Sondazhi / Besimi në qeveri? Shqiptarët shpresojnë te institucionet e huaja

1 shkurt 2016

16-01-17-04-19-01banner_foto_km_deklarata_ok

 

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) prezantoi të hënën gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeveri” për vitin 2015. Gjetjet e sondazhit tregojnë nivel relativisht të ulët të besimit ndaj institucioneve publike. Mbi 50% e të anketuarve nuk shprehin besim ndaj pjesës dërmuese të institucioneve publike shqiptare.

Ky sondazh i opinionit synon të evidentojë nivelin e besimit të publikut tek institucionet qeveritare si dhe qëndrimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve publike dhe ofrimit të shërbimeve në Shqipëri. U përdor përqasja e kampionit me kuotë, duke zgjedhur një numër të barabartë të intervistuarish nga secila prej 61 bashkive në vend, me një kampion prej 1,600 të intervistuarish.

BESIMI: Në Shqipëri nivelin më të lartë të besimit e gëzon NATO (74%) dhe BE (72%). Institucionet fetare zënë vendin e tretë me besimin më të madh. Mbi 1 në 2 shqiptarë të anketuar (52%) deklarojnë se u besojnë institucioneve fetare. 1 nga 3 qytetarët e anketuar (34%) i besojnë qeverisë. Qeveria (34%) gëzon besim më të madh se Parlamenti (22%). Shqiptarët kanë aq besim tek media (39%) sa ç’kanë edhe tek organizatat jo-fitimprurëse (38%). Sistemi gjyqësor (80%) dhe partitë politike (79%) janë institucionet më pak të besuara. Institucionet që kanë pësuar rënien më të madhe të besimit në vitin 2015 janë: Parlamenti (nga 29% në 22%) dhe sistemi shëndetësor (nga 32% në 27%). Media është i vetmi institucion që nuk ka pësuar ndryshim në nivelin e besimit. Nga ana tjetër, institucionet fetare kanë treguar rritjen më të lartë në nivelin e besimit (nga 44% në 52%). Që nga viti 2013, gjyqësori dhe institucionet e sistemit arsimor po përballen me një rënie të besimit publik në krahasim me policinë, e cila po përjeton një rritje të qëndrueshme.

TRANSPARENCA E QEVERISË DHE TË DHËNAT E HAPURA: Opinioni publik është i ndarë në qëndrimin e tij nëse institucionet publike shqiptare janë transparente dhe të përgjegjshme në punën e tyre të përditshme. 47% e qytetarëve të anketuar besojnë se institucionet publike shqiptare nuk janë transparente dhe të përgjegjshme, në krahasim me 41% që besojnë të kundërtën. Pranohet gjerësisht nga qytetarët rëndësia dhe përfitimet e të dhënave të hapura. Pak më shumë se 9 në 10 shqiptarë të pyetur besojnë se politikat e të dhënave të hapura rrisin besimin e qytetarëve tek qeverisja, forcojnë marrëdhëniet mes qeverisë dhe qytetarëve të saj, përmirësojnë jetën e njerëzve, dhe, si përfundim, nxisin zhvillimin ekonomik.

KORRUPSIONI TEK INSTITUCIONET PUBLIKE: Për sa i përket qeverisë qendrore, edhe pse afro 1 në 3 shqiptarë të anketuar (34%) raportojnë të kenë qenë dëshmitarë të një rasti korrupsioni, një përqindje e madhe e qytetarëve (53%) pohojnë se nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj korrupsionit. Numri i rasteve personale të korrupsionit është më i lartë në qeverisjen vendore. Pjesa më e madhe e të anketuar ose 41% raportojnë se kanë qenë dëshmitarë të një rasti korrupsioni në bashkinë ku jetojnë, ndërsa 34% nuk raportojnë ndonjë përvojë të tillë. Në të dy nivelet e qeverisjes, qendrore dhe vendore, përvetësimi (abuzimi me/ose vjedhje të fondeve publike) duket se është forma më e zakonshme e korrupsionit që ndodh. Patronazhi dhe shantazhi janë dy format më pak të pranishme të korrupsionit,siç perceptohet nga qytetarët.

ANGAZHIMI QYTETAR ME QEVERINË: Edhe pse besojnë se kanë njohuri të mjaftueshme për të gjykuar nëse një vendim i qeverisë është i mirë apo i keq për shoqërinë shqiptare (62%), qytetarët nuk duket se besojnë në efikasitetin e mekanizmave që mundësojnë angazhimin e tyre në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje, duke ia dhënë kështu Parlamentit autoritetin për hartimin e politikave publike dhe kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë. Si rezultat, 80% e të anketuarve besojnë se deputetët duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e qytetarëve për të formësuar politikat publike. Gjetjet evidentojnë një nivel shqetësues të apatisë që karakterizon shoqërinë shqiptare; çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme, që duhet të merren në shqyrtim të mëtejshëm nga institucionet përkatëse (qeveria, organizatat e shoqërisë civile, donatorët, etj.).

LLOGARIDHËNIA E QEVERISË: Për sa i përket mekanizmave të llogaridhënies, 79% e qytetarëve të anketuar besojnë se Parlamenti është institucioni me ndikimin më të madh në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë. Perceptimi i publikut duket se është i ndarë për rolin që ka Avokatit i Popullit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ndërkohë, vetëm 35% e qytetarëve të anketuar besojnë se organizatat e shoqërisë civile shqiptare mund ta bëjnë qeverinë të japë llogari.

TIK DHE QEVERISJA E MIRË: Pjesa më e madhe e qytetarëve të anketuar (65%) besojnë se teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) mund të përmirësojë qeverisjen, ndërsa 1 në 5 qytetarë (25%) nuk është në dijeni ose nuk ka informacionin e nevojshëm mbi mundësitë që mund të ofrojë TIK për të forcuar qeverisjen e mirë. Në anën tjetër, qytetarët nuk përdorin TIK-un si një nga mjetet për t’u lidhur me njësinë e tyre të qeverisjes vendore (bashkinë).

PERFORMANCAE INSTITUCIONEVE PUBLIKE: Tre institucionet të renditura më lart për performancën e tyre janë institucionet fetare, policia dhe forcat e armatosura, të cilat vlerësohen pozitivisht përkatësisht nga 29%, 23%, dhe 22% e shqiptarëve të anketuar. Institucionet që vlerësohen më ulët nga opinioni publik janë gjyqësori dhe partitë politike. Edhe pse ekziston një perceptim i përhapur që institucionet publike nuk po punojnë edhe aq mirë në kryerje e funksioneve të tyre kryesore, pothuajse ¾ e qytetarëve të anketuar (ose 71%) besojnë se institucionet publike i kanë mundësitë për përmirësimin e performancës së tyre.

NDIKIMI POLITIK NË PUNËN E INSTITUCIONEVE PUBLIKE: Gjyqësori (59% e qytetarëve të anketuar) dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (55% e qytetarëve të anketuar) janë dy institucione që perceptohen se mbi to ushtrohet ndikim i lartë politik. Institucionet fetare (62%) perceptohen të jenë më të pavarura. Gati gjysma e të anketuarve besojnë se interesat politike kanë ndikim të madh në institucionet e sistemit shëndetësor (46 %) dhe tek ato të sistemit arsimor (45%).

KËNAQSHMËRIA ME OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE: Përqindja e qytetarëve të anketuar që janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimeve publike të ofruara është më e lartë se përqindja e atyre të kënaqur. Qytetarët e anketuar janë kryesisht të kënaqur me shërbimet e urgjencës (zjarrfikësi, policia, etj.) dhe shërbimet komunale (të ofruara në nivel vendor), me 38% dhe 34% të anketuar, përkatësisht. Nga ana tjetër, më shumë se gjysma e qytetarëve nuk janë të kënaqur me shërbimin e punësimit (59%), me shërbimin gjyqësor (56%) dhe me atë shëndetësor (53%).

 Raporti i plotë:

Download (PDF, Unknown)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi