Duhet ridimensionim i politikave industriale

Studim i Selami Xhepës në revistën Economicus, 17 janar 2016

politica-industriale

Revista “Economicus” sjell një platformë të politikave publike, që duhet të ndiqen në mënyrë që vendi të hyjë në një stad të ri të zhvillimit industrial. Sipas studiuesit Selami Xhepa, trinomi i deritanishëm liberalizim-privatizim-stabilizim ka rezultuar i pamjaftueshëm. Duhet të gjendet një kornizë komplementare mes forcave të tregut dhe politikave publike, në mënyrë që të mos kemi shtrembërime.

Revista “Economicus”, botim shkencor i Universitetit Europian të Tiranës, paraqet me anë të një studimi të doktor Selami Xhepës një platformë mbi politikat industriale që mund të ndiqen në Shqipëri. Deri më tani, në Shqipëri zhvillimi industrial është menduar se do të bëhet vetvetiu, nisur nga vënia në praktikë e trinomit liberalizim-privatizim-stabilizim. Në fakt, historia, thotë studimi, ka treguar se nuk ka ndodhur kështu dhe se është e nevojshme të ndërmerren politika të kujdesshme, të studiuara në këtë drejtim.

selami-xhepaStudimi i Selami Xhepës, një prurje elegante në lami të studimeve ekonomike, shqyrton rolin e faktorëve të zhvillimit ekonomik dhe varësinë e zhvillimit nga historia; tipologjinë që ka krijuar ekonomia në sajë të veprimit të forcave të tregut dhe shpërndarjes së burimeve drejt sektorëve më efikas. Studimi u botua në numrin e katër të revistës “Economicus” thotë se për të lëvizur nga stadi i tanishëm i ekonomisë në një stad më të avancuar është e nevojshme të reformohet sistemi ekzistues i politikave dhe i institucioneve me qëllim që të arrihet në një ekonomi konkurrente, sipërmarrëse. Duhet një konceptim i ri, në radhë të parë formal i politikave industriale që qëndrojnë të baraslarguara ndaj teorisë klasike dhe ndërhyrjes shtetërore. Kjo nuk është e thjeshtë, pasi kemi të bëjmë me një kulturë të caktuar të mbrojtur prej kohësh, e cila kërkon kohë të bëhet. Është e rëndësishme, thotë studimi, që të ideohet një kuadër institucional që të jetë i përshtatshëm t’u japë zgjidhje atyre që quhen dhe që njihen si dështime të tregut dhe njëherësh të bëhet e mundur ndërtimi i një atmosfere “Market Friendly”. Duhet të gjendet një balancë mes politikave publike që ndiqen ose që do të ndiqen dhe forcave të tregut. Studimi thotë se është e mundur që këto dy elemente mund të jenë komplementarë dhe pikërisht kjo është pika nevralgjike ku duhet të mbërrihet. Kjo pikë nuk lejon shtrembërim të tregut ndërkohë që ndihmon zhvillimin industrial. Qasja tradicionale e politikës industriale deri më tani ka qenë identifiko barrierat dhe eksternalitetet dhe dizenjo politika të adresimit ët tyre. Procesi i specializimit krijon një shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe shndërrohet në një forcë zhvillimore. Por evidencat tregojnë se ndërsa vendet zhvillohen më shumë, prodhimi dhe punësimi tentojnë të jenë më pak të koncentruar sektorialisht. Vetëm pasi vendi arrin një nivel zhvillimi të mirë, të krahasueshëm me Irlandën, atëherë prodhimi tenton të shkojë drejt koncentrimit, thotë studimi i Xhepës. Në vendet me të ardhura të ulëta është një problem i rëndësishëm ai i koordinimit. Zhvillimi i një produkti të ri do të kërkonte praninë e industrive të lidhura si shërbime infrastrukturore, rrugë, energji, telekomunikacion, ofrues inputesh etj., të cilat nuk mund të ofrohen nga investitorë privatë për aq kohë sa nuk ka një numër të mjaftueshëm operatorësh në treg. Këtu kërkohet ndërhyrja e qeverive dhe kjo duhet të bëhet e studiuar me imtësi. Një tjetër problem është edhe ai i informacionit si mund ta dijë një investitor paraprakisht se produkti që ai do të prodhojë do të ecë në treg.

Pra, problemi që del është, a mund të hartohen politika të tilla publike që inkurajojnë sipërmarrjet e riskut nga sektori privat. Duhet të gjendet një kornizë që të mos dekurajojë investitorin. Studimi i Selami Xhepës risjell në vëmendje sugjerimet e ekonomistit të njohur botëror, Dany Rodrik, që janë subvencionimi i kostove të “vetëzbulimit”, zhvillimi i mekanizmave financiarë për investimet me risk të lartë, si për shembull, garanci publike për investimet afatgjata, koordinim i eksternaliteteve me anë të institucioneve qeveritare, subvencionim i fuqisë punëtore etj./ Mapo

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi