agregate dhe për të lehtësuar kredi-marrjen. Si mund të jetë kjo kur niveli i konsumit ka rënë me rreth 3% në vitin 2015 në krahasim me vitin e mëparshëm!?

Vetëm pas një viti në detyrë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë (BQSH), Genti Sejko, është duke vlerësuar opsione të tjera përveç uljes së normës të interesit për të 15-ën herë, që prej vitit 2013. Mungesa e një strategjie për të përdorur politikën monetare në favor të ringjalljes së ekonomisë është e papërgjegjshme dhe gjithashtu është një gabim tragjik. Në vend të kësaj BQSH është e zënë me skandale: Ardian Fullani, ish-guvernatori, u arrestua më 5 shtator 2014, pasi një punonjës i BQSH rrëfeu për vjedhjen e 5 milion euro (ai u lirua kohët e fundit nga Gjykata e Apelit).

Ndërkohë, Kryeministri Rama është duke zbatuar reformat strukturore shumë shpejt, por pa investime të konsiderueshme publike dhe pa kompensime. Kjo ka dëmtuar tashmë rimëkëmbjen ekonomike nga goditjet e jashtme. Sistemi i taksës progresive 15% u zbatua menjëherë pasi ai erdhi në pushtet (duke zëvendësuar një taksë konkuruese të sheshtë prej 10%). Si rezultat i kësaj, të ardhurat tatimore dhe doganore janë duke përjetuar defiçite të larta, prej rreth 5-10%. Kjo ndikon direkt në aftësinë e qeverisë së tij për shërbimin e borxhit të lartë publik (73% e PBB-së).

Në shtator 2015 Kryeministri Rama, nën presion nga FMN-ja, për të përmbushur objektivat buxhetore, deklaroi fillimin e një aksioni kombëtar për formalizimin e ekonomisë. Kjo politikë ka kuptim, kur merr në konsideratë se ekonomia “gri” në Shqipëri, mund të jetë në fakt sa 20% dhe më shumë e ekonomisë. Megjithatë, shpejtësia me të cilën ky formalizim po zhvillohet është duke rezultuar në falimentimin e bizneseve të vogla, që përbëjnë një pjesë jetike të ekonomisë shqiptare.

Kontrasti ndërmjet shtetit dhe ekonomisë në vend është një përballje in extremis: prandaj, ekonomia duket se po reagon për keq nga veprimet e Ramës. Dëshpërimi i situatës pasqyrohet edhe nga fakti se vetëm në vitin 2015, më shumë se 52,000 shqiptarë (jo vetëm nga Shqipëria) aplikuan si azilkërkues në Gjermani. Nevoja për të kërkuar mundësi gjetkë është rikthyer, duke kontribuar më tej në problemin e “rrjedhjes së trurit”.

FUQIA E FINANCËS

Stabiliteti makroekonomik mund të arrihet më mirë, nëqoftëse reformat strukturore zbatohen shumë më gradualisht. Për një qasje të suksesshme graduale, së pari do të duhet të rritet ekonomia me çdo mjet, me mjete fiskale dhe me mjete monetare, për të kthyer rritjen 6% të PBB-së në vitin 2016. Skemat e kredi-lehtësimit mund të jenë instrumenti më i mirë për të arritur këtë, dhe një mandat i ri intervencionist për BQSH kjo është e nevojshme. Vetëm atëherë pasi ekonomia të jetë ringjallur, mund të zbatohen reforma të thella strukturore.

Nevoja për të stimuluar kërkesën dhe kreditimin provokon një debat, që shkon përtej teknikaliteteve ekonomike të pyetjeve në lidhje me përgjegjësitë gjithëpërfshirëse të qeverisë. Por justifikimi për një politikë të tillë duhet të kapërcejë logjikën ekonomike, në qoftë se ajo është për të fituar mbështetje politike. Ka shumë metoda të propozuara që mund të përmirësojnë shkëmbimin e inflacionit dhe prodhimit në politikën monetare.

Një rol më të madh për qeverinë dhe BQSH kërkon një mision mbizotërues, si një paketë stimuluese për të rikthyer rritjen 6% të PBB-së në periudhën afat-shkurtër dhe afat-mesme. BQSH ka nevojë urgjente për një mandat të ri, për të zëvendësuar objektivin konservator të inflacionit, me një objektiv më zhvillues të rritjes ekonomike apo të punësimit. BQSH duhet të lejojë një nivel më të ulët të përkushtimit ndaj inflacionit, dhe për të prodhuar një stimul monetar për të rikthyer besimin në ekonomi, edhe për të stimuluar si konsumin e brendshëm ashtu dhe investimet.

Lehtësimi sasior nuk është i përshtatshëm për Shqipërinë, për shkak se të gjitha bankat tregtare që operojnë në vend janë të mirë-kapitalizuara. Në vend të kësaj, BQSH duhet të veprojë si garantues për skemat kredi-lehtësuese dhe të ketë iniciativa të tjera për të rritur kërkesën agregate dhe investimet. Kjo është për shkak se, ka pak hapësirë për një stimul fiskal në vend.

Në fund të muajit Janar, qeveria nënshkroi një marrëveshje me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH), për një skemë kredi-lehtësuese për agro-biznesin. BERZH është garantuesi, kështu që rreziku është i ndarë. Edhe pse kjo skemë është e mirëpritur (megjithëse është e vonuar) problemi është se nuk është pjesë e një strategjie kombëtare për të lehtësuar kredi marrjen. Shqipëria ka nevojë jetike për skema të tilla.

Qeveria, në partneritet me BQSH dhe bankat tregtare, duhet të krijojnë skema kreditimi për të ndihmuar, për shembull, çiftet e reja për të blerë shtëpinë e tyre të parë (një grup-moshë që në fakt mund të ringjallë tregun e banesave). Për shkak të nivelit të zhvillimit në Shqipëri, është gjithashtu e rëndësishme që të gjithë aktorët financiarë të punojnë për të zgjeruar mikro-financimin në zonat urbane dhe rurale. Ata duhet të marrin në konsideratë krijimin e një banke të re publiko-private ose edhe vetëm publike për sipërmarrësit dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu duhet të inkurajohen iniciativat ‘Crowd-funding’. Kjo do të mbështesë ndryshimet strukturore që kanë për qëllim zhvillimin e fuqisë punëtore në përputhje me kërkesat specifike të teknologjisë moderne – një mënyrë për të dalë nga papunësia e të rinjve.

Unë jam pesimist dhe nuk besoj se këto ide do të zbatohen nga koalicioni në pushtet, për shkak se pas më shumë se dy vjetësh në pushtet, është e qartë se prioriteti i Kryeministrit Rama nuk është për të rritur ekonominë dhe buxhetet familjare, por për forcimin e shtetit. Ai beson se kjo do të stimulojë ekonominë, por fatkeqësisht kjo gjë është provuar të jetë e pavërtetë, të paktën në periudhën afat shkurtër dhe afat mesme. Për më tepër, FMN-ja dhe Banka Botërore vazhdojnë të mbështesin qasjen, që ata i kanë këshilluar Kryeministrit Rama.

FMN-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipërinë post-komuniste, por historia tregon se ky rol ka patur rezultate si pozitive dhe po ashtu edhe negative. FMN-ja sugjeroi terapinë e ‘shock’-ut për liberalizim, stabilizim dhe privatizim, në vitin 1993 – e cila krijoi terrenin për skemat “piramidale”, rënia e të cilave çoi në anarki civile, në vitin 1997. FMN-ja sugjeroi terapinë e ‘shock’-ut për stabilizimin monetar në vitin 1998 dhe sanksionoi stabilitetin e çmimeve si ‘golin’ e vetëm të BQSH – e cila ka krijuar një institucion që përdor mandatin e stabilitetit të çmimeve për të justifikuar mosveprimin ndaj ekonomisë ‘zombi’, dhe përdor pavarësinë institucionale për të pasuruar më edhe elitën politike dhe ekonomike në shqipëri.

Edhe pse stabiliteti makro-ekonomik është një domosdoshmëri, ai mund të arrihet më mirë në qoftë se strategjia është rritja e lartë ekonomike. Kjo qasje është shumë më e drejtë ndaj qytetarëve.

Arsyeja kryesore se përse nuk ka pasur stimuj fiskalë dhe monetarë në Shqipëri, që nga viti 2011 (dhe pse terapia e “shokut” e konsolidimi fiskal është duke u zbatuar), është sepse nuk ka kosto audience për politikat në debatin që bëhet në Shqipëri. Politika publike mbetet vetëm tempulli i disave. Arsimi dhe mediat tona janë të korruptuar dhe joprofesionalë; kështu që nuk mund të “edukojnë” qytetarët. Prandaj Rama nuk u përball me dilemën nëse stabilizimi fiskal dhe reformat strukturore duhen zbatuar shpejt apo gradualisht.

Partitë kryesore politike duhet të arrijnë një konsensus për një mandat intervencionist për Bankën Qëndrore dhe idetë e tjera të përshkruara më lart, për të kthyer rritjen 6% të PBB-së në periudhën afat shkurtër dhe afat mesmë.

*Botuar në revistën NEW EASTERN EUROPE në 22 janar 2016. Epidamn Zeqo ka studiuar në Angli, i diplomuar me një MSc (Master Shkencor) për Politika Ekonomike nga London School of Economics dhe një MA (Master Arti) për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Histori Moderne nga Universiteti St Andrews në Skoci. Ai jeton dhe punon në Londër.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi