Korrupsioni, pandëshkueshmëria, dhe nevoja e një Misioni Ndërkombëtar
Nga Nita Shala, BIRN, botuar në reporter.al, 28 janar 2016
Ndërmarrja e hapave jokonvencional, si pëfshirja e mekanizmave ndërkombëtarë në ndjekje penale, mund të jetë injeksioni për të cilin ka nevojë sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri
Javën që shkoi, Presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández, njoftoi fillimin e funksionimit të një organi të ri ndërkombëtar anti-korrupsion në mbështetje të gjyqësorit, për të bërë hetimin dhe gjykimin e korrupsionit sistemik. Eshtë përpjekja e radhës për të qetësuar zemërimin masiv të qytetarëve honduras mbi mungesën e ndëshkimit dhe korrupsionin e lartë në nivel qeverisjeje në vend. Misioni i sapo themeluar në mbështetje të luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Honduras (MACCIH) ka kompetencë të hetojë në mënyrë të pavarur, posaçërisht zyrtarë të lartë politikë, zyrtarë të gjyqësorit dhe anëtarë të forcave të sigurisë të përshirë në afera të mëdha korruptive. Pas një serie të gjatë negociatash me shtetet anëtare të Organizatës së Shteteve të Amerikës, qeveria Hondurase pranoi t’i lejojë këtij Misioni qasje të palimituar në dokumentet dhe arkivat zyrtare, si dhe mundësi për të hetuar çdo rast korrupsioni. Ekspertët e huaj në bashkëpunim me juristë të vendit mund të hetojnë këdo, përfshirë dhe nivelet më të larta të qeverisjes.
Nuk është hera e parë që shtetet me probleme të thella me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për të bërë një “pastrim” të individëve apo grupeve të përlyer në krim.
Praktika e adaptuar në Honduras është një përshtatje e shembullit të ndërmarrë nga Guatemala. Në vitin 2006, Óscar Berger, themeloi në Komisionin Ndërkombëtar kundër Pandëshkueshmërisë (CICIG). Iniciativa erdhi si rezultat i status quos së papranueshme dhe thirrjes qytetare për drejtësi, duke pranuar paaftësinë e qeverisë për të bërë reforma reale dhe të besueshme. Kjo edhe për shkak të lidhjes së fortë të krimit me politikanët vendas. Komisioni u themelua si institucion i pavarur dhe i mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Përmes hetimeve mbi krimin e organizuar nga ekspertët e huaj, Komisioni punoi për të shpërbërë rrjetet kriminale të lidhur me politikën. Brenda pak ditësh ish-Presidenti i vendit, Otto Pérez Molina, kaloi nga pozicioni i të parit të shtetit në pozicionin e një të akuzuari për dhënie ryshfeti, korrupsion dhe bashkëpunim në krim në një aferë multimilion-dollarëshe lidhur me doganat. Pas gjykimit, provat e mbledhura nga Komisioni, siguruan masën e arrestit me burgim, duke thyer kështu mitin e pandëshkueshmërisë së klasës politike në vend dhe duke e zgjeruar akoma më tej rrethin e hetimeve. Ndjekjes dhe fajësimit nga Komisioni nuk i shpëtuan as figura të tjera të rëndësishme të politikës të kompromentuara në krim, si p.sh., zv. Presidenti, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, ish-Ministri i Brendshëm apo drejtues klanesh kriminale të konsoliduara, që operonin në bashkëpunim me krerë të shtetit për afera korruptive marramendëse. Një rezultat i rëndësishëm i punës të këtij Komisioni, ishte kthimi i besimit tek qytetarët në sistemin e drejtësinë dhe institucionet e shtetit, tek qeveritarët e “pastër”, si dhe shembien e mitit të pandëshkueshmërisë në vend.
Rastet e jashtëzakonshme të këtyre ndjekjeve konsiderohen si fitore epokale të sistemit të drejtësisë duke mbështetur idenë e adoptimit të këtij modeli edhe në vende tjera me nevojë për të luftuar korrupsionin endemik.
Korrupsioni dhe Pandëshkueshmëria në Shqipëri
Korrupsioni radhitet si problemi i dytë sipas rëndësisë që i japin shqiptarët mbi sfidat me të cilat përballet vendi jonë, direkt pas papunësisë. Në Indeksin e Transparency International, për vitin 2015, Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në Europë (duke lënë pas vetëm Kosovën, në vendin e 103-të) dhe si një nga vendet më të korruptuara në botë (në pozicionin e 88 nga 167 vende). Siç konfirmohet edhe në raportin e publikuar këtë javë nga raportuesi i Këshillit të Europës për Kosovën, parlamentari spanjoll Augustin Conde, Shqipëria rezulton e zhytyr më thellë në moçalin e korrupsionit se ish-republikat sovjetike si Azerbejxhani, Armenia, Moldavia, Ukraina. Ndërkohë që një seri reformash janë kryer apo janë në proces, vendi vazhdon të përballet me sfida të mëdha lidhur me korrupsionin dhe qeverisjen.
Literatura aktuale konfirmon efektin direkt që ka korrupsioni sistemik në dështimet e një-pas-njëshme në fushën ekonomike dhe politike, shkatërrimin e strukturës sociale dhe besueshmërinë në institucione publike, shkatërrimin e ambientit përmes shfrytëzimit në mënyrë të shkujdesur të burimeve natyrore, si dhe degradimin e ambientit përmes veprimtarive tjera joligjore.
Në Shqipëri, korrupsioni mbetet veprimtari e vështirë për tu hetuar dhe ndjekur penalisht. Organi i vetëm me kompetencë për hetim dhe ndjekje të rasteve korruptive mbetet Zyra e Prokurorit, e cila operon me suportin e disa organeve të tjera si p.sh., Task Forca Anti-Korrupsion dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Pavarësisht operacioneve të ndërmarra nga këto organe, duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit në vend, ngrehen shumë pyetje mbi mënyrat e zgjidhjes së këtij fenomeni shqetësues.
Rëndësia e një mekanizmi ndërkombëtar: forcimi i gjyqësorit dhe krijimi i një kulture ndëshkimi
Zgjidhja e duhur e problemeve sociale, gjithmonë vjen si shtysë e brendshme e shoqërisë. Ndryshime substanciale ndodhin vetëm kur qytetarët reagojnë për nevojën për të zgjidhur problemet e thella, dhe klasa qeverisëse angazhohet për zgjidhje të drejtë dhe transparente. Kur sistemi i drejtësisë penale në vend dëshmon të jetë i paaftë në luftën kundër korrupsionit sistemik, bëhet i nevojshëm konsiderimi i mësimit dhe adaptimit të praktikave që kanë rezultuar të sukseshme në kontekste të ngjashme.
Ndërmarrja e hapave jokonvencional, si pëfshirja e mekanizmave ndërkombëtarë në ndjekje penale, mund të jetë injeksioni për të cilin ka nevojë sistemi aktual i drejtësisë.
Një Mision i ekspertëve ndërkombëtarë të specializuar në luftën kundër korrupsionit sistemik, dëshmon të jetë efektiv në ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive, të cilët mbrohen brenda sistemit që kanë krijuar. Diferencimi mes politikanëve të pastër nga ata të lidhur me krimin e organizuar legjitimon funksionet publike. Procesi, jo vetëm që adreson dhe zgjidhë probleme strukturore lidhur me korrupsionin sistemik, por përforcon një kulturë ndëshkimi në vend, dhe efiçencë të sistemit gjyqësor në luftën e rëndësishme kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.