Pse S&P rrit vlerësimin për Shqipërinë?

Sipas mediave, 7 shkurt 2016

Standard-and-Poors-Ratings-Headquarters

Agjencia Vlerësuese Standard& Poors (S&P) ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në B+ si rrjedhojë e përmirësimit të performancës fiskale, ku elementin kryesor e kanë luajtur pritshmërinë për uljen e borxhit. Por raporti e vë theksin dhe te dobësitë fiskale të vitit 2015 dhe faktit që rritja e disa taksave ka ndikuar në shtimin e informalitetit. Raporti thekson gjithashtu se nëse do të ketë një përkeqësim në financat e qeverisë, ashtu si ndodhi në vitin 2013 mund të ulë renditjen. Përmbushja e kritereve të programit me FMN-në është gjithashtu një element i rëndësishëm që S&P do të ketë në konsideratë.
Sipas S&P, deficit fiskal i Shqipërisë është në trajektoren rënëse që do të çojë në një ulje të borxhit të qeverisë në katër vitet e ardhshme.
S&P pret që borxhi i përgjithshëm i qeverisë të bjerë nën 60% të PBB-së në 2019 nga rreth 70% të PBB në 2015.
“Panorama stabël reflekton pritshmëritë tona që performance fiskale do të jetë e shëndoshë gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe që programi me FMN-në do ta nxjerrë Shqipërinë nga rreziqet e jashtme potenciale”, thekson raporti.
“Pavarësisht performancës së dobët të të ardhurave në 2015, deficiti fiskal në një nivel të vlerësuar prej 3.8% të PBB-së i ka tejkaluar pritshmëritë tona, për shkak të shpenzimeve më të ulëta, veçanërisht në projektet e investimeve. Për të përmirësuar performancën fiskale, qeveria po forcon institucionet fiskale dhe menaxhimin e sektorit financiar publik. Përpjekjet në sektorin e energjisë kanë qenë veçanërisht të suksesshme në rritjen e të ardhurave, duke lehtësuar presionin në buxhetin e qeverisë qendrore”, thuhet në raport.
“Disa nga masat e taksave të zbatuara nga qeveria aktuale që kur mori detyrën në vitin 2013 kanë dhënë efektin e padëshiruar të rritjes më tej të informalitetit dhe si rrjedhojë kanë ndikuar në performancën e dobët të të ardhurave. Në përgjigje – dhe gjithashtu në përputhje me strukturat e marrëveshjes FMN – qeveria ka zbatuar masa për të sjellë një pjesë më të madhe të prodhimit në ekonominë zyrtare dhe për të zvogëluar evazionin fiskal. Ne vërejmë se mbledhja e taksave në Shqipëri është e sfiduar nga evazioni dhe mangësitë administrative; në nivelin e 26% të PBB-së, të ardhurat janë shumë më të ulëta se në Mal të Zi (40%). Prandaj, ne besojmë se masat për të përmirësuar mbledhjen e taksave do të ndihmojnë një përmirësim në financat e qeverisë, edhe pse gradualisht”.
Raporti me tej shton:
“Ne presim që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me një mesatare vjetore prej rreth 4% në periudhën 2016-2019, me kërkesën e brendshme që do jetë kontribuesi kryesor, në kontrast me vitet e fundit, kur eksportet neto ishin motori kryesor i rritjes.
Ne projektojmë investime të konsiderueshme neto të huaja direkte (IHD), sidomos në sektorin e hidrocentraleve dhe projektit Trans-Adriatik Pipeline në 2016-2018. Sipas mendimit tonë, IHD-të ka të ngjarë të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente të Shqipërisë, që pritet të jetë në rreth 11% të PBB-së mesatarisht në 2016-2018. Duke pasur parasysh lidhjet e Shqipërisë me Greqinë, ku banojnë një sërë emigrantësh shqiptarë, zhvillimet atje kanë dhënë ndikim te remitancat, që kanë rënë dukshëm teksa emigrantët janë kthyer në shtëpi. Ne aktualisht projektojmë që remitancat të mbeten të ulëta në rreth 7% të PBB-së në vitet e ardhshme (në krahasim me një mesatare 13% të PBB-së gjatë 2004-2008), por migrimi i shqiptarëve në të tjera vende do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të mëtejshme të dërgesave.
Qeveria ka ndërmarrë disa reforma gjatë viteve të fundit, të tilla si pensionet, pushteti lokal, si dhe furnizimi me energji. Ne besojmë se zbatimi i reformës së gjyqësorit, aktualisht në përgatitje e sipër, dhe një zbatim i suksesshëm i saj do të jenë kyçe për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mund të ndihmojë progresin e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE pas dhënies së statusit të vendit kandidat në vitin 2014.
Përmirësimet në sistemin ligjor janë gjithashtu të rëndësishme në mënyrë që të ulen huatë e pakthyera në afat (NPL). Niveli i lartë i NPL-ve në sektorin financiar pengon kreditimin dhe kufizon rimëkëmbjen ekonomike. Përpjekjet e qeverisë, në bashkëpunim me FMN, për të fshirë NPL-të dhe për të përmirësuar ekzekutimin e kolateralit mund të ndikojnë në uljen e NPL-ve poshtë 20% të totalit të kredive në vitin 2016 nga 20% në fund të 2015-s.
Politika e e lehtësimit monetar e bankës qendrore ka të ngjarë të vazhdojë në vitin 2016 – teksa inflacioni do të mbetet nën objektivin 3%. Megjithatë, pjesa e madhe e huave, që është në valutë (rreth 60%) dhe depozitat (në rreth 50%) po pengon efektivitetin e politikës monetare në Shqipëri, siç po ndodh në disa ekonomi në rajon”.

Perspektiva
“Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen tonë për rreziqet e balancuara të vlerësimit në Shqipëri dhe pritshmëria themelore se Shqipëria do të vazhdojë në përputhje me programin e FMN-së, duke përfshirë përparimin në rrugën e saj të konsolidimit fiskal, i cili do të çojë në uljen e borxhit ndaj PBB-së.
Ne mund të rrisim renditjen nëse reformat strukturore do të çojnë në forcimin e institucioneve fiskale dhe perspektivës për të forcuar rritjen ekonomike. Një reduktim i borxhit përtej parashikimeve tona aktuale, potencialisht së bashku me një rritje më të lartë se pritej ekonomike, do të jetë pozitiv për renditjen.
Ne mund të ulim renditjen, nëse ashtu si ndodhi në vitin 2013, do të ketë një përkeqësim në financat e qeverisë, së bashku me presionet e mundshme të financimit, potencialisht të lidhura me moszbatimin e kushteve të marrëveshjes së FMN-së në Shqipëri. Ne mund edhe të ulim renditen, nëse do të shohim një përkeqësim domethënës të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë dhe aftësisë së saj për të financuar deficitin e saj korent”, thotë raporti.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi