Bota e së nesërmes dhe koncesionet e së tashmes
Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama, 29 janar 2016
Një debat publik interesant po bëhet kohët e fundit, pasi qeveria vendosi koncesionimin e një shërbimi që bën pjesë në detyrat themelore të një shteti – mbledhjen e taksave. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për praktikat që kishte aplikuar Perandoria Otomane që në shekujt e 17-18, të njohura si “tax farming”, ku e drejta e mbledhjes së taksave i jepej (me tender) një individi, i cili, pasi i jepte Portës shumën që kishte premtuar, mbante tepricat për vete. Për parantezë, ky rezultoi një eksperiment i dështuar.
Por, në epokën e tashme të modernitetit, edhe praktikat janë bërë më moderne – ne i japim një privati (këtë herë, nga një perandori shumë e largët) të drejtën që të ndërtojë sistemin elektronik – dixhital që do të përdoret nga administrata tatimore të grumbullojë taksat, fillimisht TVSH-në e më pas, me shumë gjasa, edhe detyrimet e tjera tatimore.
Sa për ta vizualizuar problemin – është si të privatizosh linjën hekurudhore, shinat, por lokomotiva dhe makinisti i trenit janë në pronësi dhe nëpunës të shtetit. Në parim, nuk ka asgjë të keqe nëse një operator na ofron një platformë dixhitale shumë të përparuar, e cila na lejon lehtësimin e vjeljes së taksave, ul kostot e administrimit të sistemit tatimor, shmang evazionin fiskal dhe rrit të ardhurat buxhetore, ruan me korrektesë informacionin dhe privatësinë e të dhënave etj.
Por, pyetja dhe shqetësimi legjitim i publikut është se sa realizohen këto objektiva? Së dyti, a mos në emër të rritjes së fitimeve, operatori i platformës, duke përfituar nga injoranca jonë teknologjike, krijon kosto shtesë për publikun taksapagues, tashmë të taksuar mjaft rëndë?
Së treti, a është shoqëruar analiza e këtij propozimi me një analizë risku që mbart ky ndryshim thelbësor në mënyrën e administrimit të sistemit tatimor? Së katërti, përse nuk është konsideruar që të veprohej njësoj si edhe me sistemin e menaxhimit të doganave, me programin ASYCUDA?
Edhe ky program është një platformë elektronike menaxheriale në përdorim nga administrata doganore në kryerjen e detyrave të saj? Shkurt, përse këtë herë gjërat janë ndryshe? Përgjigjja e të gjitha këtyre pyetjeve dhe shqetësimeve, sipas meje, lidhet me vetëm një fakt: mungesën e kapaciteteve njerëzore të kualifikuara për të kryer inovacione teknologjike apo për të qenë të aftë të përdorim me sukses inovacionet e kryera nga të tjerët në kryerjen e punëve tona.
Kjo është shumë dëshpëruese dhe pasojat e saj shkojnë përtej debateve të ditës lidhur me kostot dhe përfitimet e tashme të ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi. Çdo ditë e më shumë po bëhemi dëshmitarë të teknologjive të reja që cekin kufijtë e fantashkencës. Revolucioni i Katërt Industrial, që ishte dhe kryefjala e Davosit të këtij viti, mund të krijojë divergjenca të rrezikshme midis vendeve si Shqipëria dhe vendeve që janë në pararojë të këtyre zhvillimeve.
Nëse qeveria shqiptare nuk është e përgatitur që të investojë më së pari në modernizimin e veprimtarisë së vet, në kryerjen në mënyrë inteligjente të funksioneve të veta bazike, çfarë shprese ka që ajo të mbështesë zhvillimin e sektorit privat në krijimin e kësaj ekselence? Qeverisja elektronike nënkupton se në bazë të menaxhimit të çdo funksioni publik do të jenë aplikimet e teknologjive të reja dixhitale.
A mos kjo paaftësi për të ndërtuar kapacitete njerëzore të ekselencës, do të na çojë në delegimin edhe të funksioneve të tjera bazike të një qeverie drejt ekspertëve, apo kompanive të huaja, të cilët do të jenë gjithnjë në avangardë të progresit teknologjik dhe inovacioneve të sistemeve të qeverisjes?
Profecitë lidhur me suksesin e kombeve për të ardhmen e tyre flasin se faktori kyç do të jetë Talenti dhe jo Kapitali. Nëse nuk e kuptojmë mirë këtë leksion dhe nuk marrim masat e duhura që sot, e kemi humbur që tani edhe betejën për të nesërmen.